PS

Fitorja e kandidatëve të PS-së në zgjedhjet vendore të 14 majit, do të jetë fitore, jo vetëm e Shqipërisë por e të gjithë shqiptarëve

Qeverisja 10-vjeçare e Partisë Socialiste në Shqipëri, ka shënuar një frymë të re të zhvillimit në të gjitha fushat e jetës, edhe pse  në mënyrë sistematike është penguar shantazhuar, sulmuar e përdhunuar nga opozita e shkapërderdhur, e dhunshme dhe pa dinjitet, veçmas  të drejtuesve  të saj politikë.

Përparimet që ka shënuar  Shqipëria gjatë këtyre viteve në të gjitha segmentet e jetës urbane e rurale  janë kolosale, janë të panumërta, janë evidente në çdo cep të Shqipërisë, qoftë në ndërtimin e rrugëve, autostradave, në zhvillimin e turizmit, në ruajtjen e ambientit, në planifikimin dhe realizimin urban të qyteteve, investimet kapitale në infrastrukturë, në krijimin e vendeve të reja të punës, në arsim, shëndetësi, në ndihmën kapitale dhënë ndërmarrësve privatë, mbështetje financiare për bizneset, rritjen deri në dyfish e më shumë të pagave, në të gjithë sektorët shtetërorë,  rritjen e pensioneve, të të gjitha kategorive, përforcimin e Policisë  së Shtetit dhe të Armatës Shqiptare, bashkëpunimin e jashtëm  jo vetëm me vendet fqinje por me të gjitha shtetet e rajonit, Evropës e botës.

Shqipëria sot është emër nderi që dëgjohet në KS të OKB, në BE, në Këshillin e Evropës dhe në të gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, në Lindje e në Perëndim, me zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, mbi principe të miqësisë, barazisë, mirëkuptimit e tolerancës.

Asnjëherë prej vitit 1991 e deri tani, Shqipëria nuk kishte arritur këtë nivel të dinamizimit të zhvillimit të jetës  në të gjitha aspektet shoqërore, politike, ekonomike, tregtare, që ka arritur sidomos në 10 vitet e fundit

Populli shumicë i sheh, i ndjen, i mbështet këto të arritura, sepse janë të pranishme kudo ku kthen sytë, Është vetë populli shumicë, i cili  është bërë e po bëhet pjesë e këtyre zhvillimeve që janë në radhë të parë për popullin, pse jo edhe për të pasurit, për oligarkët, për klasën pushtetare, sipas standardeve, bashkëkohore,  kapitaliste.

Shqipëria nuk është më vendi i barazisë sociale, megjithatë Partisë së majtë Socialiste, i takon ky zhvillim mbi principe të barazisë dhe është për të besuar  se në këtë segment kjo është partia e vetme që ka shënuar të arritura kapitale, të cilat mund të mos pranohen, por nuk mund të fshihen dot, sepse janë faktet që flasin, është zhvillimi i hovshëm që del në sipërfaqe me statistika ndër më të ndryshmet, me monitorime vendore e ndërkombëtare.

Duke marrë parasysh këtë nivel të zhvillimit shoqëror që flet vetvetiu, votuesit në zgjedhjet vendore të 14 majit, nuk do të kenë dilema, sepse nuk kanë as edhe një arsye të vetme  t’ iu besojnë premtimeve të Sali Berishës e Ilir Metës, sepse ata kanë treguar me vepër për çka e kanë përdorur pushtetin.

 

Ata, me gënjeshtra e mashtrime, duke u thirrur në emër të votuesve e kanë zhvatur këtë vend dhe janë bërë miliarderë bashkë me familjet, të afërmit, miqtë  e kumbarët e tyre, bashkë edhe me armiqtë e Shqipërisë, me fazliça e dobiqa, me thithjen e parave të pista nga Moska e Beogradi, me besnikët e Greqisë e të qarqeve mafioze kudo në rajon e më gjerë. Pikërisht për këtë Sali Berisha është shpallur “non grata” nga Amerika, aleatja më e fuqishme e Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë shqiptarëve. Të pretendosh se do të fitosh vota duke qenë i rreshtuar kundër Amerikës, është pritje e kotë dhe e papranueshme, është pritje debile,  për çdo mendje që mendon dhe vepron  esëll, përveç atyre që blihen e shiten me para, skena që i kemi parë sidomos gjatë muajit të fundit, por nuk heq shumë as kandari i tyre.

I ballafaquar me një opozitë të vrazhdë, cinike, goditëse, hakmarrëse, arrogante, shantazhuese dhe kurdoherë e gatshme për ta marrë pushtetin, qoftë edhe me dhunë, ashtu sikur ka  provuar shpeshherë dhe ka bërë disa herë apozita, Qeveria Rama, deri tani  ka treguar tolerancë maksimale, kulturë të fortë politike, durim deri në shkallën sipërore, por edhe veprim të fortë institucional në  realizimin fillestar të programit  e reformave, të cilat tashmë kanë filluar të prekin të gjitha segmentet e jetës, sepse 20 e më shumë vjet keqqeverisje, korrupsion, plaçkitje bizare të gjithçkaje, ndërtime pa leje, dëmtim i pasurisë publike, vjedhje e energjisë elektrike, vjedhje madje edhe të Thesarit të Shtetit, arsim dhe shëndetësi të korruptuar e të manipuluar,  20 vjet anarki, nuk kalohen dot me disa vite qeverisje të mirë dhe në dobi të qytetarit shqiptar, apo të shqiptarëve përgjithësisht.

Hapat konkretë që deri tani ka realizuar  Qeveria e Kabinetit Rama, janë për çdo lëvdatë, në të gjitha segmentet. Këta hapa i vërejnë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe i përcjellin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, sepse vetëm një Shqipëri e fortë, stabile, një Shqipëri perspektive është në dobi të kombit të katandisur në pesë shtete, kombit, të cilit iu ka kërkuar në të kaluarën  dhe i kërkohet aktualisht  të jetojë i ndarë për hir të paqes në rajon dhe për hir të interesave të Serbisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, e mbi të gjitha edhe për hir të BE-së, e cila ekskluzivisht kërkon paqe në rajon, pavarësisht se sa dëmtohet zhvillimi dhe perspektiva e shqiptarëve në këtë drejtim.

Në një gjendje të tillë, ku Shqipëria po lufton për të vendosur ligjin, rendin, sigurinë dhe funksionimin e shtetit në të gjithë sektorët, ku Kosova po ballafaqohet me presionin gjithnjë në rritje të Serbisë, për t’ ia  deformuar pavarësinë  dhe perspektivën e saj, ( vazhdimisht e përkrahur edhe nga Brukseli zyrtar) ku shqiptarët në Maqedoni nuk po arrijnë të realizojnë qëllimet për të cilat kanë luftuar, ku shqiptarët e Kosovës Lindore nuk gëzojnë madje as të drejtat elementare njerëzore e kombëtare, ku shqiptarët në Mal të Zi janë shumë larg realizimit të një niveli normal të të drejtave të tyre elementare,  është vështirë të bëhet ndonjë kthesë për 10 vjet, edhe pse shumëçka është arritur. Megjithatë, në të gjitha këto segmente të jetës kombëtare e shoqërore të shqiptarëve në Ballkan ka një lëvizje, të paktën një qëndrim më unifikues të Qeverisë së Tiranës, në mbrojtje të interesit kombëtar të shqiptarëve, që tani po artikulohet me një  gjuhë më realiste, jo më me atë  gjuhën e dhjamosur diplomatike, të ndrydhur dhe të frikshme, e rezervuar për ta thënë troç të vërtetën.

Edi Rama, të vërtetën faktike të shqiptarëve dhe të aspiratave të tyre e ka thënë në zemër të  Beogradit, para syve të Vuçiqit,  pa u frikësuar fare. Ai kishte kumtuar burrërisht atje ku nuk e kishte thënë asnjë politikan shqiptar i derisotëm, e tha edhe në Prishtinë e në Tiranë dhe pa asnjë mëdyshje do ta thotë edhe në BE dhe në OKB, sepse nuk mund të shtyhet më tej padrejtësia historike shumë shekullore që iu ka bërë dhe po iu bëhet 7 milionë shqiptarëve të shkapërderdhur në pesë shtete të Ballkanit.

Duke gjalluar ndër  shekuj me ndjenjën e inferioritetit, të skllavit, të pacifistit, politikani shqiptar i së kaluarës, në një masë të madhe edhe ai i së sotmes,  mbi të gjitha ka qenë një servil i neveritshëm në qasje e sjellje  ndaj çdo të huaji. Vetëm në raste të veçanta ai ka shprehur qartë identitetin, kërkesën e tij të ligjshme dhe të natyrshme dhe ka mbrojtur interesin e kombit e Atdheut. Kryeministri Rama ka shkëlqyer në këtë drejtim, jo me retorikë false, jo me ekuivoke e servilizëm  sikur bënin  e bëjnë Sali Berisha, Ilir Meta  e të tjerë, por ka vepruar me një qëndrim dhe veprim të pjekur politik, të moderuar në kuptimin realist të fjalës, pavarësisht se i ka mbetur apo jo hatri Evropës Plakë. Ai është i vetmi politikan shqiptar  që në KS të OKB-së ka mbrojtur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krerët e saj,  të cilët padrejtësisht prej nëntorit të vitit 2020  po mbahen në paraburgim në Gjykatën Speciale, në Hagë. Me nismën e tij është paraqitur kërkesa në Parlamentin Evropian   për  demontimin e dikreditimin  e raportit të Dik Martit, për gjoja  trafikim të organeve të serbëve nga ushtria Çlirimtare e Kosovës, raport i cili nuk u mbështet me asnjë të dhënë reale dhe si i tillë u anashkalua edhe nga Gjykatës Speciale.

 Ta mbrosh të drejtën tënde, të drejtën e kombit e të popullit tënd të ndarë e të copëtuar padrejtësisht, nuk është asgjë tjetër, nuk është asgjë më shumë, pos një e drejtë e natyrshme dhe e patjetërsueshme, është detyrë mbi të gjitha detyrat, sepse kështu bëjnë qeveritarët e vërtetë kudo në botë.

Edi Rama nuk ka nevojë për lavde as elozhe, madje ai duket krejt indiferent ndaj tyre, por ka nevojë për përkrahje e mbështetje nga të gjithë shqiptarët liridashës, jo sepse vjen nga radhët e Partisë Socialiste, jo sepse është i majtë, por sepse e ka treguar  me vepër  atë që nuk e treguan si duhet e sa duhet pararendësit e tij në Qeverinë e Tiranës, të paktën jo në nivelin e tij.

Partia Socialiste në pushtet dhe Edi Rama u ballafaquan me sfida ndër më të rëndat e më tragjiket që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre dhjetë viteve. Sfidat kulmuan me tërmetin katastrofal të vitit 2019 e pak më vonë edhe me pandeminë e virusit korona. Të dy këto tragjedi të natyrës së jetës njerëzore, Shqipëria i ka përballuar me vendosmëri, kujdes, përgjegjësi dhe në nivelin më të larë të mundshëm, në kushte dhe rrethana tepër të rrezikshme, pa mbështetje të opozitës, për më tepër të një opozite destruktive e cila i dogji mandatet, doli në rrugë dhe u dha flakën institucioneve të Shtetit, me qellim të  shkatërrimit dhe  kthimit të Shqipërisë në vitin 1997 e më keq.

Një ballafaqim me sfida të tilla, nuk e ka përballuar askush në të kaluarën as do të mund ta përballonte kurrë sikur e përballoi me suksesin meritor, Edi Rama, me stafin e tij qeveritar dhe përkrahësit e përkushtuar, secili në vendin dhe në punën e vet.

Nëse zgjedhjet do të zhvillohen me standarde, pa ndërhyrje e pa pretendime për t’i manipuluar ato, duke u bazuar në sondazhet e deritanishme por edhe të disponimit të shumicës së shoqërisë shqiptare në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët,Partia Socialiste do të fitojë edhe kësaj radhe në shumicën e bashkive, dhe që do të jetë një precedent për të mirë  i llojit të vet, por edhe një realitet që po ndodh para syve tanë, sepse dhjetë  vite  e më shumë të qeverisjes së mirë, madje shumë të mirë, hetohen kudo në të gjitha pjesët e vendit, në rrugë, ndërtime me leje, ngritje të qindra shkollave e spitaleve të reja, ngritja e aeroporteve, ngritja e mirëqenies së popullit dhe sa e sa përparime të tjera, të gjitha të dukshme në çdo kënd të Shqipërisë. Fati i së ardhmes së Shqipërisë dhe i shqiptarëve përgjithësisht është fitorja edhe kësaj radhe e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste.

 

 

Ahmet Qeriqi

13 maj 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …