Frank Shkreli

Frank Shkreli: Hollivudi në mbështetje të lirisë së shtypit

Të dielën mbrëma u transmetua në televizionin amerikan ceremonia vjetore e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë,  organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit, që    nderojnë arritjet më të mira të vitit të kaluar në film dhe në televizion.  Çdo vit, ceremoni të tilla, natyrisht, vlerësojnë punën artistike të yjeve të Hollivudit, por njëkohsisht raste të tilla përdoren për të prekur edhe tema shoqërore me rëndësi për vitin që lamë pas — për Amerikën dhe për botën — duke marrë parsyshë audiencën e madhe që tërheqë një ceremoni e tillë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por edhe anë e mbanë botës.  Tema shoqërore e vitit 2017 që u theksua nga disa disa folës, përfaqësues të Hollivudit, gjatë ceremonisë, u spikat ç’prej fillimit nga veshjet me ngjyrë të zeza të grave që morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë. Ishte kjo një përzgjedhje e qëllimtë nga gratë pjesëmarrëse dhe nga disa burra, për të shprehur solidaritet me organizatën e formuar nga fundi i vitit të kaloi, “Times’s Up”, “Mbaroi Koha”.  Kjo organizatë ka marrë mbi vete përgjegjësinë individuale dhe shoqërore për të luftuar një fenomen shoqëror që kishte marrë përmasa të mëdha – ngacmimet seksuale, jo vetëm në Hollivud por edhe në hapësira të tjera dhe në vende të punës dhe të të veprimtarisë shoqërore, madje përfshirë edhe median.

Natyrisht, se kjo është një nismë shumë me vend dhe me rëndësi që duhej të spikatej në një ceremoni të tillë nga vet përfaqsuesit e Hollivudit. Time’s Up –Mbaroi Koha” është një nismë tipike amerikane kur zbulohet një problem i përmasava, siç është ngacmimi seksual në vendin e punës.   Por është gjithashtu tipike amerikane mënyra me të cilën shoqëria përballet me probleme të tilla, të çfardo natyre qofshin ato, duke e pranuar së pari se problemi ekziston, duke mos hesituar për t’a venë në dukje publikisht, duke debatuar dhe duke dënuar fenomene të tilla, dhe më në fund, për t’i bërë thirrje shoqërisë në përgjithësi për një angazhim serioz për zgjidhjen e problemit, cilido qoftë ai.

 Një temë tjetër e natës së ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Globi i Artë, organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit, ishte edhe liria e shtypit në Amerikë dhe në botë.   “Shtypi po sulmohet në ditët e sotëme”, u tha të pranishëmve dhe shikuesve anë e mbanë botës, Oprah Winfri, e cilësuar si “Mbretëresha e të gjitha mediave”.   Ajo vuri në dukje respektin e saj për punën e gazetarëve duke thënë se, “Ne e dimë gjithashtu se është dedikimi i pangopur i gazetarëve ndaj zbulimit të së vërtetës absolute, që na bën të mos mbyllim sytë ndaj korrupcionit dhe padrejtësive, ndaj tiranëve dhe viktimave të tyre, ndaj sekreteve dhe gënjeshtrave.” Një ndër fituesit e kësaj mbrëmjeje ishte edhe Komiteti Për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë amerikane jo-fitimprurëse dhe jo-qeveritare, me qëndër në Nju Jork e cila mbështet, promovon dhe mbron lirinë e shtypit dhe të drejtat e gazetarëve. Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit, njoftoi se i dhuroi Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve 1-milion dollarë për të vazhduar misionin e tij në mbrojtje të fjalës së lirë anë e mbanë botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Janë dhuratat monetare si kjo e Shoqatës së Gazetarëve të Huaj natën e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë që bëjnë të mundur për Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve që të luftojë sfidat me të cilat përballen gazetarët anë e mbanë botës, duke i siguruar ata se cilat do qofshin problemet me të cilat përballen – gazetarët kudo qofshin, nuk janë vetëm, por kanë mbështetjen dhe ndihmën e individëve të njohur të shoqërisë amerikane si Oprah Winfri dhe yje të Hollivudit  si Meryl Streep e cila gjithashtu foli në mbështetje të lirisë së medias   të organizatave dhe enteve të ndryshme jo qeveritare, siç është Hollivudi.

Duke shprehur falaënderimet ndaj dhuratës prej 1-milion dollarësh, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u shpreh se si ent mbrojtës i fjalës së lirë, “Beson se gazetarëve kudo qofshin dhe kudo veprojnë, duhet t’u jepet mundësia që të jenë të lirë të raportojnë lajmet pa frikë, pa ndërhyrje dhe pa ndëshkim.  Në shoqëritë me një shtyp të lirë dhe të pavarur, popujt kudo, mund të kenë informacionin për të cilin kanë nevojë për të mbajtur qeveritë përgjegjëse për veprimet e tyre dhe si indidvidë, të kenë informacionin e duhur për të marrë gjithashtu vendime të përshtatëshme për jetën e tyre dhe në të mirën e familjeve të veta.”

Sulmet dhe kritikat ndaj lirisë së shtypit kanë marrë përmasa botërore vitet e fundit duke shkaktuar shqetësime të mëdha në radhët e gazetarëve dhe të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shtypit kudo në botë – qoftë në vend të vogëla, qoftë në vende të mëdha, qoftë në vende që udhëhiqen nga diktatorë e autoritarë, qoftë në vende pjesërisht demokratike e madje edhe në vende që konsideorhen si demokratike.  Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve botoi ditët e fundit një listë të udhëheqësve botërorë të cilët kanë, “Bërë ç’mos duke sulmuar shtypin e lirë dhe të minojnë normat që mbështesin lirinë e shtypit.”  Sipas këtij enti amerikan për mbrojtjen e gazetarëve, 5 udhëheqsit botërorë në listën e botuar ditët e fundit, e që sipas tij, kanë një frikë të paparë nga e vërteta dhe nga kritikët e vet, ndërkohë që disa prej tyre kanë një angazhim të plotë personal dhe zyrtar ndaj censurës së shtypit, “Kanë bërë ç’mos që të heshtin njëherë e mirë zërat kritikë ndaj tyre, duke dobësuar kështu dukshëm demokracinë.” Lista përmban emërat e udhëheqsit të Turqisë, Rexhep Erdogan, Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, Presidentit Abdel Fattah el-Sisi të Egjiptit, si dhe Presidentit Xi Jinping të Kinës. Në listën e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve radhitet edhe Presidenti i Shteteteve të Bashkuara, Donald Trump si një kritik i shtypit amerikan, si rrjedhim i mbulimit kritik të punës së tij dhe të administratës që ai kryeson, nga media amerikane në përgjithësi, duke thënë se Z. Trump, sipas këtij Komiteti, ka postuar rreth 1000 mesazhe kritike ndaj medias.

 Është e vërtetë se Z. Trump vazhdon të jetë kritik ndaj medias amerikane, por përfshirja e tij në listën e “të pestëve” nuk besoj se i përshtatet realitetit të lirisë së medias në Amerikë.  Nuk ka asnjë krahasim me gjëndjen e lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara me vendet siç janë Turqia, Rusia, Kina, Egjipti a po ndonjë vend tjetër që, historikisht, janë të njohura si abuzues të pangopur të gazetarëve dhe të lirisë së medias në vendet tyre, në përgjithësi. Media amerikane është e njohur për ekspozimin e skandaleve politike dhe lloj-lloj skandalesh të tjera në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar, pa pësuar ndonjë ndëshkim serioz nga autoritetet amerikane.  Mjafton të sjellin në kujtesë skandalin “Watergate” që detyroi largimin e Presidentit Riçard Nikson nga Shtëpia e Bardhë, që pothuaj çoi edhe largimin e tij nga detyra, i turpëruar.  Mjafton të kujtojmë skandalin seksual “Monika Lewinsky” të Presidentit Bill Klinton në Shtëpinë e Bardhë. Ishte pikërisht liria dhe pavarësia e medias amerikane ajo që zbuloi dhe çoi deri në fund mbulimin e informacionit në lidhje me këto skandale dhe qindra të tjera gjatë dekadave të fundit, pa asnjë ndëshkim.   Prandaj megjithë qellimin e mirë të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve nç mbrojtje të lirisë së shtypit, nuk mund të thuhet se media, në asnjë nga vendet e përmendura më lartë nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, të ketë patur të njëjtin efekt në zhvillimet politike të atyre vendeve, pa u ndëshkuar gazetari ose enti mediatik që përfaqësonte ai.  Ndryshe nga këto vende dhe nga udhëheqsit e tyre në listën e mësipërme, nuk është pra as Riçard Niksoni, as Bill Klintoni dhe as Donald Trump-i ai që mund të kërcënojë lirinë e shtypit dhe të ndëshkojë gazetarët në Amerikë, pasi janë strukturat demokratike të këtij vendi që i mbrojnë ata dhe lirinë e tyre të fjalës, mbi të gjitha është kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, pikërisht Neni 1 i kësaj kushtetute, ai që garanton lirinë e medias dhe punën e pavarur të çdo gazetari ose enti gazetaresk, pa dallim. Ky nen i kushtetutës amerikane – ashtu si edhe vet kushtetuta e Shteteve të Bashkuara — i ka qëndruar kohës, i pa prekur dhe i pa abuzuar, si garantues i lirisë së shtypit. Liria e fjalës është e shënjtë dhe e paprekëshme, qoftë edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, cilido qoftë ai, ose në cilën do kohë. Ai është vetëm një zë.  Është provuar tanimë se, rreziku ndaj lirisë së medias në botë vjen nga ata udhëheqës që vet flasin e vet vulosin, nga ata që sulmojnë, arrestojnë dhe ndëshkojnë gazetarët për një fjalë goje kritike ndaj tyre, nga ata që frikësojnë dhe censurojnë, nga ata udhëheqës botërorë që gazetarinë e krahasojnë me terrorizëmin, nga ata liderë që gazetarët, si rrjedhim i punës së tyre, i akuzojnë për krime anti-shtetërore dhe nga ata që ushtrojnë censurë dhe kontroll të plotë me mënyra të ndryshme, mbi median dhe gazetarinë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …