Masakra e Recakut

Frank Shkreli: Masakra që ndryshoi politikën botërore ndaj Kosovës

Një reflektim në 20-vjetorin e Masakrës në Reçak

 Pas ditën e 15 Janarit, 1999, Washingtoni ishte paralizuar nga një furtunë e ftohtë me akull, ndërkohë që këshilltarët më të lartë të politikës së jashtme të Presidentit Bill Klinton po mblidheshin një nga një për një takim mbi gjëndjen në Kosovë, në të ashtuquajtën “Situation Room”, dhoma e Shtëpisë së Bardhë ku diskutohen situatat më kritike dhe më të rëndësishme të sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.  Kështu e fillonte kronikën gazeta Washington Post me 18 Prill, 1999 mbi takimin urgjent, ndërsa shënonte se në atë takim të nivelit të lartë, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright – kishte bërë thirrje — por pa sukses për momentin — për një fushatë të fortë shtuar presioni nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s ndaj Beogradit, për një ndërhyrje në Kosovë. Por në vend të një vendimi më të fortë siç kërkonte Zonja Albright, në atë takim të nivelit të lartë të këshilltarëve të Presidentit Klinton, u miratua një dokument sekret prej 13-faqesh, i quajtur “Strategjia mbi Kosovën”.  Gazeta Washington Post shkruante me atë rast se Sekretarja Amerikane e Shtetit ishte e bindur se asnjë masë tjetër e përkohëshme kundër Serbisë nuk do të ndalonte shpërthimin e një lufte në Kosovë.  Por, zyrtarët e lartë të politikës së jashtme amerikane, të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë atë ditë, nuk dinin ende se një ditë përpara, nja 6,000 mijë kilometra përtej oqeanit, në një fshat të Kosovës i quajtur Reçak, forcat terroriste serbe kishin masakruar mbi 45 civilë, një masakër kjo që më në fund do të ndryshonte çdo gjë. Një ri-konstrukturim në atë kohë, nga gazeta Washington Post, i ngjarjeve në Washington dhe në Bruksel, kryeqendra e NATO-s, tregon se masakra serbe e civilëve të pafajshëm shqiptarë në Reçak, pat transformuar krejtësisht politikën e deri atëhershme të Perëndimit, e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj Ballkanit Perëndimor — në një mënyrë që rrallë herë ndodhë që një ngjarje e vetme si kjo të ndryshonte politikat aq shpejt. Masakra në Reçak, shkruante Washington Post, bindi administratën amerikane dhe aleatët e saj në NATO se përpjekjet e deri atëhershme për të parandaluar një konflikt në Kosovë, kishin dështuar. Si përfundim, qëndrimet e Sekretares Albright për një politikë më të vendosur diplomatike dhe ushtarake kundër Serbisë u diskutuan në një mbledhje të thirrur më 19 Janar 1999 nga Këshilltari i Sigurimit Kombëtar, Sandy Berger. Dy ditë më vonë, raportonte Washington Post, Presidenti Klinton i paraqiti, planin e diskutuar në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministrit britanik, Tony Blair dhe kështu në fund të Janarit të vitit, 1999 u mor vendimi për luftën e parë të NATO-s në konfliktin më me pasoja në Evropë, ç’prej Luftës së dytë Botërore.

Me 19 Janar, 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kishte dënuar ashpër masakrën e shqiptarëve civilë, përfshirë gra dhe fëmij, në Reçak dhe me atë rast kritikoi ashpërsisht Beogradin për shpalljen “persona non-grata”, Kryetarin e Misionit të OSBE-së në Prishtinë, Ambasadorin amerikan William Walker.  Ishte pra, pikërisht Ambasadori William Walker, i cili me të shkuar në vendin e ngjarjes ku ishin hedhur kufomat në Reçak, një ditë pas masakrës, më 16 Janar – ai që njoftoi Shtetet e Bashkuara dhe botën mbarë për krimet serbe kundër civilëve shqiptarë në Reçak. Ishte, vlerësimi i gjëndjes së përgjithëshme shumë të rëndë në Kosovë dhe sidomos dëshmia e Ambasadorit Walker për masakrën që kishte parë me sytë e vet në Reçak, 20-vjet më parë, që çoi më në fund në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave terroriste policore dhe ushtarake serbe në Kosovë dhe në anë e mbanë Serbisë.

Dëshmia e ambasadorit Walker për masakrën tragjike që kishte parë ai në Reçak, njëkohësisht tmerroi mbarë botën e qytetëruar dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë ndërkombëtare, sidomos asaj amerikane, se diçka duhej bërë dhe shumë shpejt, para se të bëhej tepër vonë, për të ndaluar masakrimin e popullit shqiptar në Kosovë, nga forcat kriminale të Millosheviqit. Ish- Drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori William Walker, në një intervistë për Zërin e Amerikës (VOA), në prag të 20 vjetorit të masakrës së Reçakut, u shpreh se i mbetet besnik vlerësimit të tij për ngjarjen, e cila hodhi dritë në atë që po ndodhte në Kosovë dhe që çoi eventualisht në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave serbe, duke thënë se “Deri më sot, 20 vjet më pas, jam ende i bindur se vlerësimi që kam dhënë ishte i vërtetë”.

Ndërkaq, në intervistën e tij me Zërin e Amerikës shqip, Ambasadori Walker, ashtu si edhe në të kaluarën, komentoi duke kritikuar edhe situatën aktuale politike në Kosovë, duke e cilësuar atë si të “trazuar”. “Mendoj se situata është zhgënjyese, ka shumë korrupsion, shumë krim, shumë pasiguri për të ardhmen…një numër shumë i madh njerëzish në Kosovë sot janë mjaft të zhgënjyer me ecurinë e deritanishme”. Duke folur për situatën aktuale në Republikën e Kosovës, përfshirë bisedimet me Serbinë Ambasadori Walker tha gjithashtu se i shikon, “Idetë e reja në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si të pafavorshme për Prishtinën”. Ambasadori Walker, si mik i shqiptarëve dhe i Republikës së Kosovës që është, me rastin e 20-vjetorit të masakrës në Reçak, i këshillon udhëheqsit politikë të Kosovës, që në këtë proces të “normalizimit” të marrëdhënieve me Serbinë, “Të mos dëgjonin aq shumë sa kanë dëgjuar deri tani komunitetin ndërkombëtar dhe të dëgjojnë më shumë popullin në Kosovë”. Mesazhi i Ambasadorit Walker është që politikanët e Kosovës, të dëgjojnë më shumë njerëzit që i votojnë dhe që u mundësojnë atyre pozitat, detyrat dhe titujt e lartë, si dhe privilegjet që vijnë, si rezultat i posteve të tyre publike.

Tre vjet më parë, 17-vjetorin e masakrës së Reçakut e kisha shënuar me këtë shkrim modest, http://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-bace-nuk-eshte-kry/, duke thënë se duhet t’i ishim mirënjohës Ambasadorit Walker sepse nuk dihet si do të kishin rrjedhë punët në Kosovë në vitin 1999, po të kishte qenë në Prishtinë në atë kohë një përfaqësues jo amerikan, si kryetar i Misionit të OSBE-së. Kosova me të të drejtë e ka nderuar këtë hero të drejtësisë, mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe mik i shqiptarëve, miqësi të cilën ai e dëshmon edhe tani pas 20 -vitesh, ndërkohë që nuk pushon së punuari për të mirën dhe mbarëvajtjen e Republikës së Kosovës.  Por ambasadori Walker, siç është shprehur para dy ditësh edhe në intrevistën me VOA-n shqip, ai e di mirë, ashtu siç e dimë të gjithë, se megjithse Kosova është e lirë, demokratike dhe pavarur, e njohur nga mbi 100-vende të botës –ish-diplomati amerikan ishte shprehur edhe para tre vjetësh se– “Kosova është në rrugë të gabuar” dhe për këtë ai ka ngarkuar me faj klasën politike, e cila ka thënë para tre vjetësh në Prishtinë se,

“Është një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet sot Kosova”, dhe si e tillë shtoi ai, “kjo klasë politike nuk është e aftë të zgjidhë problemet me të cilat përballet Republika e Kosovës” dhe si përfundim, sugjeroi ai, në atë vend duhet të ketë një ndryshim brezash politikë të cilët të jenë të aftë për tu përballur me sfidat e reja të Kosovës.

Fatkeqsisht, këtij parashikimi të zymtë të Ambasadorit Walker, tre vjet më parë, iu bashkuan kohët e fundit edhe manovrat e papritura – të cilat po të mos ishin të rrezikshme do të ishin qesharake — të politikës shqiptare në Tiranë, si rrjedhim i tentimit për ndryshime në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë.   Unë e kam thënë edhe më përpara dhe sot jam dakort me Ambasadorin Walker i cili deklaroi për VOA-n se udhëheqsit politikë shqiptarë, për të mirë të popullit të vet, “Të mos dëgjojnë aq shumë sa kanë dëgjuar deri tani komunitetin ndërkombëtar dhe të dëgjojnë më shumë popullin në Kosovë”.  Të kërkohen mendjet më të zgjuara dhe më me përvojë të botës shqiptare, por mbi të gjitha ato më atdhedashëse që mund të ekszitojnë, për tu përballur me situatat aktuale më absurde politike anë e mbanë trojeve shqiptare.

Pa një ndjenjë atdhedashurie të vërtetë kombëtare dhe pa një mjedis të domosdoshëm bashkëjetese politike dhe kombëtare – pa një diskurs politik të denjë për shekullin 21, në radhët e klasës politike të shqiptarëve kudo — që do t’i jepte një hov të ri jetës kombëtare, politike dhe ekonomike të shqiptarëve, sot për sot –në 20-vjetorin e masakrës së Reçakut në Kosovë dhe 30-vjetë pas shëmbjes së komunizmit në Shqipëri –nuk mund të thuhet se, “Bacë u kry”, jo vetëm në Kosovë, por askund tjetër anë e mbanë trojeve shqiptare. Busulla e historisë së kombit shqiptar po pret gjithnjë të kthehet në rrugën e duhur, drejtë horizonteve të reja. Kjo mund të arrihet vetëm nga vetë shqiptarët.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …