Ibish Neziri: Nuk mund të udhëhiqen bisedime me Serbinë nën kërcënimin e Gjykatës Speciale dhe frikës nga ajo

Ibish Neziri: Demarkacioni apo korrupsioni është gur më i rëndë në qafën e Kosovës?

Vizat, është shprehja më e keqpërdorur që nga viti 2015 e këndej.

E keqpërdorur nga ata që këto i kanë në duar e e keqpërdorur nga këta që nuk kanë asgjë në dorë.

Se demarkimi i kufirit është bërë gabimisht nuk do mend. Jo vetëm gjeometrat, gjeografët, topografët po edhe barinjtë e dinë këtë, por ata që më së shumti janë të thirrur për ta ditur nuk po duan ta dinë. Është për të ardhur keq që parlamentarët ithtarë të ratifikimit në parlament thonë se nëse nuk e ratifikojnë marrëveshjen, Kosova i humb vizat, por në asnjë mënyrë nuk e thonë se nëse demarkimi ratifikohet, Kosova humb territor. Këtë sot në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit e tha njëri nga kundërshtarët e ratifikimit.

Këtë e kanë lidhur me vizat, ndonëse fillimisht nuk ishte kusht i ndërkombëtarëve, por kusht e bëri ish-koalicioni qeveritar LDK-PDK, për ta lënë nën hije kushtin tjetër po aq të rëndësishëm sa edhe demarkacioni – korrupsionin.

Kur vihen para demarkimi, vizat dhe qëndrimi i BE-së, nuk duhet qenë fort i mençur për të parë se politika e BE-së, kur janë në pyetje shqiptarët, i përdor dy binarë. Të gjithë qarkullojnë e lëvizin nëpër Evropë pa viza pos shqiptarëve të Kosovës. Nuk mund të mos shtrohet pyetja se pse ndodhë me qytetarët e Kosovës kështu, cili nga shtetet fqinjë i ka të rregulluara marrëdhëniet me fqinjët, cilat shtete të dala nga ish Jugosllavia i kanë kryer demarkimet e kufijve, a nuk kanë probleme me kufirin Sllovenia e Kroacia, Bosnja e Serbia, Mali i Zi e Serbia, Mali i Zi e Bosnja, Bosnja e Serbia, Serbia e Kroacia, Serbia e Kosova, dhe anasjelltas, Maqedonia e Greqia sot për emrin e nesër me siguri edhe për kufirin? Pse Serbisë, kur i hapen bisedimet nuk iu vu kusht demarkimi i kufirit me Kosovën, pse nuk iu vu kusht paraprak tërheqja e të gjitha strukturave paralele nga përtej Ibrit? Çfarë do të thotë kjo tjetër pos politikë e dy binarëve? Nga do të lëvizin dhe si do të lëvizin lirisht qytetarët kur posa afrohen në Merdarë iu fillojnë pengesat. Njësoj do t’u ndodhë edhe në Dheun e Bardhë, në Muçibabë, në Mutivodë dhe në të gjitha pikëkalimet tjera kufitare me Serbinë. Njerëzit nga Kosova do të detyrohen t’ua ndërrojnë edhe më tutje tabelat makinave, shenjat e Republikës së Kosovës nuk do t’ua lejojnë në makina gjë që është e detyrueshme për të gjitha shtetet, prandaj edhe nuk mund të flitet për lëvizje pa viza apo lëvizje të lirë.

Nga viti 2015 populli i është nënshtruar një presioni të paparë, deri në terrorizim me vizat nga BE-ja në  njërën anë e në anën tjetër nga politikanët e paaftë, të cilët pos e futën shtetin në mjerim, ia vranë ëndrrën e të ardhmen rinisë duke ia humbur perspektivën si në atdhe, ashtu edhe jashtë atdheut dhe duke ua lënë vetëm ëndrrën e ikjes jashtë.

Sa kohë kaloi e sa përpjekje u bënë për t’i bërë numrat për ta kaluar demarkacionin  dhe të gjitha përpjekjet shkuan kot. Edha pas lojës së mbrapsht e të papritur rreth „aneks-marrëveshjes“ Thaçi – Vujanoviç, përpjekja për ta ratifikuar demarkacionin dështoi.

Para fillimit të seancës së jashtëzakonshme për kufirin një OJQ e organizoi një protestë në të cilën, duket, morën pjesë 13 persona, numër ky ters, ndërkaq në protestat e mëhershme kundër demarkimit patën marrë pjesë qindra mijëra protestues.

Duhet të ratifikohet demarkacioni apo nuk duhet?

Për këtë mendimet janë të ndara.

Për mos ratifikim konsekuent qëndrimeve të veta iu mbeti vetëm Lëvizja Vetëvendosje me të dy krahët e vetë. Për ratifikim konsekuent qëndrimeve të veta iu mbeten partitë që e nënshkruan marrëveshjen LDK – PDK, ndërkaq satelitet e tanishëm të PDK-së Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës e Haradinajt, NISMA e Limajt, dhe AKR-ja e Pacollit filluan të sillen rreth boshtit të PDK-së dhe pas „aneks-marrëveshjes“, duke dashur ta mashtrojnë vetveten dhe bashkë me vetveten edhe opinionin, premtuan se do ta votojnë variantin e Komisionit të Kosovës, të udhëhequr nga Bulliqi, i cili as që ishte vënë në diskutim dhe i cili nuk ishte diskutuar me palën tjetër, Malin e Zi.

Këtë variant edhe pse nuk ishte në votim, LDK-ja në seancën e jashtëzakonshme parlamentare tha se nuk do ta votonte, gjë që nxori në sipërfaqe se asnjëri nga variantet nuk do të miratohet në mungesë konsenzusi e numrash, dhe është mirë që nuk miratohet, por ta zëmë se u miratua marrëveshja me Malin e Zi, çfarë pastaj, çfarë të mira do t’i sjell ajo Kosovës, a do të ia sjell liberalizimin e vizave?

Sigurisht se jo.

Edhe pas ratifikimit të demarkacionit, cili do variant qoftë, gjë që nuk do të ndodhë, Kosova nuk do ta marrë lirinë e lëvizjes, sepse  BE-ja nuk është e interesuar për këtë. Po t’i kishte mbetur vërtetë deri te lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës, atyre do të duhej t’ua mundësonte, ndërkaq sanksionet t’ua vente politikanëve, deputetëve, qeveritarëve të të gjitha niveleve, siç ia vuri SHBA-së ish kryeprokurorit Llalla ditë më parë dhe Tirana zyrtare t’’ua tërheq pasaportat qoftë të zakonshme, qoftë diplomatike.

Është një kusht tjetër, i cili përciptazi përmendet, gur i rëndë në qafën e Kosovës, i cili do të jetë “conditio sine qua non”, por të cilin në asnjë mënyrë nuk do ta plotësojnë as përfaqësuesit qeveritarë e as parlamentarët dhe as institucionet tjera. Është ky korrupsioni, i cili ka depërtuar dhe është majmur në të gjitha poret e jetës në Kosovë.

Pse ky kusht është e pamundur të plotësohet, shtrohet pyetja dhe përgjigjja është shumë e logjikshme:

Kush do ta luftojë korrupsionin, ata që e krijuan dhe e trashën? Sigurisht se jo! Ata për ta luftuar këtë dukuri kanceroze, fillimisht duhet ta bëjnë ligjin për hulumtimin e prejardhjes së pasurisë dhe konfiskimin e pasurisë së fituar paligjshëm, përmes korrupsionit, vjedhjeve e keqpërdorimeve të çdo lloj, të heqin dorë nga pozitat e tyre në mënyrë që hetuesit t’i lënë të lirë, jashtë çdo ndikimi për ta kryer punën e vet dhe në heshtje t’i presin vendimet e gjykatës për korrupsionin, të cilin e kanë ngritur në shkallën më të lartë! Të hulumtohen të gjithë tenderët dhe fituesit e tenderëve si dhe mënyra e realizimit të tyre. Të hulumtohen edhe të „punësuarit“ nëpër ndërmarrje publike, si në PTK, Ibër-Lepenc, KEK, etj, të cilët pa i parë kush në ato vend-punime kanë marrë paga të majme. Me një fjalë hetimet të fillojnë nga peshqit e mëdhenj, të cilët as nuk po bien në rrjeta e as në grepa dhe as që do të bien.

U bë ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi apo nuk u bë, liberalizim vizash nuk do të ketë sepse është e pamundur të plotësohet kushti i dytë.

Qeveria e Republikës së Kosovës po ta dojë vetëm pak Kosovën nuk duhet ta pres të mërkurën, por qysh sot ajo duhet ta paraqes dorëheqjen dhe presidenti t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme. Pasi të konstituohet parlamenti presidenti ta ndjek shembullin e qeverisë dhe t’i hap rrugë krijimit të institucioneve të reja, me njerëz të pakorruptuar, të cilat pastaj do ta qonin deri në fund luftën kundër korrupsionit. Ata nuk e duan Kosovën, ata do të vazhdojnë të mbeten në pushtet.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …