Intervistë me Xhemajl Pllanën, Udhëheqës i Divizionit për Promovimin e Turizmit në Ministrinë e EPTINIS 

Intervistë me Xhemajl Pllanën, Udhëheqës i Divizionit për Promovimin e Turizmit në Ministrinë e EPTINIS 

RKL: I nderuar z. Xhemajl Pllana, tani kur po diskutohet shumë për pakon ekonomike për mbështetjen e bizneseve për rimëkëmbje nga pasojat e pandemisë COVID19, çka mendoni cilat janë fushat ku duhet të orientohet kjo mbështetje për turizëm në vendin tonë?

Xhemajl Pllana: Një nga sektorët më të goditur nga kriza aktuale e pandemisë është sektori I udhëtimit dhe turizmit. Sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës, numri i ndërmarrjeve aktive në sektorin e hotelerisë dhe akomodimit është 3.683. Pothuajse 14.000 persona janë të punësuar dhe të vetë punësuar. Këto NVM do të ndikohen me 13 milion humbje të qarkullimit. Mese 12.000 të punësuar do të jenë joaktiv dhe do të rrezikojnë të humbin punën e humbje tjera nga mos aktiviteti i këtij sektori të turizmit. Prandaj Organizata Botërore e Udhëtimit dhe Turizmit ka propozuar tre masa jetike për të gjitha qeveritë, për të mbështetur këtë sektor: 1. Ndihma financiare për të mbrojtur të ardhurat e miliona punëtorëve në këtë sektor. 2. Qeveritë duhet të japin kredi me kamatë zero për kompanitë globale të udhëtimit dhe turizmit dhe bizneseve të vogla e të mesme. 3. Të gjitha taksat, detyrimet dhe kërkesat financiare për sektorin e udhëtimit duhet të hiqen të paktën për 12 muajt e ardhshëm. Prandaj dhe qeveria jonë,sipas mundësive buxhetore është në shqyrtim dhe në zbatim të këtyre rekomandimeve. Poashtu MEPTINIS, më 18.05.2020, ka nxjerrur Urdhëresë: për shtyrjen e shërbimeve turistike, me të cilën: 1. Urdhëron subjektet turistike që, përmes kuponëve (Voucher) ose dokumenteve të barasvlershme, t’iu mundësojnë: 1.1. Shtyrjen deri më 31.12.2021 të shërbimeve turistike të parapaguara ose të rezervuara turistike të cilët nuk kanë mundur të udhëtojnë për shkak të pandemisë COVID-19; 2. Zëvendësimin e paketave të cilësisë së njëjtë ose më të lartë konsumatorëve të cilëve u janë anuluar paketat turistike për shkak të pandemisë COVID-19: dhe nëse paketa zëvendësohet me paketa të cilësisë më të ulët, konsumatorëve t’ua kthejnë dallimin në çmim.

 

RKL: Duke e ditur se Kosova përfshinë, turizmin malor, turizmin rural, turizmin e shpellave, alpinizmin, ngjitjen, dhe format tjera, a është paraparë nga ministria krijimi i pakove turistike për këtë vit?

Xhemajl Pllana: Po, Republika e Kosovës dhe gjithë trojet shqiptare kanë trashëgimi kulturore e atrakcione shumë të bukura natyrore siç i keni cekur dhe ju prandaj kjo gjithsesi që është paraparë,sepse kjo tashmë është bërë rregull. Ky aktivitet i takon dhe është përgjegjësi e punës dhe organizimit të kompanive ose operatorëve turistik të cilët janë të organizuar dhe të gatshëm për startim, mirëpo e gjitha varet nga zhvillimet e mëtutjeshme të pandemisë. Dhe këtë jo vetëm në Kosovë por edhe në plazhet dhe në të gjitha atraksionet e shumta kulturore dhe natyrore në Republikën e Shqipërisë.

 

RKL: Deri tani cili është promovimi dhe marketingu i Kosovës si destinacion turistik?

Xhemajl Pllana: Deri më tani promovimi i turizmit tonë është bërë nëpërmes botimeve të ndryshme të prospekteve turistike,hartave turistike,fletushkave të ndryshme, incizime filmike për atraksione turistike dhe atë kryesisht me donacione te huaja,kemi bashkëpunim dhe me RTK dhe me TV e radio të tjera, kemi organizuar takime te ndryshme brenda e jashtë vendit,kemi marr pjesë dhe ne panaire turistike. Por duke u bazuar ne potencialet turistike qe kemi është bërë pak.

 

RKL: A mendoni se mund të realizohen organizimet e parapara të panaireve, konferencave dhe punëtorive nga sfera e turizmit dhe hotelerisë?

Xhemajl Pllana: Konferenca mediatike në distance kemi mbajtur dhe ka mundësi të mbahen, ndërsa panaire e punëtori nuk janë mbajtur sepse vet mbyllja e kufijve e dikton ketë çështje. Panaire turistike me Shqipërinë dhe Malin e Zi, zakonisht organizoheshin gjatë Prill-Majit në Prishtinë por gjatë këtij viti nuk u realizua për shkak të pandemisë COVID-19.

 

RKL: Cili është bashkëpunimi me Shqipërinë sa i përket turizmit tani pas pandemisë COVID19?

Xhemajl Pllana: Me Republikën e Shqipërisë kemi bashkëpunim të mire por ka mundësi dhe për me shume sepse jemi një popull, një gjak dhe një territor, prandaj duhet të kemi me shumë vizita të ndërsjella jo vetëm turistike sezonale por dhe me nxënës e me student me qëllim të njohjes se trashëgimisë tonë të përbashkët kulturore e historike. Me Republikën e Shqipërisë kemi arritur Marrëveshjen e parë të Bashkëpunimit në fushën e turizmit. Edhe kompanitë tona turistike kanë takime të përbashkëta me qëllim të masivizimit të turizmit dhe përfitimeve tona të përbashkëta dhe ato janë të gatshme të startojnë sezonin veror turistik në plazhet e bukura shqiptare.

 

RKL: Meqenëse gjatë këtij sezoni shumica e qytetarëve të Kosovës, do të kenë të pamundur të shkojnë në pushime jashtë vendit, cilat do te ishin alternativat për pushime brenda Kosovës?

Xhemajl Pllana: Shpresoj se shpejti do të hiqen pengesat e pandemisë dhe do të hapen kufijtë dhe do të realizohen pushimet verore në plazhet e Republikës se Shqipërisë. Alternativa është e njëjtë si për turizmin e jashtëm ashtu dhe për turizmin e brendshëm, heqja e kufizimeve të imponuara nga pandemia COVID-19 dhe lëvizja e njerëzve dhe e kompanive turistike të udhëtimit.

 

RKL: A mendoni se deri më tani e ka pasur vëmendjen e duhur turizmi në vendin tonë?

Xhemajl Pllana: Vëmendja ose interesimi i shtetit tonë ka qenë pak ose tepër pak. Republika e Kosovës ka potenciale të mëdha kulturore e natyrore që mundësojnë zhvillim të kësaj industrie e cila në kushtet e pas çlirimit të Kosovës ka mundur me qenë sektori me mundësitë me të mëdha të punësimit të rinisë tonë, të shkolluar e me njohje të gjuhëve të huaja, të rritjes se standardit dhe të mirëqenies jetësore të qytetareve tanë. Mirëpo Republika jonë ka patur qeveritarë e Kuvendarë që mendonin se Kosova nuk ka turizëm, sepse nuk ka plazhe?!

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …