Islam Lauka

Islam Lauka: Kthimi i gjeneralëve të luftës në ushtarë bashibozukë

Me ratifikimin e Marrëveshjes së Kufirit, midis Kosovës dhe Malit të Zi, Qafa e Çakorrit, Belluha dhe Kulla nuk janë as nuk do të jenë më pjesë e Kosovës, as e trojeve tona amtare. Ato do t’i kalojnë fqinjit tonë, Malit të Zi, i cili, historikisht, e ka dy-trefishuar territorin e tij, në dëm të shqiptarëve. Deklarata Thaçi – Vujanoviç, e sajuar për të shërbyer si gjethe fiku për mbulimin e lakuriqësisë së krimit për tjetërsimin antikushtetues të territorit shtetëror, nëpërmjet marrëveshjes se nënshkruar nga Hashim Thaçi me 26 gusht 2015, si dhe të braktisjes së kauzës së mbrojtjes së tij nga Ramush Haradinaj, e mbylli “misionin” e saj. Asnjë korrigjim kufiri nuk do te ndodhë, sepse ajo ishte, thjesht, një deklaratë politike, e lidhur me interesa te ulëta dhe meskine, pa asnjë efekt juridik ndërkombëtar. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, disa të mashtruar, të tjerë të vetëmashtruar; disa zgjuar, të tjerë në kokërr të gjumit (duket, të lodhur nga pija, mbase, nga jeta e natës apo arsye të tjera që mund të jenë të gjithfarshme, por jo të lidhura me shqetësimet e mëdha të vendit dhe të zgjedhësve që përfaqësojnë); disa me vullnet të lirë, të tjerë nën presion; disa, për shkak të bindjeve, të tjerë, të blerë, pas një numri përpjekjesh të dështuara arritën që me votat e tyre të sigurojnë shumicën e cilësuar për ratifikimin e marrëveshjes. Me siguri, për të mbetur në histori, edhe të fikur, edhe të koritur.

“Argumentet” bazë të mbështetësve të ratifikimit, ashtu si më parë, edhe në seancën e sotme të Kuvendit ishin këto: ratifikimi është në interes të Kosovës, sepse, midis të tjerash, i hap rrugë liberalizimit të vizave. Ai kërkohet nga aleatët tanë strategjikë. Ne duhet të jemi konstruktivë dhe mirënjohës ndaj tyre. Ne nuk mund të dalim kundër atyre që na kanë mbështetur në çdo hap të rrugës tonë drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Argumenti” i parë, logjikisht, nuk qëndron, sepse nuk mund të jetë në favor të vendit, një vendim që i shkëput atij pjesë të territorit të vet. Liberalizimi i vizave, edhe sikur të ndodhte menjëherë pas ratifikimit, gjë që është shumë e dyshimtë, sado që është i mirëpritur, nuk i zgjidh problemet e rënda me te cilat ballafaqohet Kosova. Udhëtim i lirë nuk do të thotë edhe mundësi punësimi. Shqiptarët e Kosovës nuk po vuajnë për të parë kullën Eifel, por për punë.

Sa i takon “argumentit” të dytë: është e vërtetë që në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë kemi pasur ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë strategjikë. Pa ndihmën e tyre nuk do të kishim këtë Kosovë që kemi sot. Për këtë u jemi mirënjohës përjetë. Por, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, si drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e dinë edhe ndonjë të vërtetë tjetër, si për shembull, shpalljen, nga ana e SHBA-së të UÇK-së si organizatë terroriste, në fillim të vitit 1998. Po të ishte dëgjuar në ate moment aleati ynë, do të duhej të shkatërrohej UÇK dhe bashkë me të t’i vihej vizë edhe lirisë së Kosovës. Historia, tashmë dihet. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u shkurajua por vazhdoi luftën, heroikisht, duke i treguar mbarë botës që shqiptarët janë gati të vdesin për lirinë e tyre. Nuk kaloi shumë kohë dhe Uashingtoni ndryshoi qëndrimin e tij ndaj UÇK-së, duke e konsideruar si aleaten e vet kundër regjimit shtypës të Millosheviçit. Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj e kujtojnë mirë edhe ndërhyrjen e NATO-s, e cila nuk u bë për pavarësimin e Kosovës, por për parandalimin e katastrofës humanitare që Milosheviçi kishte planifikuar kundër shqiptarëve. Në vitet e para pas luftës, aleatët tanë strategjikë nuk e kishin kurrkund në axhendën e tyre pavarësimin e Kosovës. Vendosmëria jonë për të mos pranuar kurrëfarë kthimi prapa, asnjelloj bashkëjetese me Serbinë, natyrisht, me mbështjetjen e aleatëve tanë, bëri të mundur shpalljen e pavarsisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008. Një rast tjetër, nga Shqipëria: Po të kishte dëgjuar Tirana aleatët strategjikë, në vitin 2013, sot vendi do të ishte i mbushur me armë kimike, të prodhimit rus, të cilave do t’ua kishte parë sherrin, jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova e gjithë rajoni i Ballkanit, jo vetëm brezat e tanishëm por edhe ata të ardhshëm.

Nuk e kanë thënë shqiptarët, por një personalitet i njohur perëndimor, jo sot, por para më shumë se 150 vjetësh, ish-Kryeministri britanik Palmerston, se në marrëdhëniet midis shteteve nuk ka aleatë as miq të përjetshëm, por interesa të përjetshme. Dakord, sot flitet edhe për vlera, por në radhë të parë, për çdo shtet qëndrojnë interesat. Këtë duhet ta kuptojmë më mirë në shqiptarët. Në këtë kontekst, ne do të duhej të guxonim më shumë dhe të argumentonim para miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, se, në rast të ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, Kosova humbet territor, gjë që dëmton rëndë interesat tona si shtet. Çfarë gjëme i ka gjetur shtetet e tjera ballkanike që, pothuaj, të gjitha e kanë të pazgjidhur problemin e shënjimit (demarkimit) të kufirit me fqinjët?

Duket se etja e pashuar për pushtet të pakufizuar ua ka errësuar sytë dhe topitur mendjen ish- komandantëve të luftës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, duke ua tharë, që në rrënjë, çdo filiz idealizmi nga koha e luftës për liri. Për hir të pushtetit dhe të interesave klanore po shkelin mbi amanetin e shkokëve të luftës dhe të të parëve që u sakrifikuan për mbrojtjen e këtyre trojeve që na i lanë trashëgim.

Tjetërsimi antikushtetues i territorit të Kosovës në favor të Malit të Zi, është hallka e fundit në zinxhirin e gjatë të transformimit të gjeneralëve, heronj të luftës, në ushtarë bashibozukë, që veç plaçkisin e shtypin popullin.

Nënshkrimi nga Hashim Thaçi i Marrëveshjes së Kufirit me Malin e Zi, me 26 gusht 2015, në kundërshtim me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, date 25 qershor 2015, sipas së cilës, vija kufitare me këtë vend do të duhej të ndiqte kufirin administrativ; mosraportimi i tij në Kuvend, para se të bëhej nenshkrimi i kësaj marrëveshjeje; nënshkrimi i Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit për Komunat me Shumicë Serbe (prill 2013), në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës; shpenzimi i fondeve publike për lobim personal; shkarkimi, nga Ramush Haradinaj, i bordeve të institucioneve publike, me motive politike (verpim që çoi në përjashtimin e Kosovës nga Regjistri Europian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë); rritja e rrogave për qeveritarët, në konflikt të hapur interesi, në kushtet kur në vend mbizotëron varfëria ekstreme; falja arbitrare e borxheve të ambalazhuesve të ujit; përpjekjet antikushtetuese të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, të miratuar nga të dy ata, në vitin 2015, mbi bazën e ndryshimeve përkatëse kushtetuese dhe të vendimit të Kuvendit të Kosovës me 2/3 e votave, etj. dëshmojnë që komandatët e luftës çlirimtare, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, veç etjes për pushtet, kanë probleme serioze edhe me vendimmarrjen politike. Në kohë paqeje ata vazhdojnë të mbeten peng të metodave drejtuese të luftës guerile, kur, për shkak të rrethanave specifike, autoriteti politik përqëndrohet në dorë të një njeriu të vetëm dhe nuk përfillen norma e parime të tilla demokratike si, konsensusi, llogaridhënia, sundimi i ligit, ndarja e pushteteve, sistemi i kontrolleve dhe ekuilibrave.

Shfaqje e mbetjes peng ndaj metodave të luftës guerile, midis të tjerash, janë përgjigjet që Ramush Haradinaj ka dhënë në disa intervista të kohëve të fundit, lidhur me vendimmarrjen për çështje të rendësishme me interes publik: “Vendosa kështu për qef”, ose “E mora këtë vendim se kështu m’u tek”. Me një mentalitet të tillë, nuk mund të përballohen sfidat komplekse, të karakterit gjeopolitik, gjeostrategjik dhe gjeoekonomik, me te cilat ballafaqohet sot Kosova. As nuk mund të shënohet kurrfarë përparimi në rrugën e integrimeve të saj euro-atlantike. As nuk mund t’u jepet zgjidhje halleve e shqetësimeve për nevojat më elementare të qytetarëve (punë, sigurime shëndetësore, energji, mjedis i pastër). Mjafton të thuhet që, si pasojë e politikave të gabuara, shpesh, mujshare dhe zhvatëse, karakteristikë e forcave bashibozuke, Kosova po kthehet në një vend të pabanueshëm. Që nga shpallja e pavarësisë, 11% e popullsisë së saj, ose rreth 200 mijë vetë, kanë kërkuar strehim në vendet perëndimore.

Kur udhëheqësit politikë nuk përballojnë detyrat themelore që ua dikton posti dhe kushtetuta, si mbrojtja e territorit shtetëror, ngritja e mirëqënies së popullit, ruajtja e mjedisit, etj., përse u dashkërka që ata të mumifikohen, përjetësisht, në kolltukun e pushtetit?

Në gjykimin tim, potenciali krijues i Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt, në dobi të Kosovës, ka shteruar dhe, aktualisht, ata janë kthyer në pengesë për zhvillimin e Kosovës. Në këtë kuadër, zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e tyre, në të kundërt, populli e ka të drejtën e vet legjitime që, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe mjetet demokratike t’i detyrojë ata të largohen nga pushteti, për t’ua lënë vendin forcave të tjera politike, më të afta, më të përgjegjshme dhe më krijuese.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …