Izet Ibrahimi

Izet Ibrahimi: Çlirimi i Trepçës do të shënonte çlirimin dhe bashkimin përfundimtar të Kosovës

Parulla e Pranverës Shqiptare ’81: “Trepça Punon Beogradi Ndërton”, jo vetëm që ishte tepër e saktë, por ajo në vete përmbante mesazhin (edhe sot aktual) se: çlirimi i Trepçës nga mentalitetet “metalostrugarçe titoiste”, do të thotë bashkim dhe çlirim përfudimtar i Republikës së Kosovës.
Viti 2021 është viti jubilar i 40 vjetorit Pranverës Shqiptare ’81. Ndërsa marsi, që nga Kuvendi i Princërve Arbëror i vitit 1444, i cili rezultoi me krijimin e Besëlidhjes Arbërore në krye me Gjergj Kastriotin –  Skënderbeun, e deri në Epopen e Jasharajve, të vitit 1998, e që u bë gurthemeli i unitetit dhe Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përveç që sjellë pranverën, ai për ne shqiptarët paraqet edhe muajin e lavdisë dhe dhimbjes së madhe krenare. Pra ky është muaji në të cilin ndizen zjarret në shenjë respekti për Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe të rënit e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz, është muaji i përkujtimit të Pranverës Shqiptare ‘81, muaji i festës së mësuesit të parë në Drenicë, Shaban Jasharit dhe gjithë mësuesëve tjerë shqiptarë, është muaji i fesëtës së nënës dhe shumë ngjarjeve të rëndësishme të rrugëtimit tonë për çlirim e bashkim kombëtar. Rrugë kjo e gjatë dhe e rimuar me gjak e sakrificë. Në këtë 40 vjetor të Pranverës Shqiptare ’81, po shfrytëzoj rastin që nga këndëvështrimi i një demonstruesi të përshkruaj karakterin dhe jehonën e thirrjes: “Trepça Punon, Beogradi Ndërton” të vetëm njërës nga parullat Pranverës Shqiptare ‘81, të atij zgjimi të madh për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Atëherë, kur në rrugët e qytetve të Kosovës, së bashku me demonstruesit e tjerë po brohorisja; “Kosova Republikë”, “Kosova për Shqiptarët”, “Trepça Punon, Beogradi Ndërton”, “Rroftë Adem Demaçi”, “Jemi shqiptarë nuk jemi jugosllavë” e të ngjashme. Isha fare i ri, por dhe kisha njohuri jo të mjaftueshme për të zbërthyer karakterin dhe jehonën e këtyre thirrjeve, por megjithatë edhe pse në moshë nxënësi, ajo jehonë na kishte maturuar para kohe dhe na thërriste për të kundërshtuar e demaskuar politikat pushtese të regjimit jugosllavo-titist. Në kontekstin e këtyre thirrejeve, po rikthej në kujtesë dy opinione ektremisht të kundërta lidhur me vetëm një nga parullat e Pranverës Shqiptare ’81, pra atë; “Trepça Punon Beogradi Ndërton”.
Në vitit 1982 po ndiqja studimet në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë, dhe tani thirrja e demonstruesve: “Trepça Punon, Beogradi Ndërton” ishte bërë pjesa më e nxehtë e debatit në diskursin politik të kohës. Temperatura e këtij debati kishte arritur kulmin në vitin 1982, pikërisht atëherë kur shumica e kreut që kishte organizuar dhe bartur mbi supe përgjegjësinë për këtë zgjim të madh shqiptar, ishte burgosur, ose kishte kaluar në ilegalitet të thellë. Ndërsa, elita e atëhershme politike përmes të ashtuqujturit diferencim ideo-politik për të justifikuar dhunën dhe terrorin shtetror që po ushtronte ndaj organizatorve, rinisë studentore dhe përgjithësisht ndaj shqiptarëve, këtë dhe të gjitha parullat tjera të Praverësë Shqiptare ‘81 i përgjithësonte me kualifikimet; “separatiste”, “irredentiste”, “armiqësore” e “kundërrevolucionare” dhe kështu me ose pa shkas, vriste, torturonte dhe burgoste kudo ku depërtonte jehona e Pranverës Shqiptare ’81. Megjithatë, edhe në rrethanant e një shteti policor, kudo në Kosovë po tentohej të rindizej ose riaktualizoheshin në mënyra të ndryshme thirrjet e Pranverës Shqiptare ‘81.  Në mbrëmjen e 2 prillit të viti 1982, së bashku me dy nga shokët e mi, deri sa po ktheheshim nga një përpjekje e tillë nga Drenasi për në Mitrovicë, rastësisht takuam një gazetar anglez, i cili kishte ardhur për të përcjellë nga afër atë që pritej të ndodhte në këtë përvjetor të Pranverës Shqiptare ’81. Rrugën nga stacioni i atobusëve e deri te Ura e Ibrit, si zakonisht edhe asaj mbrëmje po e bënim në këmbë. Skenderi, njëri nga shokët e mi, po këndonte më zë pak më të ngritur se zakonisht këngën e tij të preferuar, “Mora udhë e rash në det” e Mehmeti po i mbante ison aty ku i shkonte zëri, ndërsa unë po meditoja dhe ecja nëpër baltën e pistë që kishte mbuluar pothuajse gjithë rrugën deri tek Ura e lumit Ibër. Posa kaluam kthesën e parë tek ura e Lushtës, një gazetar anglez me mirësjelljen më të lartë të mundshme iu bashkua ritmit tonë të ecjes dhe po përpiqej të kuptonte diç nga ajo që po këndonin dy shokët e mi. Na u lut që t’i zbertheninim përmbatjen e ndonjërës nga strofat e kësaj kënge. Pasi Mehemti (M.C.), e njihte më së miri gjuhën angleze, i përktheu sipas variantit të tij, mesazhin që jep strofa e këngës ‘Oj kala, kalaja e shkretë u rrënofsh e rafsh në det …”. Gazetari nuk kërkoi që të prenzantohemi, pasi ishte rrezik që të arrestohemi, por na u lutë që të përgadatisnim opinionin tonë lidhur me parullën: “Trepça Punon, Beogradi Ndërton”. Pasi që gazetari gjatë gjithë javës do të ishte në Mitrovicë e lamë që pas dy ditësh të takohemi prapë.
Që atë natë kishim intensifikuar hulumtimet për të gjetur përgjegjet në shumë nga pyetjet që ishin ngritur aso kohe. Të nesrmën, deri sa po hyja në bibliotekën e Fakultetit, sërish u takova me gazetarin e një nate më parë, por për të mos rënë në sy të sigurimit shtetror, i cili kishte shtuar radhët e tij edhe në mesin studenteve dhe “profesorëve” të këtij fakulteti, nuk u përshendetëm më njeri-tjetrin. Në korridorin e gjerë në hyrje të Fakultetit, ai ishte i rrethuar nga lloj-lloj spiunësh e kuadro komiteti. Këta në fakt ishin bërë të përhershëm dhe mund t’i takoje kudo nëpër ambientet e fakultetit tonë. Këta, në emër të Rinisë Socialiste të Stundentëve një nga sallat e këtij fakulteti e kishin kthyer në “zyrë spiunazhi” të cilën “zyrë” një nga kolegët e mi parapëlqente ta quante “’lamë dreqi”. Kjo dhe zyrat tjera të Rinisë Socialiste të Studnetëve frekuentoheshin nga studentë (të brymosur me ideolgji titiste) që po shquheshin në denoncimin dhe diferncimin e kolegëve të tyre “nacionalistë e irredentistë”, nga gazetarë, puntorë të sigurimit dhe kuadro komiteti. Aty frekuentonin edhe disa nga profesorët e sapoardhur nga Universiteti i Beogradit, e të cilët dhunshëm po zëvendësonin profesorët nga Universiteti i Tiranës, të cilët kishte një vit që rexhimi pushtues i kishte dëbuar nga Fakulteti ynë. “Profesorët” e sapo emëruar sipas një dekreti të Komiteti Krahinor të Kosovës, jo vetëm që na kishin detyruar që ligjeratat t’i ndiqnin në gjuhën serbe, por ata, aty ku kishin mundur, tanimë kishin ndryshuar skajshmërisht edhe përmbatjen e programit mësimor, duke e përshtatur atë më platformën politike pushtuese të elitës së atëhershme serbo-jugsllave.
Më 4 prill, ashtu siç ishim dakorduar, kishim përgatitur disa nga përgjegjet në pyetjet që gazetari anglez na kishte parashtruar ditë më parë. Paraprakisht ishim dakorduar që të takohemi në mbrëmje tek restaurant “Poleti”, i cili ishte jo shumë larg Fakultetit Xehëtaro-Metalurgjik. Sapo kisha arritur përballë restaurantit, ai doli nga aty dhe që mos të biem në syrin e informatorëve po vazhdonin të bisedonim duke ecur përgjatë rrugës. Ky bashkëbisedim kishte zgjatur deri tek stacioni i atobusëve. Gazetari anglez, në rugë e sipër më njoftoi edhe me opinionin që kishte marrë nga një profesor shqiptar, i cili sapo kishte ardhur nga Unviersiteti i Beogradit. Siç thonin kolegët e tij duke qenë se i ati i tij ishte kumar me Ali Shukriun, ai jo vetëm që ishte rritur e shkollluar në prehrin e tij, por edhe nga një inxhinier papërvojë dhe meritë shkencore, tani ishte bërë profesor universiteti, gjithashtu dhe kuadër i lartë në strukturat udhëheqëse në Trepçë dhe Komitetin e LKJ-së.
Versioni që kishte dhënë “profesori” i pa merituar ishte plotësisht në linjën me politikat serbe, të cilat edhe pas Luftës së Dytë Botërore pronësinë dhe fillimin e aktiviteteve minerare e lidhnin sipas së drejtës serbe. Ata thonin, se: “… aktivitetet minerare kanë filluar mbi bazën e një kontrate të nënshkruar në vitin 1926, në mes Radomir Pashiqit, i biri i Kryeminstrit Jugosllav dhe Nikolla Pasishqit, i cili të drejtën eksluzive për eksploatimin e mineraleve në Minieren e Stan Tërgut, e shiti tek konzerciumi, Selection Trust Ltd. Of London”. Ndërsa pas LDB, sipas të njejtit “… edhe përkundër përkushtimit dhe zemërgjersisë së shokut Tito dhe kryesisë së RSFJ, Trepça po vazhdon të operoj me humbje dhe po mbijeton vetëm falë “Fondit Federal për Zhvillimin e Përshpejtuar të Republikave dhe Krahinave më pak të Zhvilluara”. Në fakt, një opinion të tillë mund ta dëgjoje edhe nga Azem Vllasi, Fadil Hoxha, Ali Shukriu e shumë të tjerë kuadro titistë, të cilët me zellin më të lartë anti-kombëtar edhe kësaj radhe po tentonin të vrisnin përpjekjen e shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar.
Në kundërshtim me këtë pohim të pasaktë dhe tepër tendencioz, së bashku me kolegët e mi, u përpoqëm të paraqisnim opinionin tonë (kuptohet sipas këndvështrimit të një studenti siç na thonin atëherë “irredentist”). Ne, nuk po thonim asgjë të re, vetëm se po citonim disa nga burimet e literaturës, lidhur me aktivitetet minerare dhe metalurgjike në Dardani, gjejgjësisht Kosovën e sotme. Ne po i thonim gazetarit anglez, se shumë shekuj para pushtimit serb, siç shkruante edhe Plini, në veprën   e   tij :“Naturalis   Historiae”, këtu kishte lulëzuar aktiviteti minerar dhe metalurgjik ..”. Sipas tij po ashtu, këtu:   “…edhe burrat mbajnë në llërën e sipërme të dorës rrathë ari, që vinin nga Dardania, dhe prandaj quheshin dardanë”. Ndërsa nga Straboni po citonim, atë se: “… në afërsi të Damastionit (në Dardani) gjenden minierat e argjendit.” Këtu janë farkuar edhe monedha prej argjendi (prej vitit 395-320 para Krishtit) me mbishkrimin ∆ΑΜΑΣΤΙΟΝ. Pra, ne po thonim, se edhe pas sundimeve romake, bizantine, osamane, serbe, nazifashiste dhe jugosllave vendburimet minerare të Trepçës përfaqësonin njërin nga faktorët më të rëndësishëm të civilizimit njerëzor. Pra, edhe para viteve të tetëdhjeta, Trepça ishte gjigant me 22000 të punësuar që prodhonte koncentrate të plumbit e zinkut, plumb të rafinuar dhe aliazhe të plumbit, argjend, ar, bismut, zink elektrolit dhe kadmium, acid sulfurik, acid fosforik, plehra super-fosfate, akumulatorë, bateri nikel-kadmiumi, municion të gjuetisë, gypa dhe tel plumbi, llamarinë të zinkuar dhe produkte llamarine, materiale elektro-kontakti, vagoneta, elektro-lokomotiva për xehetari, pajime dhe pjesë rezervë për metalurgji dhe xehtari e produkte të tjera. Një fakt i tillë nuk mohohet as nga burimet shkencore serbe, ku sipas tyre, mineralet e Trepçës përveç plumbit dhe zingut përmbajnë edhe metale të çmuar; argjend e ar, të cilat këtë Kombinat e bëjnë ndër më të rëndësishmit për RSFJ-në. Sipas të njëjtave burime vlerësohet se përmbatja e arit në mineralet në: Stantërg: 0.6 g/t, Bellobërdë: 0.7 g/t, Cërnac: 1.0 g/t, Hajvali: 0.5 g/t, Kizhnicë: 1.1 g/t, Badovc: 0.25 g/t, Artanë: 1.6 g/t, dhe Crepulë: 0.13 g/t”. Kur kësaj sasie ari i shtohet edhe ari, nga vendburimeve në Kosovën Lindore, atëherë falë tyre RSFJ renditet në mesin e 60 vendeve me të pasura me ar në rangun botëror.
Se sa ishte i rëndësishëm ari, argjendi dhe metalet tjera përcjellëse të mineraleve të Pb-Zn të Kosovës, për Serbinë dhe RSFJ-së u dëshmua nga buja që pati bërë operacioni misterioz i plaçkitjës së arit në Trepçë, vetë1m 3 vite pas Pranverës Shqiptre ‘81. Aferë, e cila edhe pse e organizuar nga qarqe politiko-mafioze të kohës bëri bujë edhe në nivelin botëror.
Pra vetëm në vitin e Pranverës Shqiptare ’81, Trepça kishte arritur të prodhonte 133,555 ton koncentrat, gjegjësisht 72,457 Pb dhe 61,098 Zn, e cila sipas bursës ndërkombtare të këmbimit/LME, barazohej me vlerën prej 320.000.000 dollar. Kjo në fakt, gjykuar nga numri i të punësuarve aso kohe, përbënte vetëm 29 % të strukturës së të hyrave në Kombinatin Xehetaro-Metalurgjik Trepça. Ndrësa 8 vite pas Pranverës Shqiptare ’81, pas rrënimit përfundimtar të Trepçës dhe përgjithësisht sistemit ekonomik në Kosovë, ish-drejtori finaciar Nusret Maxhara, si dhe zyrtar të lartë të Trepçës, tani të suspenduar nga rexhimi i Millosheviqit, do të deklaronin; “Kombinati Xehtaro-Metlurgjik Trepça”, ishte cilësuar si thesar i Jugosllavisë, dhe si njëri prej burimeve më të mëdha financiare të federatës që nuk ekziston më. Falë kësaj, kemi pas arritur të izolojmë ndikimin e jugobankës në ekonominë e Kosovës. Kapitali i Trepcës vlerësohet të jetë mbi 1.5 miliard dollar, ku koeficientin e qarkullimit e kemi pas 3. Gjatë një viti fiskal kombinati kishte qarkullim deri në 4.5 miliardë dollar. Qeveria në Beograd kishte përdorur burimet e Trepcës për të ndërtuar Beograditn e Ri si dhe për të shpetuar falimentimin e shumicës së ndërmarrjeve në Serbi dhe ish-Jugosllavi. Në momentin e instalimit të masave të dhunshme nga Kuvendi i Serbisë, KXM Trepça kishte arritutr t’i ketë 17800 kreditorë dhe shumë kontrata të nënshkruara me kompani vendore dhe ndërkombtare”.
Pra, Trepça e tillë çfarë ishte, për RSFJ-në paraqiste më tepër se sistem ekonomik, ngase ajo ishte gjigant ekonomik i përmasave rajonale, duke u radhitur në vendin e 5-të të eksportuesve më të mëdhenj. E tani në këtë fillim shekull, Trepça vazhdon të jetë e ndarë në dy pjesë: Veri dhe Jug, duke qenë e sulmuar etnikisht e politikisht, ajo mezi po arrin të mbetet në këmbë. Kështu që, motoja e Pranverës Shqiptare ‘81 “Trepça Punon Beogradi Ndërton”, jo vetëm që ishte tepër e saktë, por ajo në vetë përmbante edhe mesazhin, se çlirimi i Trepçës nga mentalitetet “metalostrugarçe tito-iste” , do të thotë bashkim dhe çlirim përfudimtar i Republikës së Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve …