valamobile
mbpzhr 2018
akp deri me 1 prill
Fillimi / Analiza / Jakup Krasniqi: Demonstratat e vitit 1981-1990, sollën ritëm të ri në jetën politike të shqiptarëve
Jakup Krasniqi - 1981

Jakup Krasniqi: Demonstratat e vitit 1981-1990, sollën ritëm të ri në jetën politike të shqiptarëve

Demonstratat e vitit 1981 ishin ngjarje më kulmore të historisë sonë më të re të pas Luftës së Dytë Botërore. Pranvera Shqiptare ‘81, si ngjarje e periudhë kërkon studim e analizë serioze, sa më gjithëpërfshirëse, nga historianët e rinj të liruar nga kurthet e ideologjisë së LKJ-së. Demonstratat e vitit 1981 ishin një rebelim në kohën e duhur dhe pa dyshim ndër më të fuqishmit e Evropës Lindore të pas Luftës së Dytë Botërore kundër një sistemi totalitar. Demonstratat ndonëse u cilësuan si kryengritje, në thelbin e tyre ishin paqësore, pasi pa përdorimin e dhunës shqiptarët po e kërkonte avancimin e statutit politik të Kosovës nga autonomia në republikë. Vetë kërkesa republikë në kuadër të Federatës Jugosllave e konfirmon fuqishëm se shqiptarët ishin kundër luftës. E kundërta e shqiptarëve ishin shovinistët serbë e maqedonas, të cilët u treguan më shumë se të zellshëm për t’i shuar më hekur e barot, me burgje e përndjekje të të gjitha formave, kërkesat e drejta të shqiptarëve. Gjithë zhvillimet e mëvonshme në Serbi e Jugosllavi e kanë konfirmuar shkallën e lartë të rrezikshmërisë së shovinizmit serb, madje jo vetëm ndaj shqiptarëve.

Kërkesat, e studentëve që mbështeteshin nga i gjithë kombi shqiptar do të ishin lehtë të realizueshme, por për këtë natyrisht kërkohej vullnet politik nga krerët e federatës e të republikave të tjera të Jugosllavisë. Dhe ai vullnet në atë kohë mungonte, pasi të gjithë të tjerët në FJ ia kishin frikën nacionalizmit serb, i cili ishte në ngritje galopante në Serbi. Dhe përderisa shigjetat e nacionalizmit serbe (1986) nuk ishin drejtuar ndaj të gjithë joserbëve në Jugosllavi, sa për shqiptarët, drejtuesit e republikave të tjera nuk qenë të gatëm, pra hezituan për t’u ndeshur me atë shovinizëm. Por, koha tregoi se nuk do të shpëtonin lehtë. Ndoshta ishte fat në një fatkeqësi përmasash të paparapara e që Memorandumi 1 i ASSHA-së  ju tregonte të gjithëve se Serbia po përgatitej ethshëm për “beteja të reja”.

Po të analizoheshin të gjitha kërkesat e demonstratave që janë thirrur e shkruar që nga dita e parë e PRANVERËS SHQIPTARE, pa marrë parasysh nëse ishin politike, ekonomike, sociale, kombëtare a ideologjike, ishin në shërbim të Lëvizjes për Republikën e Kosovës. Vetëm qëllimkëqijtë e të yshturit nga politika e Beogradit e kohës, siç ishin atëbotë disa udhëheqës shqiptarë, përpiqeshin me çdo kusht e në çdo mënyrë t’i ndërlidhnin me përmbajtje ideologjike kërkesat e rinisë e të popullit shqiptar. Natyrisht që kjo nuk ishte aspak e vërtetë, sepse çështja kombëtare ishte substanca kryesore e kërkesave të Lëvizjes Kombëtare Klandestine (të Fshehtë) që u legalizuan nga Pranvera e Studentëve Shqiptarë. Kërkesa për Kosovën Republikë ishte paqësore edhe për faktin se nuk kërkonte ndryshimin e kufijve të jashtëm të Jugosllavisë e as kufijtë e brendshëm të Republikave meqenëse kufijtë e brendshëm të republikave e të krahinave autonome ishin kufij administrativë.

Demonstratat e vitit 1981 ishin edhe një viti sprovash të mëdha njerëzore për udhëheqësit shqiptarë të Kosovës. Nga kjo varej shumë se në ç’drejtim do të ecte Kosova. Udhëheqja e pati një mundësi të madhe të dilte në anën e rinisë shqiptare e të popullit shqiptar, në të kundërtën do të shndërrohej në një tellalle mjerane e shovinizmit serb të Beogradit! Për fatin e keq të saj e të popullit shqiptar, ajo nuk e bëri hapin e guximshëm për t’u shkëputur njëherë e mirë nga kolltukomania kolaboracioniste. Ajo pranoi jo vetëm nënshtrim pa kufi, por zgjodhi rrugën që të bëhej bashkëfajtore e platformës politike antishqiptare të serbëve të Beogradit. Me pranimin e kësaj rruge vërtet tradhtare, udhëheqësit e Kosovës e bënë gabimin e tyre më të madh, mbase edhe më të pafalshmin pas Luftës së Dytë Botërore. Pas tradhtisë që iu bë Luftës Nacionalçlirimtare më 8-10 korrik 1945 në Prizren, kur e pranuan aneksimin e Kosovës nga Serbia.

Demonstratat e vitit 1981 Beogradi u përpoq t’i shtypte me hekur e barot,vranë e burgosën shumë të rinj, të reja e intelektualë, por liria nuk mbytet dot me plumb, përkundrazi, shqiponjat e lirisë në furtuna i hapin flatrat e ndeshjes për jetë a vdekje.Për popullin shqiptar filloi një erë e re, era e qëndresës popullore, e cila hap pas hapi, por sigurt, po shkëputej nga vargonjtë e robërisë dhe kjo shkëputje ishte e domosdoshme. Dhuna serbe, që më vonë përfshiu të gjitha komunitetet e organizuara të shoqërisë shqiptare, nuk bëri gjë tjetër veçse e homogjenizoi kombin shqiptar në luftën për liri e Çlirim Kombëtar.

Gjatë viteve 1981-90 janë vrarë 183 qytetarë e 63 ushtarë. U dënuan 1.346 ushtarë, kurse për kundërvajtje politike u përgjigjën dhjetë mijë qytetarë, mbi 700.000  u morën në biseda informative nga UDB-a Jugosllave. Mbi tre mijë e pesëqind veta morën mesatarisht nga 7.1 vjet burg, që i bëjnë gjithsej njëzet e pesë mijë vjet burg apo 250 shekuj. Në vitin 1986 Kosova(sot Republika e Kosovës) e kishte numrin më të madh të të burgosurve politikë në të gjithë Evropën, përfshirë këtu edhe Bashkimin Sovjetik. Në burgjetjugosllave më shumë se 80 % e të burgosurve politikë ishin shqiptarë ndërsa në strukturën e përgjithshme të popullsisë merrnin pjesë me 6-7%. Janë këto shifra që jo vetëm demaskojnë periudhën e “artë” të vetadministrimit jugosllav, por edhe akuzojnë të gjithë tellallët e politikës jugosllave. Ka nga ata që e vajtojnë edhe sot e kësaj dite krijesën Jugosllavi.

Në vitet 1990/91, mbi shtatëmijë nxënës e studentë u helmuan me helme të ndryshme lufte, mbi njëqind e njëzet mijë punëtorë u larguan nga institucionet e veta të ndërtuara me djersën e mundin e tyre dhe të popullit tonë. Gjatë këtyre viteve, pushteti okupues ka përdorur forma të ndryshme dhune për ta privuar shqiptarin nga të gjitha të drejtat, edhe nga e drejta për të jetuar në Kosovën e lirë e të pavarur. Gjatë këtyre viteve, armiku ynë shekullor, qëllim të veçantë kishte kapjen dhe shpartallimin e lëvizjes ilegale të rezistencës, e cila me zell të madh luftohej nga një kategori e udhëheqësve të Kosovës. Lëvizja me gjithë pasojat dhe vështirësitë, burgosjet, ndjekjet, vrasjet, arriti ta ruajë vazhdimësinë, mbajti të ndezur flakadanin e lirisë, edhe pse në kushte të vështira (të krijuara nga spiunët e paguar), u arrit të ruhet organizimi, për t’u ndërgjegjësuar, mobilizuar e bashkuar shqiptarët rreth flamurit të lirisë e të pavarësisë. Pas rënies së dëshmorëve të parë si Asllan Pireva, Naser Hajrizi me shokë, në vitet në vazhdim, në ballë të luftës vriten veprimtarët e dalluar: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e shumë të tjerë që s`do t’i harrojmë kurrë.

Pas Pranverës Shqiptare të vitit 1981 për popullin shqiptar të Kosovës, të Maqedonisë, të Serbisë e të Malit të Zi, e shkollarët në veçanti filloi një kohë e rëndë e me kthesa të papritura. Filloi një fushatë e egër kundër historisë, gjuhës, kulturës e arsimit shqip. Bëhej ky “spastrim”për veprat më të mira të letërsisë e tëhistorisë kombëtare. Çdo gjë shqiptare po sulmohej, sulmi bëhej në mënyrën më çnjerëzore Nëna Shqiptare e cila me përbuzje krahasohej me lavatriqen, një makinë kjo për larjen e rrobave! Në këtë valle qe inkuadruar një pjesë e mirë e itelegjencies serbe/jugosllave, Kisha serbe dhe mediet e shumta të kohës. Demonstratat e vitit 1981-1990, përveç ritmit dhe kualitetit që sollën në jetën politike të shqiptarëve, ato u bënë shembull e burim frymëzimi për edukimin atdhetar të të rinjve në vitet në vazhdim në gjithë hapësirën e Kosovës së robëruar.

Kontrolloni gjithashtu

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Sindikata e djathtë

Gjithë historia e sindikalizmit tregon se lufta e organizatave të punëtorëve kanë qenë kryekreje të ...