Jakup Krasniqi: Dy kryetarë dhanë dorëheqje, pse jo kryeministri që ka një mal me shkelje

Në ketë shkrim, nuk do të komentoj me fjalë të mia (veç aty ku është e domosdoshme), vetëm dëshiroj të bëjë krahasime në mes shkeljeve  të Kushtetutës, që i janë bërë nga dy presidentet e dorëhequr dhe shkeljeve kushtetuese që janë bërë në Marrëveshjen e 25 gushtit 2015 nga Kryeministri i Kosovës,  e cila vështirë që mund të trajtohet si akt administrativ. Ndoshta ketë më mirë e kontestoi anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu i cili tregoi profesionalizëm të lartë, kur e ndau mendimin e tij nga anëtaret e tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, por jo për ambientin tonë?!

 

Pse e dhanë dorëheqjen dy  presidentë?

 

Fatmir Sejdiu ka shkelur nenin 88 të Kushtetutës, i cili në paragrafin e parë thotë: “presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë post  tjetër publik”, dhe paragrafi dy (2) që thotë: “Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”. Ndonëse Sejdiu e kishte ngrirë postin e tij në parti, Gjykata Kushtetuese nuk e mori si masë lehtësuese. Edhe pse këtu kemi të bëjmë me një shkelje morale që nuk ka pasur reflektim për tej mandatit të tij. Nuk ka dyshim se ajo ishte shkelje, pasi nuk ka shkelje të madhe e të vogël kushtetuese, shkelja ose është ose nuk është fare shkelje.

 

Ndërsa në rastin e Pacollit, është bërë shkelja e nenit 86 paragrafi katër (4) e pesë (5). Paragrafi katër thotë: “Zgjedhja e presidentit bëhet me 2/3 të të gjithë deputetëve të  Kuvendit”. Ndërsa paragrafi vijues kërkon që në dy votimet e para, për zgjedhjen e presidentit kërkohen votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit”. Në rastin në fjalë, në dy votimet e para në Kuvend nuk ishin dy të tretat e deputetëve prezent pa të cilët nuk mund të fillonte seanca. Në ketë proces të zgjedhjes se Presidentit kishte shkelje teknike procedurale dhe Gjykata nuk mund ta trajtonte ndryshe, por vetëm si shkelje e kushtetutës, sa do e lehtë që ishte shkelja.

 

Çka tha kushtetuesja për parimet e marrëveshjes së 25 gushtit 2015?

 

Siç po shihet në të dy rastet e apostrofuara më lartë kishte shkelje që nuk shkonin përtej mandatit te tyre si president, por ishin shkelje dhe ata duhej të shkonin, ndërsa në rastin e Marrëveshjes së 25 gushtit, kemi një varg shkeljesh të cilat kanë pasoja të rënda përtej një mandati qeverisës. Por jo vetëm kaq, pasojat edhe shkeljet e kushtetutës janë shumë të mëdha dhe afatgjate, gjithsesi vështire të riparueshme. Këtu dorëheqja e aktorëve përgjegjës, është gjeja më e vogël që duhet të ndodhë. Këto shkelje i ka konstatuar Gjykata Kushtetuese e cila në vendimin e saj thotë: “Gjykata ka vendosur se këto Parime nuk janë tërësisht (sic!) në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje veçanërisht me nenet 3, 7 dhe 12 të Kapitullit II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44 të Kapitullit III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre], me nenet 57, 59, 60, 61 dhe 62, si dhe me nenet 79, 81, 93, 101, 113, 123, 124 dhe 137 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës siç është arsyetuar në Aktgjykim”.

 

Çka thonë nenet që i ka apostrofuar kushtetuesja?

 

Neni tre (3), paragrafi një (1) thotë:“Republika e Kosovës është shoqëri shumë etnike e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore”. Gjersa paragrafi dy (2) thotë: “Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”. Ndërsa, parimet e marrëveshjes së 25 gushtit shkelin në plotëni ketë nen tepër përmbajtjesor të Kushtetutës.

 

Në nenin 7 (shtatë), ku përshkruhen vlerat e Republikës, në paragrafin e parë (1), thuhet: “ Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë se tregut”. E kisha lutur lexuesin e vëmendshëm që të bëjë krahasime mes këtyre neneve dhe neneve që i kanë quar në dorëheqje dy president të Republikës. Kurse paragrafi i dytë (2) i nenit në fjalë, thotë: “ Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratikë të shoqërisë, mundësi të barabartë për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fusha të tjera të jetës shoqërore”.

 

Në nenin 12 të të njëjtit kapitull shkruan: “Njësi themelore të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës janë komunat”. Dhe në paragrafin dy (2), thuhet: “Organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj”.

 

Në nenin 21 thuhet: “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës”. Edhe tri paragrafët e tjera janë po të kësaj fryme.  Ndërsa në nenin 44 në paragrafin e parë (1) thuhet: “Liria e asocimit është e garantuar. Liria e asocimit ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë ose për të mos qenë anëtar i një organizate si dhe për të marrë në aktivitete të një organizate”.

 

Nenet 57, 59, 60, 61 dhe 62, janë nene të kapitullit të III, të cilat janë të bazuar në standardet e konventave për liritë e të drejtat e komuniteteve, për të mos e renduar lexuesin, po e përshkruaj atë që thuhet në nenin e 61, i cili thotë: “Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre do të kanë të drejta për përfaqësim të barabartë në punësim në organet publike dhe ndërmarrjet publike në të gjitha nivelet, përfshirë këtu veçanërisht në shërbimin policor në zonat e banuara me komunitetin përkatës, duke respektuar në të njëjtën kohë rregullat që kanë të bëjnë me kompetencën dhe integritetin e qeverisjes së administratës publike”. Duhet të thuhet se ky nen nuk është shkelur vetëm në parimet e marrëveshjes se 25 prillit 2015.

 

Gjithashtu edhe në kapitullin e IV, neni 79 e përcakton se kush ka të drejtë të merr nisma legjislative, ndërsa neni 81 parasheh ligjet me interes vital, që do të thotë se preket substanca e Kushtetutës. Po kështu edhe nenet e kapitulli VI siç janë: neni 93, rregullon kompetencat e qeverisë, që do të thotë që Bashkësia e komunave serbe, merr kompetenca të qeverisë. E neni 101 precizon se : “Përbërja e shërbimit civil do të pasqyroj shumëllojshmërinë e popullit të Kosovës, duke marrë në konsideratë parimet e  barazisë gjinore, të njohura ndërkombëtarisht”. Madje ketë shkelje e ka bërë edhe marrëveshja për sistemin e drejtësisë

 

Në kapitullin e VII (Gjykata Kushtetuese), neni 113 bënë fjalë për Juridiksionin dhe palët e autorizuara, ku asociacioni nuk është palë e autorizuar. Ndërkaq në kapitullin e X, (Qeverisja Lokale dhe Organizimi Territorial, janë shkelur neni 123 i cili parasheh se: “ E drejta e vetëqeverisjes lokale garantohet dhe rregullohet me ligj”, pra jo me marrëveshje. Gjersa neni 124 parasheh Organizimin dhe Funksionimin e vetëqeverisjes Lokale.  Marrëveshja ka prekur rëndë edhe nenin 137,i cili të drejtën e auditimit ia lejon vetëm Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës. Të gjitha këto çështje që i ceka e disa që nuk i ceka, kushtetuesja ia hoqi marrëveshjeve të parimeve, ishin ingerenca shtetërore që i ishin dhënë “Zajednices”.

 

Lexuesit e vëmendshëm le t’i bëjnë krahasimet

 

Pra, secili lexues e ka mundësinë për të bërë krahasime me shkeljet kushtetuese që janë bërë nga Presidentet e dorëhequr ( Fatmir Sejdiu e Behxhet Pacolli), me shkeljet që i janë bërë Kushtetutës nga Kryeministri i Kosovës me nënshkrimin e marrëveshjes së 25 gushtit 2015. Shkeljet që i janë bërë Kushtetutës në Parimet e Përgjithshme të Marrëveshjes së 25 gushtit 2015, janë shkelje lehtësisht të verifikueshme kushtetuese dhe janë shkelje të rënda. Krahasimet tjera nëse ka le t’i bëjnë lexuesit, pse jo edhe ekspertet, duke e shfrytëzuar edhe Kushtetutën e Kosovës për lexim e krahasim. Krahasimet nëse i lexojnë, mund t’i bëjnë edhe qeveritarët me këshilltaret “ekspertë” të tyre?!

Krejt në fund, në rastet e presidentëve që i cekem në fillim, dorëheqjet ishte fundi i përgjegjësive të tyre, në rastin e ri, të marrëveshjes së 25 prillit 2015 që e kemi në shqyrtim, dorëheqja, zor se mund të jetë fundi i përgjegjësisë!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …