Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Mbroni vlerat e proklamuara sepse heshtja është hipokrizi

Kam besuar dhe dua te besoj në vlera evropiane dhe përgjithësisht ato euroatlantike, por kohën e fundit ka filluar një lëkundje e vlerave evropiane edhe në vendin ku kanë  zërë fill. Nuk kam asnjë dyshim se funksionimi mbi bazën e këtyre vlerave u ka dhënë vendeve të Evropës Perëndimore një stabilitet dhe begati të përgjithshme. Jo vetëm kaq. Këto vlera u bënë model që duhej ndjekur edhe për popujt e shumicës së vendeve në botë.

Fatkeqësisht ka më tepër se një dekadë që « drejtësia » si vlerë euro-atlantike është zbehur tej mase edhe në djepin e kësaj vlere. Po përmend vetëm  Raportin e Dick Martit, i cili nuk është gjë tjetër pos një përmbledhje e sintetizuar e shpifjeve dhe gënjeshtrave në kurriz të njerëzve të pafajshëm. Jo vetëm që nuk u hodhën poshtë shpifjet e sajuara në Beograd për gjoja krime lufte e trafikim e transplantim të organeve nga UCK-ja, por mjerisht ky Raport u bë Rezolutë zyrtare e Këshillit të Evropës. Porcesi i degradimit të « drejtësisë » vazhdoi me krijimin e një Task Force Hetuese për të hulumtuar vërtetësinë e raportit të Dick Martit. Puna dyvjeçare e kësaj force hetuese arriti te konkluzioni për domosdoshmërinë e krijimi të një Gjykate Speciale edhe pse nuk kishin gjetur asnjë provë që do të konfirmonte pohimet e këtij raporti! Për të qenë absurdi edhe më i madh, Gjykata Speciale duhej të merrej ekskluzivisht me krimet e supozuara të UÇK-së dhe assesi krimet e gjenocidit serb në Kosovë.

Kështu si është krijuar kjo gjykatë nga Kosova e për Kosovën, por me seli jashtë saj, jo vetëm është jashtë çdo standardi të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe jashtë çdo standardi juridik, pasi ligësisht paragjykohen kriminelët vetëm në njërën palë ndërluftuese: palën shqiptare. Baza mbi të cilën është krijuar gjykatë nxjerr në shesh se këtu kemi të bëjmë thjeshtë me një gjykatë politike dhe për përndjekje politike.

Raporti i Dick Martit, Rezoluta e KE, të “gjeturat” e Viliamsonit, krijimi i Gjykatës Speciale, e kanë vendosur Republikën e Kosovës në raporte më shumë se të pa barabarta me Serbinë. Natyrisht për ketë nuk janë me faj vetëm euro-perëndimorët që bënë presion, por edhe udhëheqësit e pa kurriz të shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa, përgjegjësia ju bie para se gjithash deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët duke qenë të padijshëm, të pa integritet e të pa dinjitet, morën një vendim tepër të dëmshëm për vendin dhe të ardhmen e tij. Vendim për t’i ndjekur luftëtarët e UÇK-së, të cilët për veprimet e tyre gjatë luftës në vend që të dekoroheshin rrezikohen të dënohen. Shembulli i proceseve gjyqësore të motivuara politikisht  « Drenica 1» dhe  « Drenica 2 » janë shembuj që shërbejnë si udhërrëfyes për drejtimin ka do të ecin organet e Gjykatës Speciale.

Ky qyqarllëk i njerëzve tanë të veshur me pushtet nga qytetarët tanë, të cilët pushtet e kanë grabitur me forma jo demokratike, i ka trimëruar mbeturinat e regjimit të Millosheviqit në Beograd, shtetet BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe forcat që dikur ishin kundër ndërhyrjes së NATO-s për të ndërprerë gjenocidin serb në Kosovë.

Të trimëruara nga ky kontekst ndërkombëtar bartësit e institucioneve të shtetit serb duke filluar që nga presidenti i Serbisë Tomisllav Nikolliq e deri te funksionarët e niveleve më të ulëta shtetërore janë vërsulur me një propagandë luftënxitëse kundër Kosovës. Këtë propagandë e bën edhe më agresive heshtja e institucioneve të BE-së. Si pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj indiference ndërkombëtare agresiviteti i shtetit serb ka marrë formën e kërcënimeve të hapura kundër Kosovës. Ne kemi reaguar ndaj rrezikut që paraqesin kërcënimet e mbeturinave të Millosheviqit në krye të institucioneve të Serbisë por reagimet tona kanë hasur në vesh të shurdhër. Prandaj, edhe në takimin me homologun e vet grek më 28 nëntor Tomisllav Nikoliqi shfrytëzoi rastin për të përcjellë kërcënime në drejtim të Kosovës. Këto kërcënime duhet të trajtohen me seriozitetin e nevojshëm sepse është logjika e njëjtë që kërcënimet i vuri në zbatim dhe kreu tre gjenocide në hapësirat e ish Federatës Jugosllave. Para se gjithash është obligim i udhëheqësve të Kosovës dhe të Shqipërisë që të alarmojnë institucionet ndërkombëtare për këtë rrezik të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Shteteve të demokracive perëndimore u takon të marrin një qëndrim të qartë ndaj këtyre praktikave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe të reagojnë në përputhje me vlerat demokratike që i kanë proklamuar. Në të kundërtën, heshtja përball logjikës së moçme luftënxitëse nxjerr në shesh hipokrizinë e tyre dhe inkurajon në mënyrë të tërthortë konflikte të reja në këtë pjesë të Evropës.

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …