Jakup Krasniqi: Mos e keqpërdorni heshtjen time parimore!

Dardan Molliqaj në shkrimin e tij më titull: “Si po bitiset Nisma?”, të botuar në “Zëri”, në mes të tjerave shkruan: “E sa për Thaçin e kundër pazareve të tij, ish-kryeparlamentari Krasniqi i kishte dy shanse ideale që s’i përdori: kur u bë Pacolli president (2011) dhe kur u ratifikua marrëveshja Thaçi-Daçiq (2013). Ato ishin momente vendimtare politike kur ka mundur të japë dorëheqje dhe ta nis Nismën. Sot, Jakup Krasniqi tashmë ka vendosur që të mos ketë shans të tretë”.  Kështu shkroi këto ditë në “Zëri”, D. Molliqaj.Konsideroj që ia vlen që ta sqaroj opinionin, për disa zhvillime në seancën e Kuvendit të Kosovës ku është diskutuar Marrëveshja e 19 prillit 2013. Pasi ketë e paska bërë temë Sekretari i VV-së. Diskutimi im për Marrëveshjen e 19 prillit 2013, ka qenë analitik e përmbajtjesor, prandaj të interesuarve po ua sjellë në kujtesë edhe një herë atë diskutim i cili gjendet në ketë link: https://www.youtube.com/watch?v=HpOKrzbTZSE

Pse nuk e pengova votimin?

E kam thënë disa herë, kam qenë kryetar i Kuvendit, jo mbret apo despot. I kam paralajmëruar deputetet me paqartësitë e pasojat që i kishte Marrëveshja në fjalë. Vullneti i shumicës së deputetëve ishte për ta votuar atë. Në Kuvend vendosë jo vota e vullneti i Kryetarit, por shumica e deputetëve! Kush mendon ndryshe, ai nuk ka lidhje me sistemin demokratik dhe demokracinë!

Atë ditë para se të fillonte votimi, në zyrën time ka ardhur Komandanti i njësisë speciale, i cili me tha:”Shefi (Kryeministri) me tha se policët do të hyjnë në sallën e Kuvendit”. Unë i thash: Për Kuvendin, shefi jam unë. Unë nuk e kam dhënë një urdhër të tillë e as më ka thënë kush gjë! Komandanti i policisë u pajtua, kuptohet pasi i thash, në rast të  hyrjes së  policisë në sallë, unë do e ndërpres seancën. Ketë e kisha të drejtë që ta bëja dhe e bëra.

Pas reagimit të deputetëve të VV-së, e kam ndërprerë seancën dhe i kam thirr Kryetarët e GP në zyrën time. Të gjithë një zëri, veç Kryetarit të GP të VV-së, kanë thënë “pse nuk e qite në votim, ne deshëm të votonim”! Dihet më vonë Marrëveshjen e votuan 86 (89) deputetët e Kuvendit.

Më pas deputetet e VV-së e “pushtuan” karrigen e Kryetarit. Të gjitha këto i ka parë opinioni, por opinioni nuk e ka parë dhe nuk e kam njoftuar deri më tani, (VV-së i është i njohur fakti të cilin do ta sqaroj më poshtë).

Deri sa unë po mendoja edhe në dorëheqje ( ishin shumë miq që nuk më patën lënë të dorëheqësha edhe para kësaj seance), mora telefonat nga një deputet i VV-së, ai kërkoi nga unë: “që të intervenoja me polici se ata nuk po dinin sesi të dilnin nga situata në të cilin ishin futur”. Vetëm pas kësaj telefonate, u kam thënë policisë së Kuvendit që të ndërhynin në largimin e deputetëve të VV-së. Deputetët edhe nuk kanë bërë ndonjë rezistencë. Pra, sikur mos të ishte kërkesa e deputetit të VV-së,  kurrën e kurrës nuk do ta urdhëroja ndërhyrjen e policisë në Kuvend! Dorëheqja ishte puna më e lehtë e imja. Pse ata tani dëshirojnë ta mashtrojnë opinionin, është çështje e tyre.

Dikush sot edhe mund të thotë pse nuk u dorëheqe nga pozita e Kryetarit të Kuvendit ?.

Në rend të parë, atë detyrë nuk e kisha marrë si dhuratë nga askush. Në rend të dytë, për atë pozitë më kishin votuar 90 nga deputetët prezent (vota që si ka marrë askush deri më sot në Kuvendin e Kosovës), veç atyre të VV-së që ishin kundër të gjithëve dhe e treta, nuk dëshiroja që Thaçi ta kapte edhe Kuvendin si institucionin më të lartë të shtetit. Madje, atëherë edhe Vetëvendosja ishte kundër dorëheqjes sime. Por ata, sot e kanë të drejtën që t’i hanë fjalët e veta!

Drejtuesit e VV-së e dinë ketë fakt! Ata nuk duhet ta keqpërdorin heshtjen time!

Krejt në fund. Për sa u përket shanseve të mija, e them me bindje se gjithë angazhimin e konfrontimin tim politik, mbase jo vetëm politik nder vite e kam bërë për vendin e kombin, se fateve personale edhe i dihet edhe nuk i dihet. Ndërsa angazhimin e konfrontimin politik të dy viteve të fundit, nuk e bëjë as për veti e as për gjeneratën e mashtruesve, të mashtruarve, të zhvatësve e grabitësve të çdo gjeja, pa dyshim që nuk e bëjë as për “revolucionarët” e “rinj”! E bëj se e ndjej për obligim njerëzor e kombëtar!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …