Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: SI PO KRIJOHEN PROBLEMET KOMBËTARE E SHOQËRORE

Pa asnjë dyshim, shoqëria njerëzore ka arritur suksese në shumë fusha të jetës politike, kulturore, arsimore, shëndetësore, shkencore e zhvillimore. Të gjitha këto janë rezultat i energjive pozitive të njerëzve mendjehapur që kanë shikuar e punuar për një të ardhme më të mirë, më të begatë e më lehtësuese për shoqërinë njerëzore.

Për dallim nga energjitë pozitive, shoqërinë njerëzore e kanë përcjellë dhe po e përcjellin edhe sot energji negative, që jo pak herë e kanë rrezikuar ekzistencën e shoqërisë njerëzore. Dëme të mëdha i kanë shkaktuar e vazhdojnë t’i shkaktojnë njeriut dhe shoqërisëedhe sot e kësaj dite. Energji negative për shoqërinë prodhon edhe “dashuria” e njerëzve për vetveten dhe kombit që i përkasin. Kjo “dashuri” i pengon njerëzit që të shohin interesin e individit tjetër apo të kombit tjetër. Energjia negative rezulton e rrezikshme sidomos kur politika shtetërore bëhet qendra e përhapjes së saj, në këto raste energjia negative (dashuria për kombin tim hyjnor) prodhon shumë urrejtje për kombet tjera dhe zakonisht në raste të tilla nacionalizmi bëhet i egër dhe prodhon politika të krimit e të gjenocidit. Kjo formë e nacionalizmit të egër në rajonin e Ballkanit është shfaqur në shekullin XIX, ka vazhduar në shekullin XX në Serbi, sidomos u rishfaq me egërsi të shtuar në mesin e viteve të ’80-ta në Projektin e ASHAS-së. Ndërsa kulmin e arriti në vitet e ’90-ta. Në këto vite u shkaktuan më se tri luftëra që popujve të Federatës Jugosllave, të udhëhequra nga Serbia. Shqiptarët, boshnjakët e kroatët përjetuan gjenocidin që Serbia e Millosheviqit ushtroi mbi këta popuj që me dekada kishin bashkëjetuar. Kishin bashkëjetuar me gjarprin me zile në gji! Këto luftëra konfirmuan se ajo bashkëjetesës ishte e dhunshme, edhe pse për vite ishin paketuar si politika të bashkim-vëllazërimit! Krijesat federative të sistemit socialist në Europë askund nuk përfunduan me luftëra si në shpërbërjen e federatës jugosllave.

“Dashuria” për vetveten e popullit serb, e krijuar nga miti i rrejshëm serb, e pamë sesi shndërrohet në urrejtje për të tjerët deri në politika të krimit e të gjenocidit. Këtë “dashuri” ne shqiptarët e tejkaluam disi, është mirë që ia lamë historisë, ndonëse atë histori të dhimbshme nuk mund e nuk guxojmë kurrë që ta harrojmë. Tani, që njëzet, përkatësisht dhjetë vjet pas pavarësisë, cila dashuri po na e rrezikon të sotmen e të ardhmen tonë njerëzore e kombëtare? Sot, njeriun e kombin tonë është duke e rrezikuar dashuria për grykësinë personale, për njerëzit e klanin që i përket a i përkas, dashuria për mendimin që kam a që ke, për politikën që e ushqej a e ushqen, për qeverisjen që e ushtroj apo e ushtrojmë, qeverisje thjesht për përfitime personale. Me këto dashuri që i kultivuam pas Pavarësisë, çka i ndihmuan njeriut tonë, bashkëkombësve tanë dhe pasurisë së vendit tonë? Si ta quajmë këtë dashuri? Dashuri apo grykësi? Mbase, ta quajmë më saktë, dashuri për grykësi! “Dashuri” e cila njerëzve tanë u ka shkaktuar e po ju shkakton dhimbje të mëdha. U ka shkaktuar humbje të shpresës e të besimit, ua ka mbjellë në kokë paperspektivën për jetën në atdheun e tyre. Kjo ka bërë që shpresën e perspektiven ta shohin në ikje nga atdheu i tyre aq i dashur. Edhe pse kjo dashuri është zvetënuar shumë! E atdheut nuk i mjafton vetëm dashuria e qeveritarëve, por dashuria e përkushtimi i së paku shumicës së qytetarëve të tij.

Përfaqësuesit e mandatuar të popullit e kanë marrë mandatin nga qytetari që të qeverisin për të mirën e qytetarëve, që të qeverisin me paranë e pasurinë e tij, për t’i siguruar arsim e edukim cilësor, për të zhvilluar vendin, për punë, siguri e drejtësi (gjyqësi), për kulturë e shëndetësi, për një jetë më se të dinjitetshme. Koha është që ta mbyllim një praktikë që nuk na dha besim e siguri dhe ta fillojmë një praktikë tjetër për mandatimin e njerëzve, por kjo nuk bëhet duke fryrë balona politikë, siç kemi bërë që gati tridhjetë vjet, por duke ua dhënë mandatin për qeverisje njerëzve të dinjitetshme, njerëzve që kanë dije e dashuri për njeriun, për kombin e shtetin! Ne nuk i kemi respektuar dhe nuk po i respektojmë njerëzit e dinjitetshëm, njerëzit që kanë dhënë dëshmi të  shumta për dijen e dashurinë për vendin e kombit që i përkasim. Këta njerëz i kishim në vendin tonë, por nuk deshën të shihen nga njerëzit e meritave të luftës. Pa dyshim, ata të luftës kishin merita për lirinë e çlirimin, por nuk kishin dije e përvojë për të qeverisur e bërë politikë për të mirën e kombit, ashtu siç ditën për vete.

Shkurt: Problemet shoqërore në demokraci nuk krijohen vetëm nga një pakicë, ato krijohen nga shumica që mandaton njerëzit për të qeverisur me dije e dashuri për kombin e shtetin. Vetëm njerëzit e papërgjegjshëm, që mandatohen nga shumica qytetarëve të pavëmendshëm i krijojnë problemet shoqërore, fillimisht në shkallë kombëtare e pastaj edhe në shkallë rajoni dhe përtej tij. Këtë e kemi parë dhe e kemi të freskët në kujtesë, se çka ndodhi kur populli serb i dha mandat Millosheviqit për t’i luftuar të gjithë të tjerët që i konsideronte kundërshtarë të interesave serbe. Madje, që dhjetë vite edhe ne po e shohim sesi bëhet mandatimi i të papërgjegjshmëve, çfarë probleme po i shkaktojnë shoqërisë e shtetit tonë. Kosova para qershorit të vitit 1999 kishte probleme që nuk vareshin vetëm nga uniteti i brendshëm kombëtar.  Pas qershorit të vitit 1999, e sidomos pas Pavarësisë më 17 shkurt 2008, problemet e Kosovës kryekreje janë tek mosdefinimi i qartë nga politika jonë (pozitë – opozitë), e cila nuk po e definon e as po e dallon qartë interesin kombëtar e shtetëror nga ai zgjedhor.

Politika e çakorduar e Kosovës në dhjetë vitet e fundit, qeverisja e keqe, mossundimi i rendit dhe i ligjit, mosndëshkimi i krimit ekonomik dhe i korrupsionit (gjatë gjithë periudhës së pasluftës), kanë bërë që Kosova për shumëçka të trajtohet si Serbia, madje edhe sa u përket krimeve të luftës! Ani pse Serbia ka udhëhequr politika të gjenocidit ndaj tre popujve, shqiptarëve, kroatëve e boshnjakëve. Dhe çuditërisht, nga Drejtësia Ndërkombëtare nuk pati ndonjë gatishmëri për ta dënuar Serbinë për gjenocid! Në këtë menyrë Serbia u amnistua për t’i paguar dëmet e luftërave. Dëme që janë shkaktuar në ditët me diell, me pasojat e të cilave dëme po jetojmë edhe sot e gjithë ditën.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …