Kadri Rexha

Kadri Rexha: Një urim profesorit të nderuar, Rexhep Qosja në 83-vjetorin e lindjes

Sot, më 25 qershor 2019, Akademik Rexhep Qosja kremton 83-vjetorin e lindjes, ndërsa unë, ish student dhe dashamir i vazhdueshëm i veprës së tij, me këtë rast, duke iu bashkuar orës përkujtimore të Radios-Kosova e Lirë, me pak fjalë, përkujtoj rrugën e tij jetësore, letrare, kulturore, organizative dhe revolucionare, rrugë e cila simbolizon golgotën shqiptare nëpër të cilën kemi kaluar si komb për të arritur deri këtu ku jemi sot.

Në këtë rrugë të vështirë, Qosja nuk qe vetëm kritik i shquar letrar, eseist erudit, estet i gjithanshëm, historian i papërsëritshëm i letërsisë shqipe, romansier modern, dramaturg klasik, publicist militant, polemist i pa kompromis, filozof, pedagog kombëtar, por qe edhe prijës shpirtëror i plejadës së intelektualëve dhe veprimtarëve më të guximshëm të gjysmës së dytë të shekullit të njëzet, të cilët, me përpjekje të jashtëzakonshme dhe me qëndresë e flijime mbinjerëzore, u vunë në ballë të popullit, si vullnet dhe si udhërrëfyes të devotshëm kundër makinerisë pushtuese të shtetit serb. Personalitet me ndikim të jashtëzakonshëm, i rritur dhe i edukuar në frymën e Rilindësve tanë atdhetarë, në themele të veprës së tij ai e vuri kultin e gjuhës, kultin e lashtësisë ilirike, kultin e Skënderbeut dhe motit të madh, kultin e bashkimit të shqiptarëve në një shtet, kultin e traditave të lashta shqiptare, kultin e frymës së filozofisë përparimtare evropiane dhe kultin e ardhmërisë së shqiptarëve të bashkuar.

Dhe, mbi të gjitha, ideali i Rilindësve “feja e shqiptarit është shqiptaria”, qe dhe mbeti peri i kuq në mbarë veprën e këtij intelektuali të shquar, i cili me punën e tij krijuese dhe organizative në jetën tonë shkencore, letrare, kulturore dhe politike la gjurmë si asnjë personalitet shqiptar deri më sot. Shembull i Prometeut bashkëkohor, Qosja kurrë nuk u shit vetë e as e shiti artin e tij, dhe, ashtu i papërdorshëm qoftë nga pushteti gjakatar serb, ashtu edhe nga klanet e ndryshme të interesit brenda botës shqiptare, duke sfiduar vullnetin e perëndive të errëta tokësore, mbeti i pathyeshëm, stoik, i pa marrë vesh dhe i papërmirësueshëm deri në fund. Si i tillë, për një gjysmë shekulli, në krizat dhe në lëvizjet më të mëdha, ai qe ndërgjegjja, thirrja e kohës, mbrojta dhe zëri më i artikuluar i popullit të vet. Ashtu si unë, me veprën e Qosjes janë rritur dhe janë edukuar breza të tërë shqiptarësh, ata që Kosovën e sollën në nivelin që deri të bashkimi real i duhet vetëm edhe një hap, ata që edhe këtë hap patjetër do ta bëjnë nesër.

Vepra e tij na edukoi me dije, na edukoi me dashuri për atdheun dhe për popullin, dhe mbi të gjitha, ajo na mbushi me guxim për ta përballuar çdo rrezik dhe çdo sfidë që na vinte nga armiku. Vepra komplete e tij është jo vetëm trashëgimi klasike kulturore letrare, por edhe dëshmi e vlerave të mëdha gjuhësore, ideore dhe artistike të literaturës bashkëkohore moderne.

Vepra e tij e madhëroi trashëgiminë letrare, kulturore dhe atdhetare të Rilindësve tanë dhe na bëri të ndjehemi krenarë sa me të kaluarën tonë po aq edhe me përkatësinë kombëtare shqiptare.

Vepra e tij është letërsi, kritikë, histori, pedagogji, etnopsikologji, drejtësi, etikë, estetikë, politikë,… dhe, mbi të gjitha, ajo është dashuri për njeriun, dashuri për tokën, dashuri për të mirën.

Vepra e Qosjes na duhet si buka e përditshme.

Vepra e Qosjes do t’iu duhet edhe brezave që vijnë… Ndaj, në këtë përvjetor, Mësuesit tim dhe Mësuesit të Kombit, Akademikut Rexhep Qosja, i uroj jetë të gjatë, shëndet të mirë dhe suksese të reja!

Me dashuri dhe respekt,

Kadri Rexha

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …