Keida Kostreci: Roli i Woodrow Wilsonit në mos lejimin e zhbërjes së Shqipërisë

Keida Kostreci: Roli i Woodrow Wilsonit në mos lejimin e zhbërjes së Shqipërisë

Duke qenë se trojet shqiptare kanë qenë dhe ende po mbesin pikësynim kolonialist dhe hegjemonist i shteteve fqinje, gjithnjë me mbështetje të shteteve të Evropës dhe Rusisë, po sjellim në kujtesë rolin që kishte luajtur kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson, i cili ishte detyruar të përdorte veton për të mos lejuar shpërbërjen dhe shfarosjen e shqiptareve nga trojet e tyre në Ballkan. Po u sjellim me këtë rast shkrimin e gazetares së Zërit të Amerikës, Keida Kostreci, të botuar më 27 nëntor të vitit 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Woodrow Wilson fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara tre javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë në nëntor të vitit 1912. Por duhet të kalonin disa vjet para se refuzimi prej tij i planeve për ndarjen e Shqipërisë, t’i siguronte ish-Presidentit amerikan një vend nderi në historinë shqiptare. Vizioni i Presidentit Wilson për botën, roli i shqiptaro-amerikanëve dhe rrethanat historike kontribuan në vendimin që do të rikonfirmonte pavarësinë e Shqipërisë.

Kur i hedh një vështrim botës së pas Luftës së Parë Botërore në vitet 1919-1920 dhe vendimit të Woodrow Wilsonit për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, nuk mund t’i shpëtosh mendimit se sikur rrjedha e ngjarjeve të kishte shkuar vetëm pak më ndryshe, harta e Shqipërisë nuk do të ishte kjo që njohim sot. Ndoshta një pjesë e fatit të Shqipërisë, u mbrujt kur Presidenti Wilson paraqiti parimin e vetëvendosjes së popujve, që sipas historianit Bernd Fischer, ishte ndër më të rëndësishmit në planin e tij prej 14 pikash, sipas së cilit kufijtë nuk mundet të caktoheshin më mbi bazën e politikës së fuqive të mëdha.

“Por mendoj se ai ishte gjithashtu i interesuar për të mirën e popujve më të vegjël në Evropë, të cilët nuk ishin marrë parasysh në politikën e fuqive të mëdha. Pra ishte një politikë vizionare për sa i takon botëkuptimit, por ishte edhe një shqetësim shumë konkret për popuj të caktuar dhe shqiptarët përfituan nga kjo”.

Në dhjetor të vitit 1918 Presidenti Wilson u nis për në Evropë ku kaloi pjesën më të madhe të gjashtë muajve të ardhshëm i përfshirë në negociatat e Konferencës së Paqes në Paris. Negociatat për fatin e Shqipërisë, kishin të bënin me synimet për kontrollin e Adriatikut. Territoret shqiptare ishin copëtuar një herë nga fuqitë e mëdha në vitin 1913. Por synimet e fqinjëve nuk ishin ndalur aty.

“Shqipëria, nëse do të kishte qenë në dorën e Italisë dhe Jugosllavisë, që mbështeteshin nga Britania dhe Franca, me siguri që do të ishte ndarë në bazë të Traktatit të Fshehtë të Londrës që italianët e negociuan në vitin 1915”.

Fuqitë evropiane donin të vazhdonin diplomacinë tradicionale. Presidenti Wilson e hodhi poshtë idenë e aleancave sekrete në diskutimet e tij në Paris. Një nga këto marrëveshje të fshehta ishte e ashtuquajtura Tittoni-Venizelos e vitit 1919, kur Italia dhe Greqia kishin rënë dakord për marrjen e pjesëve të Shqipërisë.

Disa nga fuqitë e mëdha kishin rënë dakord fshehtas pa dijeninë apo angazhimin e Shteteve të Bashkuara që ta ndanin Shqipërinë dhe Presidenti Wilson kur e mori vesh një gjë të tillë tha se nuk do ta mbështeste”, thotë Robert Enholm, Drejtor Ekzekutiv i Shtëpisë së Woodrow Wilsonit në Uashington, ku ish-presidenti kaloi vitet pas largimit nga posti”.

Për historianin Nikolla Pano, rreziku që i kanosej Shqipërisë ishte synimi i fqinjëve por edhe dobësia e qeverisjes së vendit. Profesor Pano thotë se në fillim të negociatave, Presidenti Wilson kishte prirjen të bënte disa lëshime.

“Por ajo që filloi ta bënte Wilsonin të mbështeste gjithnjë e më shumë Shqipërinë, ishte fakti që Greqia dhe sidomos Italia u bënë gjithnjë e më kërkuese”.

Më 9 dhjetor 1919, Franca dhe Anglia – pa praninë e Shteteve të Bashkuara – arritën një marrëveshje që i jepte Italisë mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që Greqia të merrte territorin përreth Gjirokastrës, por jo Korçën. Profesor Pano thotë se Presidenti Wilson u befasua që italianët dhe grekët ishin të pakënaqur dhe donin më shumë pjesë territori nga Shqipëria dhe kur u ngrit pyetja e kufijve veriorë, ai u zhgënjye plotësisht, duke kuptuar se ajo që po propozohej do të sillte zhdukjen e Shqipërisë.

“Më 6 mars, Presidenti Wilson me forcë i hodhi poshtë këto kërkesa dhe nga këndvështrimi i tij çështja e Shqipërisë nuk ishte e hapur për diskutim dhe fati i Shqipërisë do të përcaktohej në një sërë takimesh pas Konferencës së Paqes”.

“Meqë amerikanët luajtën një rol të rëndësishëm në fazat e fundit të luftës, fjala e Woodrow Wilsonit kishte peshë të madhe”.

Shtetet e Bashkuara nuk e kishin njohur shumë Shqipërinë, para një misioni për mbledhje faktesh në vitin 1914 nga ministri amerikan në Greqi, George Frederick Williams. Por historianët bien dakord se kishte edhe një faktor tjetër thelbësor në qëndrimin amerikan.

“Faktori tjetër që duhet mbajtur parasysh në fillimin e skenarit të mbrojtjes së Shqipërisë, është roli i diasporës shqiptare sidomos asaj në Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësit e saj si Faik Konica e sidomos Fan Noli. Faik Konica ishte jashtë vendit gjatë pjesës më të madhe të luftës, por Fan Noli ishte në këtë kohë në Shtetet e Bashkuara, po ashtu edhe njerëz të tjerë të njohur si Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako”.

Kështu mendon edhe zoti Enholm i Shtëpisë Woodrow Wilson. Ai thotë se “Presidenti Wilson nuk e pranoi ndarjen e Shqipërisë falë parimit të tij të vetëvendosjes, dhe më konkretisht edhe nga kontaktet me shqiptaro-amerikanët”. Zoti Pano thotë se shqiptarët ndërmorën një fushatë masive propagande për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe tërësisë së saj territoriale.

Dy ditë pas qëndrimit të shprehur nga Amerika në vitin 1920, gazeta Dielli vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Kostë Çekrezi e bëri të qartë që Shtetet e Bashkuara e kishin shpëtuar Shqipërinë, në një intervistë në gazetën New York Times. Më pas atë vit Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve.

Trashëgimia e Woodrow Wilsonit është e ndërlikuar. Disa bëjnë përgjegjëse platformën e tij për shumë nga problemet moderne të Ballkanit, sidomos ato që kanë lidhje me konfliktet e viteve 1990. Por siç thonë historianët, po të mos kishte ndërhyrë Woodrow Wilson, kishte shumë gjasa që Shqipëria të ishte më e vogël se sa është sot. Ky rol i Shteteve të Bashkuara nuk është harruar kurrë nga shqiptarët.

(Zëri i Amerikës, 27 nëntor, 2012)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …