Koalicioni qeveritar në Kosovë ka vendosur që ta procedojë javën e ardhshme në Kuvend zgjedhjen e kryetarit të Kosovës. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, synon ta marrë mbështetjen e nevojshme për kreun e shtetit për një mandat pesëvjeçar. Edhe pse, sipas Kushtetutës, data e fundit për zgjedhjen e kryetarit është 7 marsi, kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se këtë proces do ta përmbyllin javën e ardhshme, brenda muajit shkurt, ndërsa ka garantuar transparencë. Sipas nenit 86 të Kushtetutës, që sqaron mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe kuorumin e nevojshëm, gjatë seancës për zgjedhjen e kreut të shtetit duhet të jenë së paku dy të tretat e deputetëve të Kuvendit, apo 80, nga 120 deputetë sa janë gjithsej. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e votave, prej dy të tretave të deputetëve, në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë mes dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve, apo 61 prej tyre, zgjedhet president i Kosovës. Ndërkohë, nëse edhe në votimin e tretë asnjë kandidat nuk arrin t’i marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur president, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
