Kosovën e kërcënojnë: Qeveria marionete, UNMIK-EULEX-i, BE-ja dhe fushata e egër anti islame

      Tani kanë ndryshuar kohët. Serbia, në bashkëpunim legal dhe ilegal me qarqet antishqiptare të Brukselit, ka arritur të krijojë bërthamën për një Republikë serbe brenda Kosovës, ka arritur dhe po arrin ta mbajë nën sundim të egër tri komuna shqiptare në veri, ka arritur të fuqizojë praninë e elementit serb në institucionet e vendit, me kompetenca favorizuese, të cilat shkojnë deri atje  sa pa shumicën serbe në Kuvend nuk mund të miratohet asnjë ligj dhe jo vetëm ligji për shndërrimin e FSK-së në një FSK me emër tjetër.  Serbia po e mban peng Veriun,Trepçën, Ujmanin, Shtërpcën dhe të gjitha enklavat, pavarësisht se ato janë brenda Shtetit të  Kosovës, të cilin Beogradi është zotuar se nuk do ta njohë kurrë. Serbia e njeh Kosovën si provincë ku shumica shqiptare mund të vetëqeveriset, por për fatin e serbëve dhe ato që i quan ‘toka” të shenjta serbe brenda Kosovës, Qeveria në Prishtinë nuk ka asnjë tagër.


 


                                                                ***


 


     Fillimi i viti 2016 vendin tonë e ka gjetur me shumë probleme të bartura nga vitet e shkuara dhe me probleme të reja, të paralajmëruara si ogur i zi për të ardhmen, jo vetëm të zymtë e pa shpresë, por edhe me një dozë të fatalitetit real, sa do që ëndërrimtarët e romantikët e Qeverisë,  sentimentalistët e BE-së dhe shpërdoruesit e besimit qytetar, nuk e prishin dot rehatinë. Ata jetojnë me fiksionet e tyre se Kosova përditë po përparon se po merr MSA, po bisedon me Serbinë dhe në bisedime vazhdimisht por fiton, po e ruan sovranitetin e vendit, po përforcon partneritetin ndërkombëtar, po i pret vizat ashtu sikur i ka pritur qe tetë vjet, duke u zotuar nga viti në vit, duke përsëritur të njëjtat zotime, po ashtu  nga viti në vit. Parajsa e vërtetë e shqiptarëve, sipas tyre hapet me liberalizimin e vizave dhe lejen që pritet ta marrin  shqiptarët e Kosovës, për të shëtitur e për të gjezdisur  lirshëm nëpër  vendet e BE-së, për të gjetur ndonjë punë sipas “nafakës”, edhe pse BE-ja ka kufizuar për një kohë Shengenin dhe ka paralajmëruar ditë gjithnjë e më të rënda dhe pa perspektivë për vetë ekzistencën e Bashkimit Evropian.


 


             Ëndërrimtarët tanë nuk janë vetëm njerëz që i bëjnë qejfin vetes. Ata para së gjithash duan me çdo kusht të na bindin t’ iu besojmë atyre, sepse për veten e tyre të gjithë thonë se nuk janë të korruptuar, por të gjithë, në kor, me sa fuqi zëri që kanë e “luftojnë” korrupsionin, krimin e organizuar, e luftojnë verbalisht ISIS-in edhe pse ai nuk ka ardhur dhe si duket nuk do ta ketë ngenë të shtrihet,  në Kosovë. Asnjë zyrtar i asnjë Qeverie të derisotme nuk doli e të thotë: “Unë jam i korruptuar, Unë jam Hajn, Unë jam gënjeshtar”. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë në Kosovë. Asnjë spiun i Serbisë, i kohës së Titos, Rankoviqit, Millosheviqit, nuk ka dalë publikisht dhe të pranojë se ai vetë, babai apo vëllai i tij ka vrarë, ka ndjekur, ka dënuar  me burg, ka rrahur, ka përndjekur jo vetëm disa qindra, por të gjithë tok kanë persekutuar disa qindra, mijëra shqiptarë gjatë gjithë kohës së okupimit serb e sllav të vendit tonë.


 


         Të gjithë thonë se i kanë shërbyer kombit e Atdheut, edhe atëherë kur kanë vrarë bashkëkombës të tyre, edhe atëherë kur i kanë rrahur mizorisht dhe i kanë dënuar me burg deri në 20 vjet, edhe atëherë kur i kanë vrarë pas shpine apo në rrethim, gjithnjë sipas urdhrave të pushtetit, sipas urdhrave nga lartë. Të gjithë tani shtiren më patriotë se viktimat e tyre, më të dobishëm për Kosovën sesa ata që kanë derdhur gjak, apo ata që i kanë lënë gjymtyrët në luftë për çlirim nga robëria. Këta janë “kosovarët” pro-jugosllavë, që e kanë uzurpuar pushtetin dhe që bëjnë pazare me BE-në, UNMIKU-un, EULEX-in, Beogradin, mbi kurriz të Kosovës, vetëm për të mbetur në pushtet.


 


        Këtyre nuk u bëhet vonë kur katër kriminelë serbë, EULEX-i i shpall të pafajshëm edhe pse ata kanë vrarë dhjetëra shqiptarë në Mitrovicën e Veriut në vitin 2000, me ndihmën e forcave franceze të KFOR-it dhe kanë dëbuar nën tytat e armëve dhjetëra mijëra të tjerë nga shtëpitë e banesat e tyre, me pamundësi kthimi. Nuk iu  bëhet vonë pse një kriminel serb për dhjetëra shqiptarë të vrarë dënohet me 9 vjet burg, ndërsa  Komandanti  i UÇK-së,  për një shuplakë që i dhënë një putaneje gjakpërzier, një lavireje të policisë së Serbisë, dënohet 14 vjet burg.


Këtyre nuk iu bëhet vonë pse një Komandant i luftës bën grevë urie, për të siguruar shërbim mjekësor, e drejtë e garantuar për të burgosurit, me ligje e konventa ndërkombëtare dhe presin 10 ditë për të reaguar në mënyrë krejt verbale.


         Këtyre nuk iu bëhet vonë për asgjë, meqë mendojnë se i kanë siguruar të gjitha, pasurinë, pushtetin, postet, veturat e markave më të reja e më të shtrenjta, paratë e deponuara në bankat e Zvicrës, shtëpitë e kushtueshme kudo në Kosovë, në Bregdetin e Shqipërisë dhe nëpër botë, lidhjet miqësore me të gjithë, pa dallim. Të gjitha i kanë arritur dhe pretendojnë t’ i mbajnë sa më gjatë që të jetë e mundur, jo për veten  e tyre, por për “Kosovën dhe ardhmërinë e saj”.


 


          Të gjithë pretendojnë se i ka zgjedhur populli, andaj, sipas tyre  populli ka edhe obligim ta ulë kurrizin dhe t’i lejojë edhe ta përmjerrin mbi kurriz, sipas asaj thënies antologjike të Pashiqit, “Narode moj, stoko moja”. Nuk po e përkthej këtë fjali,  të cilën nuk ka politikan, apo zyrtar shqiptar i sotëm të të mos e kuptojë, sidomos ata që e kanë ndarë pushtetin denbabaden me serbët e sllavët, sipas vijës së gjakut e të tëmblit, prej vitit 1912, e deri sot, me  gjyshe e babagjysh, nëna e baballarë, nipër e stërnipër, mbesa e stërmbesa.  Në mos më pak, kjo është një pjesë e trashëgimisë dhe gjakut serb që ka mbetur në gjakun e shpirtshiturve, spiunëve, hafijeve dhe atyre, të cilët Beogradin e kanë kryeqytet të nostalgjisë të përjetshme. ( Nuk po e përkthej këtë fjali, i vetëdijshëm se e nuk e kuptojnë shqiptarët e brezit të lirisë, ata  që kanë lindur në prag të lirisë apo më vonë. Dhe, kjo na jep shpresë, sepse brezi që nuk ka dëgjuar urdhra serbisht, që nuk e ka futur kokën në zgjedhë, ai kurrë nuk do të pranojë dhe nuk do të lejojë, që ta detyrojnë ta fut kokën në zgjedhën e robërisë.)


 


          Pikërisht sepse kemi politikanë me prejardhje të tillë, më shumë në pozitë sesa në opozitë, pikërisht sepse të tillët e kanë uzurpuar pushtetin dhe nuk e lëshojnë me hir apo me pa hir, sot Kosova po kthehet në një krijesë të molisur e të katandisur nga bijtë e saj shkapërdarë, nga ata që e shfrytëzuan e zhvaten dhe po e zhvatin. Për këtë qëllim  po rritet dhe forcohet roli i UNMIK-ut në Kosovë me qëllim të ruajtjes së sovranitetit të Serbisë


         “Rikthimi i rolit të UNMIK-ut në Kosovë, që mbron Rezolutën 1244 të KS të OKB-së,  bëhet për sikur thuhet, problemet me krimin e organizuar e korrupsionin, paaftësinë e forcave politike për dialog konstruktiv, dialogu me Serbinë dhe mbrojtja e serbëve janë çështjet kryesore të theksuara në raportin “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës”, që mban datën 8 janar 2016. Kjo projekt-rezolutë është  hartuar nga deputeti spanjoll, Agustín Conde, që është sajuar pas vizitave që ai ka zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd. Konde, Projektin e tij e ka planifikuar ta vë në diskutim, gjatë këtij muaji në një nga sesionet parlamentare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Këshilli i Evropës ka inkurajuar UNMIK-un që t’i forcojë  kapacitetet për bashkëpunim me mekanizmat e sigurisë dhe të rendit në Evropë.  Mangësi dhe sfida të shumta për Kosovën janë evidencuar në draft rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.


          UNMIK-u ashtu sikur EULEX-i dhe Bashkimi Evropian nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që pretendojnë ta deformojnë dhe ta devalvojnë këtë pavarësi, madje krejt haptas,  pavarësisht se politikanët tanë pretendojnë ta bindin opinionin se UNMIK-u nuk mund të forcohet në Kosovë, edhe pse e dinë fare mirë se prania e tyre në OKB, (në nivel qeveritar, ministër, kryeministër), ku në çdo tre muaj flitet për Kosovën,  bëhet vetëm nën ombrellë të përfaqësuesit zyrtar të UNMIK-ut, në Kosovë.


  


           EULEX-i tashmë po bashkëpunon me Gjykatën Speciale për dënimin publik të luftës së UÇK-së dhe shfajësimit të regjimit kriminal të Milosheviqit, Daçiçit, Nikoliqit, Vuçiqit e të tjerëve.  Sipas kredos së tyre, fajtorë për krimet ishin shqiptarët, sepse ata e nxitën luftën dhe ishte pikërisht UÇK-ja kryeneçe, sepse po të kishin ndenjur “kosovarët” urtë e butë, sipas porosive të Ibrahim Rugovës, nuk do të kishte ndodhur lufta, as krimet.


Andaj Evropa kësaj radhe ka marrë vendim për t’i dënuar e ndëshkuar ata, që të parët e kanë ngrehur gishtin. Ky është qytetërimi dhe drejtësia inkuizitore e Evropës, sidomos tani kur çdo emër shqiptar i besimit islam tingëllon si ISIS, potencial.


           Dhe përse të hidhërohemi për këtë poshtërim që po na bën Evropa, kur disa nga krerët e luftës, të shpallur apo të vetëshpallur, jo vetëm që kanë treguar gatishmëri për themelimin e Gjykatës së UÇK-së, por pretendojnë të na bindin se ajo qenka e mira më e veçantë, që na paska pikur prej qiellit, sepse do t’i “heqë baltën” luftës, duke dënuar vetëm individët komandantët dhe eprorët e saj dhe jo,  tani 30 mijë e më shumë veteranët e UÇK-së. Natyrisht se për dënimin e asaj mase duhen themeluar  së paku 100 gjykata dhe kjo nuk ka për të ndodhur, ashtu sikur nuk ka për të ndodhur,  as një protestë e këtyre veteranëve, të paktën në mbrojtje verbale të komandantëve të tyre, sepse shumica syresh ka nënshkruar themelimin e Gjykatës inkuizicionale kundër UÇK-së, kundër vetvetes. Ka gjasa reale që ata që kanë pranuar dhe kanë nënshkruar këtë paraprakisht e kanë bërë “Pazar” me Be-në. Për një nënshkrim të tillë kundër “luftës”, në të cilën thirren ditë e natë, doemos se duhet të jetë bërë një Pazar jo dosido, por jo në nivelin e dëshmitarëve të mbrojtur.


 


           Dhe,  duke pritur Gjykatën Speciale, e cila tashmë ka filluar punën, Evropa e Gjergj Fishtës, përmes kopilëve të vetë shqipfolës, po përgatit edhe një befasi tjetër, fushatën për zbulimin dhe praninë me çdo kusht  të ISIS-it në Kosovë, qoftë edhe kundër hijes së tij, kundër të gjithë hoxhallarëve me mjekra të gjata apo të shkurta, sepse sikur thuhet 100 apo ndoshta edhe më shumë shqiptarë të Kosovës po luftojnë në radhët e këtij Shteti Islamik, ku ka edhe pjesëtarë nga 80 shtete e kombe të botës.  Nuk është me rëndësi numri, thonë ata, sepse pas numrit simbolik janë emrat e tillë myslimanë të miliona shqiptarëve, të njëjtë me emrat e sirianëve, turqve, irakianëve e të tjerëve. Ky është një realitet që nuk mohohet lehtë. Emra krishterë kemi fare pak, ndërsa emra shqip krejt pak.


  


        Qarqe të caktuara antishqiptare po bëjnë përpjekje ditë e natë për ta damkosur Kosovën me hijen e terrorizmit islamik, sikur thuhet rëndom në medie. Ekziston  një përpjekje e sëmurë dhe histerike që shprehet në  disa medie e portale të përdala, për ta pleksur Kosovën me çdo kusht me ISIS-in. Ata nuk lënë lajm pa kurdisur, nuk lënë gënjeshtër pa botuar vetëm për të treguar se shqiptarët islamë të Kosovës e më gjerë janë edhe rekrutët ideorë e shpirtërorë të Kalifatit. Mjafton prania qoftë edhe e vetëm një shqiptari në IS, për t’i parë shqiptarët islamë si rekrutë të këtij Shteti me të cilin po merret bota.


Kjo fushatë doemos  se na përkujton fushatën antishqiptare të Qeverisë së RSFJ-së kundër shqiptarëve nacionalistë e irredentistë në vitet 80 të shekullit të kaluar.


 


         Në vitet 80 të shekullit XX, asgjë të ligë nuk ka lënë pa shkruar kundër nacionalistëve shqiptarë,  shtypi i Beogradit dhe ai i tredhur i gazetarëve komunistë të Prishtinës. Ishte shpikur gjoja presioni, që shqiptarët u bënin serbëve, të cilët  kishin shtetin, pushtetin, milicinë, ushtrinë, prokuroritë, gjyqet  dhe nuk po arrinin ta ndalonin shpërnguljen e serbëve. Fushata shkoi aq larg sa një femër serbe,  e moshuar,  histerike,  pa burrë,  kishte marrë pushkë me leje nga milicia për t’ u mbrojtur nga të rinjtë shqiptarë, për të cilët ajo thoshte se kishin bërë përpjekje ta dhunonin, edhe pse kurrë nuk u zbulua asnjë dhunues, sepse shqiptarët kurrë nuk i kanë dhunuar serbet, mbase nuk ka pasur nevojë edhe t’ i dhunojnë, sikur pat  guxuar dhe pat folur njëherë, në vitin 1987 Fadil Hoxha. Dhe pas asaj fjale ishin pikërisht virgjëreshat plaka serbe që e futën në bir të miut, në podrumin e shtëpisë së tij dhe nuk kurrë  më nuk bërë gëk as mek deri sa vdiq.


           Për të shpjeguar se deri në çfarë shkalle “antinjerëzore” kishte arritur nacionalizmi shqiptar, një ekzemplar serb, diku në Gjilan, kishte shpallur se irredentistët e kishin ngulur në shishe qelqi. Krejt shtypi i kohës, në Serbi, Kosovë e më gjerë ishte marrë me atë “fenomen”. Dhe fushata shkoi aq larg sa  ai  u shpall njëlloj martiri, njëlloj  Jezu Krisht i Serbisë. U sajuan portrete, tablo murale, u organizuan  dhe u mbajtën  mijëra mbledhje e tubime, të cilat dihet se ku përfunduan. E tillë është sot fushata kundër islamit në Kosovë, duke e etiketuar me markën e ISIS-it.


Nuk është për t’u habitur nëse ndonjë islamofob, apo islamofobe e agraisur bën të njëjtën gjë për ta tërhequr vëmendjen, edhe pse duket se kjo metodë nuk është specialitet, madje  as analog i IS-it. Dikush që përditë po financohet nga qarqet e tilla, doemos se një ditë do të na befasojë me ndonjë shpikje të tillë apo të ngjashme për të vërtetuar praninë e ISIS-it në Kosovë, sepse, sipas tyre prani do të thotë edhe nëse thuhet publikisht “All-llahu ekber”, pavarësisht se kjo fjali këndohet e dëgjohet pesë herë në ditë në qindra xhamitë e Kosovës.


 


          Andaj, Kosovën po  kërcënojnë: Qeveria marionete, UNMIK-u, EULEX-i dhe  fushata për ta sjellë me çdo kusht ISIS-in. Kosovën nuk e kërcënon  më papunësia sepse të papunët e Kosovës presin vizat  mos po ua jep Brukseli, dhe,  në vend se të bëjnë presion dhe të sigurojnë punë në vend, në Kosovën e tyre aq të dashur sa dikur kishin shfaqur gatishmëri për ta dhënë edhe shpirtin,  ata do të provojnë t’ i kapen Evropës ku rrjedh qumësht e mjaltë, ku mund të jetosh si parazit, apo të gjesh punë në pastrimin e kanalizimeve, të WC-ve, ku thjesht mund të provosh e të gjendesh disi, sepse Evropa është  zemërgjerë sidomos për shqiptarët me emra islamë. Po të kërkonte Evropa, sikur Greqia, ndërrimin e emrave dhe konvertimin formal për “nikoqirllëk”, besoj se shumë më shpejt shqiptarët do ta pushtonin Evropën, por ja që Brukseli nuk është Athinë.


 


           Kosovën tash për tash nuk po e kërcënon as Serbia, sepse ajo po arrin t’ i realizojë të gjitha planet, madje shumë më tepër sesa ka pretenduar. Kurrë politikanët serbë nuk kanë menduar se do të fitojnë në paqe, atë që e kishin humbur në luftë, jo vetëm kundër shqiptarëve, por kundër Aleancës më të fortë ushtarake të botës. Ata vazhdimisht janë ankuar te politikanët e vetë, se atë që e kanë fituar në luftë, ata, ua kanë humbur në kohë paqeje.


        


          Tani kanë ndryshuar kohët. Serbia në bashkëpunim legal dhe ilegal me qarqet antishqiptare të Brukselit, ka arritur të krijojë bërthamën për një Republikë serbe brenda Kosovës, ka arritur dhe po arrin ta mbajë nën sundim të egër tri komuna shqiptare në veri, ka arritur të fuqizojë praninë e elementit serb në institucionet e vendit, me kompetenca favorizuese, të cilat shkojnë deri atje  sa pa shumicën serbe në Kuvend nuk mund të miratohet asnjë ligj dhe jo vetëm ligji për shndërrimin e FSK-së në një FSK me emër tjetër.  Serbia po e mban peng Veriun,Trepçën, Ujmanin, Shtërpcën dhe të gjitha enklavat, pavarësisht se ato janë brenda Shtetit të  Kosovës, të cilin Beogradi është zotuar se nuk do ta njohë kurrë. Serbia e njeh Kosovën si provincë ku shumica shqiptare mund të vetëqeveriset, por për fatin e serbëve dhe ato që i quan ‘toka” të shenjta serbe brenda Kosovës, Qeveria në Prishtinë nuk ka asnjë tagër.


 


          Kosova dhe ardhmëria e saj vazhdon të jetë e kërcënuar deri sa nuk bëhemi tok si komb, derisa nuk kërkojmë për veten tonë, një shtet të përbashkët që na takon, atë që qysh moti u ka takuar dhe po u takon grekëve, serbëve bullgarëve e të tjerëve.


Ahmet Qeriqi


22. 1. 2016

Kontrolloni gjithashtu

Pas publikimit rezultateve të regjistrimit të popullatës në Maqedoni, Ali Ahmeti ka thënë se ky fakt është pasqyrë reale e gjendjes faktike

Ali Ahmeti do të fitojë në zgjedhje, me vlera, merita, me nder e respekt, me besë, trimëri, dinjitet e burrëri

Me shokun tim të idealeve, Ismet Sylejmani,  për pak “jam koritë”, por shpëtova nga durimi dhe …