Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka reaguar kundër të pavërtetave, shpifjeve e ofendimeve në emisionin ‘Komplot’ në RTV Dukagjini

Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka reaguar kundër të pavërtetave, shpifjeve e ofendimeve në emisionin ‘Komplot’ në RTV Dukagjini

Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka reaguar kundër të pavërtetave, shpifjeve dhe ofendimeve të shpalosura në emisionin ‘Komplot’ në RTV Dukagjini

Emisioni “Komplot”, i titulluar “Misteret e Betkashinjeve, pse Kryegjyshata gjendet ne Tirane? – Komplot”, i transmetuar ditëve të fundit në RTV Dukagjini në Kosovë, përmes të pavërtetave, shpifjeve e trillimeve ndaj Komunitetit Bektashian, nxit urrejtje dhe padurueshmëri ndaj besimit dhe besimtarëve bektashinj.

Me gjuhë të helmuar, kronika hyrëse e këtij emisioni krahason besimin bektashi me satanizmin. Duke mos tentuar të fshehin padurueshmërinë ndaj besimit bektashi, paraqesin video të ritualeve të besimeve të tjera dhe ato i quajnë bektashiane. Kronika e mbushur me fjalë nxitëse dhe tërësisht të pavërteta, paraqet shpifje e trillime përtej rezonimit normal njerëzor.

Në këtë emision ku u diskutua për bektashizmin nuk ka qenë i ftuar asnjë përfaqësues i Komunitetit Bektashian. Prezantuesja e emisionit shtronte pyetje tendencioze për të ftuarin e saj, i cili, duke mos njohur besimin bektashian përziente konceptet bektashiane me konceptet e besimeve të tjera, përfshirë edhe besimet e tarikateve të tjera islame, gjithmonë duke shpalosur të pavërteta si në aspekt teologjik, ashtu historik, demografik e hierarkik.

Thënë troç, çdo gjë e paraqitur në këtë emision është e rremë, në kundërshtim me besimin, historinë, ritualet dhe praktikat bektashiane.

Duke shpalosur shpifje e trillime, emisioni “Komplot” i RTV Dukagjini, i titulluar “Misteret e Betkashinjeve, pse Kryegjyshata gjendet ne Tirane? – Komplot”, ka dëmtuar imazhin e besimit bektashian, pikërisht në kohën kur në Kosovë diskutohet për komunitetet fetare për t’u njohur zyrtarisht përmes Ligjit për Liritë Fetare.

Përfaqësues të Komunitetit Bektashian kanë kontaktuar me drejtues të RTV Dukagjinit, por në vërejtjen tonë, ata janë përgjigjur thjeshtë: Ankohuni në Komisionin e Pavarur të Mediave.

Komuniteti Bektashian kërkon nga RTV Dukagjini që të kërkojë falje dhe ta përmirësojë këtë gabim të madh, i cili gabim pos që ka ofenduar rëndë e i ka zemëruar besimtarët bektashianë, padrejtësisht dhe kundër të vërtetës, me shpifjet e veta ka nxitur padurueshmëri ndaj besimtarëve bektashinj dhe ka përhapur lajme të rreme dhe shpifje të trilluara.

Video e emisionit është publikuar në kanalet zyrtare të RTV Dukagjinit, në platformat online youtube dhe facebook.

 

Kryegjyshata Botërore Bektashiane

Komuniteti Bektashian i Republikës së Kosovës

Gjyshata Bektashiane e Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Brendshme kërkojnë nga bashkatdhetarët të evitojnë me çdo kusht rrugëtimin nëpër Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo  Punëve të Brendshme njoftojnë se pas situatës së …