KEK
Fillimi / Lajmet / Kuvendi votoi nismën e PDK-së lidhur me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e privatizimit
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi votoi nismën e PDK-së lidhur me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e privatizimit

Me iniciativë të Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës votoi sot themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar i cili do të hetoj dhe zbardh të gjitha privatizimet e bëra në Kosovë, në veçanti keqpërdorimet e mundshme dhe ato me lidhje politike.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, gjatë paraqitjes së kërkesës për Komision Hetimor para deputetëve, tha se qëllimi i kësaj nisme është që qytetarët e Kosovës të informohen drejt për secilin privatizim që ka ndodhur në Kosovë dhe çdo lidhje politike që kanë personat që kanë privatizuar.

Ai tha se me këtë formë, do të dalin të vërtetat e sakta dhe do të largohen gjykimet e paragjykimet politike për procesin e privatizimeve.

 “Ne si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, kemi propozuar ngritjen për herë të parë të një komisioni hetimor që do të ketë për qëllim hetimin e përgjithshëm të procesit të privatizimit në Kosovë nga fillimi i tij, e deri në ditët e sotme, përkatësisht hetimin e të gjithë procesit të privatizimit të menaxhuar dhe administruar fillimisht nga Agjencia Kosovare e  Mirëbesimit (AKM), pastaj Agjencia Kosova e Privatizimit (AKP), proces i cili ka të bëjë me të gjithë veprimtarinë e këtij institucioni për sa i përket privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, ndërmarrjeve publike, duke përfshirë edhe metodat dhe procedurat e realizuara për qëllime të privatizimit”, tha Hamza.

 Kjo nismë parlamentare, ishte paralajmëruar javë më parë nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

“PDK-ja do të ndërmarrë veprime konkrete kushtetuese e ligjore brenda Kuvendit të Kosovës për këto tema, të cilat do t’i shërbejnë vetëm interesit publik dhe nxjerrjes së të vërtetës njëherë e përgjithmonë se kush janë abuzuesit e vërtetë me emër e mbiemër të këtij vendi. Këto iniciativa nënkuptojnë themelimin e Komisioneve Hetimore për Çështje më rendësi të veçantë për publikun, si dhe propozime për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve aktuale, duke përfshirë këtu edhe iniciativat e reja legjislative hetimore dhe gjithçka që ju mundësohet hetimeve parlamentare të pavarura e profesionale”, kishte deklaruar lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai pati thënë se ky proces hetimor nuk është kundër bizneseve dhe qytetarëve që kanë privatizuar ndershëm. Sipas tij, PDK nuk është kundër këtij procesi madje si parti e qendrës së djathtë, e mbështet pa rezerva.

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj: Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar

Haradinaj: Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas bastisjeve të kryera nga Policët e EULEX-it ...