leoni

Lulzim Logu: SI TË SHFLETOSH DHIMBJEN E KOHËS

Lulzim Logu: SI TË SHFLETOSH DHIMBJEN E KOHËS

(Recension për vëllimin poetik “Lëkundje lavjerrësish”, 2020, të autorit Mehdi Krasniqi)

Të shfletosh librin me poezi të Mehdi Krasniqit “ Lëkundje lavjerrësish” dhe të përfshihesh në jehonën shpirtërore dhe filozofike që përcjell me vargjet dhe tonet e forta të figuracionit dhe mesazheve realiste, padyshim se është një përpjekje e duhur. Një zgjedhje e bukur mes dilemash dhe alternativash, nga dita jote, nga koha në dispozicion, duke dashur të përfitosh diçka të vyer, e cila në fund të fundit të shmang përtesën dhe monotoninë e çastit dhe të jep një ndjesi të veçantë.

Eshtë si të shfletosh dhimbjen e kohës, të asaj që jetojmë, në raport me atë që kemi pritur dhe ëndërruar, me dilemat, mundësitë dhe shpresëthyerjen e mundshme në të ardhmen. Poezi me tharm të nxehtë, protestë që gati sa nuk thyen metrikën dhe çastin poetik, simbolikë e qëlluar dhe metafora befasuese, të cilat ta shfaqin lakuriq tablonë e realitetit aktual, absurdin mes vlerave dhe asaj çfarë shitet si e tillë, në tregun socialkulturor dhe në dritëhijet ekonomike që e kanë ndarë keqazi dhe aq padrejtësisht një shoqëri, që gjithsesi duhej të ishte ndryshe.

Në ciklin e parë të librit “Trillime” fati dhe dilema e atdheut paralelizohet me fatin e shtëpisë pa çelës të poetit, e cila për hatër e “ha vetveten” dhe kurrë fjalën e tij me peshë apo mendimin e thellë intelektual, në të mirë të vendit të tij, të një shtëpie që mundësisht as nuk shitet, as nuk blihet. Ashtu si atdheu i dashur dhe i shtrenjtë, për të cilin duhet t’i përtypësh kockat tua dhe të mos ua dorëzosh armiqve si lukuni pas porte që mezi presin ta shqyejnë, si qentë e uritur në gjurmët e borës…

Poeti, i cili dikur pa u menduar aspak veshi rrobat e luftës dhe rroku armët për lirinë e shumëpritur, tash ironikisht ndjen dënimet e partisë, të llaskucëve politikë, krahasuar me xhelatë politikë, të cilët pa ndalesë shkëpusin copa nga trupi i lodhur dhe i etur për ringjallje komplekse të atdheut, duke e shndërruar atë në një ”lëndinë të pashkelur tashmë, rrethuar politikisht”… Një thundër e rëndë dhe e pistë prej pseudoluftëtarëve dhe patriotëve falsë, që çdo ditë po ia marrin frymën dhe po e mbysin hapësirën e lirisë, deri aty sa autori shpeshherë lutet në vdekjen e shpejtë të politikanëve të tillë,në emër të frymëmarrjes së nevojshme të lirisë për Kosovën:

“Pis pas pisi

po e pështyjnë

lirinë në fytyrë”  (Poezia “Thundra”)

Metafora e hajnisë dhe dhimbja ulëritëse e atdheut, simbolizuar në ndarjen mes protestuesve të pafajshëm dhe darkëngrënësve mishpjekur shprehet qartë dhe në mënyrë domethënëse në këto vargje:

“Ah, dreqin bre

kanë rënë ujqërit

n’qytet

dhe…

po lehin si qen

S’lanë kë pa e gërrithur

as kafshuar

Tinëz. (Poezia “Hidhërim”)

“Mbretërit mbledhur në tryezë

në periferi të kryeqytetit

hanin mish dallëndysheje

pinin konjak

dhe luanin pishpirik

Atdheu në mes protestuesish

dhe darkëngrënësve mishpjekur.” (Poezia “Protestë”)

Kryefjala në ciklin e dytë me titull “Kohë kalimtare” mbetet po liria, Krasniqi perifrazon se liria mbetet gjithmonë vetëm e atyre që nuk e lënë atë ta shkelin me këmbë:

“…kurrë s’i shkova dy ditë të lumtura sikur ta kisha shtëpinë a zyrën ngrehur mbi varre

apo gjysmën e vetes mëkat

…sepse jashtë dëgjohen të bien

daulle cubash

S’jam as unë që dua

armëpushim

se nuk fal gjë nga liria ime

për asnjë çmim” (Poezia “Luftë shtrigash”)

Heshtja e vdekshme, gjendja pezull, mosshikimi kah perspektiva dhe zhvillimi me të tjerët, që po ngjishen pas përparimit të shoqërisë, e pezmaton pafundësisht poetin, plagët sociale ja mprehin shqisat dhe klith në vargje etja për vetëdijësim, kurajo dhe bashkim, vetë poeti identifikon çdo dashuri të mundshme të momentit, me dashurinë për flamurin kombëtar dhe idealin atdhetar. Po nuk ka thirrje të rëndomta, shtirje gjoja patriotike, ekzaltime apo amplifikime politike apo tjetërsoj. Thellësia dhe kthjelltësia e njohjes së çastit historik të vendit dhe kuptimësia objektive e drejtimit dhe kahjes së zhvillimit të tij, pasqyrohen qartë dhe në mënyrë delikate perpara lexuesit, përmes lojës së rafinuar” poetike, ku padyshim spikat gjetja dhe detaji, alternuar me strukturën solide të mesazhit, i cili i rri natyrshëm rimës së vargut:

“… Sot

qielli u vra

fryu erë e fortë

dhe pikë shiu nuk ra

Kryekurva e qytetit

në urën mbi lumë

përkundi në djep një kopil të murrmë dhe i këndoi ninulla morali

Kalimtarët i hodhën në prehër

para të majme” (Poezia “Përgojim”)

Poezia me titull ”Datëlindja e keqe” është ilustrimi më i spikatur i prirjes së poetit për të dëshmuar angazhimin e tij të qënësishëm si qytetar i republikës së re, si rojtar i parimeve morale të ngritjes dhe ekzistencës së saj, si kontribues i një shoqërie me frymë të re, e cila me mund dhe sakrifica duhet ngritur mbi gërmadha të politikave dhe politikanëve të vjetër, fshehur pas imazheve të rreme të luftës dhe statujave të heronjve”shpesh të harruar” në heshtjen e bronztë të tyre…

Qenin në prehër,

babanë në shtëpi të pleqve!

Kundërnjeriu,

pjellë e nëmur!.” (Poezia “Kohë e keqe”)

Në poezinë vazhduese “Letër mikut tim” kategorinë pushtuese të mëkatarëve të dhunshëm të atdheut, poeti i dërgon në theqafjen metaforike të humbësve, duke apeluar triumfin e fitimtarëve të varfër, por të ndershëm, të cilët do të pijnë ujin e parajsës së

merituar. Dy cikle me theks të spikatur bashkëkohor, ku pesha e fjalës poetike, mbart suksesshëm peshën e mesazhit filozofik dhe apelit poetik, përshkruan vendin që duhet ta ketë sot krijuesi si frymëzues i matur dhe i pjekur për adhuruesit dhe ndjekësit e tij, ata njerëzit e thjeshtë, qytetarët e ditës, bashkëvuajtësit dhe të dashuruarit me larinë, e cila meriton hapësirën e kërkuar.

Në ciklet “Imazhe të pabëra” dhe “Kujtesë”, që fare mirë mund të shkriheshin në një, poeti ndihet më i qetë, më i matur, më me besim, duke personifikuar të ardhmen e shpresuar të atdheut dhe vetvetes, nën dritën e qashtër të lirisë, sjell prej mbartësve të vërtetë të saj:

“Komandant

tash të ka hije vargu

dhe kënga e lirisë

lum ti që asnjë vdekje

s’të rroket për trupi” (Poezia “Komandant Plaku”)

Vargjet kanë frymëmarrje tjetër, një tis i hollë shprese dhe optimizmi sikur shuan efektet e para të ironisë therëse poetike, ndoshta deri në sarkazëm dhe notat e buta dhe të këndshme si fllad i lehtë dashurie, e bëjnë këtë pjesë të librit si një oazë gjithëpërfshirëse, si një urë mes të shkuarës dhe të sotmes, me sy të hapur kah e ardhmja e ndritshme:

“ S’hesht kurrë fjala jote

është prej zemre të pathyeshme

prej gjaku që s’u fal

s’u shit

as shkel kurrë” (Poezia “Komandant Plaku”)

Dashuria si ndjenjë i fal lexuesit nga pena e autorit përjetime interesante, krejt origjinale, fakti që autori është gjithë kohën i drejtëpërdrejtë, lë shkas për ta shijuar çdo qelizë të memories poetike të këtij zhanri, vargu i goditur dhe latuar si një mur, nga një mjeshtër i vëmendshëm dhe pasionant, vjen i ngrohtë si një këngë, të cilën mund të murmurisësh gjithë kohën me vete:

“Pika terri pikuan nga qielli

kur ti çave rrethimin e zemrës sime

Kohë e pritshme

anipse e shpërputhshme

Druaj për fatin tënd

sa herë ikën nga e pamundura” (Poezia “Ikje”)

Në pjesën ”Dashuri e gdhendur në asht jete” një poemth i qëlluar dhe marramendës, si një vallëzim i purpurt nën dritën e hënës, shpirti i poetit sjell nota të harlisura të nostalgjisë, por gjithsesi me lëng jetësor dhe romantikë të bukur:

“ Yllnesha ime

një ditë domosdo do të vdesim të dy

as zemrat

as fjalët

as puthjet s’do të mund t’i marrim

ato nuk i zë vrima kah hyn e del shpirti

Një ditë,

jo larg

përmallimi do të çelë vuajtje asgjëja do të mbetet e papjekur fidan i parritur” (Poezia “Të dua”)

Mehdi Krasniqi është një krjues serioz, në kuptimin se rrok tematikën e kohës, kap dimensione realiste të saj, poezia e tij ka nerv dhe energji, ngacmon, shpesh edhe nervozon nga devijimet e saj. Ajo nuk është diçka e brishtë, kalimtare dhe e harrueshme, përkundrazi qëllon aty ku duhet dhe mbetet shumë prej saj tek lexuesi i vëmendshëm dhe i trajnuar për një poezi që tenton të apelojë dhe zgjojë ndjesi të fjetura. Metafora e përdorur mbetet një cilësi e cila i jep ritëm dhe ngjyrë vargut, struktura e të cilit i ngjan një ndërtese me arkitekturë harmonike, ndërsa po merr formën e skicuar në frymëzimin e projektuesit të saj, aliazh poetit që përpiqet të shfletojë dhimbjen e kohës…

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …