Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: A po kalon krizën shoqëria jonë !?

Madhështia e njerëzve të thjeshtë, krijohet duke qenë vet i tillë, shumë afër njerëzve në nevojë, i përkushtuar në punë dhe aspirata që i ke vënë vetes, i përsosur dhe i përkushtuar për të arritur të realizueshmen që e do populli, vendi dhe shoqëria, njeri që dhuron dashamirësi pa kushte, njeri i heshtur e pa zhurma, njeri që mbi kurriz ke bartur dramën e madhe të popullit të përvuajtur për të parë pak dritë, pak dritë, pak dritë o shok o vëlla!

E kundërta e kësaj, si megalomania mosrespektimi, pandërgjegjshmëri ndaj përgjegjësive të marra, kundërshtimi dhe linçimi i çdo të arriture, krijimi i bindjes së të gjithë janë armiq, autoritarizmi, nihilizmi etj. bartë rreziqet e veta të pallogaritshme, në rend të parë për emra të përveçëm e pastaj edhe për shoqërinë.

Njeriu dhe shoqëria, duhet të zënë nga pësimi dhe përvoja e jetës reale dhe mitike. Ka një mes këtu, diku mes legjendave dhe historisë, kur ditën ngritje e natën shembej Ura e Shenjtë, u desh që të murosej një grua, një nuse e re që quhej Doruntina. Në fakt këtu, njëri nga vëllezërit tanë,  kishte tradhtuar, kishte shkelur besën e dhënë… dhe besë shkelësi mbeti mallkua edhe sot e gjithë ditën.

E reja Doruntinë, nusja e legjendave, nuk kishte kërkuar as gjë, më shumë së : “ Që gjirin e saj ta linin jashtë murit, për t’i dhënë sisë djalit të saj që ishte foshnje!”,  pra ajo kishte vetëm këtë kërkesë: ta rriste birin e saj, birin e atdheut!… legjendë e histori bashkë, që na bënë ta kujtojmë e të përkulemi përjetë para atyre që mbajnë fjalën e besën e dhënë.

Nuk ka ditë të zotit, ag e muzg, që në mediat tona (jo të gjitha), nuk plasin gojë zdralet, Diarre-a gazetareske në Kosovë, sikur nuk ka të ndalur, duke bërë shkuarje barku vend e pavend, duke krijuar averzion organik edhe në këtë kohë përballje me kërcënimin nga virusit COVID-19, që ka futur botën nën pushtetin e frikës së padukshme, por që lexohet fare qartë në ballin e të gjitha diplomacive Botërore.

Diarre-a e radhës sot, ishte se VV, po ndahet edhe një herë, pasi që Albini me Glaukun nuk i kanë punët në terezi! Pra, po përzihet Prizreni na u kanë qartë zotërinjtë ndër veti, në një kohë që ende nuk janë shëruar plagët e çarjes së koalicionit paraprak, në një kohë kur bota e civilizuar është mobilizuar për ballë këtij virusi të padukshëm, në një kohë kur të gjithë ata që dhanë besën se nuk do të tradhtojmë kalanë e shtetit, me dashje dhe ditëm drekë e murosën Doruntinën dhe dogjën legjendën mbi besën e dhënë. Po e dogjën keq, e nesër kush kujt do t’i besoj se nuk do ta murosin, se nuk do ta tradhtojnë, se nuk do të shkelin me të dy këmbët besën e dhënë!…

Dualizëm i dukshme që ka kapluar çdo pore të shoqërisë si në pushtet me dy qeveri, dy diplomaci, dy ekonomi, dy veta nuk bëjnë dot me njeri- tjetrin, tavolina nuk i duron dy karrige, partia nuk i mbanë dy mendimtarë, mbledhja dy dijetarë, urtia dy pleqnarë!… madje edhe me botën e madhe, nuk i mbajmë dot marrëdhëniet pa dualizëm: një me ne, një me ata. Se ata nuk janë si ne e as ne si ata… e lum si na!

Fundja, kujt i plasi trapi për gjithë këto dromca ditore, që nuk i lidhë dot as me fije bari… shtrohet pyetja; ku ta mbështesim optimizmin dhe shpresat e qytetarit për një të ardhme të sigurt, ku qytetari do të gdhihet dhe ngryset i qetë, konkurrent në jetë me mundësi të barabarta para ligji, ku qytetari, punëtori e hallexhiu të mos pyetet: “ A je me ne a me ata!”, e lum si na!…  ku ta mbështesim shpresën e këtyre njerëzve të thyer në dysh, nga barra e halleve të mëdha të përditshme, që po rëndohen mbi kurrizin e tyre, je me ne a me ata, lum si na!…

Diarre-a tjetër e radhës ishte edhe ajo se gjoja: pas kërkesës së një grupi shqiptarësh të Amerikës që bënë  tek Presidenti Donald Trump, për shkarkimin e Richard Grenell, Presidenti Trump, tha: “ E kanë kërkuar shqiptarët, menjëherë e shkarkojmë Grenellin, Posi!”

Grenell ra nga ati e nuk e zu sahati!…

Keni parë ju, këtë lajm e dha edhe Joseph DioGuardi, që falënderoj shqiptarët e Amerikës dhe bijtë e Abidës! e marrëzira tjera… ky është ushqimi i përditshëm i mediave tana, që i servohet qytetarëve tanë, tri herë në ditë, e lum si na!…

Ndërkohë që i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka hedhur poshtë lajmet për shkarkimin e tij nga kjo detyrë, në fakt është bërë një shkarkim dhe ngarkim tjetër, por që shqiptarët ende nuk e kanë mësuar të lexuarit amerikanisht po themi!

Edhe një herë dua të bëj apel për durim, për të gjithë ata që duhet të kalojnë në Karantinë për 14 ditë rresht. Pak rëndësi ka, që sot shtetit i prinë Maliqi e nesër Refiqi, me rëndësi është të respektohet ligji. Pa dashur të fyej askënd, dikur kur i merrnim bijat në të pamë- i thoshim ne andej, në gjini pra, ato qëndronin 14 ditë, dhe nuk mërziteshin fare.

Prapë, pa dashur të rëndojë askënd: bijtë dhe bijat e këtij populli, pra bijtë tuaj, për hir të çështjes së madhe, kanë qëndruar të karantinuar nëpër burgje e qelia të pushtuesit Serb me vite, pa parë babë e pa parë nënë, pa parë vëlla e pa parë motër, pa parë shtëpinë e pa parë votër… ishim të izoluar, të vëzhguar, të maltretuar, të keq ushqyer, të kërcënuar me jetë, të ndarë nga bota, por për hir të çështjes së madhe, kurrë jo të nënshtruar, “Karantinimi” i të dënuarve  ka zgjatur, madje edhe 14 vite!…

CH-07-05-2020

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …