Shoqata e ish të Burgosurve Politikë të Kosovës e kujton atdhetarin dhe veprimtarin e shquar Adem Demaçin

Mehmet Bislimi: Lavdi qiellit


(Adem Demaçit)

në motet e largëta
zë i vetmuar
një grusht atdhedashës
përflakur
në ballë të furtunës
bijtë e tokës
bijtë e zotit
bijtë e nënëlokes
Kosovë e Adem Demaçit
Kosovë vatër e zjarrit
Kosovë flakadan lirie
Kosovë e Adem Jasharit

në këtë vend ku nuk kishte teatër
e teatër luhej
as sot
nuk skuqen ata
që do duhej skuqur
shpirtshiturit u trazuan
bacë Ademi të vërtetën tha
si gjithmonë
të vërtetën
dhe
as gjë më shumë

ai
edhe dje
si sot e nesër
gjërave u thotë në emër të vet
hajnit i thotë hajn
tradhtarit- tradhtar
qenit- qen
spiunit- spiun
zagarit- zagar
pushtuesit- pushtues
çlirimtarit- çlirimtar
ai nuk vdes
Ademi është gjallë

ai eci vertikalisht
në një kohë
kur shumë të tjerë hiqeshin zvarrë
si hardhucat e përhirta
përmbi zall
mure erë myku e zymtësie përballoi
papërkulur e ballëlartë
në rrugët e jetës marshues
në rolet e imponuara nuk u tjetërsua
me fuqinë e shpirtit
për botën e madhe
dashurinë përjetësoi
deri në sakrificë e vetëmohim
dashuri për të tjerët
dhuroi

nëse keni dëgjuar deri më tani
ta ketë peshuar dikush
gurin e vuajtjeve të tij shpirtërore
e pra
sa peshoi vuajtja
mbi supet e tij
a e thotë dikush të vërtetën
a do bënë dikush ndonjëherë llogari
për bijtë e vuajtur
të nënës Shqipëri

mbi një çerekshekulli me diellin u mat
sytë nuk iu verbuan
nga klithmat e të tërbuarve
si klithma lakuriqesh në shpellat pa hënë
ku jargët e tyre
lakuriqet hanë

lavdi qiellit
çka (s) presim më shumë
nga kryeneçët e kësaj shoqërie të çakorduar
çmendurisht
kryeneçë gërdallë
kur vdes të qajnë
të shajnë sa je gjallë

Shkurt, 2021

 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …