Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Ministria e Kulturës mbylli “Metaforën” të vetmen revistë letrare në Kosovë!

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës LKSH, bën të ditur se pas 11 vjetësh, Ministria e Kulturës së Kosovës mbylli revistën e vetme letrare në Kosovë, Metafora, duke e ndërprerë financimi e mëtejmë për botimin e saj!

Kjo ishte revista e vetme letrare e këtij zhanri, pothuaj në gjithë hapësirën shqiptare, pa dyshim edhe për diasporën tonë. Ky vendim absurd dhe arbitrar, i pastudiuar dhe adoleshent, po ua pamundëson shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë publikimin e krijimeve të tyre letrare, publicistike, shkencore e shumë zhanreve tjera.

Revista shkencore-letrare, veç asaj që ishte organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ishte edhe një dritare e hapur diturie nga ku mund të shihej veprimtaria e krijuesve në nivel vendi, madje të hapësirave gjithë shqiptare, pa dyshim edhe krijuesve ndërkombëtar. Veç publikimit të punimeve të ndryshme, kishte edhe punime të përkthyer nga emra me nam të letërsisë botërore.  Revista Metafora, pasqyronte shpirtin krijues dhe intelektual të popullit tonë që ka lënë gjurmë në këtë fushë krijuese për vite me radhe edhe në kohët më të vështira.

Në revistën “Metafora”,  gjenin hapësirë publikime, kumtesa të ndryshme letrare- shkencore, zhanri i poezisë, prozës, pjesë dramash, punime letrare, qasje kritikash letrare, ese e shkrime tjera afirmative, që afirmonin gjuhën shqipe dhe kulturën tonë letrar gjithandej.

Të vetmin reagim që lexova deri me tani, për këtë veprim të shëmtuar të Ministrisë në fjalë, ishte ai i zotit A. Qeriqi në Radiokosovaelirë!

Është për keqardhje; me këtë veprim, kjo Ministri, na kujton kohë të liga të së kaluarës, kur revistat e tilla me nam, si: “Shkëndija”, “Gjurmime albanologjike”, Revista “Jeta e Re” , “Kritika Letrare” e tjera që ishin mbyllur atë botë, po, por ishte një kohë tjetër ajo, ishte kohë robërie e pushtimi!… po tani çka po ndodhë, të mbyllet dhe të mos financohet e vetmja revistë letrare, dhe atë nga Ministria e Kulturës!, jo, kjo mund të jetë çfarë të duash, por jo Ministri e Kulturës! Mbetët i pashpjeguar fakti: prej nga ky guxim i kësaj Ministrie që vepron kaq arbitrarisht dhe kaq paskrupullt, në shekullin XXI, të mbyllen revistat e kulturës!…

Unë, si anëtar i LSHK-ës, domosdoshmërish ngreh zërin e protestës kundër këtij veprimi të pamenduar mirë dhe arbitrarë, njëkohësisht kërkoj nga të gjithë anëtarët dhe intelektualët tjerë të LSHK-ës, që të ngritin zërin dhe të bëjnë edhe peticion publik pranë kësaj Ministria për këtë veprim të papërgjegjshëm.

Sot, të mbyllët revista e vetme e krijuesve letrarë të Kosovës… edhe këtë e përjetuam! Të kujtojmë këtu së të gjithë krijuesit në Kosovë, botojnë nga mjetet vetanake, LSHK, deri me tani, nuk ka as zyrë që i mbulon shteti, nuk ka as objekt, as godinë, as vendtakim ku ta zhvilloj aktivitetin e saj krijues. Nuk ka as mbulesë, as mëditje e burime tjera financiare. Anëtarët e lidhjes së shkrimtarëve, dhe krijuesit e letrave shqipe, janë të shkapërderdhë në Kosovë, pa adresë, pa nam e nishan e vendtakim- tani iu mbylle edhe e vetmja derë ku trokisnin dikur- revista letrare Metafora, edhe këtë e përjetuam!…

Kultura e një populli që lenë gjurmë në letra, që nga kohët e largëta kur është shkruar në rrasa guri, në papirus më pastaj etj. , si shkrime, skicime, punime letrare, filozofike, shkencore, politike, ekonomike, kur ruhen, shihen, lexohen dhe vlerësohet përmes qindra botimeve dhe publikimeve të ndryshme- publikuara në dhjetëra  revista të tilla anë e këndë globit. Tek ne, mbyllet edhe një që e kishim!… Ministri, Qeveri, ja keni nisur për së mbari, po mbyllni revistat letrare, Ministri e Kulturës, nëse ky është misioni juaj!

  1. 6. 2021

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …