Mero Baze

Mero Baze: Shqiptarët në Shqipëri ndahen gjysmë për gjysmë, pro qeverisë sonë dhe pro qeverive greke e serbe

Kjo që ndodh në Shqipëri është më primitive. Këtu opinioni ndahet gjysmë për gjysmë pro qeverisë sonë dhe pro qeverisë greke apo serbe, për shkak se i shikojnë ata si aleatë për të rrëzuar qeverinë. Sikur ta shisnim këtë për shoqëri mendjehapur, me intelektualë vizionarë, mirë do ishte, por e keqja është se ata e dinë çfarë jemi. Një shoqëri mercenare. Shoqëria shqiptare bën një diferencë të fortë nga Serbia dhe Greqia, lidhur me qëndrimin që mban ndaj konflikteve shtetërore dhe historike. Nëse në dy vendet fqinje, shoqëria në tërësi mbështet në bllok Qeverinë për konfliktet me Shqipërinë, në Shqipëri ndahen gjysmë për gjysmë pro qeverisë sonë dhe pro qeverive fqinje. Në kushte të tjera, kjo duhej parë si epërsi e shqiptarëve dhe do të ishte një lajm i mirë për mendjen e hapur të tyre, por fatkeqësisht nuk është ashtu. Shqiptarët nuk rreshtohen se janë mendjehapur dhe çmojnë diçka tek Greqia apo Serbia, apo gjejnë gabime historike tek Shqipëria, po rreshtohen nga inati i Qeverisë shqiptare.

Nëse në debatin mes shqiptarëve dhe serbëve, ka plot shqiptarë që dënojnë dhe palën shqiptare apo gabime të saj, nuk gjen thuajse asnjë intelektual serb, ta bëjë këtë. Edhe me gjenocidin e fundit të Serbisë ndaj Kosovës më 1999, gjithsej janë vetëm dy veprimtare të të drejtave të njeriut nga Serbia, që kanë bërë diferencën në Serbi. Në Shqipëri, deri në vitin 1997 shumë zëra të politikës dhe shtypit shqiptar ishin hapur me Serbinë dhe kundër kërkesës së Kosovës për pavarësi. Ben Blushi ka shkrime në gazetën “Koha Jonë”, ku ka bërë thirrje që kosovarët të dalin në zgjedhjet serbe, Andi Bejtja pak më butë, por ka sulmuar legjitimitetin e kërkesës së Rugovës për pavarësi, ndërsa një delegacion i Aleancës Demokratike bash në kulmin e luftës së Bosnjës, shkoi në Beograd dhe u takua me gjithë krerët e lartë, përveç Milosheviqit, që “nuk gjeti kohë t’i priste”.

Antikosovarizmi në Shqipëri u kthye në një lloj racizmi shqiptar, kundrejt një pjesë të kombit të tyre që “shqetësonin” Serbinë. Madje teoria e kombit kosovar, nuk është as e Halil Matoshit, as e Nexhmedin Spahiut, por e Fatos Lubonjës. Shkrimi i tij “Ne shqiptarët dhe kosovarët”, botuar tek “Përpjekja”, ka qenë manifesti i parë relativizues i çështjes shqiptare në Ballkan, duke e ndarë atë në dy probleme, në atë shqiptare dhe kosovare. Por, po të mos ishte parë si çështje shqiptare, Kosova nuk do ishte çliruar kurrë. Tani që u çlirua si çështje shqiptare, si çështje kosovare mund të konsiderohet vetëm stili i qeverisjes së tyre. Mirë është të mos na ngjajnë në këtë pikë, por kam frikë se janë më keq.  Frrok Çupi pastaj ishte kampion i fushatës proserbe në Shqipëri, aq sa dhe kur ishte në ATSH si drejtor, shpërndante lajme ku thuhej se “Ushtria jonë rrëzoi një avion armik”. Bëhej fjalë për rrëzimin e një avioni amerikan që bombardonte Serbinë nga Ushtria serbe. Aq e turpshme ishte situata, sa Pandeli Majko u detyrua ta shkarkonte si drejtor dhe nuk e firmoste shkarkimin presidenti. Por, e njëjta gjë ndodh dhe me Greqinë. Prej vitit 1991 kur është hapur Shqipëria e deri më sot, kemi pasur kriza ciklike me Greqinë, të natyrës politike, historike, fetare, emocionale dhe ndonjëherë banale, por në të gjitha rastet opinioni në Shqipëri ka qenë i ndarë, kurse në Greqi është unik, kundër Shqipërisë.

Kriza e parë e fortë ajo e vitit 1993, që nisi me incidentin me një prift grek në Dropull, lindi fenomenin “fshesa” . Ajo u thellua më tej me ngjarjet tragjike të Peshkëpisë, ku u vra një oficer dhe dy ushtarë shqiptare dhe një nga të akuzuarit për vrasje është Fred Bejleri, ai që kandidon për Bashkinë e Himarës nga PBDNJ. Kundërpërgjigja shqiptare ishte po aq paranojake, dhe çoi në arrestimin e pesë veprimtarëve grekë të minoritetit lidhur me sillogjet e “Vorio Epirit”, duke i akuzuar për tradhti kombëtare dhe përkeqësimi shkoi tek vendosja reciproke e vizave dhe gati gjendje lufte.

E gjithë kjo situate, ku natyrisht kishte përgjegjësi dhe qeveria shqiptare, në fakt shikohej me admirim nga opozita e asaj kohe dhe e përdori politikisht. Aq shumë u frikësua Berisha nga kjo sjellje e opozitës shqiptare dhe përfitimet e saj, sa iu mbush mendja që e rrëzoi Greqia nga pushteti dhe jo “Piramidat” dhe votat e vjedhura, dhe kur u rikthye, u bë njeriu më servil ndaj Greqisë.

E njëjta situatë po ndodh dhe sot me Edi Ramën. Retorika e tij antigreke është e qartë, jo aq si retorikë, po si mospërfillje për ta. Ashtu si nisi debati, pra tek brutaliteti i Qeverisë greke për një garazh në Himarë që prishet nga plani rregullues, natyrisht që është provokim, por si vazhdoi në fakt tregoi se si janë punët mes dy vendeve.

Por, dhe në këtë debat, shoqëria shqiptare mendon politikisht. Mbështetësit e Edi Ramës e lavdërojnë për patriot, të tjerët, që nuk e duan Edi Ramën, kanë nisur vajtojnë për ata që kthen Greqia në kufi dhe po mallkojnë Kryeministrin pse ua kthen fjalën mbrapsht grekëve.

Në fakt, për shkak të origjinës së tij nga Bregu, për shkak të formimit të tij, për shkak origjinës ortodokse familjare dhe besimit katolik që ka vetë, Rama nuk ka komplekse ndaj grekëve, dhe është i sinqertë në distancën me ta. E ka natyrale, si qytetar, por ai është i dënuar të sillet si Kryeministër.

Do të ishte fatlume nëse do kishim një shoqëri mendjehapur dhe kozmopolite dhe intelektualë të mirëfilltë, që me mençurinë e tyre do të ulnin tonet e politikës rajonale dhe do t’i vinin fre nacionalizmit etnik, por kjo që ndodh në Shqipëri, është diçka më primitive se ajo që ndodh në Greqi dhe Serbi. Aty, në të dy ato vende ka një nënvleftësim për shqiptarët si njerëz koti, dhe bëhen pa menduar shumë me qeverinë e tyre dhe kur nuk e duan.

Kjo që ndodh në Shqipëri është më primitive. Këtu opinioni ndahet gjysmë për gjysmë pro qeverisë sonë dhe pro qeverisë greke apo serbe, për shkak se i shikojnë ata si aleatë për të rrëzuar qeverinë. Sikur ta shisnim këtë për shoqëri mendjehapur, me intelektualë vizionarë, mirë do ishte, por e keqja është se ata e dinë çfarë jemi. Një shoqëri mercenare! (Gazeta Tema)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …