MINISTRI BYTYQI TAKOI DREJTORËT KOMUNALË TË ARSIMIT

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, është takuar me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), ku është biseduar për shumë çështje të arsimit dhe përgatitjet për procese të rëndësishme në arsimin parauniversitar. Ministri Bytyqi dhe drejtorët e DKA-ve diskutuan edhe mundësitë e zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës në arsim dhe kohën më të përshtatshme kur mund të bëhet ky zëvendësim. Pas diskutimeve të shumta dhe sugjerimeve të marra nga përgjegjësit e arsimit nëpër komuna, MAShT do të dalë me një vendim të detaizuara për kompensimin e orëve të humbura. Në takim u bisedua edhe rreth zbatueshmërisë së vendimit të ministrit Bytyqi për ndalimin e përdorimit të telefonave nga ana e nxënësve dhe mësimdhënësve gjatë procesit mësimor. Ministri Bytyqi theksoi se vendimi duhet të zbatohet në tërësi në bazë të Udhëzimit Administrativ dhe kërkoi raporte nga DKA-të rreth zbatueshmërisë së këtij vendimi. Ministri Bytyqi, po ashtu, paralajmëroi se do të merren masa ndëshkuese dhe do të bëhen publik të gjithë emrat e shkollave, të cilat nuk marrin masa rreth zbatimit të këtij vendimi. Gjithashtu, ministri Bytyqi përgëzoi komunat, të cilat janë duke e zbatuar vendimin, ku përmendi komunën e Hanit të Elezit, komunë në të cilën në dy ditët e para të hyrjes në fuqi të vendimit, janë konfiskuar rreth 60 telefona. Ministri Bytyqi me drejtorët e arsimit diskutoi edhe për përgatitjet për Maturën 2019, ku u paralajmërua fillimi i debateve nëpër komuna, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të jetë sa më i organizuar dhe të nxirren rezultate sa më reale. Gjatë këtij takimi, ministri Bytyqi kërkoi vëmendje të shtuar nga DKA-të dhe menaxherët e shkollave, që të identifikojnë në kohë rastet e dhunës, apo keqpërdorimeve të ndryshme në shkolla. Gjithashtu, ministri Bytyqi theksoi se mësimdhënësit pa integritet duhet të identifikohen sa më parë, sepse për të tillët nuk do të ketë vend në institucionet arsimore. Rreth kësaj, në këtë takim u vendos që të vendosen kutitë e ankesave në të gjitha institucionet arsimore, të cilat fillimisht do të menaxhohen nga Inspektorati i Arsimit.

Kontrolloni gjithashtu

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Arsmit 2024 – 2027

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor …