Ministri Shala viziton Hungarinë për të siguruar mbështetje për sportin

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, po qëndron për një vizitë zyrtare në Hungari, në kuadër të së cilës ka takuar, László Szabó, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy shteteve, me projekte konkrete, veçmas me projekte që kanë të bëjnë me fushat e sportit dhe të kulturës.

László Szabó, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, e falënderoi ministrin Shala për vizitën në Hungari, dhe u shpreh se shteti i tij do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën edhe në të ardhmen, në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai po ashtu u shpreh se Hungaria është e interesuar që t’i ndajë përvojat e saja me Kosovën në fusha të ndryshme dhe raportet e mira politike t’i zhvillojë edhe me projekte konkrete.

Ministri Kutjim Shala në anën tjetër e falënderoi Hungarinë për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës gjatë procesit të pavarësimit, dhe tani në procesin e integrimeve evropiane, duke shtuar se kjo mbështetje ka domethënie të veçantë për Kosovën, dhe tha se Institucionet e Kosovës e çmojnë vullnetin e Hungarisë për të bashkëpunuar konkretisht me Kosovën.

Shala dhe Szabó u shprehën se intensifikimi i këtyre raporteve, me marrëveshje dhe bashkëpunim konkret, është në interes të dy palëve.

Në këtë takim, ministri Shala dhe zëvendësministri Szabó, biseduan edhe për investimet në infrastrukturën sportive në Kosovë, përvojat hungareze në këtë drejtim, dhe interesimin e Qeverisë së Hungarisë për të ndihmuar Kosovën në këtë fushë.

Me një theks të veçantë u bisedua për projektin themelor të MKRS-së, ndërtimin e një qendre nacionale të sportit, në të cilën, Stadiumi Nacional është projekt themelor. Po ashtu, u bisedua për mundësitë që ka Hungaria, nëpërmjet formave të ndryshme të ndihmojë Institucionet e Kosovës për të realizuar këtë projekt.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt

Këtë të mërkurë Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjën …