Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha

Mr. sc. Fitim Rifati: Shkrime disonante në gazetën “Rilindja” mbi rënien e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në janar të vitit 1984

Lufta çlirimtare e shqiptarëve për bashkim kombëtar ndërmjet viteve 1912-2001, ka nxjerrë disa figura të shquara luftëtarësh, prijësish dhe intelektualësh, që me shembullin e sakrificës e të vetëmohimit, kanë përjetësuar emrat e tyre në historinë e Kosovës historike dhe kanë zënë vendin e merituar në altarin e lirisë së kombit shqiptar. Në këtë plejadë bëjnë pjesë edhe Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Në kontekstin e burimeve historike, një vend të rëndësishëm zënë edhe artikujt e shtypit periodik, të cilët kur vështrohen me kujdes në horizontalen dhe vertikalen e metodave analitike e krahasimtare, ndihmojnë në studimin, kompletimin e ndriçimin e të vërtetës së ngjarjeve dhe personaliteteve me përmasa historike. Mirëpo, në rastin konkret, në gazetën autoritative të kohës, “Rilindja”, rënia heroike e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës në janar të vitit 1984, paraqitet me nota disonance dhe në përputhje të plotë me vrazhdësinë dhe dinakërinë e diskursit politik të regjimit të kohës.

“Rilindja” ishte organ i parë i shtypit në gjuhën shqipe në Kosovë, që pati një jetëgjatësi prej 45 vitesh. Një ditë pas luftës e rënies heroike të Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës në Prishtinë, më 11 e 12 janar të vitit 1984, Redaksia e kësaj gazete, në numrin e të premtes së 13 janarit, sipas kumtesës së gjykatësit hetues të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, Elez Hoxha, botoi një artikull të titulluar “Bënë vetëvrasje dy të arratisur”, në brendinë e të cilit shpalosej me përmbajtje alogjike e të deformuar rasti i Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës. Në këtë kumtesë, gjykatësi hetues nisi këtë përshkrim të ngjarjes me një profil të shkurtër biografik: “…Më datën 11 janar 1984, në orët e pasdites, shërbimi i sigurimit i KSA të Kosovës, pas konstatimit se ku fshehen ndërmori masa arrestimi kundër Nuhi Berishës, i lindur më 3.X.1961 në fshatin Svircë, komuna e Kamenicës, ish-student i Fakultetit Juridik, i arratisur që nga dhjetori i vitit 1982 dhe Rexhep Malës, i lindur më 29.III.1951 në fshatin Hogosht, Komuna e Kamenicës, i ish-dënuar politik, i arratisur që nga tetori i vitit 1983…”. Gjykatësi Hoxha e mbështeste aksionin policor me arsyetimin se ndaj tyre po zhvillohej procedurë penale “për vepër penale të bashkimit me qëllim të veprimtarisë armiqësore, sepse – sipas tij – i takonin organizatës armiqësore ilegale, e cila bëri një mori aksionesh armiqësore, futi në vend nga bota material propagandues, eksploziv e armë”. Sipas kumtesës së Elez Hoxhës “Kur vërejtën praninë e organeve të sigurimit, ata, nga shtëpia në të cilën banonin në Prishtinë, ikën nëpër oborre të disa shtëpive dhe bënë barrikadë në bodrumin e një shtëpie private, me ç’rast nga armët e zjarrta, duke tentuar t’i krijojnë vetes hapësirë për ikje të mëtejshme, shtien kundër organeve të sigurimit”. Në përshkrimin që i bëhet përplasjes së armatosur, theksohet se ata u rrethuan nga forca të shumta të sigurimit, të cilat kërkonin dorëzimin e tyre, mirëpo, sipas kumtesës në fjalë, nga revolet që dispononin Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala “bënë vetëvrasje”. Me këtë rast veçohet edhe një bashkëveprimtar i tyre, i cili u zu gjatë përpjekjes së bllokimit të bodrumit. Në vazhdën e absurditetit dhe përmbajtjes trilluese të kësaj kumtese paraqitet edhe paradoksi frazeologjik se “organet e sigurimit… nuk përdorën armët ndaj tyre…”. “Vetëvrasjen” e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës, artikulli në fjalë e mbështeste gjoja në “konstatimet kompetente” të gjykatësit hetues të Gjyqit të Qarkut, prokurorit publik dhe ekipit të ekspertëve të medicinës gjyqësore. Kumtesa e botuar në gazetën “Rilindja” përfundon se organet e sigurisë më pas gjetën revole, sasi të madhe municioni dhe dy bomba dore.

Ngjarja e 11 dhe 12 janarit të vitit 1984, tashmë historike për Lëvizjen Kombëtare, që rezultoi me rënien e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës, i dha hov një pjeseje të udhëheqësisë së Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, që nëpër forume e mbledhje të caktuara, në Televizionin e Prishtinës dhe gazetën “Rilindja”, të manifestonte me tone patetike qëndrimin politik të saj në raport me Lëvizjen atdhetare shqiptare në Kosovë.

Fragmente nga deklaratat publike të anëtarëve të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, si: Sinan Hasani, Azem Vllasi e Kolë Shiroka, janë të publikuara me eufori në gazetën “Rilindja” gjatë muajit janar të vitit 1984. Opinionet dhe qëndrimet e tyre, kur analizohen e krahasohen me kujdes, na çojnë në përfundime që demaskojnë, përgënjeshtrojnë dhe demantojnë në masë përmbajtjen e kumtesës së gjykatësit hetues të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, mbi “vetëvrasjen” e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës. Në një rubrikë të posaçme të kësaj gazete, e cila shkoqiste paraqitjet publike në Televizionin e Prishtinës dhe forume të tjera të këtyre funksionarëve, më 20 janar 1984, në artikullin me titull “Tradhtia ndaj marksizmit më së miri dëshmohet në <<Titistët>>”, u shpalosën pikëpamjet e Sinan Hasanit, i cili sistemin e vetëqeverisjes socialiste në Kosovë dhe doktrinën e bashkimit dhe vëllazërimit të të gjithë popujve të Jugosllavisë, i vlerësonte si arritje revolucionare. Në raport me programin dhe veprimtarinë e individëve, grupeve dhe organizatave atdhetare shqiptare në Kosovë e jashtë saj, Sinan Hasani konsideronte se programi dhe synimet e tyre ishin dinake-nacionaliste, armiqësore, irredentiste e kundërrevolucionare, për shkatërrimin e bashkësisë dhe sistemit të vetëqeverisjes socialiste dhe për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Ai i klasifikonte përpjekjet e tyre si “tentime që ta kthejnë historinë prapa”. Ndër të tjerash, duke vlerësuar supremacinë dhe punën e organeve të inteligjencës e të sigurisë, Sinan Hasani deklaronte me entuziazëm: “Kemi arritur rezultate të mëdha në drejtim të varrosjes së ideologjive borgjeze dhe nacionaliste”.

Ndërkohë, Azem Vllasi, duke marrë pjesë në një diskutim të një mbledhjeje të gjerë të Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Gjakovës, më 23 janar 1984, krenohej me anëtarësinë dhe arritjet e mëdha të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, e cila nga 12.000 anëtarë sa numëronte më 1941 kishte arritur që deri më 1984 në radhët e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë të anëtarësonte rreth 2 milion vetë. Azem Vllasi këto rezultate i konsideronte si vepra të mëdha historike, ndërsa numrin e anëtarësisë si “një armatë e vërtetë”. Në këtë mbledhje, ai shpalosi edhe qëndrimin e tij politik ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë, duke nënvizuar se në “…procesin e diferencimit të forcave nacionaliste – irredentiste. Duhet ta kemi të qartë një gjë – nuk mjafton vetëm diferencimi politik…”.

Krahas Sinan Hasanit dhe Azem Vllasit, pothuajse me një fjalor më agresiv ato ditë deklarohej Kolë Shiroka, anëtar i Kryesisë së Krahinës Socialiste e Autonome të Kosovës. Në artikullin me titull “Parulla për “Republikën” është një gënjeshtër”, “Rilindja”, më 28 janar 1984, shkoqiste paraqitjen e Kolë Shirokës në një emision të gjatë të Televizionit të Prishtinës, me ç’rast ai i trajtonte kundërrevolucionare Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, që sipas tij, kishin për qëllim “shkatërrimin e të gjitha fitoreve, të arriturave të klasës punëtore… dhe minimin e të gjitha marrëdhënieve socialiste vetëqeverisëse në Jugosllavi”. Ai e akuzonte Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë për propagandë antijugosllave dhe për mbështetje të nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë në Kosovë. Sipas tij: “Enver Hoxha, i përkrah… vetëm ata shqiptarë që janë gati të bëjnë çmos për keqësimin e marrëdhënieve brenda vendit tonë”. Duke përdorur këto akuza në funksion e justifikim të operacioneve të organeve të sigurisë kundër individëve, grupeve dhe organizatave atdhetare shqiptare në Kosovë, Kolë Shiroka deklaronte: “Ne nuk mund të jemi të qetë përderisa dikush dëshiron të na nxisë për ngatërresa,…” – dhe paralajmëronte me kërcënim – “…kushdo që synon diçka ndaj Jugosllavisë, duhet ta dijë se do të hasë në përgjigje ashtu sikurse që ua dha atyre për të cilët po flasim” (aludim për burgosjen dhe vrasjen e Rexhep Malës, Nuhi Berishës e pararendësve të tyre, F.R). Sipas artikullit në fjalë, duke qenë kategorik në moslejimin e çdo tendence “irredentiste e separatiste” në Kosovë dhe duke shprehur betimin për besnikëri të plotë në amanetin e Titos, Kolë Shiroka përfundonte: “Ne jemi të gatshëm të bëjmë çmos për eliminimin e elementeve, që ndikojnë në keqësimin e situatës”, – duke nënvizuar se – “nga kushdo që eventualisht vijnë rreziqet, Jugosllavia është e gatshme të mbrohet”. Paralelisht me këtë, strukturën drejtuese të Kosovës veçanërisht e shqetësonte fakti i shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Mirëpo, në janar të vitit 1984, ajo krenohej me rezultatet e mira për pengimin e saj.

Përmes këtyre deklaratave në trajtë fragmentare, “Rilindja” afirmon faktin se udhëheqësia e Komitetit Krahinor të Krahinës Socialiste dhe Autonome të Kosovës, nga pozicioni i saj dualist, nuk zgjodhi mjete dhe as metoda për realizimin e synimeve të veta, pra, në mënyrë ekskluzive, goditjen deri në shuarje të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë.

Në këtë kontekst, nga këndvështrimi historik, psikohistorik dhe historiografik, mund të nxjerrim këto konkluzione:

Së pari, pikëpamjet dhe deklarimet publike të zyrtarëve të Krahinës Socialiste e Autonome të Kosovës se do të paralizonin e asgjësonin në çdo formë bartësit e ideve nacionaliste dhe irredentiste, nënkuptojnë se versioni i trilluar i organeve gjyqësore për “vetëvrasjen” e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës, nuk korrespondon e nuk i bën ballë realitetit politik, fizik dhe psikologjik të Kosovës së pas Pranverës së vitit 1981. Autorizimi për vrasjen e tyre u dha nga brutaliteti i regjimit represiv e hegjemonist të kohës, i cili vrasjen e kualifikoi si vetëvrasje, për të justifikuar e kamufluar aktin violent të organeve shtetërore dhe përfundimisht për të mbyllur çdo mëdyshje rreth të vërtetës së tij. Vrasjen e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës e provojnë dëshmitë vizuale të individëve që kanë soditur me trishtim e dhembje trupat e tyre të pajetë. Vrasjen e tyre e konfirmojnë madje edhe pohimet jo zyrtare të ndonjërit prej drejtuesve institucionalë të asaj kohe.

Së dyti, në psikologjinë dhe filozofinë e shkrimit dhe të mendimit politik, shoqëror e luftarak të Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës, vetëvrasja si terminologji dhe si formë e shprehjes emocionale, nuk është rrugëzgjidhje për momente të çfarëdo situateje jetësore. Është e pazakonshme në karakterin, personalitetin, krijimtarinë dhe veprat e tyre propagandistike, politike dhe letrare-memorialistike e poetike.

Së treti, pretendimet e Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, për të paraqitur brishtësinë dhe frikën kolektive të Jugosllavisë, si viktimë e sulmeve subversive nga brenda dhe jashtë, ishin vetëm pretekste për të përligjur demonstrimin e gjuhës së forcës dhe masave shtetërore për shtypjen dhe likuidimin e ideologëve dhe veprimtarëve të Lëvizjes atdhetare shqiptare në Kosovë e jashtë saj.

Së katërti, Nuhi Berisha, Rexhep Mala dhe tërë brezat e heronjve, dëshmorëve e veprimtarëve nga 1912-ta te 2001-ta, duke qenë farkëtues të nivelit më të lartë të vetëdijes dhe përgjegjësisë kombëtare dhe duke u shndërruar në protagonistë, korifenj e simbole të lirisë dhe bashkimit, provuan se maskimet ideologjike që përqafuan dhe stigmatizimi që ua bënë drejtuesit e Kosovës e të Jugosllavisë, ishin dhe mbeten anakronike me fizionominë, programin dhe rezultatet që sot ka shënuar Lëvizja Kombëtare në të gjitha viset etnike shqiptare.

Dhe së pesti, me atdhedashurinë, shpirtin revolucionar, shkathtësinë e artin organizativ, zhvillimin intelektual, idealizmin, sakrificën dhe qëndresën e guximshme të heronjve të kombit Rexhep Mala e Nuhi Berisha, jo vetëm se është frymëzuar lufta emblematike e UÇK-së në Kosovë, UÇPMB-së në Luginë të Preshevës dhe UÇK-së në Maqedoni, por për një shkallë është avancuar edhe realizimi i Platformës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pra, lëvizja drejt bashkimit të të gjitha viseve etnike shqiptare në një shtet të vetëm.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …