Fillimi / Dëshmorët / Muharrem Hasan Hoxha (8.1.1974 – 28.7.1998)
Muharrem Hasan Hoxha (8.1.1974 - 28.7.1998)

Muharrem Hasan Hoxha (8.1.1974 – 28.7.1998)

Dëshmori i kombit Muharrem Hoxha u lind më 8 janar të vitit 1974 në Prizren, ku kishte zënë vend familja e atdhetarit të madh, Adem Hoxha nga Shkoza e Llapushës, pas braktisjes së kreshtave të thata e malore të saj. Shkollën fillore e mbaroi në Prizren ku u shqua si nxënës i shkëlqyeshëm. Shkollën e mesme e vazhdoi në degën e ekonomisë në Shkollën e Mesme “Ymer Prizreni”.
Si nxënës i shkollës së mesme ku ligjëronte profesori Xhemali Berisha, i njohur me veprimtarinë e tij patriotike dhe njëri ndër dëshmorët e hershëm të Anadrinit, mori pjesë në protestat që asokohe organizoheshin në qytetin e Prizrenit. Po ashtu ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e viteve 1989-90 që organizoheshin në Rahovec, Prishtinë e në qytetet e tjera të Kosovës. Për këtë aktivitet organizativ e logjistik të të rinjve, në radhët e ngjeshura të rezistencës popullore, iu burgos i vëllai, e pas burgossjes së tij, ndjekjet vazhduan edhe ndaj Muharremit me pretekstin se ishte organizator i demonstratave kundër Jugosllavisë.
Me gjithë ndjekjet dhe persekutimet nga pushtuesi, Muharremi krahas aktiviteteve në fushën e rezistencës kombëtare, arriti ta përfundojë shkollën e mesme dhe të regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë kohës së studimeve përveç që u mor me leximin e litetarutërs profesionale, për asnjë çast nuk e la anash kontributin e tij për çështjen kombëtare prandaj edhe i bashkohet aktivitetit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, sidomos atyre të Fakultetit Ekonomik, si, Bahri Fazliut, Enver Topallit, Ibrahim Mazrekut, Mensur Zyberajt, Visar Hotit, Afrim Krasniqit, Ejup Kryeziut, Azem Behlulit, Adem Rakocit, Adnan Gulës, Arton Zogajt , Bedri Mustafës, Blerim Krasniqit, Blerim Rakës, Esat Axhamit, Faruk Beqirit, Faruk Elezit, Fatmir Mustafës, Fatmir A. Nikës, Fatmir N. Nikës, Fatmir Selmanit, Gafurr Lokut, Habib Zogajt, Haki Ahmetgjekajt, Halit Asllanit, Hasan Avdylit, Hasan Demës, Ilir Merturit, Ismail Berishës, Izet Shatrit, Jahë Hasanit, Kolë Lleshit, Liman Morinës, Lulëzim Veselajt, Mentor Humollit, Muharrem Zhuniqit, Naim Haxhiut, Osë Osajt, Ramiz Brahimajt, Sokol Dibranit, Shefki Melenicës, Valon Gashit, Vedat Selimit, Xhevat Demakut, sot të gjithë dëshmorë të kombit.
Gjatë viteve 1991 e deri më 1997, Muharremi u dallua për organizimin e protestave dhe të demonstratave në Prizren, në Brestos të Anadrinit dhe në kryeqendrën e Kosovës duke e mbrojtur Universitetin, e njëherësh edhe të drejtat kombëtare të shkeluara nga regjimi pushtues i Beogradit. Por, krahas këtyre angazhimeve Muharrem Hoxha, nuk i la anash as studimet, prandaj me sukses të dalluar absplvoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Pas masakrave serbe të kryera në Likashan e Qirez, si dhe pas rezistencës heroike të Jasharëve në Prekaz, Muharrem Hoxha përfundimisht e braktis aktivitetin e tij partiak brenda LDK-së, sepse “Para armës pushojnë edhe muzat”, prandaj angazhohet në organizimin dhe bartjen e ndihmave të mbledhura nga Këshilli i Emergjencës në Prizren dhe i bart për në destinacione në pikat e zjarrta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharremi ngjeshi armën dhe shkoi atje ku i kishte shokët, pasi ishte dakoroduar me prindërit, Hasanin e Gjylën, bijë e Buzhalëve të Bajës së Malishevës. Përshëndetet me vëllezërit, Hysenin e Hazerin, e ua lë lamtumirën edhe motrave, Sadijes e Hatmanes dhe u bashkohet shokëve në njësitin “Shkoza”, në fillim në fshatin Drenaj të Zatriqit e më vonë në Shkozë. Pas këtij organizimi sistemohet në Brigadën 122 “Imer Krasniqi” (Formacioni “Lumi”) të Zons Operative të Pashtrikut.
Në këtë formacion Muharremi hyri shumë i përgatitur: kishte mbaruar stërvitjet në Shqipëri, ishte pajisur me armatim dhe me tërë materialin e nevojshëm luftarak e sanitar, prandaj edhe luftimet e para të Anadrinit, më 12 maj 1998 e gjetën shumë të përgatitur për t’u angazhuar në të gjitha operacionet e Brigadën 122 “Ymer Krasniqi” të Zonës Operative të Pashtrikut, brigadë kjo që operonte në drejtimin Astarzup-Rahovec, nëpër “Kërsh të Keq” e “Lug të Shqipeve”.
Pas rezistencës së njohur në frontet e Anadrinit, pas Betejës së Rahovecit, pas luftimeve në Veri të Rahovecit, fushëbeteja shtrihet në “Lugun e Carecit”, në “Lugun e Shqipeve” dhe në “Arat e Dulës” deri më 26 dhe 27 korrik të vitit 1998. Por më 28 korrik të atij viti, Muharremi së bashku me shokun dhe mikun e tij, bashkëluftëtarin Abdullah Morina, ishte duke varrosur trupin e një personi të vrarë nga granatimet e armikut, që bëheshin në drejtim të fshatit Astarzup ku ishte vendosur popullat nga Rahoveci i braktisur. Forcat serbo-çetnike edhe më tej granatonin këtë fshat por granatimet e reja bëheshin nga fshati Dragabil, i cili i tëri ishte kapluar nga tymi e flaka. Njëra prej predhëve shpërtheu afër Muharremit, në istikamet jo larg shkollës fillore të fshatit dhe plagët që i mori ai ishin vdekjeprurëse, prandaj ai u përjetësua në altarin e lirisë. Në atë çast ishte plagosur rëndë edhe bashkëluftëtari i tij, Mefail Morina i fshatit Astarzup të Llapushës.
Trupin e dëshmorit Muharrem Hoxha e tërhoqi i vëllai, Hyseni së bashku me kushëririn, Nuhiun dhe e varrosi te “Kroni i Canit” në Astarzup. Mirëpo, pas disa ditësh, policia serbe çetnike e hapi varrin duke kërkuar paramilitarët vet të vrarë në këtë betejë. Pas kësaj ngjarjeje, trupi i dëshmorit u rivarros, kurse sot eshtrat e tij prehen në “Kposhtin e Dëshmorëve” të Malishevës.
Në fshatin Shkozë jo larg Shkollës Fillore “Salih Bytyçi”, të cilin Muharremi e kishte bashkëfshatar dhe bashkëluftëtar, shkëlqen edhe emri i këtij dëshmori, së bashku me emrat e të gjithë dëshmorëve të fshatit Shkozë. Një lapidar për të, me reflektim krenarie është ngritur edhe në cepin e djathtë të magjistrales Rahovec-Malishevë, në oborrin e shkollës fillore të fshatit Astarzup, ndërsa nipërit: Antigona, Avniu, Agoni, Malësorja, Falmuri, Shqiptoni, Valmiri dhe Valmirja, dëgjojnë me krenari gjyshen Gjylë, kur ajo u rrëfen për kujtimet dhe mburrjen për dajën dhe xhaxhain e tyre dëshmor i kombit. Në odën e madhe të Hasan Hoxhës, krahas portreteve të të parëve, janë të ekspozuara edhe rrobat e Muharremit, librat e fletoret me shënime nga studimet dhe mirënjohjet nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona Operative e Pashtrikut, Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe Brigada 122 “Imer Krasniqi”. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Afrim Sadri Gashi (26.12.1977 – 3.8.1998)

Afrim Sadri Gashi (26.12.1977 – 3.8.1998)

Fshati Kryshec i komunës së Skënderajt luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për liri dhe ...