Tema të tjera...
Prof. dr. Faik Shkodra: Prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha, krijuese dhe studiuese e denjë për respekt
14/07/2026
Fillon kjo legjendë që nga shfaqja e tij e parë në Tiranën tonë, si një emër tingëllues që sillte gjithë Kosovën.
E kam mbajtur gjatë në duar, që në fillimet e krijimtarisë sime, librin e tij Kontinuitete, ku ky studiues i madh zbulon së pari përbetimin kombëtar, të cilin ai vetë e kthen në art të madh.
Vëmendja e këtij kolosi për gjithçka të krijuar prej autorëve shqiptarë tregoi edhe një herë dashurinë e madhe për këtë opus madhështor, ku ka vend për të gjithë.
Pata rastin të kuptoj nga afër se sa Rexhep Qosja ka ndjekur deri në frymën e fundit çdo shkëndijë talenti që i shfaqej letrave shqipe, i palodhur si askush tjetër, për të zbuluar dhe për të ndjerë mendimin e lirë, po aq sa për të skalitur vetë lëngimin e gjatë të shqiptarëve.
Si ithtar i triumfit të fjalës shqipe, ndoshta si në të gjitha jetët letrare, provoi edhe lëndime, deri te botime nga më të përçudnuarat e deri te kopertinat, pikërisht prej atyre që botën nuk e kuptojnë pa totalitarizëm dhe njësim të ideve vetëm në një të vetme e të pakundërshtueshme.
Kjo e bën triumfin e tij edhe më të madh. Në mënyrë të veçantë, së bashku me Dritëro Agollin, Rexhep Qosja mbetet njeriu që i dha kurajë të madhe së majtës shqiptare për transformimin e saj, gjë që tregon se, në çdo lloj konfigurimi, shpirti njerëzor, i ndjeshmërive më të holla, merr përparësi ndaj çdo lidershipi të konfiguruar, të cilit jemi mësuar t’i dhurojmë shumë duartrokitje.
Rexhep Qoses do t’i mjaftonte të kishte kryer betejën e tij kombëtare qoftë edhe me romanin e tij emblematik, kryeveprën e letërsisë shqipe, Vdekja më vjen prej syve të tillë.
Zëri i tij i ngrohtë dhe i dashur do të më kumbojë përgjithmonë, qoftë në takime, të cilat në folenë e tij familjare dhuronin vetëm ngrohtësi, por veçanërisht zëri kumbues i përhapur prej Zërit të Amerikës në atë natë të paharrueshme, ku, përkrah Kadaresë për largimin e tij, Rexhep Qosja dha sinjalin aq të pritshëm për ndryshimet që do të vinin.
Shpresoj që të kenë mbetur, njëlloj si botimet, sa më shumë incizime të këtij zëri njerëzor, përfaqësues i të gjithë shqiptarëve, e veçanërisht i Kosovës, lirisë së të cilës i përkushtoi gjithë jetën, duke mbetur betim.
Të duam të gjithë bashkërisht, Akademik dhe Burrë Madhështor. Nderojmë forcën e jetës që dhuroi vetëm dashuri dhe mirënjohjen për të gjithë ata që ndërtuan shpirtin kombëtar shqiptar, duke projektuar, së bashku me urimin tënd, edhe një vështrim gjithnjë e më larg, si të syve të shqiponjës.
Ngushëllime të gjithëve për këtë ndalje të një pene të artë, veçanërisht njerëzve më të afërt të tij, botës së tij më të shtrenjtë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
