Brickos

NATO-ja e gatshme për të penguar çdo sulm të mundshëm të Rusisë në vendet e Evropës

NATO-ja e gatshme për të penguar çdo sulm të mundshëm të Rusisë në vendet e Evropës

Në samitin e NATO-s në Varshavë, përfaqësuesit e aleancës dhe Bashkimit Evropian ranë dakord për vendosjen e forcave shumëkombëshe në vendet baltike dhe në Poloni për të penguar çdo agresion të mundshëm rus. Samiti vendosi që sulmi ndaj një anëtari të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithë aleancës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu angazhimin e Brukselit në nismën e përbashkët ndaj sfidave të sigurisë.  “Gjermania do të kontribuojë në Lituani së bashku me Norvegjinë, Francën dhe vendet e Beneluksit. Vendi ynë do të fokusohet në dialog për të ndërtuar një raport konstruktiv ndërmjet Rusisë dhe NATO-s”, tha Merkel. Në momentin kyç, kur Evropës i shkëputet një shtyllë e rëndësishme sikurse Britania, kritikët dyshojnë për fuqinë e Perëndimit. Por kryeministri britanik, Dejvid Cameron hodhi poshtë këto zëra. “Tani Britania nuk do të luajë një rol më të paktë në botë. Ne do të përdorim fuqinë tonë për të përçuar vlerat britanike”, tha Cameron.

 Aleanca e 28-kombeve pritet të vendosë 4 batalione me 3.000 deri në 4.000 trupa ushtarake në shtetet baltike dhe në Poloninë Lindore, për t’iu garantuar qetësi vendeve lindore, anëtare të NATO-s. Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë kërkuar një prani të përhershme të aleancës, mes frikës se Moska do të destabilizojë qeveritë e tyre properëndimore nëpërmjet sulmeve kibernetike, apo inkursioneve territoriale. Por në rast rreziku nga Kremlini, NATO do të vendosë në zbatim forcën e reagimit të shpejtë, e cila përbëhet prej 40 mijë vetash. (Top Channel)

Kontrolloni gjithashtu

Ka arritur në 35 mijë 272 numri i palestinezëve të vrarë në sulmet që ushtria izraelite ka ndërmarrë nga 7 tetori i vitit 2023

Është rritur në 35 mijë 272 numri i palestinezëve të vrarë në sulmet që ushtria …