Brickos

Shoqata “Përkorë”: Kryetari Thaçi të ndaloj vizitat në përmdoret e serbëve ku UÇK-ja quhet organizatë terroriste

Në vigjilje të vizitës së Joe Baidenit në Kosovë, Thaçi përkulet para pllakës së serbëve të vrarë nga “terroristët shqiptarë”

Në vazhdën e vizitave të përmendoreve dhe pllakave përkujtimore të serbëve, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, në vigjilje të vizitës së zëvendës-kryetarit amerikan, Xho Bajden në Kosovë, pas vizitës tri  javë më parë në Grackë të Lypjanit, ku u përkul para pllakës së serbëve të vrarë, në të cilën shqiptarët quhen terroristë, dje gjatë ditës në Gorazhdec të Pejës ( 15. 8. 2016) ka vizituar memorialin, në të cilën 14 vjet më parë, qenë vrarë dy të rinj serbë, në kushte dhe rrethana ende të pazbuluara. Thaçi me këtë rast ka thënë se askush s’mund ta vrasë të ardhmen, lojën dhe gëzimin e fëmijëve të Kosovës. Po ashtu,  ai ka shprehur keqardhje për të gjitha viktimat gjatë dhe pas luftës, të të gjitha komuniteteve, natyrisht edhe të 1.392 fëmijëve shqiptarë, të vrarë e të masakruar nga regjimi serb gjatë luftës, dhe  jo vetëm  400 fëmijëve, sikur thotë, Hashim Thaçi, duke mos u bazuar në dokumentet zyrtare, por në dokumentet serbe. Thaçi duket se nuk e ka lexuar librin e prof dr. Jusuf Osmanit, nga Arkivi i Kosovës,  ku ai  me emër e mbiemër, ka prezantuar  fëmijët e masakruar dhe të martirizuar nga regjimi serb i Milosheviqit, Vuçiqit, Daçiqit, Stanishiqit, Nikoliqit dhe nga sa e sa fashistë të tjerë të Serbisë.

Nga gjithsej 11.840 të vrarë e të masakruar shqiptarë në Kosovë gjatë luftës së fundit,  ku përfshihet periudha mars 1998 qershor 1999 në mesin e tyre llogariten të vrarë 1.392 fëmijë, apo 11% nga viktimat totale, kanë qenë fëmijë, dokumenton dhe argumenton dr. Jusuf  Osmani,  në librin e tij: Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998 – 1999.

Vizitat e Thaçit para  përmendoreve të  serbëve, për të cilët paragjykohet se janë vrarë nga, sikur shkruan nëpër pllaka, “terroristët shqiptarë”, nuk janë vizita të rastit, as i ndërmerr Thaçi me dëshirën e tij. Vështirë është të besohet se Thaçi ndien dhembje për serbët e vrarë, në Grackë, kur nuk është i sigurt, as di se kush qëndron prapa vrasjes së tyre. Nëse e di është mirë të bëhet edhe më i sinqertë dhe të tregojë e ta ndihmojë drejtësinë, e cila këtë rast e ka mbyllur sepse adresa del në Serbi e jo në Kosovë.  Por Thaçi duhet ta dinte se në mesin e 14 të vrarëve në Grackë të Lypjanit, tetë pre tyre kanë qenë nga radhët e forcave militare e paramilitare, dy nga ta pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në masakrimin e 21 shqiptarëve në fshatin fqinj, Hallaq. Të tjerët kanë masakruar shqiptarë në Sllovi, Ribar të Vogël, Reçak e vende të tjera.

Këshilltarët e Thaçit mbase nuk e dinë këtë fakt, ashtu sikur i tërë opinioni në vend  nuk di as sot e kësaj dite se kush i vrau serbët, në korrik të vitit 1999 në Grackë.  Nëse i ka vrarë UÇK-ja 100 herë hallall, edhe pse në mesin e të vrarëve kishte disa fshatarë,  mbase që nuk kanë marrë pjesë në vrasjen e shqiptarëve, në radhë të parë sepse kishin qenë të rinj.

Në fshatin Grackë e Serbëve, në Lypjan, më 23 korrik janë vrarë serbët që kanë marrë pjesë në masakrimin e shqiptarëve, në Hallaq të Madh. Në rrethana ende të pasqaruara zyrtarisht, për faktin se dyshohet me të drejtë  se 14 serbët e vrarë më 23 korrik 1999 të  gjithë janë ekzekutuar nga shërbimi serbet serb, për të fajësuar praninë ndërkombëtare si të paaftë për të mbrojtur serbët nga shqiptarët, atë ditë  në një pritë janë vrarë: Slobodan Janiqijeviq, Mile Janiqijeviq, Momir Janiqijeviq dhe Novica Janiqijeviq, të katër anëtarë të një familjeje. Janë vrarë edhe Andrija Odaloviq, vëllezërit Jovica Zhiviq  dhe Rade Zhiviq, Stanimir Gjekiq dhe  Boshko Gjekiq, Sasha Cvejiq,  Ljubisha Cvejiq,  Nikola Stojanoviq, Miodrag Tepshiq  dhe Milovan Jovanoviq. Sasha Cvejiq dhe  Lubisha Cvejiq kanë marrë pjesë në masakrimin e shqiptarëve në Hallaq të Madh, në prill të vitit  1999. jo zyrtarisht dihet se tetë nga 14 serbët kanë marrë pjesë në masakrat në Sllovi, Hallaq, Reçak dhe në fshatra të tjera. Të vrarët nuk ishin vetëm nga fshati  Grackë por edhe nga Kraishta dhe fshatra të tjera. Ishte një bandë kriminelësh që kishte hedhur uniformat vrastare dhe kishin marrë veglat bujqësore për t’ u paraqitur si fshatarë të thjeshtë,  që gjoja  nuk i kishin bërë keq askujt.

Nuk duhet të harrojmë faktin se ishte, Veton Surroi, djali i ambasadorit të Titos e Rankoviqit, i pari i cili kishte ngritur gishtin dhe i kishte akuzuar shqiptarët për revanshizëm, pa asnjë fakt, pa asnjë argument dhe pa asnjë dëshmi konkrete. Ishte i pari shqipfolës dhe i vetmi asokohe në Kosovë, i cili vrasjen  e serbëve e quajti akt fashist dhe mori sa e sa lëvdata nga të huajt. Por mori edhe një kritikë turpi nga Ismail Kadare në librin: “Ra ky mort dhe u pamë”. Pikërisht për këtë, përkrahësit e Surroit nga administrata e UNMIK-ut, e detyruan Hashim Thaçin që ta shkarkonte nga detyra, drejtorin e Kosovapressit, Isa Krasniqi, sepse kishte botuar një shkrim redaksional të Radios-Kosova e Lirë kundër cilësimeve që i bënte luftës së UÇK-së mafiozi komunist sllav, Veton Surroi.

Qysh atëherë, Hashim Thaçi, kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të papranuar nga LDK-ja, kishte treguar se ishte njeriu që do ta lakonte kurrizin në të gjitha mënyrat e mundshme, vetëm për të qëndruar në pushtet. Dhe, realisht qëndroi. Jo me meritë, jo me vota të lira e demokratike sikur shprehet në çdo fjalim, por me pazare politike, me lakim të kurrizit dhe pehlivanllëk të jashtëzakonshëm, me “lepe peqe, me okej, e ollrait, mbase edhe me jako-dobro”.

Nuk ka serb në Kosovë apo në Serbi që i beson sinqeritetit apo pendimit të Hashim Thaçit,  pavarësisht se ai përkulet para pllakave përkujtimore e para përmendoreve të serbëve të vrarë,  ku shkruan se ata  u vranë nga “terroristët shqiptarë”. Edhe po të shkruante se serbët i vrau “terroristi”, Hashim Thaçi, ai sërish do të përkulej. Jam fare i sigurt se po t’ i preferohej nga BE-ja, që për hir të pajtimit të serbëve, ( sepse shqiptarët gjithmonë janë pajtuar me humbjet), të shkonte dhe të vendoste kurora lulesh te varri i kryemininelit Milosheviq, Thaçi do ta bënte edhe atë, jo vetëm për hir të miqësisë dhe  “jaranisë” me pionierin e kriminelit po ashtu kriminel, Ivica Daçiq. Ndoshta duket i ekzagjeruar ky konstatim, por e njëjtë është përkulja te pllaka e kriminelëve serbë, në Grackë,   që kanë masakruar popullatën shqiptare, në Hallaq të Madh.

Pse lakohet Thaçi dhe bie aq poshtë në sy të opinionit në Kosovë

Është tejet paradoksale, dhe nuk dihet të ketë ndodhur në asnjë vend të botës të dalë nga lufta, kur pjesëtari i popullit të martirizuar e të masakruar t’ iu kërkojë falje masakruesve, në këtë rast shqiptarë-vrasësve.

Këto veprime të Thaçit, pavarësisht se është vështirë të besohet se i bën nga shpirtgjerësia, janë veprime në të cilat insiston BE-ja pse jo edhe Amerika dhe shtetet e tjera, që i konsiderojmë mike të Kosovës. Përderisa Serbia nuk ka kërkuar as ka ndërmend të kërkojë falje për krimet sistematike, në një periudhë afër 100-vjeçare, që ka ndërmarrë kundër shqiptarëve, përderisa zyrtarisht ka qëndrim kundër pavarësisë së Kosovës, përderisa po kjo Serbi rehabiliton kryekriminelin dhe kasapin e Ballkanit, Millosheviq,  Hashim Thaçi emeton Paulin biblik,  që u bë Saul, nga përndjekës i të krishterëve u bë përkrahës i tyre. Por, jo,  as kjo nuk qëndron.  Nga luftëtar për liri ai kthehet në pendimtar pa vrarë as kë. Thaçi gjatë luftës nuk ka vrarë as edhe një zagar apo qen serb, jo më të ketë vrarë ndonjë ushtar apo polic serb, sepse nuk ka marrë pjesë në luftime. Këtë fakt e ka pranuar botërisht, para medieve.

Në emër të kujt kërkon falje Thaçi dhe përkulet para pllakave ku shqiptarët quhet “terroristë?

Po të kishte vrarë serbë, do të ishte e natyrshme pendesa. Në këtë rast pendimi i Thaçit përputhet me konstatimin e zyrtarit serb për Kosovës, Gjuriq, i cili thotë se shqiptarët kanë qenë terroristë dhe kanë vrarë serbë, sepse po të ishte ndryshe nuk do të themelohej “Gjykata Speciale kundër UÇK-së”.

A mundet Thaçi të kërkojë falje në emër të Jasharëve, të Haradinajve, të Markalleshëve, apo në emër të 12.000 martirëve, në mesin e tyre rreth 1400 fëmijë të mitur?

A e ka Thaçi bekimin dhe lejen e  këtyre familjeve?

A e ka pajtimin qoftë edhe të një familjeje të vetme shqiptare të masakruar nga serbët në Kosovë?

Unë besoj se ai nuk e ka pajtimin e prindërve, as të vëllezërve të vet, as të afërmve të vet.

Pse pra po ndodh kjo?

Këtë më së miri e di vetëm kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe pse ai nuk ka shpjeguar me asnjë rast përse ndërmerr veprime të tilla, kur edhe 17 vjet pas luftës në Kosovë, ende nuk dihen mbetjet mortore të më shumë se 1700 shqiptarëve të zhdukur, për të cilët me të drejtë konstatohet se serbët, pasi i kishin rrëbyer, i kanë  djegur nëpër shkritoret e Serbisë. Këtë fakt e ka zbuluar edhe humanistja serbe, Natasha Kandiq.

 Pse i bën këto veprime Thaçi  dhe ai i bën krye në vete?

Po të ishte Hashim Thaçi një Adem Demaç, i cili  tërë jetën ia ka kushtuar kombit, të paktën do të kishte kredibilitet moral e kombëtar për inicimin e veprimeve pajtuese, humaniste, por kurrsesi të këtij niveli poshtërues e fyes. Demaçi asnjëherë nuk e ka shpallur popullin serb popull kriminal. Ai ka bërë dhe bën  dallim të qartë mes politikanëve gjakatarë  të Serbisë dhe popullit mbi kurriz të cilit kanë mbijetuar ata.

Po të ishte Hashim Thaçi mik besnik i Jasharëve, i Haradinajve, i familjeve të tjera që kanë derdhur rrëke gjakun për çlirimin e Kosovës, a do të mund ta merrte pëlqimin e tyre për veprime të tilla?

Me siguri se jo.

Por, Hashim Thaçi e ka bekimin e Isa Mustafës, zyrtarit të Jugosllavisë titiste e Serbisë millosheviqiane, ka bekimin e pajtimin e tërë,  ish dhe tani klasës titiste komuniste, mercenare, e cila e ka uzurpuar jo vetëm administratën, por edhe pushtetin politik dhe sigurinë në vend. E ka bekimin e BE-së dhe të gjitha qarqeve antishqiptare.  Mjerisht, dhe për fatin tonë të keq, e ka edhe mbështetjen e Amerikës, të Xho Bajdenit, i cili po qëndron në Kosovë dhe po takohet vetëm me të dhe Isa Mustafën e kurrsesi me Jasharët, Haradinajt, Pajazitët, Markaleshët, Demaçin, Qosjen, Krasniqin, madje me  asnjë nga familjet martire, që i vunë themelet lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Edhe nëse Thaçi ka frikë nga kthimi i regjimit serb në Kosovë me ndihmën e Rusisë, fakt që nuk mund të përjashtohet në konuikturat politike, që mund të zhvillohen në të ardhmen,  ai nuk i shpëton dot  kamës apo litarit serb.

Nuk e përjashtojmë mundësinë që Thaçi të ketë arsye shumë të forta për veprimet e tilla, por që ato të jenë veprime me karakter human, apo me faktin se ai konsideron se  është edhe kryetar i serbëve, qytetarë të Kosovës, këtë nuk e beson askush, madje më së paku e besojnë familjarët e serbëve të vrarë, të cilët i kanë injoruar vizitat e tilla. Që Thaçi të jetë aq burrec dhe nga frika e Raportit të Dik Martit të ketë rënë në një nivel të tillë, as kjo nuk ka si besohet,  sepse ai e di fare mirë se grushtit të Dodik Martinoviqt, BE-së e PE-së nuk do t i shpëtojë, pavarësisht “derexhesë” në të cilën ka rënë. Ai e di fare  mirë se ka të bëjë me një gjyq politik, që ka për qëllim me qëllim diskreditimin e luftës tonë  çlirimtare dhe kjo do të ndodh për hir të serbëve, xhandarëve të Ballkanit.

 Për fund një rrëfim për shqiptarin besnik dhe serbin vrasës

Çika Rajko, (xha Rajku) ishte mik besnik dhe fqinj i familjes, NN, në Shtime.

Familja e shqiptarit, të cilit Rajko i thoshte “turqin” dhe  “arnautin”, e kishte marrë në mbrojtje familjen e xha Rajkut në kohën e Luftës së Dytë botërore. Edhe pse kishte bërë krime në kohën e Kralit dhe shqiptarët e kërkonin me të drejtë ta ndëshkonin,  shqiptari NN njeri me autoritet, e kishte ruajtur Rajkun dhe familjen e tij. Një ditë serbi sëmurët rëndë dhe “pobratimi” shqiptar shkon për ta parë. Shpreh keqardhje dhe i shpëtojnë lotët kur sheh se “pobra” mezi fliste…

– “Pomoc Bog, brate Rajko”! i kishte thënë. (Të ndihmoftë Zoti, vëlla Rajko)

– Kam diçka të tregoj para se të më dalë shpirti “pobro” i kishte kthyer serbi i sëmurë rëndë  dhe kishte nxjerrë nën jastëk  një sëpatë të vogël.

-Ja, me këtë sakicë jam betuar te Popi me ta pre kryet, po tash nuk më bën dora. Shkau nuk ka besë, “pobro”. 

Pobra  nuk i kishte besuar Rajkut dhe kishte arsyetuar  se nga sëmundja i kishte luajtur fiqiri, serbit, të cilit  i kishte besuar dhe e kishte ndihmuar në çastet më të vështira të jetës dhe familjes së tij.  (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …