Niko Gjoni: Te Medreseja

Më ndodh të shikoj shpesh nga dritarja e apartamentit se si mblidhen rrezet e Diellit drejt perëndimit. Një drithërimë e lehtë më përshkon trupin dhe ndërkaq ulem në kolltuk duke medituar apo shikuar në televizor kronikat dhe lajmet e ndryshme. Edhe ato mbërrijnë nga vendi dhe bota, ndërsa kujtoj se në gjithë Botën e vërteta dhe jo, e vërteta, e bukura dhe e shëmtuara, e mira dhe e keqja kryqëzohen në mënyrën e tyre, me ndërgjegjësinë se shkojnë drejt perëndimit. që mblidhet si lëmsh i madh i kuq. E gjithë jeta jonë është një lindje dhe perëndim. Brenda vetes duket se ngre krye padrejtësia. Ajo thyen edhe gurin nga dhimbja e unë dua ta largoj këtë. Ndodh të jem i vetmuar, dhe koha e vetmisë më sjell një plogështi të rënduar. Ndodh dhe jo rrallë s’kam shpresë për dëshirat e mia që mbyten nga iluzionet. Jeta si për të gjithë edhe për mua është e bukur, por jo pak here duket se në skajet që i kërkojmë gabojmë. Gabojmë, dhe kur këto gabime janë të zemrës, duken për shumë kohë të pafalshme.

Zemrat nuk rrahin me të njëjtat ndjesi ndjenjash dhe mendimesh. Ndodh t’i kërkoj vetes energji, të flas, të veproj, të realizoj atë që më jep lumturi, por e kam të pamundur. Atëhere dridhem nga emocionet që përshkojnë gjithë qënien time. Trupi dhe mendja ime i përkëdhelen ëndrrës. Ku është ajo? Përse shpërbëhet? Në stinën e pranverës perëndimi mbërrin më vonë dhe ne e dëshirojmë duke ndjekur shpërthimin e luleve të pemëve, por dhe gjelbërimin me luledelet. Në lëndinat e pafundme ndjejmë aromën e manushaqeve dhe flladin e vlagës së tokës. Në shëtitjet tona të mbrëmjeve gjatë verës, në bregdet përshëndetemi me miq të tre brezave dhe hyjmë padashur në mendësinë e tyre. Të moshuarit kërkojnë të kujtojnë vitet e rinisë, ndërsa të rinjtë kanë se ç’japin dhe marrin me frymëzim dashurie, fëmijët e vegjël cicërojnë si dallandyshet dhe sytë e tyre shkëlqejnë në rrezatim stinësh. Jeta e nisur të përball qysh në hapat e para me rrugë të kryqëzuara. Në errësirën e ideve dhe mendimeve për diçka më të bukur dhe shpirtërore ndodh të kemi në duart tona çakmakun i cili na jep pak dritë, duke na treguar se dhe në këto hijenate ka dritë dhe mund ta shohësh veten dhe të tjerët. I kthehemi kohës, e prekim atë me fijet më të hollëzuara të mendjes dhe parafytyrimet tona na trokasin në kohë, stinë, ndjenjë dhe ide. Jeta e tillë është, plot prekje dhe trokthma. Këtë e ndjej edhe më tepër kur ndodhem diku jashtë kufijve të vendit tim. Atëhere, më bëhet se kufijtë e vendlindjes dhe të Atdheut më thërrasin, duke më lënë sërishmi në rrugë të kryqëzuara.

* * *

Ka kaluar shumë kohë nga ata vite që na sjellin kujtime të ndryshme. Isha i ri e megjithatë më pëlqenin rrugët dhe rrugicat e Tiranës. Në xhepin e pantallonave mbaja gjithnjë një çakmak. Prej atyre viteve janë përdorur lloje të shumtë çakmakësh, me gaz, me gurë e më pas me çentil me manjet, por ai çakmak i viteve të rinisë më bëri të njoh shumë miq, shokë dhe shoqe duke u zgjatur çakmakun e ndezur për

cigaret. Kaloja rrugicave në shtëpitë e vjetra një e dy katëshe, ndiqja se si ndizeshin dritat në të errur. Nga kanatat e dritareve shikoja si vijëzoheshin hije-dritat, ndodhte të mbetej shikimi tek fytyra e ndonjë vajze që mbyllte kanatat apo të moshuari që duke rrudhur fytyrën e tërhiqte kanatën pas vetes. Mundohesha të ecja me hapa të lehtë. Shpirti shtrëngonte brenda qënies sime dhe marrëzinë. Rrugicave

shikoja dhe ndonjë çift të rinjsh që ndalnin nën strehë të ndonjë godine dhe shkëmbenin përqafime dhe puthje në ankth. Më tërhiqte vëmendjen zhurma e një urgjence Brenda të cilës gëlltitej dhimbja. Doja të dëgjoja zërin e vetes, por dhe ai dukej më tepër si një gërhamë që nuk i mbante dot muret e banesës së vet. Mundohesha t’i jap përqëndrim vetes. Ecja duke menduar për transferimin që na u bë nga Komiteti Ekzekutiv, mua dhe një grupi specialistësh për në NPA1, ose më mirë tek Gani Luzi. Ky lajm na erdhi papritur. Kjo ishte më e zakonta që ndodhte në atë kohë. E kush të pyesje nëse mund të përballeshe dot me metodën e re të punës. Kishim dëgjuar fjalë të ndryshme për administratën atje. Në shtëpi secili përpiqej të mësonte për ambientin në të cilin do të vazhdoja të punoja, për administratën, drejtorin, apo kryeinxhinierin. Isha tulatur nga ky largim dhe këtë e vërejtën shumë shpejt të afërit e mi. Prindërit dhe im vëlla më thanë: ”Shko një herë e më vonë me të parë e me të bërë, do të përpiqemi të rregullojmë në ndonjë ndërmarrje tjetër. Vetëm mos kundërshto se s’ke ku e gjen të drejtën…

Vendosa të shkoj e të bëj atë që më thanë ata. U sistemova tek riparim shërbimet aty në qendër, pranë kinema “17 nëntorit”. Klientët që hynin e dilnin bënë që të njiheshim me njëri-tjetrin. Pas pune me shokët e rinj të punës pinin ndonjë kafe duke u njohur më nga afër. “Ej, lëviz, je i ftuar tek Arbëria. Bëhet një paçe të lëpish gishtërinjtë, më tha Meti. Njohja me persona të profesioneve dhe vendeve me pozitë zyrtare bënte që të kishim dhe ne kredi për zgjidhje të problemeve jo vetëm tonat por dhe të të afërmve dhe miqve. Krijuam një lidhje zinxhir shoqërore më të dukshme se më parë. Nga dita në ditë u mësova me kolektivin dhe ia gjeja lezetin profesionit. Nga administrate më dhanë fletë kampi për fëmijët e vëllait sepse unë isha akoma beqar. Kudo ku shkonim na njihnim që ishim të repartit të orëve dhe na favorizonin shumë. Me shokët e mi luanin futboll tek fusha e Turizmit. Me thënë të drejtën akoma dhe sot shikoj hijet e sigurimsave që qëndronin aty ku ishim ne, me sytë hapur mos përfshiheshim në shfaqje të huaja.

I hipja autobusit aty tek stacioni te Kisha Katolike dhe zbrisja tek Medreseja, e prej aty në këmbë deri tek Farmacia 10, ku përballë saj ishte reparti ynë i ri i NPA1. Tek dera e autobusit më ndodhte të shtyja përpara për të hyrë, sepse kishte shumë njerëz. Dëgjoja jo rrallë ankesat: ”Kujdes, se më theve brinjët.! Rri mirë se më zure frymën.! Paske ngrenë hudhra që në mëngjes, oh kundërmon, mbaje kokën andej.! Hiqi duart morë vagabond! Më vrave more fshatar… Pas qafe është një vajzë e re, e gjatë pothuajse sa mua që ankohet. Kthehem nga ajo dhe ajo gati e hutuar thotë: ”Më fal, s’e kisha me ty. Po këtu të zihet fryma… Ishte një vajzë e bukur. Flokët e saj të dallgëzuara, të gjatë mbi supe dhe të verdha bënin të dukej si Helena e Trojës. Me vete thosha se kush nuk mund ta falte një vajzë kaq të bukur. Bukuria qëndronte theksuar tek vështrimi i saj. Sytë e mëdhenj dhe goja me buzët e bukura depërtonin energji dhe ushtronin zotërim deri tek ndjenjat e mia. E pashë që buzëqeshi. “Ku do të zbresësh?, e pyes.

“Tek Medreseja”!.

Zbrita me të duke iu shmangur zhurmës e ngushtësisë brenda autobusit. U mundova që të qëndronim lirshëm. Po e vështroja atë vajzë që ecte krah meje. Doja t’i dëgjoja sërishmi zërin, t’i shoh më shumë fytyrën, sytë, flokët, mjekrën. Shkëmbyem një vështrim që sa më tundonte, më lumturonte. Natyra ime ka qënë e njëjtë. Me ndjenja shpërthyese. Nuk ishte vështirë ta zbuloje këtë. Ajo ishte një lule me aromë dhe aroma e saj kish filluar të më hynte ndër vena. Aromë që përcillte dashuri. Po ç’thoshte vërtetësisht zemra e saj? Po shpirti? Heshtja në një çast krijoi mllefin dhe unë dëshiroja ta largoja sa më shpejt. Zbritëm drejt Medresesë dhe u futëm poshtë në dishezë deri tek unaza. Ajo nuk më pyeti përse po e shoqëroja, as po më vështronte ftohtë. Kishte një buzëqeshje që shkrihej harmonishëm në gjithë fytyrën e bukur.

Nga rruga “5 Maji” u futëm dhe nga Artistike Migjeni drejt e tek Uzina Dajti ku punonte ajo vajzë. “Mund të takohemi sot mbas pune?, e pyes. Ajo më vështron me ata sy të kaltër dhe fytyrën e purpurtë. “Jo, jo, nuk mundem. Pastaj si për të më dhënë një shans të dytë, u shtendos dhe vazhdoi… Por nesër do të shihemi në autobus në të njëjtën orë. Një çast para ndarjes ndaluam duke parë njëri-tjetrin. Diçka tha se do të na shkonte vonë, më tepër si një mërmëritje. Në rrugë u dukën grupe grupe punonjës që nxitonin për në vendin e punës. Vajza bashkohet me një grup të rejash që nxitonin për në punë dhe ngre dorën lart në shenjë përshëndetjeje.

Më kish mbetur në mëndje fytyra e saj. Pemët ishin akoma të gjelbëruara edhe pse kishte hyrë vjeshta. Rrugës për në repart ku punoja mendja më mbeti tek ajo vajzë plot hire. Edhe kur fillova punën mendja më shkonte tek ajo. E bukura përherë më ka tërhequr. Hyra në repart duke u përshëndetur me shokët. “Hë, më thotë shoku përballë tavolinës sime të punës. Sikur s’je mirë sot. Ke ndonjë hall? “Jo, jo i them, por mesa duket s’jam në humor të mirë… Ndodh kjo me njeriun, s’është si një herë dhe një herë… Shoku më vështroi gjatë si për të më thënë: ”Do të njoh më mirë, shumë shpejt… Mos i ngarko halle vetes”.

Shikimi i tij ishte shumë miqësor dhe kjo sikur më shtendosi disi. Në repart secili punonte në tavolinën e tij të punës dhe ndodhte të merrnim dhe jepnim mendime. Në pushimin e bërë aty rreth orës dhjetë më afrohet një nga koleget e punës. Ndali para tavolinës duke më hedhur një shikim dytësor dhe më thotë: ”Të pashë me një bjonde të bukur sot. Eh, biondet, ta prishin mëndjen. Kujdes nga to”! Nuk e dhashë veten dhe shkova të ktheje fetën e bukës mbi sobën me dru që e kisha vënë për tu thekur.

“Sot qënka ditë e ngrohtë, i thashë asaj.

“Biondet janë si dielli… Janë të nxehta.

“Se dija… , shtova duke buzëqeshur.

“Kujdes, mos të zë qymyri…

E vështrova dhe tunda kokën si për t’i thënë, “ty ç’të duhet”. “Eja Besnik, të pimë ndonjë kafe, më thotë Llasku dhe I dal në krah drejt portës së jashtme ku roja më pyet:

 “Po ju?”

“Si thua, do pimë ndonjë gjo… Ka punë, por ka dhe minuta pushimi. Roja hap portën duke na buzëqeshur.

“Eja më thotë Llasku. Është ky klubi këtu përballë spitalit. dhe më tregoi duke zgjatur dorën drejt lokalit që nuk ishte shumë larg. Ishte nje godinë një katëshe, me pak shkallë të betonta përpara dhe pjesa ballore krejt e xhamtë… ”Aty ka ç’na duhet e ç’na pëlqen. Morëm të dy bërxolla dhe nga një krikëll me birrë. Pas pak në lokal, vijnë sekretari i organizatës bazë të Partisë dhe përgjegjësi i repartit tonë. Deri atëhere, në ato ditë të para të punës nuk i kisha njohur. Llasku më prezantoi me ta.

“Ti je Besniku i repartit të orëve që vjen nga riparim shërbimet.

I pohoj me kokë dhe shkoj drejt e tek banaku. “Jeni me ta, më thotë banakieri duke hedhur shikimim larg drejt tyre. Jeni me të privilegjuarit… Tavolina u mbush me bërxolla të pjekura dhe birra. Pjatat ishin rreshtuar në krah të njëra-tjetrës dhe të mbushura mirë. Aroma e mishit të pjekur dhe bërxollave të çanta hundën. Ata që ishin përreth po drejtonin sytë nga ne. Më pyetën për shkollën, familjen dhe nëse isha ambientuar me kolektivin.

Thanë se kolektivi ynë ishte nga më të përparuarit dhe mua më mbeti vetëm të pohoja. Biseda u bë shumë shoqërore dhe përveçse ndonjë kruajtje zëri të sekretarit të organizatës bazë të partisë, të tjerat ishin shumë të këndshme. I dhamë llogarinë banakierit duke i lënë dhe bakshishin. Banakieri na bëri një shenjë falënderimi dhe u largua për tek tavolina tjetër, diku afër tavolinës tonë. Më shijoji ushqimi aty. I freskët dhe i ngrohtë. I shijshëm dhe i pastër. Ia thashë këto Llaskut dhe ai duke më hedhur dorën shpatullës më thotë: ”Pse kot është mbushur me punëtorë. I lirë dhe i mirë…

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …