Osman Shaban Geci (6.5.1943 - 5.3.1998)

Osman Shaban Geci (6.5.1943 – 5.3.1998)

Në kohën e depërtimit të barbarisë sllave në trojet shqiptare në Nish dhe në Prokupje, në fillim të shekullit të 19-të, shumë luftëtarë nga Drenica dhe Llausha kishin shkuar për t’i mbrojtur trevat e rrezikuara nga depërtimi sllav.

Në bajrakun e Llaushës ishte veçuar i riu, Zeqir Llausha. Pasi kishin rënë një pas një bajraktarët, prijësit e luftës marrin qëndrim për ta kursyer Zeqirin e ri, duke i thënë se prijës i bajrakut do të emërohet ai burrë, të cilit do t’i rrinte krah ri në mustaqe. Zeqiri i ri ende nuk kishte mustaqe dhe e ngul krahrin në mish, mbi buzë. Prijësit kishin marrë vendim dhe Zeqirit ia kishin besuar bajrakun.

Këngëtari anonim popullor, aktin e tij të trimërisë e kishte përjetësuar me vargjet:

Hajde, hajde, Zeqir Llausha,

Nantë llogoret n’gjak i mbushe!

Luej Zeqir Bajrakun, –

S’mund po e luej prej gjaku …

Osman Geci lindi më 6 maj të vitit 1943, në fshatin e trimërisë tradicionale në Llaushë të Drenicës. Ishte i biri Shaban Ramës, i njohur për trimëri dhe rezistencë kundër çdo pushtuesi.

Rrëfimet për trimërinë e të parëve nëpër oda, ishin burim njohjeje dhe frymëzimi për brezat. Osmani, edhe pse rritej në skamje e varfëri, burim frymëzimi kishte shembujt e trimërisë dhe aspiratën për t’u çliruar nga barbaria okupatore serbe. Familja Geci kishte lidhje miqësie me familjen e Shaban Jasharit në Prekaz. Motra e Osmanit, Zahidja, ka qenë bashkëshorte e Shaban Murat Jasharit, po ashtu një familje e njohur denbabaden për

nder, besnikëri dhe trimëri.

Të dy këto familje të shquara drenicare, përveç besës e trimërisë, kishin të përbashkët edhe dashurinë për armët. Pikërisht pse arma e tyre shkrepëtinte dhe jehonte lugjeve të Drenicës, armiku i kishte vënë në shënjestër, sepse krisma identifikonte trimat që po përgatiteshin për ta sfiduar kohën dhe për t’i dalë zot atdheut të robëruar.

Osmani, nuk pati fat të shkollohet. Ai punonte fushën dhe bashkë me vëllezërit mezi arrinte të siguronte mjete për ekzistencë. Me rastin e shpërthimit të demonstratave studentore, në mars dhe në prill të vitit 1981, Osman Geci, së bashku me nipat: Hamëz dhe Adem Jashari, merr pjesë aktive në to.

Edhe në pranverë të vitit 1989, Osman Geci së bashku me nipat dhe me bashkëmendimtarë të tjerë organizon dhe merr pjesë në demonstrata kundër politikës represive serbe. Asokohe së bashku me nipat ishte në ballin e demonstruesve, që ishin nisur nga Fabrika e Municionit, në drejtim të qendrës, në Skënderaj. Sipas marrëveshjes paraprake, Osman Geci dhe Rifat Jashari, i cili asokohe kishte ardhur nga Gjermania për pushim, ishin caktuar t’i ruanin demonstruesit nga policia serbe.

Kur demonstruesit kishin depërtuar te ura, Adem Jashari identifikon policin Pantiq, duke marrë në thumb demonstruesit. Në çastin kur Adem Jashari ishte vënë përballë policit, Osman Geci merr në shenjë dhe godet në drejtim të policit Pantiq, i cili plagoset nga cif1at e shtyllës së goditur, prapa së cilës kishte zënë pozicion.

Më 31 janar të vitit 1991, kur policia dhe ushtria serbe rrethuan Kullën e Jasharëve, në Prekaz, sapo dëgjon krismat, Osman Geci nxjerr mauzerin e tij, për blerjen e të cilit kishte shitur një rrip toke, meqë nuk kishte burime të tjera të fitimit. Ai, së bashku me vëllezërit, u shkon në ndihmë nipave të rrethuar në Prekaz.

Osman Geci ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me nipat e tij, Rifatin, Hamzën dhe me Adem Jasharin. Ai ishte luftëtar i orëve të para dhe ishte përgatitur me kohë, për të filluar rezistencën e armatosur.

Kur policia serbe iu kishte afruar shtëpisë së tij me pretekst të kërkimit të armëve, Osman Geci, së bashku me të bijtë e vëllezërve: Jetullahun, Rrustemin, Sejdiun, Xhevahirin, Hetemin, Limanin, vendos të rezistojë.

Asokohe dajës së tij i shkon në ndihmë edhe komandant Adem Jashari së bashku me Ilaz Kodrën, Sahit jasharin dhe Sylejman Selimin. Në kullë ishin pozicionuar të gjithë trimat. ndërsa Ademi kishte propozuar që të mos shtiejnë derisa policët të depërtonin në oborr.

Nga momenti në moment pritej përleshja. Forcat serbe e kishin kuptuar se Gecët dhe të tjerët që ishin brendë nuk e kishin ndërmend të dorëzoheshin. Policët kishin hetuar po ashtu se edhe vetë ndodheshin nën rrethim.

Në momentet e dilemës, kur policia serbe kishte marrë urdhër për tërheqje, Sylejman Selimi, humb durimin. Ai ekspozohet i armatosur përballë policisë, e cila, nga frika për pasojat e mundshme në radhët e veta, tërhiqet. Osman Geci mori pjesë edhe në luftimet që janë zhvilluar më 26 nëntor të vitit 1997, në Klisyrë, të fshatit Rrezallë e Re. Atë ditë është shquar në mesin e trimave.

Më 4 mars të vitit 1998, Osman Geci kishte shkuar për ta vizituar Sabit Gecin në fshatin Ticë. Aty, pos të tjerëve, kishte takuar edhe nipin e tij Adem Jashari, i cili e lajmëron dajë Osmanin se shumë forca serbe ishin futur në Fabrikën e Municionit. Sipas të dhënave që kishte komandant Adem jashari, në Fabrikën e Municionit ishin zbarkuar edhe njësi të artilerisë së rëndë me topa të kalibrit 120 milimetra.

Osmani e pyet Ademin.

Si e ke ndër mend të veprosh, nipash?

Do të futem në kullë, te familja, dajë, – ishte përgjigjur Ademi, dhe pas pak kishte vazhduar:

– Unë i gjallë e serbët me më hy në familje, kjo nuk do të lejohet! – ia kthen prerë Adem jashari!

Aty më ke edhe mua, nipash, – thotë me vendosmëri Osman Geci, – dhe në mesnatë, me mauzerin e tij, të cilin e mbante në gjendje gatishmërie, së bashku me kryetrimin e Drenicës, Adem Shaban Jashari, futet në Kullën e rezistencës, në Prekaz.

Me rastin e sulmit sodomist serb, në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998 në Kullën e jasharëve, Osman Geci, ashtu sikur edhe të gjithë kështjellarët, fillon luftën, fillon betejën e tij të fundit, por vendimtare, kundër krimit dhe barbarisë okupatore.

Ka rënë duke luftuar trimërisht, deri në rektimën e fundit të shpirtit përkrah nipave të tij, Adem dhe Hamëz Jashari.

Osman Geci do të mbetet shembull i paharrueshëm i luftëtarit popullor, i gatshëm për ta mbajtur fjalën e besën, i gatshëm për t’u flijuar në altarin e shenjtë të atdheut.

Trupi i dëshmorit Osman Geci prehet në Varrezat e Dëshmorëve, në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në mesin e dinjitarëve më të përkushtuar të lirisë.

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …