PDK dhe Aleanca kërkojnë vazhdimin e seancës, Gruda: Po bllokohet Kosova

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe përfundimin e procesit të formimit të institucioneve të reja. Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim institucional, duke thënë se Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas vullnetit të shumicës parlamentare. Gruda ka rikujtuar se gjatë vitit 2025 Kuvendi ishte përballur me një ngërç të gjatë, ndërsa ka kritikuar shumicën aktuale që, sipas tij, nuk po propozon emra për drejtimin e Kuvendit, ndonëse pretendon se i ka votat e nevojshme. Ai ka theksuar se Kushtetuta vendos kufizime për çdo pushtet, pavarësisht numrit të deputetëve që e përbëjnë shumicën. Sipas tij, shkelja e këtyre kufizimeve mund të ketë pasoja edhe për qytetarët, bizneset dhe komunat. Në anën tjetër, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka kritikuar gjendjen institucionale dhe ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po mban peng funksionimin e institucioneve. Bytyqi ka kërkuar që institucionet e Kosovës t’i marrin seriozisht deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për Ujmanin, duke e cilësuar këtë zonë si aset strategjik të vendit. Ajo ka kërkuar gjithashtu rishikimin e varësisë ekonomike nga Serbia, veçanërisht në sektorët strategjikë, si dhe ka ngritur shqetësime për furnizimin me barna dhe energji gjatë dimrit. Në planin ndërkombëtar, Bytyqi ka kërkuar diplomaci më aktive për sigurimin e njohjeve të reja dhe zhbllokimin e fondeve të Bashkimit Evropian, ndërsa ka bërë thirrje edhe për vazhdimin e investimeve dhe projekteve infrastrukturore. PDK-ja dhe Aleanca kanë zhvilluar edhe ditët e fundit aksione para Qeverisë, duke kërkuar tejkalimin e ngërçit dhe funksionalizimin e Kuvendit të legjislaturës së 11-të.

Kontrolloni gjithashtu

Time Kadriaj: Aleanca nuk kërkon pushtet, presim garanci konkrete nga Kurti

Deputetja e Aleancës Time Kadriaj, ka deklaruar se qëndrimet e AAK-së në zhvillimet e fundit …