DEMONSTRAT E VITIT

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – VII

-70-

JCR Gray Esq                                                                                       Ambasada britanike

EESD                                                                                                                      Beograd

FCO                                                                                                                21 korrik 1981

Kosova: foto të demonstratave

I nderuar, Zotëri

  1. Shtypi i ilustruar i Beogradit ka filluar më së fundi të publikojë foto të demonstratave në Kosovë. Bashkangjitur po ju dërgoj disa prej tyre me interes për ju.

                                                                                                                                     I Juaji,

                                                                                                                   Charles Crawford

                                                                                                               Oficer Informacioni

Foto A:

“Nacionalistët shqiptarë hodhën gurë ndaj atyre që nuk bashkohen me ta”.

“Detyra e tyre është të trazojnë popullin: me një megafon përballë ndërtesës së LKK-së”.

“Nacionalistët dhe irredentistët më fanatikë mbanin shkopinj”.

Foto B:

“Prishtinë: fillimisht demonstruesit dolën me parulla “shoqërore”, por më pas fytyra e armikut u zbulua”.

Foto C:

“Foto nga dita me trazira e pranverës: Milicët kanë ndaluar një grup demonstruesish dhe po i bindin që të shpërndahen dhe të mos mashtrohen nga armiku”.

-71-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery Esq              Ambasada britanike

EESD                                                                                                                     Beograd

FCO                                                                                                              21 korrik 1981

Kosova: përgjegjësia politike

I nderuar Alan,

Përmbledhje

  1. Drejtimi i trysnisë së krijuar gjatë javëve të fundit ka rezultuar në dorëheqjen e Xhavit Nimanit, kryetar i Kryesisë së Kosovës. Deklarata e dorëheqjes së tij nuk shprehte aspak keqardhje. Priten dorëheqje të tjera, nëse (disi të parakohshme) spekulimet e shtypit janë njëfarë treguesi.

Detaje

  1. Botimi më i fundit i gazetës “NIN” përmbante një kryeartikull të titulluar “Dorëheqjet e pritura”. Në fjalitë e para thuhej: “Fundi i kësaj jave ka shënuar në Kosovë dorëheqje të reja të udhëheqësve të lartë të Krahinës… Tashmë kjo pengesë është hequr. Dorëheqjet në një farë mënyre janë ofruar, apo dhënë nën presionin e opinionit publik, megjithëse disi vonë”. Artikulli vazhdonte më tej me një ton morali të lartë mbi papranueshmërinë e spastrimeve që do të preknin vetëm ata të cilët ishin më afër limiteve të situatës ndërsa më të rëndësishmit do të mbeteshin të pacënuar; gjithashtu, artikulli komentonte nevojën për të trajtuar çështjen e rinovimit të gazetës “Obnova”. Kjo tingëllonte e shkëlqyeshme dhe e guximshme në stilin e ri të “NIN”, por kishte diçka qartazi të dyshimtë: asnjë emër nuk përmendej. Kërkuam shtypin e asaj dite, 17 korrik, dhe nuk gjetëm asnjë fjalë për dorëheqjet. Në fund i telefonova autorit të artikullit dhe e pyeta nëse dinte ndonjë gjë që nuk e dinte askush tjetër. Ai e pranoi se dinte, por u shpreh se do të vihej në pozitë të vështirë po të thoshte më shumë, përveç se të konfirmonte se, siç e kishim dëgjuar unë dhe Charles Crawford nga një gazetar dy ditë më parë, bëhej fjalë për emrin e Nimanit. Atë mbrëmje, në lajmet e TV u njoftua dorëheqja e Nimanit, por nuk u përmend asnjë emër tjetër.
  2. Në shpjegimin e gjatë për veprimin e tij, Nimani e identifikoi veten me denoncimin zyrtar të kundërrevolucionit, lavdëroi arritjet e Kosovës dhe shprehu optimizmin e tij për të ardhmen. Megjithatë, ai e pranoi se armiku kishte shfrytëzuar disa “mosmarrëveshje” dhe kishte molepsur mendjet e të rinjve me ndjenja të tilla si nacionalizmi, për të cilat mbanin përgjegjësi jo vetëm Lidhja e Komunistëve, por të gjithë “faktorët e tjerë subjektivë”, d.m.th. Lidhja Socialiste, Bashkimi i Rinisë etj. Ai e pranoi se përgjegjësi të veçantë kishin organet politike dhe ato shtetërore të Krahinës. Ai bëri thirrje për marrjen e masave më vendimtare për të eliminuar gabimet dhe dobësitë e LK-së, LSPP-së dhe organeve qeveritare. Më tej, ai ia vuri gjithë fajin Shqipërisë për abuzimin me “vullnetin tonë të mirë, gatishmërinë dhe sinqeritetin” në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, megjithëse pati mirësinë të pranonte se “ne nuk ishim vigjilentë sa duhet”. Duke iu kthyer përsëri çështjes së fundmi, ai tha, “duke dashur të jap kontributin tim maksimal në luftën kundër armikut dhe në stabilizimin e situatës në Kosovë nga njëra anë dhe nga ana tjetër për t’i prerë rrugën spekulimeve dhe dezinformimit për mua nga armiku, deri më sot kam vendosur që të mos jap dorëheqjen, për shkak të situatës së vazhdueshme, megjithëse e ndjeja përgjegjësinë time politike personale si kryetar i Kryesisë së Kosovës. Megjithatë, tashmë që përpjekjet ndaj kundërrevolucionit janë thyer dhe situata i është kthyer normalitetit, kam arritur në përfundimin se është koha që të jap dorëheqjen”. Ai vazhdoi më tej duke u zotuar se do të ofronte mbështetjen e tij në luftën kundër armikut.
  3. Ashtu si në rastin e dorëheqjeve të mëparshme, Nimani nuk shprehu asnjë fjalë keqardhjeje dhe është e qartë se ai nuk e konsideronte veten fajtor për asgjë që mund ta bënte të ndjehej i turpëruar. Gabimet e panumërta dhe gjerësisht të njohura që kishte bërë administrata e tij, u kaluan në heshtje.
  4. Do të jetë me interes të shikojmë se çfarë do të bëhet ne Nimanin tani, veçanërisht nëse do të fillojë ndonjë procedurë ligjore ndaj tij. Bakalli, ish-kryetari i LK-së së Kosovës është falur me një paralajmërim nga Kryesia e LKK-së, se çështja e anëtarësimit të tij të ardhshëm në Komitetin Krahinor të Kosovës do të shqyrtohet në dritën e vetë sjelljes së tij. Ndërkohë, ishte njoftuar më 14 korrik se ai nuk ishte më anëtar i Kryesisë së LKK-së. Kjo vonesë e gjatë ndodhi ndoshta për arsye të kritikës ndaj tij për faktin që ai vazhdonte të paraqitej në mbledhje sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
  5. Nuk kam mundur t’i shkoj deri në fund historisë së gazetës “NIN” për dorëheqjet. Mund të jetë që në përpjekjen e tyre për të qenë aktualë (gjë që është gjithmonë e vështirë për një gazetë të përjavshme) ata jo vetëm që u nxituan, por gjithashtu pretenduan tepër nga dorëheqja e Nimanit, ose, ata kanë të drejtë dhe akoma më tej, gjë që ende nuk është shpallur, do të vijojnë dorëheqjet. Natyrisht kjo është ajo ç’ka pritet nga shumë njerëz këtu. Më kanë thënë se gazetari në fjalë është në telashe dhe nuk flet.

                                                                                                                                       I Juaji,

                                                                                                                     Jemy T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

  -72-

Konfidenciale

Fm Beograd ZLGR4067 03JUL8                                                                      ENU 015/3

TO EXTOTT GEA                                                                                       23 korrik 1981

Situata në Kosovë

 

  1. Për momentin situata në vetë krahinën e trazuar të Jugosllavisë, Kosovë, duket se është stabilizuar dhe të paktën nën kontroll të përkohshëm. Debati mbi shkaqet dhe efektet e manifestimit nacionalist tregon shenja të vogla rënieje. Në aspektin e brendshëm, fokusi i vëmendjes publike është zhvendosur në çështjen e përgjegjësisë së shtetit në nivel lokal, krahinor dhe federal si dhe zyrtarët partiakë. Ndërkohë që disa zyrtarë partiakë, duke përfshirë ish udhëheqësin Bakalli kanë dhënë dorëheqjen nën presion, shumë prej atyre të cilët qartazi mbanin përgjegjësi aktive ose pasive pasi kishin lejuar që situata të përkeqësohej siç edhe ndodhi, janë ende në detyrë.
  2. Raportimi mbi ngjarjet në Kosovë është bërë kohët e fundit më intensiv dhe i ka dhënë shkas kërkesave, veçanërisht nga gazeta “të frymëzuara” për një politikë më aktive diferencimi midis atyre që shihen si kosovarë të mirë dhe të këqij që në të vërtetë bëjnë thirrje për spastrimin e atyre që shoqërohen me grupe nacionaliste dhe irredentiste shqiptare apo ata që lejuan lulëzimin e tyre. Në masë të madhe ky sinqeritet i informacioneve për Kosovën ka pasur dobi për sa i përket ekspozimit të sjelljes së papërgjegjshme, oportunizmit dhe paaftësisë nga ana e disa udhëheqësve kosovarë. Nga ana tjetër, ndërkohë që deri vonë pjesa më e madhe e kritikës publike drejtohej ndaj qeverisë në nivel federal dhe krahinor për kufizimin e raportimit mbi ngjarjet, sot media, veçanërisht revistat e ilustruara, po kritikohen për sensacionalizmin dhe ekzagjerimin e anës negative të çështjeve. Ende nevojitet vendosja e një ekuilibri në këtë drejtim. Gjithashtu, me mosmarrëveshjet që ekzistojnë midis udhëheqjes së Beogradit dhe asaj të Kosovës në lidhje me ritmin e diferencimit, një gjë e tillë kërkon kohë.
  3. Vizita në Kosovë javën e kaluar nga gazetarë, midis të tjerëve, e një korrespondenti lokal të “Reuters” me të cilin biseduam pas kthimit të tij, priret të konfirmojë se duke lënë mënjanë ekzagjerimet rastësore, situata në këtë zonë është shumë e njëjtë me atë që po raportohet në medien jugosllave. Dëmet janë ndrequr dhe me ndihmën e një numri të madh të forcave të sigurisë, është rivendosur rendi. Kinematë dhe stadiumet e sportit kanë mbetur të mbyllura dhe tubimet publike mbikëqyren nga afër nga policia e mirarmatosur dhe e pajisur kundër trazirave. Diplomatëve u kërkohet ende të marrin leje për të vizituar krahinën, por në kontrast me gazetarët (vizitat e të cilëve sidoqoftë janë “të organizuara”) kjo leje jepet vetëm në raste të rralla. Sipas gazetarëve të “Reuters”, të cilët folën me kosovarë të nacionaliteteve të ndryshme, shumica në këtë krahinë duket se janë dakord që qetësia aktuale do të vazhdojë gjatë muajve të verës dhe zyrtarët në krahinë presin që së shpejti të hiqen kufizimet e mbetura. Megjithatë, kosovarët me origjinë shqiptare i përmbahen me vendosmëri qëllimit të statusit të Republikës më vete për Kosovën. Megjithëse kanë provuar përdorimin e dhunës për këtë qëllim, e pranojnë gjerësisht se kjo rrugë është antiproduktive.
  4. Në frontin ndërkombëtar, shkëmbimet sarkastike midis Beogradit dhe Tiranës duket se, po humbasin disi nga entuziazmi i mëparshëm, në mos po çojnë në zemërim. Ish-ministri i Jashtëm jugosllav i cili kryeson Këshillin Federal për marrëdhëniet ndërkombëtare, theksoi javën e kaluar në një konferencë për shtyp se ndërkohë që qeveria shqiptare kërkon të ndryshojë kushtetutën e Jugosllavisë dhe qëndron pas terrorizmit në Kosovë “Jugosllavia nuk ka asnjë interes që të prishë bashkëpunimin e saj me Shqipërinë. Përkundrazi, ajo e dëshiron këtë bashkëpunim, por mbi baza reciproke”. Tirana, duke kundërshtuar akuzat se po nxit kauzën e “Shqipërisë së Madhe” në kurriz të Jugosllavisë dhe Greqisë, është përgjigjur me akuzat e saj se pas kësaj “shpikjeje të neveritshme” dhe “urrejtjes së egër ndaj Shqipërisë dhe një vargu shpifjesh aktuale që Jugosllavia po përpiqet të përhapë si mbulim për vetë dështimet e saj dhe shtypjen në Kosovë” fshihen “Serbët e Mëdhenj” të Beogradit dhe policia sekrete jugosllave satanike e ndihmuar nga aleatët klandestinë sovjetikë. Kundërpërgjigja më e fundit e Shqipërisë duket se është drejtuar ndaj ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Greqinë po aq sa ndaj provokimit të një përgjigjeje tjetër nga Beogradi. Sidoqoftë presim që loja të vazhdojë për një kohë më të gjatë.

CCC/088 060616Z ZLGR4067

-73-

Airgram

Drejtuar: Departamenti të Shtetit

Për informacion: Ambasadës në Paris

Nga: Ambasada në Beograd

Për ndjekje: ECON, EGEN, YO                                                                    23 korrik 1981

 

Tema: Aspektet ekonomike të Kosovës

 

Kanë kaluar katër muaj që prej shpërthimit të demonstratave në disa qytete të Kosovës këtë pranverë. Të quajtura armiqësore dhe kundërrevolucionare, demonstratat e dhjetëra mijërave studentëve dhe punëtorëve janë përshkruar gjithashtu si trazira nacionaliste shqiptare. Një vëzhgues i jashtëm mund të arrinte në konkluzionin se do të mjaftonte vetëm keq-menaxhimi që të shkaktonte trazirat ose në fund të fundit që çështjet ekonomike të ndërlikonin një situatë të brendshme tashmë të ndezur socio-politike. Edukimi i rinisë së krahinës është drejtuar keq duke i bërë të rinjtë të pakontrollueshëm; kapitali është keqorientuar në një industri të rëndë që kërkon shumë kapital kur krahina kishte nevojë për mijëra punë të nivelit fillestar; gjithashtu një pjesë e vogël e vegjëlisë është ngritur në një nivel më të mirë ekonomik për të shërbyer si shembull joshës. Qeveria jugosllave krijoi menjëherë teori konspirative të bazuara në ndërhyrjen nga jashtë. Qeveria jugosllave ia ngarkoi përgjegjësinë për demonstratat provokimit të jashtëm dhe theksoi se si programet për zhvillimin e brendshëm ekonomik e kanë rritur standardin e jetesës në mënyrë të konsiderueshme që prej Luftës së Dytë Botërore. Sidoqoftë, sot janë më të zakonshme raportet për keqorientimin e qëllimeve të zhvillimit dhe shpenzimin pa hesap të fondeve në projekte sociale që kërkojnë kapital më shumë se në objektet prodhuese. Mbi Republikat jugosllave po ushtrohet më shumë presion federal për të investuar në Kosovë bazuar në premtimet e tyre të mëparshme dhe në përputhje me planet kombëtare. Modeli i zhvillimit të brendshëm në Kosovë, e tërë përpjekja për zhvillim, është orientuar aq keq (pjesa më e madhe nga zyrtarët lokalë) saqë ka dekurajuar firmat në republikat e tjera që të hyjnë në ndërmarrje të përbashkëta.

Kosova ka karakteristika të ngjashme me ato vende që e kanë bërë zhvillimin dhe stabilitetin politik aq të vështirë tjetërkund në Botën e Tretë: dallime të theksuara rajonale, etnike dhe ekonomike të shoqëruara me armiqësi historike; norma e rritjes së popullsisë që ia kalon aftësisë së rajonit për të krijuar vende pune; produktiviteti i ulët i punës, dhe përdorimi joefikas i kapitalit, të gjitha këto kombinohen me një krizë tipike të pritshmërive në rritje. Ndërkohë që është e pasur me minerale, Kosovës i mungojnë fabrikat dhe aftësitë teknike për shfrytëzimin e tyre përtej përpunimit fillestar dhe pjesa më e madhe e vlerës i shtohet republikave të tjera – të cilat më pas marrin fitime të rëndësishme.

Sidoqoftë, Kosova mbetet pjesë përbërëse e një vendi të angazhuar për ta ngritur atë në nivelin e mesatares kombëtare në çdo fushë. Interesat e Jugosllavisë në zhvillimin e Kosovës janë politike dhe ekonomike. Politikisht, zhvillimi i shpejtë është parë si afirmim i parimeve bazë të vendit, si një politikë e barazisë për të gjitha grupet etnike në Jugosllavi dhe, në nivel ndërkombëtar Jugosllavia duhet të tregojë vullnetin për të bërë për pjesën e vet të pazhvilluar po aq sa do të dëshironte që Perëndimi të bënte për Botën e Tretë në përgjithësi. Për më tepër, zhvillimi i Kosovës do të shërbente për zbutjen e tensioneve në një zonë problemesh të irredentizmit dhe minoriteteve rivale etnike që janë probleme tradicionale politike të Ballkanit. Mbi të gjitha, Beogradi kërkon që të mbrojë integritetin e vet territorial dhe unitetin kombëtar kundër irredentizmit shqiptar, të cilin e shikon gjithashtu si një instrument potencial të fuqisë sovjetike. Për shkak të rëndësisë kulturore, historike dhe emocionale të krahinës, problemet e thjeshta në Kosovë bëhen tejet të ndërlikuara. Kosova është zemra e mbretërisë së vjetër të Serbisë, vendi ku Serbia humbi një betejë historike me turqit e cila rezultoi në 500 vjet sundim të huaj. Nga pikëpamja ekonomike, krahina përmban 50% të qymyrit të vendit dhe 60% të plumbit dhe zinkut dhe sasi të konsiderueshme të mineraleve të tjera. Po ashtu, potenciali bujqësor nuk është i parëndësishëm. Sidoqoftë, problemi kombëtar për zhvillimin e Kosovës nuk e mbron nga gabimet e zakonshme zhvillimore dhe as nuk ndalon tendencat e vazhdueshme negative.

Rritja e popullsisë së krahinës, kryesisht rritja shqiptare etnike, duke përjashtuar të gjithë faktorët e tjerë për një moment, është duke prishur në vetvete shumicën e përpjekjeve ambicioze të zhvillimit të shpenzuara deri tani. Norma e rritjes, 2.5 – 2.7% në vit, është karakteristikë e disa prej vendeve të Afrikës dhe Amerikës Latine dhe është në kontrast krejt të kundërt me mesataren vendase prej 86% në vit.

Popullsia prej 1.58 milion, me 77% shqiptarë, përfaqëson 7% të popullsisë së përgjithshme të Jugosllavisë. Deri në vitin 2000 vlerësimet zyrtare tregojnë se Kosova do të përfaqësojë 10% të popullsisë së Jugosllavisë. Para Luftës së Dytë Botërore popullsia ishte pothuajse tërësisht fshatare dhe kishte një strukturë sociale të bazuar në besnikërinë e fortë me familjen dhe udhëheqjen fetare. Kjo tablo ka ndryshuar ngadalë që prej luftës, me gjithë rritjen e vëmendjes ndaj urbanizimit, industrializimit dhe arsimimit. Edhe sot Kosova përfaqëson 4% të territorit kombëtar e megjithatë ka vetëm 2.9% të rrugëve moderne të tij. Kjo pjesë prej 7% e popullsisë jugosllave ka vetëm 2.4% të automobilave, 2.5% të rrugëve dhe televizorëve, dhe vetëm 1.8% të traktorëve të kësaj popullsie.

Punësimi

Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, në qytete u krijuan vende pune dhe njerëzit vërshuan drejt këtyre mundësive. Popullsia bujqësore, që përbënte 65% në vitin 1961, ka rënë në 36% në vitin 1980. Rezultatet e shpërnguljes janë, numri i madh i papunësisë, zonat urbane të mbingarkuara dhe rritja e varësisë nga punësimi në prodhim. Ndërsa, Kosova ka vetëm 3% të punëtorëve të Jugosllavisë, ajo ka 8% të të papunëve të saj. Ka 5.7 milionë veta të punësuar në “sektorin social” të Jugosllavisë ose 26% e popullsisë së vendit. Në krahasim me këtë, popullsia punonjëse e Kosovës përfaqëson 13% të banorëve të saj.

Meqenëse pjesa më e madhe e vendeve të punës të krahinës janë relativisht të reja, do të ketë një normë të ulët qarkullimi. Punësimi maksimal në vitin 1985 do të përbëhet prej 260,000 vendesh në sektorin e socializuar. Në këtë shifër është përfshirë burokracia e fryrë e vendit. Në nivel kombëtar, 17% e popullsisë është e punësuar në aktivitete jo-ekonomike, organizatat qeveritare, kulturore dhe sociale; 26% të tillë janë të punësuar në Kosovë (madje Serbia, e cila rregullon si burokracinë federale dhe atë republikane, ka vetëm 18%).

Mbi një vlerësim bazuar për frymë, krahina ka arritur 676 dollarë të prodhimit social për frymë (më pak se gjysma e Maqedonisë fqinje (1,616 dollar) dhe Mali i Zi (1,534 dollarë) ku të dyja rastet filluan nga pozita të ngjashme në vitet 1950). (Duhet të përmendet se ndihma e zhvillimit rajonal të këtyre dy republikave filloi në vitet 1950, ndërsa Kosova merrte pak deri në vitet 1960). Numri prej 200,000 personash me fat të punësuar në sektorin e socializuar, kanë një situatë përmirësimi të shpejtë. Shtypi raporton se fitimet e tyre (të papërcaktuara) arrinin deri në 47% në tremujorin e parë të vitit 1981. Shifrat aktuale në dispozicion tregojnë se paga që çojnë në shtëpi në vitin 1981 ka arritur një mesatare mujore prej 230 dollarësh, që është mbi mesataren e Kosovës prej 212 dollarësh për vitin 1980. Mbi bazën e këtyre të dhënave pjesa tjetër e popullsisë ka një mesatare vjetore të të ardhurave për frymë prej vetëm 240 dollarësh. Vetëm 7 nga 22 bashkitë e Kosovës prodhojnë 75% të të ardhurave bruto të Krahinës. Të ardhurat bruto në kapital për Prishtinën, janë 3 herë më shumë se mesatarja e krahinës në tërësi dhe në të njëjtin nivel me mesataren kombëtare.

Të dhënat e mësipërme nuk përfshijnë fitimet nga një punë e dytë; megjithatë në bisedat me të rinjtë studentë dhe punëtorët, njeriu del me idenë se mund të bëhen para përmes iniciativës private. Kjo ndoshta nënkupton punën si punëtor ndërtimi në tregun e lulëzuar të banesave private në Prishtinë, ose si mekanik në garazhin e vet (ndërkohë që pret për një punë zyrtare), ose në një larmi profesionesh të tjera shërbimi.

Në rastin më të mirë, punët “e ligjshme” punësojnë një në tetë persona të popullsisë krahasuar me një në katër të tillë në nivel kombëtar. Ndërkohë që ka një përparim të jashtëzakonshëm krahasuar me periudhat e mëparshme, kjo shifër mbetet totalisht e pamjaftueshme kur krahasohet me kërkesat në rritje. Ajo përfaqëson afërsisht një punë në sektorin e socializuar për familje (madhësia mesatare e familjes në Kosovë është 6.89 anëtarë krahasuar me 3.6 për të gjithë Jugosllavinë).

Nga mesi i korrikut, ishin 72,000 veta, shumica të rinj, të regjistruar pranë zyrave të punësimit si persona që kërkojnë punë. Është një total prej 190,000 të rinjsh midis moshës 14 dhe 20 vjeç të cilët së shpejti do të hyjnë në tregun e punës. Në Universitetin e Prishtinës në kryeqytetin e Krahinës, mbi 57,000 studentë do të diplomohen gjatë katër viteve të ardhshme. Në të vërtetë, gjysma e popullsisë është duke ndjekur një nivel të caktuar shkollimi. Ndërkohë që të rinjtë mund të caktohen në shkollë apo në ushtri, eventualisht ata kanë nevojë për punë.

Arsimi

Programet arsimore janë sinkronizuar dobët me mundësitë reale ekonomike të Krahinës – ose edhe me Jugosllavinë si e tërë. Theksi kryesor i arsimit në Kosovë kanë qenë profesionet zyrtare joteknike dhe artet liberale shqiptare. Pjesa më e madhe e studentëve, meqenëse serbo-kroatishtja nuk kërkohet më, nuk zotërojnë domosdoshmërisht dy gjuhë për të fituar një punë të nivelit profesional jashtë Kosovës.

Universiteti i Prishtinës ka qenë më parë degë e Universitetit të Beogradit. Si një entitet i pavarur, Universiteti i Prishtinës është vetëm 10-vjeçar dhe është planifikuar të sistemojë 1/3 e ngarkesës aktuale të tij prej 47,000 studentësh. Një profesor mund marrë në provim 1,000 deri në 2,000 studentë në çdo periudhë provimi (provimet jepen me gojë dhe me shkrim). Natyrisht, me rritjen e numrit të studentëve çdo provim ka probleme. Disa nga problemet e tjera të Universitetit u paraqitën në një raport të kohëve të fundit në shtyp për një mbledhje paraprake, të mbajtur në Universitetin e Prishtinës për një mbledhje të ardhshme të Komitetit Qendror të Partisë:

Disa probleme janë aktuale … duke përfshirë një staf mësimdhënës të trajnuar jo siç duhet, tekste shkollore të pamjaftueshme, mungesë bashkëveprimi ndërmjet arsimit të lartë dhe nevojave të ekonomisë që rezultoi në vështirësitë për të siguruar vende pune për të diplomuarit. Gjithashtu u theksua se … rinia hyri nën ndikimin e ideve nacionaliste.

Vendimi me qëllimin e mirë për të ngritur një universitet të plotë në Prishtinë nuk solli atë që krahina kishte nevojë. Pothuajse në mënyrë të pashmangshme Universiteti u konstatua se i kushtonte shumë pak kohë aftësive vendimtare të nevojshme për ekonominë e krahinës. Sot, me një numër më të madh studentësh të letërsisë sesa Franca (sipas një zyrtari) studentët nuk kanë ndonjë aftësi të tregtueshme. Duke pasur parasysh tregun e punës, ata po përballen me mosgjetjen e punës, me punë nën nivelin e diplomimit të tyre apo me emigrimin. Që prej demonstratave janë bërë përpjekje për të rishikuar programet arsimore të krahinës. Në përgjithësi, Universiteti i Prishtinës synon të pranojë 19% më pak studentë kur të rihapet krahasuar me vitin 1980. Regjistrimi në kurset e arteve liberale do të bjerë në mënyrë drastike dhe regjistrimet në fakultetet teknike do të rriten. Edhe në këtë mënyrë, studentët nuk kanë shpresë për punësim të përshtatshëm.

Industria

Ndërkohë që eksporton lëndë të parë me vlerë mbi 200 milionë dollarë çdo vit, Kosova sapo është duke filluar që t’i shtojë vlerën produkteve të saj të papërpunuara. Qymyri me cilësi të dobët i krahinës, po shndërrohet në energji elektrike (dhe programi për të dyfishuar kapacitetin, Kosova B, duket se po shkon drejt përfundimit në vitin 1982). Propozimi për t’i shitur energji elektrike një konsorciumi të Evropës Perëndimore duket se është lënë në harresë pasi asgjë nuk është njoftuar që kur një drejtor i lartë shkoi në Evropë për bisedime një vit më parë. Kjo mund të ketë sjellë një lulëzim të madh ekonomik për krahinën. Kompleksi i Trepçës (punëdhënësi më i madh i krahinës) që ka lidhje të ngushta funksionale dhe licencimi me korporatën “Globe Union Battery of Milwaukee” është në krye të nxitjes për të rritur vlerën. Duke bërë punime minerale të plumbit, zinkut, argjendit etj., Trepça prodhon gjithashtu produkte të gatshme të tilla si bateritë me acid plumbi që shiten në të gjithë Evropën. Ajo po kërkon aktivisht të shpërndajë dhe të kërkojë partnerë për të rritur vlerën e argjendit të nxjerrë. Në dallim nga kjo, pjesa më e madhe e verës së prodhuar në Kosovë përpunohet në Slloveni. Partneri investitor slloven merr monedhe të fortë nga eksportet në Evropën Perëndimore dhe e paguan Kosovën në dinarë të dobët.

Sipas planit fillestar pesë-vjeçar për vitet 1981-1985, përpjekjet për zhvillimin e Kosovës duhej të vazhdonin në një shkallë më të madhe se asnjëherë. Pritej që të zgjeroheshin arsimi, kultura, shëndeti publik, ndërtimi i shtëpive si dhe projektet industriale dhe të tjera zhvillimore. Përpjekjet e mëparshme të zhvillimit nuk mund të pengonin zhvillimin në mënyrë më të ngadaltë të Kosovës se pjesa tjetër e Jugosllavisë. Është e dyshimtë nëse intensifikimi i një përpjekjeje të tillë do të mbulonte hendekun e gjerë midis Kosovës dhe pjesës tjetër të Jugosllavisë. Është shtrirë tashmë aftësia e krahinës për të thithur fonde nën strategjinë aktuale të zhvillimit. Ndërkohë që nuk ka dyshim se të gjitha fondet e planifikuara për zhvillimin e Kosovës gjatë periudhës 1981-1985 do të shpenzohen, ka shumë pak gjasa që të përmbushen objektivat e përgjithshme të zhvillimit. Në fakt, ka pasur një raport të anasjelltë midis prioritetit ekonomik dhe investimeve të përfunduara. Aktualisht janë investuar vetëm 70% e fondeve të planifikuara për bujqësinë; janë përdorur vetëm 66% e parave të disponueshme për transportin, industrinë e ndërtimit, tregtinë, hotelet dhe restorantet, turizmin dhe pyjet, ndërkohë që ka përfunduar 92% e programit të planifikuar joekonomik. Këtu përfshihen ndërtesat e zyrave qeveritare, qendrat sportive, ambientet universitare, teatrot etj.

Një nga rezultatet e trazirave të vitit 1981 ishte rishqyrtimi i koncepteve që gjendeshin pas planit të periudhës 1981-1985. “Projekti final” tashmë i përgatitur duhet të ndryshojë në mënyrë thelbësore: Një pjesë e rëndësishme, 50% e fondeve të lira për investim do të investohen në ndërmarrjet e përbashkëta që kërkojnë fuqi punëtore pranë firmave nga republika të tjera (30% nevojitet për projektet në ndërtim dhe 20% janë përcaktuar për të shlyer financimin e mëparshëm). Ka pasur raporte që tregojnë se prodhimi është rritur dhe ka reduktuar mosvajtjen në punë gjatë trazirave dhe pas tyre. Ekzistojnë ndoshta disa operacione të suksesshme ku prodhimi është rritur këtë vit. Në pjesën më të madhe këto raporte janë ekzagjeruar për përdorim të brendshëm, ose tregojnë se njerëzit shkuan në punë që të mos shihen si pjesëmarrës në këtë krizë. Edhe para trazirave, statistikat e tremujorit të parë treguan humbje të përgjithshme të jashtëzakonshme ekonomike në Kosovë. Norma e rritjes industriale ishte 24% nën mesataren kombëtare në vend të treguesit prej 6% që ishte programuar mbi këtë mesatare. Eksportet ranë me 4% në përgjithësi krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, por pothuajse me 50% krahasuar me vendet me monedhë të fortë. Si rezultat, krahina sot nuk ka monedhë të këmbimit valutor për të blerë mallrat e nevojshme për prodhim të mëtejshëm. Nuk është përmbushur norma e rritjes së synuar prej 5½%, e cila është për të siguruar vendet e punës përmendur më lart; raportet fillestare për periudhën janar-qershor tregojnë për një normë rritjeje prej 4.4%. Trazirat nuk kanë sjellë dobi në përmirësimin e situatës. Shtypi raporton se humbjet financiare të shkaktuara nga vëllimi i ulët i shitjeve nga industria e Kosovës në përgjithësi kanë tejkaluar humbjet për të gjithë vitin 1980. Humbjet industriale të tremujorit të parë kanë arritur në 42.4 milionë dollarë kundrejt shifrës 57 milionë dollarë për të gjithë vitin 1980. Të gjitha këto humbje nevojitet të zëvendësohen, kështu që financimi pasues e rrit barrën e borxhit dhe i pengon firmat që ndonjëherë të rimarrin përfitimet e tyre pa shuar borxhet nga institucionet huadhënëse federative.

Mbi 920 projekte janë në zhvillim e sipër në Kosovë. Jugosllavia ka investuar mbi 2 biliardë dollarë në këtë krahinë që prej vitit 1976, 56% nga fondi federal për zhvillim, dhe do të shpenzojë një shumë tjetër prej 3-5 miliardë dollarësh deri në vitin 1986. Pjesa më e madhe e kësaj shume do të nxirret nga fondi federal. Ndihma ndërkombëtare (kryesisht Banka Botërore) mund të rrisë këtë shifër me një shtesë prej 2 miliardë dollarësh. Fatkeqësisht, pothuajse çdo projekt në Kosovë ofron deri më sot një normë të ulët fitimi. Projektet kanë filluar vitin e kaluar dhe ende të papërfunduara vlerësohen në masën 2 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e investimeve për periudhën 1975-1980 i kaluan disa projekteve të mëdha me kosto të lartë të cilat i kanë shkelur të gjitha afatet e parashikuara ose ndryshe, janë të vonuara. Pjesa më e madhe e fondeve për planin e mëparshëm kaloi në zhvillimin e qymyrit, plumbit, zinkut, nikelit, sistemin në shkallë të gjerë të ujitjes në sektorin bujqësor plus industritë bazë kimike dhe të përpunimit të metalit. Këto janë industri që kërkojnë shuma të mëdha kapitali, kryesisht të ngritura me kosto të lartë, potencial të ulët punësimi dhe gjithashtu potenciale të ulëta fitimi. Shpesh, as stafet menaxheriale dhe as ato teknike nuk janë të mjaftueshme për detyrat e kërkuara. Rezultatet janë produktiviteti i ulët dhe kostot e larta në çdo moment. Raportet e tremujorit të parë tregojnë se 210 organizata pune të Kosovës (të cilat kanë punësuar 42,000 persona) ishin në borxhe. Një gazetë së fundmi ka paraqitur në mënyrë të përmbledhur “arsyet subjektive” në vijim për zhvillimin e ngadaltë të krahinës: shfrytëzimi i pamjaftueshëm i kapaciteteve ekzistuese, dështimet e shpeshta në kapacitete, organizimi i dobët i punës dhe produktiviteti i ulët i punës si dhe gabimet në politikat e investimit. Ndërkohë që shumë nga këto industri bazohen në burime të pasura minerale lokale, një numër i tyre janë ekonomikisht të pajustifikueshme, që nuk bazohen as në aftësitë lokale dhe as në burimet lokale.

Sektori i socializuar i ekonomisë së Kosovës përfaqëson 2.7% të ekonomisë së socializuar të Jugosllavisë, por pjesa tjetër e Jugosllavisë vazhdon të furnizojë Kosovën me pothuaj 4% të kapitalit të investimit të vendit. Kjo situatë do të vazhdojë për arsye sociale-politike, megjithëse norma bruto e fitimit të Kosovës në investimin e sektorit te vet të socializuar përbën normën e dytë më të ulët të vendit në masën 74%. Mali i Zi që ka normën 58% është më keq, por kjo pasqyron vonesat e rindërtimit nga tërmeti dhe një nivel ende të konsiderueshëm dëmesh. Mesatarja e vendit është 92.6%. Përveç humbjeve të drejtpërdrejta për shkak të trazirave prej së paku 2 milionë dollarësh (kompania më e madhe e sigurimeve të krahinës ka kryer 250,000 dollarë të kërkesave), plus kostot e shërbimeve shtesë publike, republika po humbet prej muajsh të ardhurat nga turizmi meqenëse vizitorët e huaj nuk lejohen që të kalojnë aty apo që të vizitojnë vendin. Të paktën një firmë e huaj është vonuar në vajtjen e inxhinierëve të vet aty për të instaluar disa pajisje thelbësore në një fabrikë të madhe. Ministria e Jashtme ka nxjerrë një kërkesë që të gjitha udhëtimet e të huajve në Krahinë duhet të miratohen nga Sekretariati Federal i Punëve të Jashtme (SFPJ), kërkesë e cila është nxjerrë në fillim të trazirave dhe nuk është hequr ende. Ndërprerjet e punëve përbëjnë një tjetër faktor të kushtueshëm që duhet llogaritur kur nxirren të dhënat. Aktualisht të dhënat janë kontradiktore dhe bëjnë që llogaritjet e kostove të përgjithshme të tingëllojnë të pamundura. Është e panevojshme të thuhet që humbjet do të jenë të rënda. Sipas të gjitha gjasave, nuk mund të bëhet asgjë për të shpëtuar të ardhurat e këtij viti për Republikën. Do të duhet të kalojë një periudhë së paku tetor-nëntor para se të vihen në funksion programet e rishikuara për fabrikat, programet e zhvillimit dhe sistemit arsimor. Siç vihet në dukje më lart, po rikonceptohet i gjithë programi i zhvillimit. Republikat e tjera hezitojnë që të përfshijnë veten dhe kompanitë e tyre në Kosovë. Ato kanë marrë tashmë një afat për paraqitjen e propozimeve konkrete për investimet e tyre të premtuara në Kosovë. Edhe nëse ky afat respektohet, hezitimi i përgjithshëm për të zhvilluar projektet do ta bëjë të pamundur një përpjekje të tillë. Monitorimi i vazhdueshëm do të jetë kusht i domosdoshëm për sukses, por deri më sot nuk ka pasur përpjekje për një gjë të tillë në Kosovë.

Benson

 74-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery Esq Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                         Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                               28 korrik 1981

I nderuar Alan,

Kosova: situata e sigurisë

Përmbledhje

  1. Ka të dhëna se situata e sigurisë po qetësohet në qytetet kryesore të Kosovës dhe turistët po lejohen që të shkojnë në Kosovë në grupe të organizuara. Por në fshat dhe së fundmi në qytetet e zonave me popullsi shqiptare të Maqedonisë Perëndimore, ka të dhëna për vazhdimin e tensionit dhe incidenteve serioze.

Detaje

  1. Bashkangjitur po ju dërgoj një raport të amerikanëve mbi katër dëshmi të drejtpërdrejta për situatën në Kosovë. Dëshmia e parë, e dhënë nga një ushtar i ri i cili kishte shkuar me leje nga njësia e tij jashtë Prishtinës, jep një pamje grafike të vazhdimit të dhunës dhe antagonizmit ndërkomunal. Dëshmia e dytë e dhënë nga një arkeolog serb, i cili kohët e fundit punonte afër Prishtinës, përshkruan padepërtueshmërinë në rrjetin e sigurisë. Gjithashtu, dëshmia e tretë dhe e katërt e dhënë respektivisht nga një student serb dhe një shqiptar, pasqyron atmosferën në Universitetin e Prishtinës.
  2. As ne dhe as amerikanët nuk kemi ndonjë provë të fortë për të mbështetur historinë e ushtarit mbi “masakrat” apo vrasjet e përditshme. Me rifillimin e vitit shkollor në universitet në shtator pritet që një numër i konsiderueshëm rekrutësh të kthehen nga shërbimi i tyre ushtarak në Kosovë dhe ky informacion mund të verifikohet. Ndërkohë unë po e raportoj atë vetëm si një të vërtetë të mundshme.
  3. Dëshmitë e tjera tingëllojnë të vërteta, me përjashtim të faktit që pikëpamja e arkeologut mbi frymëzimin kryesisht të jashtëm të demonstratave, nuk është mbështetur deri tani me prova të tjera.
  4. Raportet e shtypit dhe televizionit mbi vazhdimin e atmosferës së tensionuar në disa pjesë të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore, janë konfirmuar nga dy zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së këtu, të cilët morën leje të shkonin me makinë më 24 korrik nga Maqedonia në Mal të Zi për një punë konsullore përmes një rruge posaçërisht të përcaktuar që nuk lejonte ndalesa natën në Kosovë. Ata dëshmuan në Tetovë mbajtjen në shkallë të gjerë të qeleshes së bardhë kombëtare shqiptare si një demonstrim i qartë i kombësisë. Në qendër të Tetovës të cilën ata e përshkruan si një “kamp i armatosur”, ishin thyer xhamat e Qendrës së Forcave të Armatosura dhe kudo përreth kishte roje të armatosura rëndë, përfshirë praninë e tyre në çati dhe në barrikada. Qyteti patrullohej nga grupe të milicisë së armatosur dhe milicia ishte vendosur në çdo pikë furnizimi me karburant. Kishte pika kontrolli të milicisë në hyrje të Kosovës nga Maqedonia dhe në dalje të Kosovës për në Mal të Zi, por nuk ishin bërë kontrolle në hyrje të qytetit në Ferizaj, Deçan, Pejë ose Gjakovë. Megjithatë, në të gjitha vendet kishte milicë të armatosur që patrullonin. Ata ishin sidomos të dallueshëm në Deçan. Në Ferizaj ata panë milicë të armatosur që udhëtonin në autobusë.
  5. Kundrejt kësaj situate, kemi provat e Xhavit Nimanit në fjalimin e dorëheqjes së tij (letra ime e datës 21 korrik jo për të gjithë) se situata ishte qetësuar mjaftueshëm që ai të tërhiqej. Për më tepër, ishte njoftuar më 23 korrik nga Shoqata Turistike e Kosovës se lejoheshin turistët dhe vizitat e organizuara në Kosovë. Që atëherë na është konfirmuar nga Drejtoria Konsullore e Sekretariatit të Huaj se lejohen udhëtimet e organizuara por se kjo përbën të vetmin lehtësim, d.m.th. vizitat nga turistët, biznesmenët dhe diplomantët individualë nuk lejohen përveç se kur jepet leje e mëparshme e veçantë. Për më tepër, shtypi ka raportuar se janë rihapur kinematë dhe teatrot në qytetet kryesore, por se janë ende të ndaluara tubime të mëdha publike, të tilla si ndeshjet e futbollit. Gjithashtu, është njoftuar në shtyp më 27 korrik se në Mitrovicë, skena e trazirave të hershme, ishte propozuar që t’i jepej fund gjendjes së jashtëzakonshme meqenëse aty nuk kishte më “eksese“. Raporti i shtypit iu referua përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme në pesë komuna të tjera (pa emër).

                                                                                                                                     I Juaji,

  1. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

Zyrës së Kancelarit në Uashington

UKDEL NATO

 

-75-

Konfidenciale

 

Beograd A – 111

 

Një ushtar i ri. Një ushtar i ri, i cili është kthyer në shtëpi me leje nga njësia e tij aktualisht me detyrë për të ruajtur një objekt të “komunikimeve ushtarake“ rreth 30 km nga Prishtina, solli disa të dhëna interesante mbi situatën e sigurisë në qytet dhe përreth tij si dhe mbi rolin e JNA-së aty. Sipas këtij kontakti, njësia e tij kufitare e ruajtjes ishte transferuar me nxitim me detyrë në Kosovë rreth dy muaj e gjysmë më parë. Njësia ishte vendosur në Varazdin në verilindje të Kroacisë, por në fund të prillit u zhvendos në Rijeka, ku, sipas burimit tonë, njësia mori armë të tjera, uniforma dhe pajisje të tjera si dhe stërvitje të papërcaktuar. Njësia kaloi dy javë në Rijeka, ku menjëherë më pas u transferua direkt në Kosovë. Gjatë dy muajve të ardhshëm njësia i kërkoi ushtarëve që të ruanin objekte të rëndësishme qeveritare të komunikimit (ai tha të tilla si, Radio TV e Prishtinës, zyra postare etj.) në Prishtinë dhe objekte ushtarake jashtë qytetit.

Ushtari i rojës kufitare foli në detaje mbi situatën e fundit dhe aktuale të sigurisë në Prishtinë dhe përreth saj. Ai raportoi se ekziston një tension i tmerrshëm, megjithëse është qetësuar disi gjatë javëve të fundit. Shqiptarët, veçanërisht rinia, janë haptazi armiqësorë ndaj serbëve dhe malazezëve si dhe ndaj anëtarëve të forcave të sigurisë. Armiqësia shqiptare shprehet në mënyra konkrete që përfshijnë të qëlluarit e policëve dhe ushtarëve nga pritat, sulmet individuale ndaj anëtarëve të policisë dhe JNA-së, si dhe gjuajtja me gurë nga grupe të rinjsh, dhe veprime të tjera provokative të tilla si pështymja dhe përdorimi i gjuhës blasfemike. Duke komentuar më tej mbi përdorimin e dhunës, ai pretendoi se deri vetëm pak javë më parë të qëlluarit nga pritat nuk ishte diçka e pazakontë në vetë qytetin e Prishtinës, por se ndërkohë që policia e kishte shtrënguar kontrollin e saj në qytet, të qëlluarit nga pritat pothuajse ishte zhdukur. Gjithsesi, ai shtoi se snajperët kanë mbetur aktivë në fshat dhe përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm për forcat e sigurisë. Ai vetë shprehu shqetësim të konsiderueshëm dhe frikë duke qenë se duhej të kthehej në njësinë e tij pas pak ditësh; ai është veçanërisht nervoz për faktin se i ka mbetur vetëm një muaj për të kryer në shërbimin ushtarak. Kontakti ynë vuri në dukje gjithashtu se trupat që ruajnë ndërtesat dhe objekte të tjera janë sulmuar nga shqiptarët që përdornin thika, veçanërisht natën. Sulme të tilla ndodhin më shpesh në zonat rurale; ai theksoi se detyra e shërbimit gjatë natës është ajo për të cilën trupat e JNA-së kanë realisht frikë.

I pyetur se çfarë kufizimesh kanë ushtarët në lidhje me përdorimin e armëve të zjarrit, i riu i rojës kufitare u shpreh se ai dhe shokët e tij kanë marrë urdhra të rrepta që të shmangin dhe të injorojnë provokimet dhe të mos, e përsëris, të mos përdornin armët e tyre të zjarrit përveçse kur u rrezikohej jeta. I pyetur për viktimat, ushtari i kalorësisë deklaroi se dy të tretat e ushtarëve vriten aktualisht çdo ditë, shumë prej tyre për shkak të snajperëve. Ai deklaroi se janë vrarë një numër ushtarësh nga njësia e tij dhe shtoi se në përgjithësi është pranuar se në Kosovë kanë vdekur rreth 1,000 njerëz që prej shpërthimit për herë të parë të trazirave atje. Në këtë drejtim, ai raportoi se disa milicë shqiptarë i tërhoqën kolegët e tyre serbë në fazat e hershme të trazirave në Kosovë dhe si rezultat i kësaj vdiqën një numër i caktuar nga të dyja palët.

Në lidhje me rolin e JNA, ai tha se – siç raportohet më lart – trupat ushtarake janë përdorur kryesisht për të ruajtur dhe siguruar objekte të rëndësishme civile dhe ushtarake. Policia – nacionale, lokale dhe “speciale” – ka përgjegjësi reale për ruajtjen e rendit publik. Sidoqoftë, ushtria ka një rol shtesë, atë të ndihmës për policinë – dhe ai vuri theksin në “policinë speciale” – në kryerjen e operacioneve kundër nacionalistëve të dyshuar shqiptarë dhe qendrave terroriste. Sapo zgjidhet një objektiv (fshat, lagje qyteti, etj.), trupat e JNA-së përdoren për rrethimin e tij, ku më pas sillet “policia speciale” shpesh me helikopter në zonat rurale. Burimi ynë pretendoi se në disa raste, kur ishte ndeshur në rezistencë të armatosur apo ishin zbuluar arka me armë, “policia speciale” dhe ushtria (duke përdorur tanke) shkatërronte plotësisht zonën e synuar, duke vrarë banorët e saj, përfshirë gratë dhe fëmijët. Ai pretendoi se disa fshatra shqiptare ishin rrafshuar përtokë në këtë mënyrë megjithëse e pranoi që personalisht nuk kishte marrë pjesë në operacione të tilla.

Sipas këtij burimi, një numër ushtarësh me origjinë shqiptare janë anëtarë të kësaj njësie. Ato kanë mbetur në njësi dhe kanë qenë burimi i “problemeve” për të cilat ushtari i ri refuzoi të fliste. Megjithatë, ai tregoi se në një rast një ushtar shqiptar i kishte thënë (burimit tonë) se po ruante “një plumb për të”. Ushtari i ri vlerësoi se janë rreth 600,000 trupa shtesë të JNA-së si dhe rreth 3,000 trupa kombëtare dhe të “policisë speciale” të caktuara aktualisht me detyrë për Kosovën.

Një arkeolog serb vizitor. Kemi folur gjithashtu me një arkeolog të ri serb i cili kaloi qershorin në Kosovë duke punuar në një “gërmim” afër Manastirit të Graçanicës, rreth 15 km në jug të Prishtinës. Burimi raportoi se situata në atë zonë dhe në vetë qytetin e Prishtinës (ku ai kaloi dy fundjava me miqtë) është “shumë e tensionuar”. Policia e armatosur e ndarë në grupe prej dy dhe tre vetash patrullon rrugët e Prishtinës dhe fshatin me shumicë serbe afër Manastirit të Graçanicës. Policia – nacionale, lokale dhe “speciale” – është “kudo”, theksoi ai. Si në Prishtinë dhe në fshat ata nuk hezitojnë të shpërndajnë qoftë edhe tubimet më të vogla të shqiptarëve. Ai vuri në dukje se në ruajtjen e rendit publik policia nuk është dalluar për kortezi dhe mirësjellje.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, të gjitha vendet e tubimeve publike ishin të mbyllura. Kështu, ai vuri në dukje se nuk kishe çfarë të bëje në Prishtinë përveç se të vizitoje miqtë në apartamentet e tyre dhe të pije e bisedoje me ta. Nuk ishte e sigurt që të qëndroje në rrugët e Prishtinës në mbrëmje dhe për këtë ai nuk lejohej të lëvizte në zonën midis Manastirit dhe fshatit afër pa një eskortë të armatosur në çdo moment të ditës dhe natës. Vetë Manastiri, meqenëse ishte zonë arkeologjike, ruhej gjatë gjithë kohës nga një njësi e vogël e JNA-së që kishte ngritur kampin ushtarak aty pranë. Në lidhje me forcat ushtarake, arkeologu vuri në dukje se pa shumë qarkullim të forcave ushtarake në rrugë dhe një numër të madh automjetesh të blinduara në Prishtinë dhe përreth saj. Sidoqoftë, përshtypja e tij e përgjithshme ishte se forcave ushtarake u ishte caktuar një rol “rezervë”. Ai nuk i ka parë trupat e JNA-së që të kryenin realisht funksione të policisë me përjashtim të plotësimit të stafit në bllokimet e rrugëve. Shumica e trupave ushtarake që ai pa ishte vendosur në periferi të Prishtinës dhe vende të tjera të banuara.

Ne kishim folur me këtë burim përpara nisjes së tij për Kosovë, periudhë në të cilën ai shprehu pikëpamjen se trazirat ishin lokale për nga origjina. Megjithatë, qëndrimi i tij për një muaj ndryshoi plotësisht pikëpamjen e tij. Bazuar në biseda që pati me miqtë në Prishtinë dhe kosovarë të tjerë, ai tani beson me vendosmëri se trazirat janë kryesisht rezultat i frymëzimit të jashtëm. Ai pretendon se ka prova të pakundërshtueshme se demonstratat dhe rezistenca e mëvonshme në përpjekjet për të qetësuar Kosovën ishin të mirorganizuara, të koordinuara dhe të planifikuara që më parë. Ai është personalisht i bindur – siç janë mesa duket miqtë dhe të njohurit e tij në Kosovë – se trazirat janë frymëzuar, mbështetur dhe mbase edhe organizuar nga vetë Shqipëria. Si një njeri i mirarsimuar, meditues i cili mund të përshkruhet më mirë si një person me pikëpamje të moderuara sociale dhe demokratike, i interesuar thellësisht në të kaluarën dhe i cili është në heshtje por thellësisht kritik ndaj sistemit aktual, udhëheqjes së tij e madje Titos, arkeologu flet sot për Kosovën me emocion të madh dhe si një nacionalist i rilindur serb.

Një studente shqiptare nga Prishtina. Kohët e fundit kemi pasur gjithashtu një bisedë të shkurtër me një vajzë të re shqiptare (studente e vitit të tretë në Universitet) e cila vizitonte Beogradin. Ajo është studente në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës ku babai i saj është profesor në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe (ai paguhet 16,000 dinarë në muaj, që është afërsisht dyfishi i mesatares së vendit dhe një pagë e shkëlqyer sipas standardeve të Beogradit). Ky burim hezitoi të fliste për problemin e Kosovës, duke preferuar që të fliste për situatën e saj. Ajo theksoi se kishte kaluar të gjitha testet e “besnikërisë”, duke insistuar në të njëjtën kohë se nuk, e përsëris, nuk është anëtare e LKJ-së. Sidoqoftë, ajo na tregoi se ka një tension të konsiderueshëm në Universitet dhe në vetë qytetin e Prishtinës dhe se policia po bën – sipas mendimit të saj – një hetim të plotë të rrëmujave në Universitet. Në këtë drejtim, ajo tha se çdo student i cili “dyshohet” ose ndryshe konsiderohet “i pabesueshëm”, arrestohet dhe merret në pyetje. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në rastin e saj dhe ajo është lejuar që të japë provimet në qershor megjithëse theksoi se të tjerët nuk u lejuan. Ajo nënkuptoi se ata që nuk ishin lejuar të jepnin provimet nuk do të lejoheshin të riktheheshin në fakultetet e tyre kur Universiteti të rihapej në shtator. Gjithashtu, ajo shtoi se kishte përshtypjen se nuk ishte vendosur ende nëse mësimi dhe leksionet do të mbaheshin në shtator dhe tetor, megjithëse ajo ishte e sigurt se provimet do të jepeshin si zakonisht në atë kohë.

Një studente serbe nga Prishtina. Përfundimisht, një vajzë e re serbe e cila sapo ishte diplomuar nga shkolla e mesme në Prishtinë dhe prindërit dhe mësuesit e së cilës janë prej një kohe të gjatë banorë të këtij qyteti, diskutoi me ne situatën e përgjithshme të kohëve të fundit. Ajo e përshkroi Prishtinën gjatë tre muajve të fundit si shumë të tensionuar dhe të pakëndshme. Ajo kishte pasur në plan të qëndronte në Prishtinë dhe të ndiqte universitetin aty, por trazirat e fundit e kishin nxitur që të largohej. Ajo është në Beograd për t’u regjistruar në universitet këtu, dhe nuk ka në plan të kthehet në Kosovë përgjithmonë. Demonstratat dhe “provokimet” të ndërmarra vazhdimisht nga shqiptarët, veçanërisht të rinjtë e moshës së shkollës së mesme dhe të rinjtë, e shqetësonin atë. Në këtë drejtim, ajo vuri në dukje se prej vitesh kishte dëgjuar prindërit e saj që flisnin me shumë neveri për trazirat e vitit 1968, ngjarje të cilat ajo tha se nuk mund t’i besonte deri kur ajo vetë të ishte personalisht dëshmitare e ngjarjeve që po ndodhnin në Prishtinë që në mars. Në përfundim, ajo vërejti se forcat e policisë dhe ato ushtarake kishin qenë shumë të kufizuara në trajtimin e tyre ndaj shqiptarëve, ku në shumicën e rasteve refuzonin që të ngacmoheshin nga sjellje provokative, duke përfshirë edhe disa raste të gjuajtjes me gurë.

                                                                                                                                   Benson

  

-76-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                       Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                         Beograd                           

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                              28 korrik 1981

 

I nderuar Charles,

Kosova: emigrimi i serbëve dhe malazezëve

Përmbledhje

  1. Në nivel zyrtar, është rritur shqetësimi për emigrimin e serbëve dhe malazezëve nga Kosova dhe për këtë është ngritur një komision hetimor. Megjithatë, deri tani nuk është bërë pothuajse asnjë progres në analizimin e shkaqeve të këtij emigrimi e aq më pak në marrjen e masave për ta parandaluar atë. Implikimet e ndryshimeve të shpejta demografike në Kosovë dhe përreth saj mbeten shqetësuese.

Detaje

  1. Në letrën time për ju të datës 17 qershor përshkruhet shqetësimi zyrtar për shkallën e emigrimit të serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Më 14 korrik, Kuvendi i Kosovës caktoi një Komision prej 16 anëtarësh për të hetuar sa më shpejt shkaqet e kësaj lëvizjeje dhe për t‘i raportuar ato. Gazeta “Politika” e datës 27 dhe 28 korrik kishte dy ngjarje ku përshkruheshin vështirësitë që po kalon Komisioni në ndjekjen e këtij ekzaminimi.
  2. Problemi i përgjithshëm i emigrimit nuk është nënvlerësuar nga autoritetet e Kosovës. Në mbledhjen e Komisionit më 24 korrik, Dushan Ristiç, kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se “emigrimi i serbëve dhe malazezëve nga Kosova përfaqëson një prej çështjeve më të rënda politike që kemi ndeshur në ndërtimin e shoqërisë sonë vetëmenaxhuese socialiste”. Sidoqoftë, duket se që prej demonstratave të marsit dhe prillit është rritur numri i njerëzve që aplikojnë për dokumentacionin e rregullt në pritje për t’u larguar nga Krahina; vetëm në Prishtinë dhe Mitrovicë rreth 800 njerëz ishin aktualisht në procesin e largimit dhe 300 ishin larguar realisht nga Mitrovica që prej demonstratave, por nuk dihej vendndodhja e tyre. Megjithatë, siç e bëjnë të qartë raportet e gazetës “Politika” përpjekjet për të zbuluar shtrirjen e përgjithshme të emigrimit dhe për të identifikuar shkaqet e “presionit” deri tani kanë qenë tepër të pasuksesshme. Të gjitha komunitetet lokale dhe organizatat bazë të punës në Kosovë, është kërkuar që të raportojnë deri më 15 korrik se kur dhe pse personat kanë emigruar, por edhe dy javë pas afatit të dhënë duket se nuk është bërë asnjë raport i vetëm. Pjesa më e madhe (por jo të gjitha) e komunave kanë ngritur së paku komitete për të shqyrtuar problemin dhe për të studiuar kërkesat e reja për emigrim.
  3. Gjithsesi, siç edhe demonstruan disa nga diskutimet e Komisionit më 27 korrik, do të jetë shumë e vështirë në mos e pamundur që Komisioni të vlerësojë tablonë e përgjithshme në lidhje me emigrimin. U zbulua se 2,750 njerëz ishin larguar nga Ferizaj gjatë dekadës së fundit, por që nuk ishin përcaktuar arsyet e tyre. 600 njerëz ishin larguar nga Suhareka por (supozohej si e pamundur) asnjë prej tyre nuk e kishte bërë këtë për shkak të presionit. U paraqitën analiza të tjera lokale. Megjithatë, raporti i gazetës “Politika” e bëri të qartë se informacionet e përftuara deri tani ishin të fragmentuara dhe jo të besueshme. Një gjë e tillë nuk është shumë e çuditshme, duke marrë parasysh mungesën e prakticitetit në ndjekjen dhe marrjen në pyetje të njerëzve që ishin larguar nga Krahina dhe hezitimin e kuptueshëm të disa prej atyre që ishin në proces largimi për të bërë akuza të cilat mund të merreshin si “nacionaliste”. Për më tepër, siç citohej në ekstraktin e marrë nga “NIN” (shkresa ime e referuar), “presioni” mund të marrë një larmi formash delikate ose jo aq delikate; kështu, mundësitë që Komisioni të jetë në gjendje të përpilojë analiza të hollësishme janë, për të mos thënë aspak, të pakta. Me gjithë vërejtjen e Husein Prekazit, kryetar i Komisionit, se nuk duhet nxituar në përgatitjen e konstatimeve pasi shkaqet ishin komplekse dhe spekulimi për këtë “çështje delikate” kërkonte përgjigje të kujdesshme, vetë Kuvendi i Kosovës duhet të shqyrtojë problemin e emigrimit në tetor dhe të ofrojë “një përgjigje të plotë”.
  4. Rastësisht, në diskutimet e raportuara disa folës tërhoqën vëmendjen në efektet e dëmshme që sjell për ekonominë e Kosovës emigrimi i teknikëve dhe punëtorëve të kualifikuar. Punëtorët serbë që aplikonin për vende pune ishin refuzuar vetëm për arsye gjuhësore. Largimi i ekspertëve dhe teknikëve është përshkruar si një “humbje e pariparueshme”.

Komente

  1. Edhe nëse eventualisht përcaktohet se pas shumë shkaqeve të emigrimit të serbëve dhe malazezëve nga Kosova është “presioni”, nuk mund të bëhet shumë në klimën aktuale politike në këtë Krahinë për të ndaluar largime të tjera ose në të vërtetë, për të ndryshuar trendin. Praktikisht, do të ishte shumë e zorshme që njerëzit të parandalohen fizikisht për të mos u larguar nëse jeta për ta është bërë e patolerueshme në Kosovë; megjithatë deri tani nuk ka pasur sugjerime të ndjeshme për trajtimin e akteve të shumta të vogla të vandalizmit apo kërcënimeve anonime që mesa duket vazhdojnë (shpesh të kryera nga fëmijët). Ndërkohë, ndryshimet thelbësore demografike po vazhdojnë me ritme të shpejta. Siç përmendet në letrën time për ju, dërguar javën e kaluar, mbi ngjarjet nacionaliste në Maqedoni (paragrafi 2), kohët e fundit ka pasur një lëvizje të konsiderueshme të shqiptarëve nga Kosova për në krahinën e Tetovës. Deri kur të marrim statistika më të plota të popullsisë nga Censusi, nuk mund të dallojmë se deri në çfarë mase kanë qenë të ngjashme ndryshimet gjetkë në Maqedoninë Perëndimore dhe Serbinë Jugore, por është e sigurt të supozojmë se balanca e popullsisë në këto pjesë të Jugosllavisë po zhvendoset mjaft shpejt për shkak të normave të ndryshme të lindjes dhe lëvizjes reale të popullsisë. Kushdo do të pyeste nëse rregullimet aktuale kushtetuese do të jenë në gjendje që t’i qëndrojnë tensioneve afatgjata që këto zhvillime paralajmërojnë.

                                                                                                                                     I Juaji,
C. G. Crawford

 

 

-77-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                     Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                       Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                             28 korrik 1981

I nderuar Charles,

Kosova: Universiteti i Prishtinës

Përmbledhje

  1. Autoritetet e Universitetit të Prishtinës kanë trajtuar gjatë dy muajve të fundit shumë probleme aty. Janë mbajtur mbledhje të shumta në mes fakulteteve dhe disa profesorë janë pushuar. Janë identifikuar praktika të mësimdhënies rastësore. Është ndërprerë bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës. Komunitetet lokale janë bërë përgjegjëse për studentët e tyre. Gjithashtu, janë përmirësuar objektet e studentëve. Rifillimi i studimit në tetor do të jetë një test i rëndësishëm për kontrollin e përgjithshëm të autoriteteve në Kosovë.

Detaje

  1. Në letrën time për ju të datës 10 qershor (paragrafët 4-8), është identifikuar shtrirja e vështirësive me të cilat përballet Universiteti gjigant në Prishtinë dhe më pas kam raportuar emërimin e rektorit të ri (letra ime për ju e datës 15 korrik, paragrafi 6). Gjatë qershorit dhe korrikut autoritetet krahinore dhe të Universitetit janë marrë shumë me identifikimin e abuzimeve dhe përgatitjet për vitin e ri shkollor; gjithashtu, në një konferencë për shtyp më 27 korrik Rektori i ri, dr. Minir Dushi, vlerësoi progresin e bërë deri tani (përmbledhja ime ndalet në raportet e gazetës së sotme “Politika” dhe “Borba”).

Praktikat e dobëta të mësimdhënies dhe përjashtimet nga LKK-ja.

  1. Dr. Dushi raportoi se aktiviteti politik i kohëve të fundit në Universitetin e Prishtinës ka qenë “i gjallë”, me mbledhje pothuajse të përditshme në të gjitha fakultetet e ndryshme për të trajtuar problemet individuale në lidhje me çështje të tilla si politika e kuadrove, bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, bursat dhe tekstet shkollore. Është zbuluar një shumëllojshmëri e praktikave të këqija të mësimdhënies; në veçanti, lektorët as që janë shqetësuar për t’u paraqitur në leksione dhe në vend të tyre kanë dhënë periudha përsëritjeje. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen. Akoma më keq, disa lektorë kanë ofruar ide nacionaliste në klasat e tyre (për të mos përmendur “historicizmin dhe romanticizmin kombëtar”) dhe në këtë drejtim dy profesorë janë pushuar dhe përjashtuar nga LKK-ja, ndërkohë që është përjashtuar gjithashtu edhe sekretari lokal i LK-së së Organizatës së Rinisë. Aktualisht është vënë në dispozicion një shifër e saktë e popullsisë së studentëve (letra ime e datës 10 qershor, paragrafi 5): 28,608 studentë ishin regjistruar aktualisht në nivelet e ulëta apo të larta (siç do të kujtoni, vlerësimet e mëparshme të popullsisë së përgjithshme studentore ishin shumë më të larta – kjo shifër e re mund të heqë studentët me kohë të pjesshme).
  2. Më 24 qershor gazeta “Politika” ka raportuar diskutimet e Këshillit të Universitetit, të datës 23, qershor ku u zbulua se gjatë vitit të fundit ishin larguar nga universiteti 64 mësues dhe asistentë serbë dhe malazezë (nga stafi i përgjithshëm mësimdhënës prej rreth 1,000 të tillë), megjithëse ishte pohuar se asnjë prej tyre nuk ishte larguar për shkak të “presionit”. Gjithashtu, ishin punësuar lektorë të pakualifikuar. Është rekomanduar që vendet e stafit mësimdhënës të shpalleshin në shtypin kombëtar në vend që të paraqiteshin vetëm në Kosovë. Ndërkohë që thuhej se dr. Dushi nuk i ka diskutuar këto pika, ai tha se ishte mjaft e vështirë për të plotësuar vendet e ofruara për studentët për vitin e ardhshëm akademik. Kishte kërkesa veçanërisht të ulëta në lidhje me mësimet e ofruara në gjuhën serbo-kroate për një sërë lëndësh; gjithsesi, “raundi” i dytë i procesit të regjistrimit pritej që të jepte rezultate shumë më të mira në këtë drejtim.

Bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës

  1. Gjatë javëve të fundit gazeta “Politika” kishte një numër të madh artikujsh në lidhje me bashkëpunimin kulturor me Tiranën, normalisht me të dhëna sipas të cilave vërshimi i “bashkëpunimit” nga Shqipëria në Jugosllavi ishte në mënyrë të konsiderueshme më i madh se vërshimi në drejtim të kundërt, dhe më 24 korrik gazeta “Politika” raportoi një mbledhje të Këshillit të përbashkët të universiteteve jugosllave në të cilën Universiteti i Prishtinës u kritikua ashpër sepse lejoi zhvillimin e një marrëdhënieje të njëanshme të papranueshme me Universitetin e Tiranës. Në konferencën e tij për shtyp, dr. Dushi njoftoi se ishte pezulluar bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës deri kur të krijoheshin kushte të reja.

Përgjegjësia e autoriteteve lokale

  1. Siç është raportuar (në letrën time të datës 10 qershor, paragrafi 8), autoritetet lokale janë bërë përgjegjëse për kontrollin e studentëve në krahinën e tyre. Konferenca për shtyp e dr. Dushit zbuloi se ishin dërguar pranë autoriteteve lokale listat e studentëve që ishin akuzuar për kontrollin e sjelljes së studentëve të tyre në demonstrata. Disa komunitete e kishin bërë këtë detyrë me zell, por të tjerat jo. Në një mënyrë a në një tjetër “studentët e kësaj vjeshte të cilët janë të papërshtatshëm moralisht dhe politikisht, nuk do të lejohen të studiojnë. Universiteti ka hartuar kritere të reja për regjistrimin, bursat dhe akomodimin në konvikte. Çdo komunitet do të verifikojë përshtatshmërinë e studentëve të vet”. Gjithashtu, në një mbledhje të Komitetit Krahinor të LKK-së më 25 korrik, u deklarua se “ishin vënë në zbatim shumë forma të ndryshme të punës ideologjiko-politike që përfshinin nxënësit, studentët, prindërit dhe mësuesit” si një kontribut për një vit të ri të suksesshëm akademik.

Kushtet e jetesës së studentëve

  1. Në përfundim, dr. Dushi raportoi se janë marrë masa të ndryshme për përmirësimin e kushteve të jetesës në Universitet. Kishte përfunduar një konvikt i ri për 1,500 studentë dhe konviktet e tjera ishin rinovuar, ishte vënë në efiçencë një radio stacion dhe ishte rritur numri i pajisjeve të shërbimit në mensën e studentëve. Mbetet për t’u parë nëse këto përmirësime do të lehtësojnë mjaftueshëm presionin në fakultetet e Universitetit, veçanërisht në konviktet e mbushura me studentë.

Komente

  1. Nga Beogradi nuk është e lehtë të vlerësohen këto lëvizje që po bëjnë autoritetet e Universitetit për të kapërcyer shpërdorimet e përhapura administrative dhe akademike që janë zhvilluar gjatë viteve 1970. Padyshim do të duhet shumë kohë për të çrrënjosur të gjitha ekseset nacionaliste në një institucion kaq të madh në të cilin, padyshim vazhdojnë rivalitetet gjuhësore dhe kulturore; gjithashtu niveli i bashkëpunimit me përpjekjet “për të diferencuar” dhe promovuar vetëkritikën e rëndësishme ndryshon sipas fakulteteve. Gjithsesi, përmbajtja (dhe toni) e raporteve të shtypit sugjerojnë se rektori i ri po fillon të bëjë përparime dhe se janë në proces përgatitje të shumta me qëllim që rikthimi i studentëve në tetor të mos çojë në trazira të tjera. Meqenëse këto përgatitje përfshijnë jo vetëm Universitetin, por edhe zinxhirin e komandës së Partisë dhe Qeverisë deri në nivel lokal, shtrirja e suksesit të tyre do të na ndihmojë për të vlerësuar se si ka vijuar reagimi i përgjithshëm i autoriteteve të Kosovës ndaj trazirave të marsit dhe prillit.

                                                                                                                                     I Juaji,
C. G. Crawford

-78-

Konfidenciale

J C R Gray Esq                                                                                   Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                     Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                            31 korrik 1981

I nderuari Charles,

Kosova: situata e sigurisë

 

  1. Në letrën time të datës 28 korrik për Alan Montgomery kam përmendur se Ambasada amerikane këtu ka arritur të rregullojë që dy nga nëpunësit e saj konsullorë të kalojnë në Kosovë përmes rrugës nga Maqedonia për në Mal të Zi. Amerikanët më kanë vënë në dispozicion një kopje të raportit të këtyre dy nëpunësve (përshkruar në raport si “Nëpunës i Ambasadës – Emboffs”). Raporti është tejet i gjatë dhe nuk ndryshon pothuaj aspak nga përmbledhja e shkurtër që kam bërë në letrën e përmendur më lart. Sidoqoftë, po ju dërgoj një kopje bashkangjitur kësaj letre në mënyrë që të merrni një tablo të plotë të situatës.

                                                                                                                                 I Juaji,

  1. J. Clark

Raport i nëpunësve të Ambasadës – Emboffs

  1. Përmbledhje/koment i datës 24 korrik; dy punonjës të Ambasadës amerikane bënë vizitën e tyre të parë në Kosovë që prej trazirave të pranverës aty, duke kaluar në Kosovë me makinë personale nga Maqedonia për në Mal të Zi me miratimin e qeverisë. Kalimi ndodhi pa vështirësi dhe nëpunësit e ambasadës ndaluan për një kohë të shkurtër në Prizren, Deçan dhe Pejë. Duket se tani po lejohen kalimet për qëllime turistike: jeta në zonat rurale dukej normale; qytetet ishin të mbushura me aktivitete; megjithatë, prezenca e policisë ishte e madhe, veçanërisht në Ferizaj dhe në Manastirin e vjetër serb të Deçanit. Forcat ushtarake ishin më pak të dukshme. Gjatë vizitave të shkurtra në Tetovë, një qytet i Maqedonisë në kufi me Kosovën, nëpunësit e Ambasadës vunë re tension të konsiderueshëm duke përfshirë shenja të mundshme të trazirave të fundit si dhe një prezencë të madhe të policisë speciale dhe trupave ushtarake.
  2. Përshtypja mbizotëruese e nëpunësve të Ambasadës për Kosovën – mbi bazën e pranueshme sipërfaqësore të kalimit të shpejtë me automobil – është ajo e një vendi të pushtuar. Megjithëse qytetet e Kosovës që duket se gëlojnë nga jeta dhe biznesi janë përsëri në rrëmujë, të habit prezenca e policisë – në rrugët që çojnë në qendrat kryesore, në rrugë, në bashkitë e mëdha dhe qendrat e komunikimit, në monumentet kulturore dhe në transportin publik. Kjo prezencë flet qartë për situatën atje. Mbetet për t’u parë se sa do të vazhdojë kjo situatë më gjatë. Fundi i përmbledhjes dhe komentit.
  3. Nëpunësit e Ambasadës kaluan Kosovën me automjet personal, më 24 korrik, ku kërkesa e tyre për të kaluar ishte pranuar nga qeveria më 21 korrik (telegrami i referuar). Kalimi u bë nga Shkupi, Maqedonia për në Bijelo Polie, Mali i Zi përmes Kaçanikut, Ferizaj, Suharekë, Prizren, Gjakovë, Deçan dhe Pejë. Punonjësit e Ambasadës ndeshën në një postbllok të policisë 8 km në veri të Shkupit para se të hynin në Kosovë. Policia rrugore jugosllave kontrolloi të gjitha automjetet që hynin dhe dilnin. Pas paraqitjes së dokumenteve të SFPJ-së që autorizonin kalimin, policia i lejonte nëpunësit e Ambasadës që të vazhdonin rrugën. Policia ishte jashtëzakonisht e sjellshme. Vlen të përmendet se nuk kishte prezencë ushtarake në këtë pikë apo pika kontrolli që kontrollonin hyrjen në Kosovë nga Mali i Zi që ndodhet 5 km në jug të Bijelo Polie (në Mal të Zi). Policia në këto pika kontrolli mbante vetëm armë brezi. Megjithatë, nëpunësit e Ambasadës vunë re se forca të policisë speciale të armatosura me armë automatik ishin vendosur në pikat e rrugëve që çonin në kalimin e komuniteteve më të mëdha, d.m.th. Ferizaj, Prizren, Suharekë etj., megjithëse këto forca policie nuk u panë se ndalonin qarkullimin. Organet e sigurisë jugosllave u dukën të qetë për udhëtimin e nëpunësve të Ambasadës. Nuk u vu re ndonjë mbikëqyrje e tyre, me gjithë kalimin nëpër disa zona – të tilla si Ferizaj – e cila sipas raportimit të shtypit jugosllav, shfaq ende probleme.
  4. Aktualisht duket se po lejohet kalimi për qëllime turistike pa shoqërues në Kosovë, pa lejen e policisë (udhëtimet zyrtare ende kërkojnë leje). Siç raportohet në telegramin e referuar, më 23 korrik u njoftua se tashmë lejohet “turizmi i organizuar” (d.m.th. turnetë) për në Kosovë. Gjatë kalimit të tyre gjashtorësh, nëpunësit e Ambasadës vunë re se rreth 100 makina të huaja – afërsisht 70% e tyre ishin të Gjermanisë Perëndimore. Shumë prej tyre, ndoshta një e treta, duket se i përkisnin punëtorëve sezonalë (gastarbeiters) që ktheheshin nga punët verore për në Kosovë. Në lidhje me udhëtimet turistike, drejtori i qendrës kulturore amerikane në Shkup, shprehet se është në dijeni të faktit që disa turistë amerikanë kanë kaluar Kosovën gjatë dy javëve të fundit dhe që një grup amerikan i valles popullore ka marrë lejen për të udhëtuar nga Kosova për në Mal të Zi, më 18 korrik. Përpara se të bëhej udhëtimi duheshin marrë dokumentet përkatëse nga policia. Nëpunësit e Ambasadës pyetën gjithashtu në agjencinë e udhëtimit në Titograd, më 26 korrik, për mundësinë e një udhëtimi të huaj turistik për në Kosovë. Atyre iu tha se turistët e huaj lejoheshin aktualisht të kalonin në Kosovë duke përfshirë rrugën përmes Prishtinës për në Maqedoni dhe se kjo mund të realizohej pa marrë më përpara “dozvola” (leje) nga policia.
  5. Kosova rurale. Fshati i parë nga rruga jep përshtypjen se jeta është relativisht normale aty. Nëpunësit e Ambasadës panë shumë njerëz që punonin në fusha dhe kujdeseshin për kafshët e fermave. Disa kultura janë duke u korrur. Fshatrat janë plot jetë; në disa prej tyre, tregjet fshatare ishin të mbushura me banorë lokalë dhe prezenca e forcave të sigurisë përfaqësohej zakonisht vetëm nga një polic. Në fshatrat shqiptare, u vu re se policët ishin shqiptarë.
  6. Aktiviteti ekonomik. Edhe qytetet në të cilët kaluan punonjësit e Ambasadës dukej se kishin shumë gjallëri. Restorantet, kafenetë dhe mëngjesoret ishin të hapura në çdo lokal, përfshirë Ferizaj. Për shembull, nëpunësit e Ambasadës hëngrën drekën në një lokal të vogël në Prizren dhe kaluan pranë disa lokaleve të tjera të cilat po ashtu zhvillonin biznes aktiv. Bisedat me vendasit në Prizren dhe Pejë treguan se kinematë ishin hapur përsëri. Po kështu, ndërmarrjet e mëdha industriale dukeshin se funksionin dhe nëpunësit e Ambasadës vunë re vazhdimin e ndërtimit të disa komplekseve shumë të mëdha industriale, veçanërisht afër Suharekës.
  7. Situata e sigurisë. Në përgjithësi ka një prezencë të shumtë të policisë në këtë pjesë të Kosovës megjithëse madhësia e saj ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Për shembull, në Ferizaj policia speciale e armatosur me armë të tipit AR kontrollon hyrjen për në qytet dhe patrullon rrugët e qytetit në grupe që përbëhen prej dy dhe tre vetash. Në mënyrë të ngjashme policia speciale e armatosur me armë të tipit AR apo mitralozë, ruan zyrën postare të qytetit, stacionin e energjisë elektrike dhe një institucion të paidentifikuar në qendër të qytetit. Në periferi të qytetit, ndërtesa e re e bashkisë është rrethuar nga tela me gjemba dhe shihen bunkerë të ndërtuar prej thasësh me rërë. Ushtarët e JNA-së që mbajnë helmeta dhe armë të tipit AR ruajnë sigurinë e kësaj ndërtese. Përveç kësaj, nëpunësit e Ambasadës panë një transportues të blinduar që dallohej nga ngjyrat e policisë speciale dhe disa kamionë të mëdhenj ushtarakë të parkuar në kompleksin e ndërtesës.
  8. Në përgjithësi, nëpunësit e Ambasadës dalluan një model të aktivitetit të policisë: policia speciale që mbante armë të tipit AR ishte vendosur në ruajtje të zyrave postare, ndërtesave të qeverisë bashkiake, stacioneve të energjisë elektrike, stacioneve hekurudhore dhe të autobusëve dhe ndonjëherë të ndërmarrjeve industriale (nëpunësit e Ambasadës vunë re masa të ngjashme sigurie në Mal të Zi, Ivangrad dhe Rozhajë). Gjithashtu, në komunitetet më të mëdha policia speciale dhe lokale patrullonte rrugët në grupe prej dy vetash. Në Pejë, disa mbanin mitralozë; në vendet e tjera të vizituara, nëpunësit e Ambasadës vunë re se si policia lokale dhe ajo speciale mbanin vetëm armë brezi dhe shkopinj. Në Prizren milicia lokale që mbante vetëm armë brezi patrullonte shumë rrugët me automjete dhe në këmbë. Aty, dukej se milicia kontrollonte gjithashtu edhe vendet e tubimeve publike: ndërkohë që nëpunësit e Ambasadës hëngrën drekë në një lokal të vogël, një milic hyri dhe kontrolloi nga afër të pranishmit në mëngjesore. Por në shumë fshatra, veçanërisht në ato që dukeshin se ishin shqiptare, shpesh policia nuk ishte e dukshme. Megjithatë, në fshat nëpunësit e Ambasadës panë policë që hipnin në autobusët lokalë dhe autobusët ndërmjet qyteteve, veçanërisht në rrugën midis Ferizaj dhe Prizrenit.
  9. Policia speciale është vënë gjithashtu për të ruajtur monumentet kulturore. Në Manastirin serb të Deçanit që është në gjysmë të rrugës midis Prizrenit dhe Pejës, ishin në shërbim forca të policisë speciale që mbanin mitralozë. Përveç kësaj, nëpunësit e Ambasadës vunë re ushtarë të JNA-së, të armatosur rëndë me veshje lufte që patrullonin rrugën pranë këtij Manastiri (i cili është afër kufirit me Shqipërinë). Ndërkohë që nëpunësit e Ambasadës vizituan Manastirin, një grup prej gjashtë ushtarësh të armatosur rëndë dhe me helmeta kaluan në zonën përreth Manastirit. Në të kundërt, në Patriarkanën e vjetër Ortodokse Serbe në Pejë, patrullonin vetëm policë të forcave speciale të armatosur rëndë dhe nuk shihej asnjë ushtarak.
  10. Prania ushtarake. Në pjesën jugore dhe perëndimore të Kosovës ka prezencë ushtarake, por kjo prezencë nuk duket se është aq e madhe. Nëpunësit e Ambasadës panë një automjet ushtarak të rastit në rrugë, një autokolonë të vogël që përbëhej ndoshta nga një njësi komunikimesh midis Suharekës dhe Ferizaj dhe disa grupe ushtarësh të paarmatosur që shëtisnin në Prizren dhe Pejë. Garnizonet ushtarake në këto qytete duket se ishin relativisht të boshatisura. Në këtë drejtim, një maqedonas nga Bitola i tha nëpunësve të Ambasadës se njësia e djalit të tij, e cila ishte transferuar nga Bitola në Prizren menjëherë pas shpërthimit të trazirave aty, ishte zhvendosur më pas në Prishtinë dy muaj më parë.
  11. Duke gjykuar nga prezenca e ushtrisë në Deçan, JNA-ja kishte një rol sigurie në këtë pjesë të Kosovës. Sidoqoftë, në përgjithësi duket se forcat e policisë speciale dhe lokale janë përgjegjëse për ruajtjen e rendit publik, veçanërisht në qytete ku ushtria mesa duket do të vihet në dispozicion për të ofruar çdo lloj mbështetjeje që mund të jetë e nevojshme si dhe për të garantuar sigurinë e monumenteve kulturore të rëndësishme serbe dhe ndoshta për të patrulluar fshatin.
  12. Maqedonia. Duket se ka tension në rritje midis shqiptarëve dhe maqedonasve në zonën e Tetovës dhe Shkupit. Nëpunësit e Ambasadës kaluan më 22 dhe 23 korrik në Maqedoninë perëndimore dhe vunë re armiqësi të konsiderueshme kundër shqiptarëve në mesin e një numri të madh maqedonasish që ata takuan: nga një person i kontaktuar, atyre iu tha se “nëse ata (shqiptarët) duan luftën, ne do t’ua japim”. Një person tjetër u tha se “e vetmja gjë e mirë e krijuar nga shqiptarët është marka Skënderbeg”. Për më tepër, duket se policia maqedonase po merr masa të forta për të prapësuar aktivizmin shqiptar dhe për të kontrolluar lëvizjen e shqiptarëve me qëllimin e qartë për të kufizuar “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar” në këtë pjesë të Maqedonisë, veçanërisht në Tetovë. Në Shkup, një e njohur studente australiane e cila ka shumë lidhje me komunitetin lokal shqiptar tha se kishte parë mbrëmjeve shtimin e kontrolleve të identifikimit nga ana e policisë në Shkup me synimin për të zbuluar shqiptarët jorezidentë. Ajo gjithashtu u tregoi nëpunësve të Ambasadës se kishte qenë personalisht dëshmitare kur shqiptarët i kishin ulur nga autobusët që udhëtonin për në Maqedoninë Lindore. Të njohurit shqiptarë të nëpunësve të Ambasadës hezitonin të diskutonin mbi situatën e tyre në Shkup, por treguan se shqiptarët ishin më mirë ekonomikisht tani në Kosovë sesa në kryeqytetin e Maqedonisë.
  13. Qyteti i Tetovës, në veriperëndim të Shkupit dhe afër Kosovës, dukej veçanërisht i tensionuar. Tetova është një qytet ku më së shumti mbizotërojnë shqiptarët; ky fakt u bë tejet i qartë për nëpunësit e Ambasadës kur kaluan aty më 22 dhe 23 korrik, pasi në asnjë moment gjatë kalimit të tyre në Kosovë ata nuk vunë re kaq shumë njerëz të të gjitha moshave që mbanin qeleshe të bardhë e cila ishte bërë mënyra kryesore që meshkujt shqiptarë të manifestonin kombësinë e tyre nga njëra anë, dhe nga ana tjetër ishte bërë burim provokimi për nacionalistët serbë dhe maqedonas. Prezenca e policisë në Tetovë ishte e ngjashme me atë të vënë re në qytetet e Kosovës, pra shumë e madhe. Për më tepër, kur nëpunësit e Ambasadës kaluan përmes Tetovës gjatë mbrëmjes së datës 23 korrik, ata dalluan ushtarë të armatosur rëndë me veshje lufte të cilët ruanin (duke përfshirë disa të vendosur në çatinë e ndërtesës) klubin e ushtrisë në qendër të qytetit në dukje të posa fortifikuar (me thasë me rërë); përveç kësaj, nëpunësit e Ambasadës vunë re se pjesa më e madhe e xhamave të klubit ishin thyer, gjë që tregonte se aty kishin ndodhur trazira. Në përfundim, gjatë largimit nga Tetova atë mbrëmje, nëpunësit e Ambasadës ndeshën një pikë kontrolli të milicisë që ishte pikërisht jashtë qytetit në rrugën për në Shkup. Një ditë më parë aty kishte pasur një pikë kontrolli midis dy qyteteve. Policia i kontrolloi të gjithë njerëzit që qarkullonin në të dyja drejtimet, por i lejoi nëpunësit e Ambasadës që të kalonin pasi u panë dokumentet e tyre diplomatike. Koment: treguesit e jashtëm të tensionit në Tetovë sugjerojnë se ekziston mundësia që aty të ketë trazira të tjera të cilat në fakt mund të provokohen nga masat e ashpra të sigurisë të miratuara nga autoritetet maqedonase, të shoqëruara me një valë të madhe të nacionalizmit maqedonas.

                                                                                                                                Benson

-79-

Vetëm për përdorim zyrtar

                                                                                                                Raport analize i FBIS

                                                                                                                                 5 gusht 1981

Zhvendosja e ekuilibrit etnik të Kosovës: Kërcënim i mundshëm për stabilitetin e Jugosllavisë

Hyrje

Aftësia e Jugosllavisë për të ruajtur paqen në mes grupeve të saj të ndryshme etnike është ballafaquar me një test në Kosovë, njëra prej dy “krahinave autonome” në Republikën jugore të Serbisë. Anëtarë të komunitetit shqiptar në krahinë u hodhën në demonstrata në mars dhe prill, duke kërkuar shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe ngritjen e saj në statusin e Republikës. Autoritetet jugosllave hodhën poshtë menjëherë kërkesat e demonstruesve, shtypën trazirat dhe filluan spastrimin e nacionalistëve shqiptarë. Situata në këtë krahinë disa muaj më vonë ka mbetur shqetësuese, dhe nacionalizmi shqiptar vazhdon të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të veta sipas rastit.

Shkaku kryesor i tensionit më të fundit ka qenë epërsia gjithnjë në rritje e shumicës myslimane shqiptare në lidhje me pakicat sllave serbe dhe malazeze në këtë krahinë. Kjo mungesë e ekuilibrit etnik është acaruar në vitet e fundit nga shkalla e lartë e lindshmërisë së shqiptarëve dhe emigrimi i serbëve dhe malazezëve nga krahina – një lëvizje që u përshpejtua pas dëbimit në vitin 1966 të shefit serb të sigurisë, Aleksandër Rankoviq, i cili përfaqësonte vijën e ashpër të Titos. Emigrimi, një temë që prej vitesh ka qenë e ndaluar për diskutim publik në Jugosllavi, është ushqyer nga shqetësimet serbe se vazhdimi i zhvendosjes demografike në favor të shqiptarëve të Kosovës, do të dobësojë edhe më shumë qëndrimin e serbëve në rajon. Shqetësimet e Serbisë duket se janë nxitur nga Shqipëria fqinje, e cila mbështeste haptazi kërkesat e demonstruesve.

Këmbëngulja e Serbisë për të mbajtur Kosovën si Krahinë mund të bëhet e pabazë nëse vazhdon zhvendosja demografike. Vazhdimi i statusit të krahinës ka të ngjarë që të provokojë pakënaqësi të reja dhe trazira në radhët e shqiptarëve të Kosovës. Megjithatë, humbja e Kosovës për Serbinë mund të ketë pasoja negative me ndikim të gjerë për ekuilibrin delikat etnik të Jugosllavisë. Ajo mund të nxisë serbët që të kërkojnë status më të lartë në Republika të tilla, si në Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina, ku bashkëjetojnë popullsi të mëdha serbe me grupe të tjera etnike, dhe përfundimisht mund të shkatërrojë politikën e tolerancës dhe barazisë etnike që e ka mbajtur Jugosllavinë të bashkuar deri më sot.

Ky raport shqyrton evoluimin e statusit aktual të çështjes demografike të pasqyruar në medien jugosllave. Diskutimi publik i kësaj çështjeje tregon se presioni nga serbët në vetë Serbinë dhe në Kosovë ka sjellë lëvizjet e para për të trajtuar çështjen e emigrimit, por se natyra e rrënjosur thellë e problemit dhe hezitimi në radhët e zyrtarëve shqiptarë të Kosovës sjell perspektivën që, në rastin më të mirë, zgjidhja të jetë e pasigurt.

 

-80-

Vetëm për përdorim zyrtar

Raport analize i FBIS

                                                                                                                     5 gusht 1981

Zhvendosja e ekuilibrit etnik të Kosovës: Kërcënim i mundshëm për stabilitetin e Jugosllavisë

Rezultatet e Censusit te vitit 1981

Nga rezultatet paraprake të censusit të viti 1981, të publikuar në maj në medien jugosllave janë konfirmuar treguesit se balanca etnike e Krahinës së Kosovës është zhvendosur gjithnjë e më shumë në favor të shumicës shqiptare. Censusi tregon se popullsia etnike shqiptare në Kosovë është rritur më shumë se 300,000 që prej vitit 1971, duke shkuar nga 916,168 në 1,227,427. Ky fakt përfaqëson një normë vjetore të rritjes prej 3% – një nga më të lartat në Evropë – dhe një rritje të pjesës së shqiptarëve në popullsinë e krahinës nga 73.7% në 77.5%. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i popullsisë etnike serbe ra më shumë se 18,000 nga 228,264 (18.4%) në 209,792 (13.2%). Popullsia malazeze e krahinës, etnikisht e ngjashme me atë serbe, ra gjithashtu, nga 31,555 (2.5%) në 26,875 (1.7%). Kështu, Kosova humbi më shumë se 23,000 serbë dhe malazezë (rënie prej 10%) gjatë dekadës së fundit për shkak të vdekjeve dhe emigrimit.

Ndërkohë që statistikat jugosllave të kombësisë kanë qenë shpesh të debatueshme dhe shifrat e censusit më të fundit nuk përbëjnë përjashtim – për shembull, gazeta e Tiranës “BASHKIMI” ka parashikuar më 10 prill se shqiptarët mund të jenë paraqitur në numër më të vogël se ç’ishin në të vërtetë ndërsa e përditshmja e Shkupit “NOVA MAKEDONIJA” më 15 qershor tha se ata mund të jenë paraqitur në numër më të madh – të dhënat mbi vazhdimin e emigrimit të serbëve dhe malazezëve janë pranuar gjerësisht, veçanërisht në radhët e këtyre dy grupimeve. Gazeta e Kosovës në gjuhën serbo-kroate “JEDINSTVO”, në një artikull të raportuar nga agjencia jugosllave e lajmeve “Tanjug”, më 23 qershor, tha se popullsia serbe dhe malazeze e Bashkisë së Podujevës në verilindje të Kosovës ka rënë rreth tre të katërtat që prej vitit 1961, nga afërsisht 10,000 në 2,860. Po kështu, një raport i Radio Beogradit i datës 25 korrik citonte një zyrtar nga Kosova, i cili tha se kanë emigruar “fshatrat të tërë” me serbë dhe malazezë. Pretendime të tjera serbe dhe malazeze mbi shtrirjen e emigrimit kanë qenë edhe më gjithëpërfshirëse. Në një fjalim përpara Kuvendit jugosllav më 9 qershor, zyrtari malazez Batriq Jovanoviq citoi ekspertët serbë, të cilët pretendonin se Kosova kishte humbur rreth 40% të malazezëve dhe 20 deri në 30% të serbëve të saj gjatë 15 vjetëve që prej largimit të shefit të sigurisë Rankoviq.

Shqetësimi i Republikës Serbe

Zyrtarët serbë kanë shprehur shqetësimin e tyre në rritje mbi zhvendosjen e ekuilibrit etnik të krahinës. Kryeredaktori i Radio Beogradit, Milutin Milenkoviq, theu heshtjen e gjatë publike të Jugosllavisë për çështjen e emigrimit në një koment në radio më 21 prill, ku shprehu shqetësimin për eksodin dhe bëri thirrje që të merren masa për të siguruar se të gjithë jugosllavët mund “të jetojnë dhe punojnë të patrazuar dhe në paqe në çdo pjesë të vendit”. Që atëherë, zyrtarë të lartë të Republikës serbe, së bashku me komentatorë të medies së Beogradit, i kanë bërë presion udhëheqjes së Kosovës për të frenuar presionet nacionaliste shqiptare që fajësohen për emigrimin.

Komenti më i besueshëm serb për çështjen e emigrimit është bërë në një Plenum të Partisë serbe më 6 maj, i mbajtur një ditë pasi Plenumi i Kosovës kishte përjashtuar Kryetarin prej shumë kohësh të Partisë së krahinës dhe kishte transmetuar përhapjen e ndarjeve mbi nacionalizmin shqiptar. Udhëheqësi i Partisë serbe, Tihomit Vllaskaliq, duke folur për emigrimin e jo-shqiptarëve që prej trazirave, u bëri thirrje komunistëve etnikë shqiptarë në Kosovë që të tregonin “saktësi të plotë” për këtë çështje dhe të demonstronin “të njëjtën vendosmëri” kundër nacionalizmit shqiptar që Partia serbe kishte treguar në të kaluarën kundër nacionalizmit serb. Udhëheqësi i njohur serb, Dragoslav Markoviq, ishte më shumë polemizues, duke akuzuar se zyrtarët e Kosovës kishin “fshehur” çështjen e emigrimit dhe duke paralajmëruar se do të ishte “shumë e rrezikshme” nëse emigrimi do të vazhdonte. Sekretari i Partisë serbe, Spiro Galoviq, po ashtu paralajmëroi se vazhdimi i largimit së serbëve dhe malazezëve në fund të fundit do të ishte i dëmshëm për vetë interesat e shqiptarëve etnikë.

Deklaratat vijuese publike të bëra nga zyrtarët serbë dhe komentuesit e medies kanë vazhduar presionin ndaj udhëheqjes së Kosovës. Në një mbledhje të Kuvendit serb më 11 qershor, një zyrtar akuzoi se sistemi penal i Kosovës diskriminonte jo-shqiptarët; një tjetër u ankua se fluksi i kohëve të fundit të serbëve në Serbi po shkaktonte përçarje dhe nxiste nacionalizmin serb. Kryesia serbe kërkoi më 2 korrik që udhëheqja e Kosovës “të mprehte luftën dhe të forconte ligjshmërinë” në analizimin e shkaqeve të emigrimit, një detyrë që kërkonte “punën më të ndërgjegjshme të mundshme”. Gazetat serbe i kanë shtuar benzinë zjarrit, duke raportuar dhunimin e varreve serbe në Kosovë dhe incidente të tjera anti-serbe dhe duke akuzuar Kosovën për diskriminim në shkallë të gjerë ndaj jo-shqiptarëve në politikën e punësimit, gjuhës, shitjen e pronës si dhe në fusha të tjera.

Reagim i ashpër për serbët dhe malazezët e Kosovës

Zyrtarë nga pakicat etnike serbe dhe malazeze të Kosovës, të inkurajuar haptazi nga mbështetja e fuqishme e Republikës serbe, kanë kërkuar gjithashtu që të merren masa për të parandaluar humbjen e mëtejshme të kushtetutave të tyre. Komenti i parë për këtë çështje doli më 5 maj në Plenumin e Kosovës, ku zyrtarët e partisë krahinore Mihajlo Zvicer dhe Llazar Vujoviq transmetuan ankesat e vjetra për statusin e jo-shqiptarëve të Kosovës. Duke nxitur një diskutim të hapur të të gjitha “temave tabu” të mëparshme, Zviceri, që është malazez, u ankua për politikat e kaluara për emigrimin, gjuhët, punësimin dhe bëri thirrje për “vlerësime të plota, të sakta dhe gjithëpërfshirëse” të çështjes së emigrimit. Po kështu, Vujoviq kërkoi “ndalimin efektiv të shovinistëve që po i nxisin njerëzit” të largohen dhe paralajmëroi mbi nevojën për “parandalimin e këtij fenomeni që të mos marrë karakter masiv”. Serbët e Kosovës Gjuro Trboviq dhe Bogolub Nedelkoviq shprehën ankesa të ngjashme në një Plenum të Partisë jugosllave më 7 maj. Trboviq akuzoi nacionalistët shqiptarë për “dhunë fizike”, dhe Nedeljkoviq dënoi “ndjekjen” e jo-shqiptarëve.

Zyrtarë të tjerë serbë dhe malazezë të Kosovës përforcuan shqetësimet mbi emigrimin në javët e ardhshme. Në një Plenum të Partisë së Kosovës më 23 maj, një zyrtar nxiti “luftën kundër çdo përpjekjeje për presion dhe shantazh” që rezulton në emigrim, dhe një tjetër ngriti zërin kundër diskriminimit në punë. Ndërkohë që disa zyrtarë serbë dhe malazezë e kanë trajtuar çështjen e emigrimit si një problem afat-gjatë, Kryetari i Partisë krahinore Petar Kostiq bëri thirrje më 4 qershor për “ndërhyrje urgjente” për të ndaluar eksodin dhe kritikoi pikëpamjen se të drejtat e kombësisë duhet të jepen në përputhje me madhësinë e një grupi etnik. Gazeta e Kosovës “JEDINSTVO”, sipas “Tanjug” të datës 23 qershor, akuzoi se ekzistonte një “hendek” midis “asaj për të cilën është rënë dakord, dhe asaj që po bëhet” në lidhje me çështjen e emigrimit.

Zvarritja e shqiptarëve të Kosovës

Udhëheqja shqiptare e Kosovës në pjesën më të madhe duket se e ka zvarritur çështjen e emigrimit, megjithë premtimet për të marrë masa korrigjuese. Pozita zyrtare e Partisë së Kosovës u shpjegua në një “program veprimi” të miratuar në Plenumin krahinor më 23 maj dhe doli në gazetën “BORBA” të Beogradit më 6 qershor. Ky artikull bënte thirrje që Partia të “vlerësojë dhe analizojë sa më shpejt shkaqet dhe fenomenet e emigrimit serb dhe malazez nga Kosova gjatë dekadës së fundit dhe të përcaktojë detyra specifike në këtë drejtim”. Kryetari i ri i Partisë së Kosovës, Veli Deva i cili u angazhua për këtë politikë më 4 qershor kur e quajti zgjidhjen e çështjes së emigrimit si një detyrë parësore politike, tha se Partia “nuk duhet të pajtohet me një rast të vetëm largimi”, dhe nxiti marrjen e masave “energjike” për të krijuar “një atmosferë të tillë që do t’i japë fund këtij procesi”. Gjithsesi, shumë zyrtarë shqiptarë të Kosovës nuk kanë qenë aspak reagues ose të paaftë ose jo të gatshëm që të trajtonin këtë problem në mënyrë vendimtare.

Njëra rrugë përmes së cilës zyrtarët shqiptarë të Kosovës duket se kanë penguar politikën partiake, ka qenë mosparaqitja e statistikave të emigrimit ose mungesa e ndihmës për të analizuar arsyet e emigrimit. Për shembull, anëtari i Kryesisë së Partisë së Kosovës, Sinan Sahiti, i qortoi më 27 maj autoritetet në qytetin e Ferizaj për mosrespektimin e kërkesës lidhur me të dhënat e emigrimit dhe la të kuptohet se moszbatimi është motivuar politikisht. Një tjetër shenjë e dukshme e rezistencës lokale erdhi kur një zyrtar i Mitrovicës tha hapur më 31 maj se “nuk ekziston asnjë presion për eksod të serbëve apo malazezëve” nga ajo krahinë dhe se çdo emigrim ishte shkaktuar nga faktorë të tjerë. Një mbledhje e Komisionit të Kosovës të formuar së fundmi për çështjen e emigrimit, sipas “Tanjug” të datës 27 korrik, raportonte se shumë Bashki të Kosovës kishin regjistruar me qindra largime. Por, thuhet se disa e mohojnë ekzistencën e ndonjë presioni, dhe disa të tjerë nuk kishin arritur të bënin ndonjë gjë për të gjetur shkaqet e emigrimit.

Disa zyrtarë etnikë shqiptarë duket se po përdorin taktika më të mprehta për të penguar masat në çështjen e emigrimit. Në Plenumin e Kosovës më 23 maj, Kryetari i Partisë Deva raportoi një përpjekje të bërë nga disa zyrtarë të paidentifikuar për zbutjen e problemit, duke u përpjekur, por pa sukses, që të fusnin çështjen e emigrimit të shqiptarëve në programin e veprimit të Partisë. Udhëheqësi i organizatës së Lidhjes Socialiste të Kosovës, Azem Vllasi, duket se ka bërë disa përpjekje për t’ia hequr përgjegjësinë për këtë çështje komunistëve shqiptarë të krahinës. Sipas gazetës “BORBA” e Beogradit më 6 qershor, ai tha se i kishte kërkuar organeve republikane serbe për të kufizuar përkohësisht emigrimin dhe më 24 qershor ai tha në një mbledhje në Beograd se serbët dhe malazezët e Kosovës “nuk duhet të sillen si viktima pasive dhe vetëm të presin aksionin e komunistëve shqiptarë”. Mohimi nga ana e zyrtarëve shqiptarë të Kosovës se emigrimi është shkaktuar shpesh nga “presioni”, është përgënjeshtruar më 7 qershor nga e përjavshmja e Beogradit “NIN”, e cila pohoi se presioni mund të marrë forma shumë të mprehta dhe të ndryshme në mungesë të kërcënimit apo dhunës së hapur.

Mbështetja e Tiranës për demonstruesit

Shqipëria fqinje është përmbajtur në çështjen demografike të Kosovës, mesa duket duke besuar se lëvizja etnike në fund të fundit shkon në favor të saj. Megjithatë, ajo ka zemëruar Jugosllavinë dhe ka nxitur më tej shqetësimet serbe me pikëpamjet e saj të shprehura për aspekte të tjera të situatës. Në një seri artikujsh që fillojnë me një kryeartikull të gazetës “ZËRI I POLULLIT”, Tirana mbështeti haptazi kërkesat “e drejta” të demonstruesve për statusin e Republikës brenda Jugosllavisë, dënoi rolin “brutal” të milicisë serbe në masat e ashpra, dhe akuzoi se shqiptarët e Kosovës janë shtypur politikisht dhe ekonomikisht. Ndërkohë që artikujt pretendonin se nuk kishte asnjë synim për ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë, ato ishin veçanërisht provokative në mbrojtje të së drejtës së Tiranës për të folur për “vëllezërit” e saj shqiptarë jashtë vendit, duke shkuar deri aty sa të pohonin në një kryeartikull të gazetës “Zëri i Popullit” të datës 17 maj se mosdhënia e statusit të Republikës për Kosovën do ta “kthejë këtë plagë në gangrenë”.

-81-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                             Ambasada britanike

EESD                                                                                                                              Beograd

FCO                                                                                                                         5 gusht 1981

I nderuar Charles,

Kosova: pasqyrimi në media

Përmbledhje

 

  1. Kritikat e fundit nga një zyrtar Informacioni për Kosovën mbi disa pjesë të shtypit “të Beogradit” për trajtimin e trazirave në Kosovë, kanë nxitur reagime përçmuese nga gazetat e Beogradit, por tërhoqën mbështetje të paparashikuar publike nga disa anë të tjera shtypi tjetërkund në Jugosllavi. Një gjë e tillë ka shkaktuar ‘polemika’ të pahijshme midis publikimeve të ndryshme, ku ‘shtypi i Beogradit’ ka hedhur poshtë me forcë akuzat se pasqyrimi nga ana e tij është goditur nga senzacionalizmi apo nacionalizmi serb. Është shumë herët për të dalluar nëse kjo do të ndikojë në pasqyrimin e thekshëm kombëtar të Kosovës apo në tendencat e përgjithshme në drejtim të lirisë më të madhe të shtypit në Jugosllavi. Por kjo situatë demonstron qartazi se sa lehtë mund të ndizen xhelozitë kombëtare në klimën e vështirë aktuale.

Detaje

  1. Në letrat e mia për ju të datës 28 prill dhe 19 maj, kam përshkruar se si trazirat në Kosovë kanë çuar në një debat të gjallë mbi rolin e përgjithshëm të shtypit në Jugosllavi. Raportimi ynë për Kosovën që atëherë ka zbuluar (shpresoj) faktin që shtypi në tërësi, por në veçanti botime të tilla me bazë në Beograd si gazetat NIN, “Politika”, “Politika Ekspres” dhe “Duga”, i kanë ofruar publikut jugosllav që në prill një analizë të gjerë të problemeve të kaluara dhe aktuale në Kosovë. Disa nga zbulimet kanë vënë në siklet me të drejtë grupe të ndryshme të Kosovës dhe ndoshta kanë ndihmuar për të detyruar shumicën e dorëheqjeve të paraqitura nën presion deri tani. Ka pasur ankesa sporadike nga Kosova se ky pasqyrim i fuqishëm i shtypit ka qenë jashtëzakonisht ‘senzacionalist’, pesimist ose edhe dëmtues (shih, për shembull, letrat e mia për ju të datës 10 qershor, paragrafi 10, dhe të datës 17 qershor, paragrafi 3). Por debati në shtyp që ka pasuar vërejtjet e Mustafa Rushitit më 20 korrik, raportuar të nesërmen në gazetën “Politika”, ka pasur implikime më të gjera.

Fjalimi i Mustafa Rushitit

  1. Duke hapur një mbledhje të Seksionit të Informacionit të Lidhjes Socialiste të Kosovës të mbledhur për të diskutuar temat dhe jo për të përgatitur një vlerësim përfundimtar, Kryetari i Seksionit, Mustafa Rushiti, kritikoi “gazetat e ndryshme të ilustruara” pasi kishin shkruar në “mënyrë të njëanshme, tendencioze dhe senzacionaliste”, duke mbjellë kështu mosbesim për forcat progresive dhe kombësinë shqiptare në Krahinë. Ndërkohë që gazetat “Oslobodjenje”,“Borba” dhe “Vjesnik”kishin qenë në përgjithësi konstruktive, gazeta “NIN” dhe revista të tjera (për shembull, “Duga” dhe “Ilustrovana Politika”) kishin paraqitur “kritika të përgjithësuara dhe ofensive”. Në veçanti ai dënoi artikullin e Dr. Halit Trnavci në gazetën “NIN” (raportuar në letrën e Terence Clark për Alan Montgomery e datës 13 korrik), por gjithashtu pretendoi se edhe korrespondentët e “Tanjug-ut” në Prishtinë nganjëherë nuk kishin arritur të vlerësonin ndryshimet pozitive që po ndodhnin. Raportimi i fjalimit të tij nga gazeta “Politika”shprehte se këto komente çuan në një diskutim të gjatë, me mosmarrëveshje të shprehura për pika të ndryshme.

Përgjigjet e ‘shtypit të Beogradit’

  1. Siç mund ta imagjinoni, publikimet e sulmuara nga Rushiti nuk ishin krejtësisht dakord me konkluzionet e tij. Gazeta “Politika” e datës 25 korrik iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejtë duke ribotuar një artikull nga versioni serb i gazetës “Komunist” nga Mirko Arsiq. Arsiq tha se kritika e “disa tendencave negative” në Kosovë pasqyronte në fakt mbështetjen e plotë dhe pa rezerva nga pjesë të tjera në Jugosllavi për të gjitha ato forca në Krahinë që trajtonin çështjen e kundërrevolucionit. Megjithatë, përpjekjet për t’i klasifikuar publikimet si të mira dhe të këqija mbi bazën e raportimit të tyre të përgjithshëm ishin të paprecedente, veçanërisht kur vetë shtypi i Kosovës nuk gjykohej në mënyrë të ngjashme. Ai pranoi se disa artikuj kishin qenë vërtetë të padobishme dhe senzacionaliste, por përgjithësimet e gjera në vend të kritikës së artikujve individualë ishin pavend. “Ky vlerësim i Kryetarit të Seksionit është shumë pranë papërgjegjshmërisë dhe favorizon nacionalizmin shqiptar”.
  2. Gazetat “Borba” dhe “Politika” publikuan më pas më 27 korrik një përgjigje të dhënë nga “Tanjug”, e cila bëri komente të ngjashme dhe dënoi përpjekjet “për të ndezur një formë diferencimi brenda sistemit jugosllav të informacionit”. Përpjekje të tilla çuan në “një klasifikim të papranueshëm politik, i cili mund të përmbante përpjekje të fshehta për të përhapur përçarje në shtypin jugosllav”. “Tanjug” shtoi se nëse disa nga korrespondentët e saj kishin pasur vështirësi të gjuhës në Kosovë, ky ishte pikërisht një problem që seksionet e informacionit në Krahinë duhet të kishin ndihmuar për ta zgjidhur.
  3. Gazeta “NIN” publikoi komentet e saj më 31 korrik. Ajo tërhoqi vëmendje të veçantë në tre tema të artikullit të Dr. Trnavcit, të cilat e kishin irrituar Rushitin: fakti që indoktrinimi i zgjatur nacionalist në Krahinë ishte toleruar nga një rreth i ngushtë intelektualësh dhe politikanësh; nevoja për një vlerësim shumë më të vendosur të përgjegjësisë personale në nivelin e lartë politik në Kosovë; dhe shkalla e martesave dhe nepotizmit në radhët e qarqeve të larta. Çfarë konstatoi Rushiti “liberaliste” apo të pasaktë në gjithë këtë? Nuk ishte e lehtë të shkruhej për Kosovën, por ishte e nevojshme që të bëheshin hetime të thella të problemeve atje “jo për faktin se dikush duhet të marrë hak ndaj dikujt tjetër, por më tepër për të mbytur kundërrevolucionin akoma pa lindur”. Siç u shpreh gazeta “NIN”, duke ri-lexuar konkluzionet e qarta të organeve më të larta politike në Jugosllavi, “është e vështirë të shmanget përshtypja se ndërkohë ka ndodhur diçka që ka bërë disa zyrtarë dhe medien informative t’i shohin detyrat që lindin nga këto konkluzione nga një këndvështrim tjetër…”.

Mbështetja për Rushitin

  1. Sidoqoftë, më 29 korrik gazeta me qendër në Sarajevë “Oslobodjenje” publikoi një pjesë të Kemal Kurspashiq, të cilën gazeta “Politika” e ribotoi të nesërmen. Në fillim të muajit kishte pasur një luftë fjalësh midis redaktorit të gazetës “NIN” dhe asistent/kryeredaktorit të gazetës “Oslobodjenje”, i cili, së bashku me një redaktor të RTV Zagrebit kishte kritikuar pasqyrimin që gazeta “NIN” i kishte bërë çështjeve të ndryshme në Kosovë (veçanërisht emigrimit të serbëve dhe malazezëve); por Kurspahiq i vuri në një kontekst më të gjerë kritikat e Rushitit ndaj ‘Beogradit’. Ai kërkonte të dinte pse disa botime ishin të gatshme të kritikonin të tjerët në emër të lirisë së shtypit, por nga ana tjetër, “tregonin dhëmbët e tyre” ndaj njerëzve që i kritikonin ato. Ai tha se shumë pjesë nga fjalimi i Rushitit përmendnin realisht punën e medies në Kosovë por që komentuesit i kishin injoruar ato. Për më tepër, të njëjtët njerëz që kishin hedhur poshtë klasifikimet e përgjithshme të shtypit jugosllav po kërkonin që një procedurë e tillë të zhvillohej në Kosovë. Ndërkohë që të gjithë ishin bërë një në dënimin e kundërrevolucionit në Kosovë, “ne nuk mund të një mendjeje për rolin e informacionit në aksionin politik kur në të njëjtën kohë ekzistojnë artikuj dhe gazeta që janë më të angazhuara me regjistrimin e shpërthimeve nacionaliste sesa me përpjekjet pozitive për normalizimin e tyre”. Ekzistonte një implikim i dukshëm në fjalët e Kurspahiq se nacionalizmi serb ishte pas sulmeve të ‘shtypit të Beogradit’ ndaj Rushitit.
  2. Dukej se ishte shumë vonë që gazeta NIN të reagonte, por gazeta “Politika Ekspres” e datës 29 korrik nuk u tërhoq nga kritikat e saj në trajtimin e atyre që kërkonin të sulmonin “mediet e tjera të popullit”. Artikulli citonte se shtypi në Serbi mbante përgjegjësi të veçantë për kanalizimin e Kosovës prej një dekade si Krahina që ishte përpjekur të shmangte rolin e saj si pjesë përbërëse e Serbisë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Federatës, duke bllokuar në këtë mënyrë përpjekjet e Serbisë për të ndjekur politika të përgjithshme në të gjithë Republikën në tërësi. Në luftën e informacionit brenda Serbisë ka pasur suksese dhe gabime, por tendenca më e fundit në drejtim të vëzhgimit të “medieve të tjera të popullit” ka qenë alarmuese. “Këto kritika mesa duket janë të lidhura nga një fije e padukshme, meqenëse pak a shumë të gjitha në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, synojnë të jenë në qendër të vëmendjes të të ashtuquajturit shtypi ‘serb’ ose ‘i Beogradit’, duke mbajtur të fshehur anën e errët të qëllimeve të tyre”. Natyrisht, nëse (siç ishte e nevojshme) shtypi në Serbi është përfshirë veçanërisht në problemet e Kosovës, logjikisht kishte më shumë të ngjarë që të bënte më shumë gabime; por ishte e rëndësishme që kritika praktikisht të njëjta për Serbinë të vinin nga Shqipëria, e cila kërkonte të tregonte se ‘problemi i Kosovës’ ishte krijim serb.
  3. Kjo përmbledhje irrituese por inteligjente e debatit të Bozidar Bogdanoviq, asistent redaktor në gazetën “Politika Ekspres”, provokoi nga ana e tij shkrimin e një letre çuditërisht të paqartë të Milan Uzelac, Sekretar i Kryesisë së Aleancës Socialiste të Bosnje-Hercegovinës, ku Bogdanoviq akuzohej se kishte krijuar përçarje “në një mënyrë të ashpër dhe të papranueshme” dhe se kishte përdorur “logjikë të çuditshme” për të ndarë përgjegjësinë mbi ngjarjet në Kosovë midis së kaluarës dhe të tashmes. Gazeta “Politika Ekspres” publikoi më 4 gusht një letër “thjesht sepse Shoku Uzelac ka marrë përsipër të drejtën për të folur në emër të Kryesisë së Aleancës Socialiste të Bosnje-Hercegovinës. Ndryshe, shpjegimet dhe argumentet e tij nuk janë në një nivel të tillë që të lejojë zhvillimin e një dialogu me vlerë”.

Përpjekje për pajtim?

  1. Pas shkëmbimeve të tilla të hidhura, gazeta “Politika”botoi më 2 gusht një artikull të Slavoljub Gjukiqit, ku përpiqej të qetësonte gjërat. Ai tha se defektet në raportimin e Kosovës ishin lehtësisht të korrigjueshme, “por është shumë më e vështirë që të mbushen disa çarje, të cilat po krijohen në shoqërinë tonë dhe po përhapen në mënyrë alarmuese”. Ndarjet në shtyp që pranonin vlerat bazë të Jugosllavisë ishin të menaxhueshme, por “dashur pa dashur shtypi Republikan po transformohet në një forum të interesave krahinore. Një gjë e tillë ka një çmim të lartë dhe pasoja të dhimbshme politike”. Lexuesit e zakonshëm mund të mendojnë se mosmarrëveshjet midis shtypit në Republika të ndryshme pasqyronin qëndrime të ndryshme të udhëheqësve të tyre politikë, “një gjë më se serioze”. Beteja kundër nacionalizmit “nuk fitohet me fjalë por me punë të përditshme të lodhshme në të cilën mbizotërojnë përgjegjësia dhe ndjenja e përbashkët”. Javët në vazhdim do të tregojnë nëse ky apel për bashkimka funksionuar.

Pasojat e kësaj politike

  1. Vetë Rushiti duket i padruajtur. Në një mbledhje të Konferencës së Lidhjes Socialiste të Kosovës më 31 korrik (raportuar më 1 gusht në gazetën “Borba”) ai kërkoi falje për faktin se gazetarëve nuk u ishin afruar lehtësirat e duhura të përkthimit në mbledhjen e mëparshme, por përsëriti kritikat e tij (këtë herë me shembuj që nuk i dha gazeta “Borba”) dhe tha se komentet e “Tanjugut” ishin “plot me insinuata”, ndërsa pjesa e Arsiqit “fliste vetë”. Kryetari i Lidhjes Socialiste Azem Vllasi tha se Sekretariati i Informacionit nuk duhej të përfshihej në argumentime nëse një artikull i dhënë ishte apo jo i dobishëm. Mendimet personale ishin jashtë temës në fjalë. Një mbledhje e Kryesisë do të kryente në kohën e duhur një vlerësim të plotë të çështjeve të informimit në lidhje me Kosovën.
  2. Ndërkohë që pasqyrimi nga ana e shtypit është përgjithësisht më i dobët në korrik dhe gusht, realisht nuk është e mundur të dallohet nëse të gjitha këto argumente do të ndikojnë në analizën për Kosovën. Gazeta “NIN” duket se vazhdon si zakonisht, por një deklaratë pothuajse e pacipë e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës se “bashkëpunimi me Universitetet e huaja, veçanërisht me atë të Tiranës, ka qenë i suksesshëm, i denjë dhe shumë i dobishëm”, është raportuar drejtpërdrejt në gazetën “Politika” pa komentin hokatar që ka shoqëruar deklarata të tilla deri tani. Kjo deklaratë u raportua po ashtu me qetësi në TV, duke e lënë në dorë të audiencës që të nxjerrë konkluzionet e veta. Për më tepër, shtypi ‘i Beogradit’ ka përdorur padyshim ekspozimin e shprehjeve nacionaliste në Kosovë për të zmadhuar rolin e tij në Jugosllavi. Në aspektin afatgjatë, mund të pritet që shprehitë e kriticizmit të mprehtë dhe kërkesës për analizë të përftuar në këtë zonë të zbatohen tjetërkund, kështu që do të ishte tejet pa vend nëse ky kundër-sulm nga Kosova do të çonte në një reduktim të gjithanshëm, të vetë-imponuar ose ndryshe, në gatishmërinë e shtypit për t’u vënë në krye të denoncimit të korrupsionit dhe paaftësisë.

Komente

  1. Në këtë debat jam ndalur në detaje sepse në mënyrë të tërthortë ilustron qartë disa nga problemet kryesore me të cilat Serbia (dhe Jugosllavia) po përballet në trajtimin e çështjes së Kosovës. Fakt kryesor është se për një dekadë e më shumë Kosova shfrytëzoi boshllëqet në marrëdhëniet kushtetuese të saj me Serbinë dhe fitoi një gjendje praktikisht të pavarur në të cilën grupi udhëheqës i bashkuar i Kosovës ishte në gjendje të kryesonte, praktikisht në mënyrë të padiskutueshme, një rritje të qëndrueshme dhe të fshehtë të ndjenjës nacionaliste shqiptare. Nëse duhet të shmanget një krizë e madhe kushtetuese në Jugosllavi, Serbia duhet të rifitojë njëfarë kontrolli të konsiderueshëm mbi Kosovën duke rishpallur kompetencat e saj dhe duke siguruar se udhëheqja lokale nuk do të dalë jashtë kontrollit. Padyshim, duke ndjekur një objektiv të tillë, Serbia do të bjerë në kundërshtim me vetë Kosovën nga interesat vetjake aty, por po fillon të shikojë sikur këto interesa do të merren me vete në ndryshime të rëndësishme të udhëheqjes që parashikohen të ndodhin sot dhe në të ardhmen. Gjithashtu, Serbia do të duhet të tregojë takt nëse kërkon të shmangë ngritjen e dyshimeve të Republikave të tjera të cilat kanë shqetësime historike për “nacionalizmin serb”. Argumenti më i mirë që ka Serbia, është në thelb i njëjtë me atë të përdorur nga Bozhidar Bogdanoviq në artikullin e gazetës “Politika Ekspres” të cituar më lart: është në vetë natyrën e problemit të Kosovës që Serbia duhet të vihet në krye dhe të adoptojë linjën më të fortë në zgjidhjen e këtij problemi. Është shqetësues fakti se burime të caktuara të rëndësishme të shtypit në Republika të tjera mesa duket, nuk janë të sigurta.
  2. Kopje të kësaj shkrese do t’ua dërgoj javën tjetër për departamentet e tjera të FCO.

                                                                                        I Juaji

                                                                               Charles Crawford

                                                                              Oficer Informacioni

-82-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                            Ambasada britanike

EESD                                                                                                                             Beograd

FCO                                                                                                                         5 gusht 1981

I nderuar Charles,

Kosova: proceset gjyqësore

 

  1. Siç ka raportuar tashmë edhe BBC, gjatë javës së fundit janë zhvilluar proceset gjyqësore të disa prej demonstruesve të marsit dhe prillit. Dënimet kanë qenë të ashpra, pa dyshim për të shërbyer si efekt parandalues për ata që do të guxonin të dilnin në demonstrata.
  2. Gazeta “Borba” e datës 30 korrik përmbante një raport (bashkëngjitur përkthimi) të procesit gjyqësor të pesë personave të zhvilluar në Mitrovicë, me akuzën se kishin organizuar dhe marrë pjesë në demonstratat “kundërrevolucionare”. Është me interes të thuhet se vetëm dy nga të akuzuarit ishin studentë. Dënimet e tyre silleshin nga 6½ vjet në 8½ vjet.
  3. Megjithatë, gjyqi kryesor u zhvillua javën e kaluar në Prishtinë, dhe gazeta “Borba” raportoi më 3 gusht se njëmbëdhjetë persona ishin nën gjykim për aktivitete armiqësore. Dhjetë prej tyre u dënuan me 7 dhe 13 vjet dhe i njëmbëdhjeti u dënua me një vit burgim. Krimi i tyre më i rëndë ishte se kishin vjedhur një automjet në një karvan automjetesh zyrtare të Sekretariatit Federal të Punëve të Brendshme (SSUP) në një fshat të quajtur Besi, që është rreth 8 milje larg Prishtinës. Ata plaçkitën kamionin me armë dhe municion dhe armët u ndanë në radhët e grupit dhe u fshehën në vende të ndryshme. Grupi u kap shpejt nga oficerët e SSUP, të cilët i rimorëm armët. Anëtari i trembëdhjetë i grupit, i cili nuk kishte marrë pjesë në këtë sulm, dorëzoi një pushkë dhe 70 fishekë në zyrën e pushtetit lokal që ia kishte dhënë njëri prej sulmuesve, dhe u akuzua se kishte fshehur një armë të vjedhur.
  4. Megjithëse dënimet janë jashtëzakonisht të rënda sipas standardeve jugosllave, ndoshta është e drejtë të thuhet se personat që vjedhin armë nga forcat britanike do të merrnin mbase të njëjtin dënim, me pëlqimin e Madhërisë së Saj.

                                                                                             I Juaji

  1. Ward

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

Organizatorët e demonstratave të dënuar në Prishtinë

Gazeta Borba, e hëne, 3 gusht 1981, p. 12 c. 1-3

(Prishtinë, 2 gusht)

Këshilli i Gjykatës së Rrethit ka shpallur sot dënimin për një grup prej 11 personash me akuzën se kanë marrë pjesë në organizimin e demonstratave armiqësore dhe kundërrevolucionare më 2 prill 1981, sipas platformës dhe irredentizmit të nacionalizmit shqiptar dhe me dhunë morën armë nga një automjet i Sekretariatit të Punëve të Brendshme, 13 km larg autostradës Prishtinë-Podujevë, në fshatin Besi, dhe/ose kanë ndihmuar fajtorët e kësaj vepre penale për të fshehur armët.

Në bankën e të akuzuarit ishin Zymber Krasniqi (i datëlindjes 1960), nga fshati Breznicë, fermer, Bajram Syla (i datëlindjes 1963), student i shkollës së mesme, nga fshati Rimanista, Q!erim Arifi (i datëlindjes 1961), fermer, nga fshati Rimanistë, Nagip Bllaca (i datëlindjes së 1962), fermer nga fshati Besi, Naim Statovci (i datëlindjes 1962), student nga fshati Prugovc, Sadik Dragusha (i datëlindjes 1949), fermer nga fshati Prugovc, punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Izgradnja” nga Peja, kantier ndërtimi në Prishtinë, Ramadan Rexha (i datëlindjes 1922), fermer nga fshati Rimanishtë, Enver Koliqi (i datëlindjes 1955), nga fshati Lupç i Poshtëm, i papunë, dhe Sadri Berisha (i datëlindjes 1942), nga fshati Drenovc, punëtor i Kombinatit nga Obiliqi.

Për kryerjen e veprave penale të kundërrevolucionit që rrezikojnë rendin shoqëror, sipas Nenit 114 të Kodit Penal të RSFJ, Këshilli i Gjykatës së Rrethit të Prishtinës ka administruar, bazuar në provat e përftuara nga padia, dënimet në vijim: Zymber Krasniqi dhe Nexhmedin Pireva janë dënuar me 13 vjet burgim secili, Bajram Syla dhe Nagip Bllaca janë dënuar me 12 vjet burgim secili, Naim Statovci dhe Sadik Dragusha me 10 vjet secili, Qerim Arifi dhe Enver Koliqi janë dënuar me nga 8 vjet.

Për veprën penale të ofrimit të ndihmës për rrëmbimin e armëve, sipas Nenit 137, paragrafi 1, i Kodit Penal të RSFJ, u dënuan me 7 vjet burgim Shaban Dragusha dhe Ramadan Rexha. I fundit prej tyre Sadri Berisha, u dënua me një vit burgim, sipas veprës penale të fshehjes së armëve, bazuar në Nenin 154, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.

Tashmë janë të njohura faktet për ngjarjet në fshatin Besi, afër Prishtinës, për të cilat u përhapën zërat menjëherë pas demonstratave. Konkretisht, sipas akuzës, deponimeve të dëshmitarëve dhe të akuzuarve, u provua në seancën kryesore në Gjykatën e Rrethit të Prishtinës, se tetë personat e akuzuar sipas Nenit 114 të Kodit Penal të RSFJ, në mes të cilëve veçanërisht Zymber Krasniqi dhe Bajram Syla, kanë qenë aktorët kryesorë në organizimin e demonstratave në fshatin Besi, në të cilat morën pjesë me dhjetëra persona të tjerë. Këta tetë demonstrues ishin gjithashtu zhurmëmëdhenjtë që thërrisnin parullat armiqësore “Kosova – Republikë”, “Kushtetutë”, “Republikë me paqe ose me forcën e armëve”, si dhe shumë parulla të tjera nga platforma e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.

Ky grup u angazhua në aktivitete armiqësore më 2 prill, nga 11 deri në 16 orë. Ata goditën me gurë shumë automjete që kalonin në rrugën kryesore Prishtinë-Podujevë në atë kohë. Sidoqoftë, ky nuk ishte fundi i dhunës së grupit që qëndronte në këtë anë të rrugës. Me shkopinj në duar, Zymber Krasniqi dhe Bajram Syla, të cilët kishin marrë një flamur të kombësisë shqiptare më parë në shkollën publike në fshatin Besi, ndaluan më pas një kamion, e parkuan atë në rrugën kryesore dhe bllokuan plotësisht trafikun.

Ndërkohë, nga Prishtina po vinte për në Podujevë një varg makinash të Sekretariatit Federal të Punëve të Brendshme. Nën drejtimin e Zymber Krasniqit dhe Bajram Sylës grupi sulmoi një prej automjeteve dhe mori prej tij disa armë, një sasi municionesh dhe mjete të tjera. Se sa e paramenduar ishte kjo lëvizje, është provuar nga fakti se grupi, pasi mori armët me forcë, shkoi me një grup më të madh demonstruesish në një pyll aty afër dhe filloi t’i stërviste me armët e kapura. Natyrisht, në këtë “stërvitje” janë qëlluar disa fishekë në ajër.Gjithsesi, duhet përmendur se kjo “histori” nuk mori fund nga oficerët e Sekretariatit të Punëve të Brendshme, pasi ata ishin të vetëdijshëm se çdo përpjekje për të ndaluar plaçkitjen e armëve do të shkaktonte gjakderdhje.

Mirëpo, keqbërësit nuk ndaluan menjëherë plaçkitjen e armëve dhe municioneve si dhe stërvitjen me armë. Ata shkuan në shtëpi dhe i fshehën armët dhe municionet. Por kjo zgjati vetëm për pak kohë. Agjencitë e ndjekjes ishin shumë pranë gjurmëve të tyre, i arrestuan dhe gjetën armët. Gjatë këtij zbulimi ata gjetën dy armë automatike tek Zymbar Krasniqi, një prej aktorëve kryesorë të këtij aksioni armiqësor, që synonte rrëzimin e sistemit tonë vetë-menaxhues, shkatërrimin e unitetit, vëllazërisë dhe barazisë së kombit dhe kombësive tona. Një armë u gjet tek Bajram Syla, e po kështu Qerim Arifi kishte marrë një armë, një çantë me pajisje të tjera dhe 60 fishekë. Nagip Bllacës iu gjet gjithashtu një armë automatik dhe municion; Naim Statovicit iu gjet një armë dhe 70 fishekë. Sadik Dragusha kishte marrë gjithashtu një armë gjysmë-automatike dhe 10 fishekë, dhe Nexhmedin Pireva – i cili ishte dënuar më parë për disa vepra penale, mori së bashku me Enver Koliqin një armë automatik, një çantë me pajisje dhe 80 fishekë. Shaban Dragusha u akuzua se kishte marrë nga një person një armë automatik me pajisje dhe 150 fishekë, të cilat i kishte fshehur në papafingon e shtëpisë së tij në fshatin Prugovc. Në vend që të raportonte dhe të dorëzonte armën, Shaban Dragusha – i cili ishte dënuar edhe më parë për fshehjen e armëve – pengoi qëllimisht zbulimin e keqbërësve dhe armëve. Të njëjtën vepër ka kryer edhe Ramadan Rexha, i cili e dinte se ku i kishte fshehur dy armë dhe gjashtë fishekë Bajram Syla dhe nuk vuri në dijeni askënd për këtë fakt. Personi i fundit i të akuzuarve sipas Nenit 154 të Kodit Penal të Kosovës, Sadri Berisha nuk mori pjesë në këtë aksion armiqësor, por e dorëzoi armën dhe 70 fishekë që ia kishte dhënë një person tjetër, në zyrën e pushtetit lokal, por gjithsesi e bëri këtë vetëm pas 12 ditësh, duke kryer kështu veprën penale të fshehjes.

Firma Energo-Project në listën kryesore botërore

Gazeta “Borba”, e diel, 2 gusht 1981, p. 3 c. 1- 4

(Beograd, 1 gusht)

Në botimin e korrikut të revistës së njohur amerikane “Engineering News Record” u paraqit edhe këtë vit një listë kryesore e firmave, të cilat i ofronin botës punë këshillimore dhe punë të plota inxhinierike. Si zakonisht, listat janë përpunuar në përputhje me rezultatet e biznesit gjatë vitit të mëparshëm. Në mesin e 50 firmave drejtuese në botë për punë këshillimore, firma “Energo-Project” renditet mjaft lart në këtë listë, e 37-ta, me një biznes prej 11.7 milion dollarësh në këtë fushë. Firma “Energo-Invest” ka ende rezultate të mira në klubin e firmave të mëdha, e madje ka përmirësuar vendin e saj krahasuar me vitin e mëparshëm; kjo pasi parashikohet që projekti i kontraktuar së fundmi, që është mbikëqyrja e projektit “Mosul” në Irak për rreth 30 milion dollarë, do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme vitin e ardhshëm biznesin disi të mirë të këtij viti.

Dënimet e shpallura në Mitrovicë

(Gazeta “Borba”, e enjte, 30 korrik 1981, p. 12 c. 1)

Mitrovicë, 29 korrik: Në përfundim të seancës dëgjimore kryesore, e cila filloi dje, trupi gjykues i Gjykatës Krahinore të Mitrovicës shpalli sot dënimet e pesë personave të akuzuar për aktivitet armiqësor dhe për organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstrata armiqësore dhe kundërrevolucionare. Tekniku i papunë nga fshati Shupkofc, Xhelal Ferizi, i akuzuar për veprën penale sipas Nenit 136, paragrafi 1, dhe Nenit 114 i Kodit Penal të RSFJ, është dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim. Personi tjetër i akuzuar për të njëjtat vepra, Ujkan Zeneli, 19 vjeç, nxënës i shkollës së mesme në qendrën “Desa Tomoviq” në Mitrovicë, u dënua me 8 vjet burgim. Personi i tretë, Skënder Hajredini, punëtor i Elektrolizës së zinkut në Mitrovicë, u dënua me 7 vjet dhe 6 muaj burgim për kryerjen e veprës penale sipas Nenit 136, paragrafi 2/a, dhe Nenit 114 të Kodit Penal të RSFJ. Sabit Veseli, teknik i papunë nga fshati Broboniq u dënua me 7 vjet burgim për të njëjtat vepra penale. Anëtari i pestë i këtij grupi, Nazim Shaqiri, student i shkollës së mesme teknike në Mitrovicë, u dënua me 6 vjet e 6 muaj burgim.

-83-

Konfidenciale

  1. E. Montgomery Esq

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                             Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                              Beograd                                                                                                                            10 gusht 1981

I nderuar Alan,

Kosova: përgjegjësia politike

Përmbledhje

  1. Riorganizimi i shumëpritur i udhëheqjes së Kosovës ndodhi në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës dhe Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, respektivisht më 4 dhe 5 gusht. Kryetari i ri i Kryesisë së Kosovës, Ali Shukrija, një shqiptar “federal i provuar si dhe Kryesia e re dhe e reduktuar e Partisë prej 13 anëtarësh tregon gjithashtu rikthimin e një numri kosovarësh të besuar “federalë” përveç anëtarëve të rizgjedhur më pak të debatueshëm të Kryesisë së vjetër. Është shprehur njëfarë optimizmi për situatën politike dhe të sigurisë si dhe është rënë dakord për detyra të ardhshme në fushën e emigrimit, arsimit dhe ekonomisë. Gazeta “Politika” është edhe një herë në telashe pasi ka nxjerrë informacione Konfidenciale (për Bakallin). Efektet e ngjarjeve për anëtarët e Partisë janë zbuluar në statistikat më të fundit.

Detaje

Mbledhja e Kuvendit të Kosovës

  1. Më 4 gusht u mblodhën të tri dhomat e Kuvendit të Kosovës dhe “në mënyrë unanime dhe pa diskutim” zgjodhën Ali Shukrinë si Kryetar i Kryesisë së Kosovës, i cili zëvendësoi Xhavit Nimanin, për dorëheqjen e të cilit kam shkruar në letrën time të datës 21 korrik. Siç tregon përfaqësuesi ynë i përhershëm aty, Shukrija është një burrë i madh shteti i aftë dhe i paepur, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij politike në Beograd. Ai përfaqëson modelin “jugosllav” të partizanëve dhe duhet të shikohet si një kandidat federal me detyrë rindërtimin dhe riintegrimin e Kosovës në Serbi dhe në Federatë.
  2. Kuvendi bëri gjithashtu edhe ndryshime të tjera. Dr. Zeki Bejtullahu u shkarkua nga postet e tij si anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe si Drejtor i Institutit për Planifikimin Social me argumentin se nuk i ka kryer këto funksione mirë, veçanërisht këtë të fundit, ku ai është kritikuar për mënyrën se si ka zbatuar planin afatmesëm. Shaban Hyseni, Kreu i mëparshëm i Radio Prishtinës, i cili e kishte paraqitur dorëheqjen e tij (shih letrën e Charles Crawford të datës 18 korrik), u pushua menjëherë nga posti për sjellje të papërgjegjshme dhe oportuniste. Gjithashtu Mustafa Osmanagiq i cili përshkruhej si një punëtor i shquar socio-politik nga Mitrovica, u zgjodh në Këshillin e Kosovës.
  3. Sidoqoftë, shtypi u ndal më gjatë në një sulm të hapur që është bërë nga tre anëtarë shqiptarë ndaj Dushan Ristiqit (serb), Kryetar i Kuvendit. Ata kërkuan dorëheqjen e tij me argumentin se ishte në përgjithësi përgjegjës njësoj si Nimani dhe Bakalli dhe se kishte luajtur rolin e “mbrojtësit të serbëve dhe malazezëve” dhe kishte nxitur çështjen e emigrimit të këtyre të fundit nga Kosova. Ishte vendosur se kjo çështje nuk ishte e përshtatshme për diskutim në Kuvend por që duhej diskutuar të nesërmen në mbledhjen e Komitetit Krahinor. Megjithatë, duket se Ristiq ka marrë vetë iniciativën për ngritjen e kësaj çështjeje aty dhe bëri një deklaratë duke pranuar përgjegjësinë e tij personale dhe kolektive për ngjarjet në Kosovë gjatë muajve të fundit dhe duke vendosur të paraqiste dorëheqjen e tij në mbledhjen e ardhshme në Kuvend. Ai bëri të qartë se vendimi i tij ishte i pakthyeshëm dhe duket se nuk ka pasur diskutime në këtë pikë apo ndonjë përpjekje për t’i kthyer mendjen. Ai theksoi gjithashtu se nuk po largohej për shkak të sulmit të ditës së mëparshme ndaj tij, duke deklaruar se i qëndronte çdo gjëje që ka thënë për çështjet në diskutim. Në të vërtetë, Ristiq ka qenë tejet i hapur në kritikën e tij ndaj nacionalizmit shqiptar dhe presioneve ndaj serbëve dhe malazezëve për t’u larguar nga Kosova, por padyshim ai duhej fajësuar po aq për situatën për faktin që nuk ngriti zërin deri më vonë (ose ndoshta e paralajmëroi Beogradin më parë, por nuk i kushtoi vëmendje arsyeve më të gjera politike). Prandaj, largimi i tij duhet parë si një përpjekje e bërë nga shqiptarët për të treguar se ata nuk duheshin fajësuar ekskluzivisht për çfarë kishte ndodhur. Ai është serbi i dytë i njohur që jep dorëheqjen (tjetri është një prej zëvendës/Rektorëve të Universitetit të Prishtinës) dhe dyshoj se do të kishte ikur nëse nuk do të ishte shtyrë për ta bërë një gjë të tillë.
  4. Në mbledhje të veçanta të Dhomës socio-politike dhe Dhomës së Komunave, u zgjodh Sekretari për Punët e Brendshme, Milosh Vujakoviq (serb ose malazez), ish anëtar i Kryesisë së Sindikatave të Kosovës, i cili zëvendësoi shqiptarin që kishte dhënë dorëheqjen më parë. Prokurori Publik ishte liruar nga detyrat e tij “për shkak të transferimit në funksione të tjera” dhe u zgjodh një tjetër. Gjithashtu u zgjodh një Mbrojtës i ri Publik. Nga ana tjetër, delegatët nuk ishin në gjendje të binin dakord me propozimin për të liruar nga funksionet e tij Drejtorin e Institutit të Statistikave për Kosovën, megjithëse e mbante atë post prej 9 vitesh, dhe vetëm këto ditë u pa e përshtatshme për ta larguar.

Mbledhja e Komitetit Krahinor

  1. Detyra e parë e mbledhjes së Komitetit Krahinor më 5 gusht ishte shqyrtimi i programit të veprimit që kishte filluar 3 muaj më parë, por vëmendja e shtypit ishte e pritur të përqendrohej në zgjedhjen e Kryesisë së re. Ishte njoftuar se ishte vendosur të reduktohej anëtarësia e kësaj Kryesia nga 19 në 12, megjithëse sipas numërimit tim në fakt janë 13 anëtarë!

Kryesia e Vjetër

Mahmut Bakalli – Kryetar, dha dorëheqjen

Veli Deva (q.v.)

Xhavit Nimani – kryetari i dorëhequr nga Kryesia e Kosovës

Dushan Rishtiq – kryetari i dorëhequr nga Kryesia e Kosovës

Bahri Oruçi – kryetar i Komitetit Ekzekutiv

Mihajlo Zvicer k ish-kryetar i ASPPS

Asllan Fazllija

Rexhep Zogaj

Sefedin Batalli

Borivoje Zhivageviq

Rabije Bajrami

Asllan Skenderi

Asim Zatriqi

Kryesia e Re

Veli Deva – Kryetar (u zgjodh më 5 maj në vend të Bakallit)

Sinan Hasani – Zëvendës/Kryetar i Kuvendit Federal

Ilijaz Kurteshi – ish-Kryetar i TU-ve serbe

Ilija Vakiq – ish Kryetar i Dhomës Jugosllave të Ekonomisë

Azem Vllasi – Kryetar i Kosovës dhe ish Kryetar i Bashkimit Federativ të Rinisë

Nebi Gashi – Zëvendës/Kryetar i Këshillit Ekzekutiv

Svetislav Vukoviq

Predrag Cuckiq                                   )

Xhevdet Hamza                                  )

Petar Kostiq                            )           të rizgjedhur

(Sekretar)                                )           nga

Mustafa Pljakiq                      )           Kryesia

(Kryetar i TU-ve të Kosovës  )           e vjetër

Sinan Sahiti                            )

Ali Shukrija                            )

(Kryetari i ri i Kryesisë se Kosovës)

  1. Kryesia e reduktuar përmbante së paku gjysmën e atyre që mund të quheshin “federalistë”, d.m.th. politikanët që kishin kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tyre në Beograd, dhe duhet të shikohen, të tillë si Ali Shukrija, si zgjedhje të sigurta për rindërtimin e Kosovës. Ky reduktim duket se është arritur përmes shkurtimit të numrit të pjesës më të madhe të Kryetarëve të komiteteve të ndryshme të Kryesisë, por nuk u dha asnjë shpjegim se pse një gjë e tillë ishte e nevojshme ose pse disa Kryetarë komiteti ishin mbajtur dhe disa të tjerë jo. Sidoqoftë, Kryesia e re ishte e shpejtë në reagimin e saj, duke mbajtur mbledhjen e saj të parë të nesërmen dhe duke zgjedhur si sekretar të saj ekzekutivë, Beqir Hotin dhe Sava Komadiniq.
  2. Megjithatë, pjesa kryesore e mbledhjes iu kushtua shqyrtimit të programit të veprimit nga Sekretari, Petar Kostiq. Ai pretendoi se, megjithë problemet dhe vështirësitë e shumta, ky program kishte hedhur themele të shëndosha dhe LKK i konsideroi arritjet e saj me optimizëm të moderuar megjithëse në të njëjtën kohë edhe më pakënaqësi për faktin se nuk kishte arritur nivelet e pritshme të “konsolidimit”. Ai tha se situata politike dhe e sigurisë ishte e favorshme, megjithëse ende e ndërlikuar. Kjo situatë ishte e favorshme në sensin që armiku ishte thyer dhe dëbuar nga rrugët, por ende nuk ishte shkatërruar, dhe organizatat e Partisë po punonin në mënyrë të drejtpërdrejtë kudo me njerëzit, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Kjo situatë mbeti e ndërlikuar sepse parullat – “Kosova, Republikë” – vazhdonin të shfaqeshin, pamfletet vazhdonin të qarkullonin duke e denigruar Jugosllavinë, duke bërë thirrje për revoltë dhe duke nxitur armiqësinë ndaj komuniteteve të tjera; gjithashtu, u bënë sulme ndaj pronës dhe jetës së njerëzve në disa fshatra me objektivin për të ruajtur atmosferën e tensionit deri kur Kosova të bëhej Republikëme çdo mjet. Ky aktivitet mbështetej nga propaganda e zhvilluar nga Shqipëria dhe nga organizatat shqiptare dhe ustashe të emigrantëve. Organizatat komuniste në disa zona po merrnin masa të suksesshme kundër këtij aktiviteti por tjetërkund ato ishin të dobëta, madje ishin shpërndarë dhe procesi i spastrimit po zhvillohej ngadalë. Kostiq veçoi organizata të ndryshme në komunat e Pejës, Deçanit, Vitisë, Ferizajt dhe Universitetit të Prishtinës (megjithëse aty ishin bërë disa përmirësime), organizata të industrisë elektrike dhe organizatën e ndërtimit “Ramiz Sadiku” si organizata në veçanti të pakënaqshme.
  3. Kostiq theksoi tri fusha të aktivitetit të veçantë për LKK: marrëdhëniet ndër-komunale, sistemin arsimor dhe ekonominë. Ai vuri në dukje se pothuaj kudo në Kosovë kishte pasur ftohje të marrëdhënieve midis komuniteteve dhe theksoi nevojën për të ndaluar emigrimin e serbëve dhe malazezëve, veçanërisht të atyre me kualifikimet e nevojshme për ekonominë.
  4. Duke iu kthyer sistemit arsimor ai renditi çështjet bazë për të cilat nevojiteshin vendime: diferencimi ideo-politik në radhët e stafit mësimdhënës dhe largimi i të gjithë atyre që nuk kishin cilësitë e duhura morale dhe politike dhe atyre që ishin rrënjosur me besime nacionaliste, zëvendësimi i një numri të madh personash të pakualifikuar me personel të përshtatshëm, si dhe shqyrtimi analitik i bazës Marksiste të kurrikulave dhe teksteve shkollore. Masat në këto fusha janë në zhvillim e sipër për t’i vënë tekstet shkollore në shkolla dhe në universitet në linjë me ato që përdoren në Serbi; gjithashtu u mbajtën seminare me stafin mësimdhënës në të gjitha komunat, përveç Pejës kryesisht si pjesë e riedukimit të tyre.
  5. Duke folur për ekonominë, ai përmendi rënien e produktivitetit dhe realizueshmërisë; Kosova tani mbulonte vetëm 46.7% të importeve të saj me eksportet dhe me tregun e monedhës së konvertueshme vetëm në masën 17.5%. Sidoqoftë, ai nuk doli me zgjidhje të reja dhe, siç ishte njoftuar një ditë më parë në Kuvend, versioni i rishqyrtuar i planit të tërhequr 5-vjeçar do të ishte tani gati për diskutim deri më 30 shtator me qëllim paraqitjen e këtij plani në fund të nëntorit!
  6. Nuk pati ndonjë gjë të re në debatin në vijim, përveç disa pikave që theksuan se nacionalistët nuk ishin mundur aspak. Një folës tha, “megjithëse armiku është përçarë ai po e rrit aktivitetin e tij dhe i përgjigjet të gjitha veprimeve tona me kundër-veprime përkatëse, të cilat zhvillohen në vende të ndryshme, por që qartazi ato janë koordinuar nga një vend”. Folës të tjerë përmendën se në bisedimet me studentët dhe mësuesit ishte e qartë se kishte ende mbështetje për pikëpamjet nacionaliste shqiptare. Ndoshta më interesantja nga të gjitha, është se Veli Deva konfirmoi për herë të parë në fjalimin e tij dredhues se ishin zhvilluar sulme ndaj JNA (Forcave të Armatosura).
  7. Siç raportoi Charles Crawford javën e kaluar në përmbledhjen e tij të marrëdhënieve me shtypin, ka pasur një farë rënieje në interesin e shtypit në Kosovë, por gazeta “Politika” ka hyrë përsëri në telashe duke publikuar në prag të mbledhjes së Komitetit Krahinor një përshkrim të mirë-informuar të dokumenteve bazë që do të shqyrtohen. Gazeta “Politika” dha në detaje gjetjet e Komisionit të veçantë të ngritur për të përcaktuar përgjegjësinë politike të Bakallit për gabimet dhe mosveprimet që çuan në shpërthimin e nacionalizmit në Krahinë. Në veçanti, Komisioni shqyrtoi faktin përse Komitetet Qendrore të Jugosllavisë dhe Serbisë nuk ishin informuar për pamfletet armiqësore, informacionet dhe shkresat nga Prishtina, Gjakova dhe Ulqini (Mal të Zi), të cilat ishin marrë nga Bakalli dhe të tjerë dhe nuk ishin paraqitur për analizën e duhur. Bakalli e kishte justifikuar këtë përpara Komisionit, duke thënë se ato ishin anonime dhe se ai po priste për të bërë hetime të mëtejshme për to. Shumë çështje të tjera që prej vitit 1979, kur armiku po rriste aktivitetet e tij, nuk u vunë asnjëherë në agjendë për diskutim dhe gjërat u lejuan të vazhdonin në të njëjtën mënyrë të vjetër. Këtyre gabimeve iu shtua trajtimi i 55 personave të arrestuar në fund të vitit 1979 apo në fillim të vitit 1980 (të dhëna të cilat gazeta “Politika” i nxori në atë kohë – shih letrën time të datës 2 prill 1980 për Christopher Battiscombe). Ishte rënë dakord që të gjithë këta persona me përjashtim të 19 prej tyre duheshin liruar dhe, në vend që të vuanin dënimin për aktivitetet e tyre armiqësore, ata u lejuan të vazhdonin studimet, madje 23 prej tyre morën edhe bursa! Përfundimisht, Komisioni shënoi se çështja e nacionalizmit nuk kishte qenë në agjendën e Kryesisë gjatë dy viteve të fundit. Mbledhja nxori konkluzione se përgjegjësia e Bakallit ishte e padiskutueshme dhe propozoi që ai të përjashtohej nga Komiteti Krahinor dhe t’i bëhej një paralajmërim i fundit përpara se të përjashtohej nga LK.
  8. Asnjë nga këto detaje nuk u zbulua në raportimin për vetë mbledhjen dhe shqetësimi i anëtarëve për rrjedhjen e informacioneve u shpreh në vendimin e tyre për të ngritur një Komision tjetër që do të përcaktonte se si ndodhi që gazeta “Politika” publikoi materiale tepër Konfidenciale për përgjegjësinë politike të Bakallit. Kështu, përsëri gazeta “Politika” do të vihet në bankën e të akuzuarve pasi e ka marrë lirinë e shtypit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
  9. Përfundimisht, për të bërë bilancin eventual për Kosovën, u nxorën disa statistika më shumë nga Komiteti Krahinor. Deri tani janë përjashtuar 534 anëtarë nga LK. Një numër tjetër i rëndësishëm anëtarësh (jo për Kosovën në tërësi, por vetëm për Prishtinën ky numër ishte 364), është hequr nga listat e LK, d.m.th. anëtarësia e tyre ka përfunduar për shkelje të vogla, për shembull mos-pagimi i kuotizacionit, mos-shkuarja në mbledhje, etj. Gjithashtu, 269 nxënës dhe studentë janë përjashtuar nga shkollat e mesme dhe të larta, duke humbur kështu bursat e tyre të studentit si dhe bursa të tjera. Po kështu, 210 persona, kryesisht staf mësimdhënës, janë pushuar ose pezulluar nga puna. Procesi i diferencimit vazhdon dhe duhet hartuar ende një përmbledhje përfundimtare.

                                                                                                                                           I Juaji

  1.                  J. Clark

Për dijeni: P Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit; FCO; Kancelari; UKDEL NATO; Bruksel

   

-84-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                          Beograd

Londër SW1A 2AH                                                                                              11 gusht 1981

  1. J. Crark Esq CVO

I nderuar Terry,

Kosova: situata e sigurisë

 

  1. Ju falënderoj shumë për shkresën tuaj të datës 28 korrik ku keni përfshirë raporte shumë interesante të amerikanëve për situatën në Kosovë. Jam dakord se në përgjithësi ato tingëllojnë të vërteta megjithëse duket se ka një mospërputhje midis deklaratës së ushtarëve të rinj sipas së cilës ushtarët kanë marrë urdhra të rreptë për të shmangur shqetësimet dhe veçanërisht për të mos përdorur armë zjarri dhe pretendimit për inkursione ndëshkimore kundër fshatrave shqiptare. Megjithatë, tabloja e përgjithshme përbën një problem të madh që ka të ngjarë t’i paraqesë autoritetet federale jugosllave me vështirësi të vazhdueshme për një periudhë të gjatë në të ardhmen.
  2. Lejomëni të përfitoj nga rasti (që erdhi nga një çlirim i çastit në presionin e vazhdueshëm të shkaktuar nga zhvillimet në Poloni) t’ju falënderoj ju dhe pjesën tjetër të Zyrës së Kancelarit të Beogradit për raportimin tuaj shumë të plotë mbi Kosovën. Mendojmë se keni shërbyer shumë mirë dhe mund t’ju siguroj se të gjitha raportet e juaja janë lexuar me kujdes dhe vëmendje edhe nëse nuk janë pranuar gjithmonë.

I Juaji

  1. E. Montgomery

                                                Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

 

-85-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                      Beograd

Londër SW1A 2AH                                                                                           12 gusht 1981

  1. J. Crark Esq CVO

I nderuar Terry,

Kosova: Treguesi II

 

  1. Ju falenderoj shumë për informacionin e Ambasadorit mbi vazhdimin e tensionit në Kosovë. Këtë informacion e kam paraqitur dhe shpërndarë gjerësisht në të gjitha seritë departamentale.
  2. Më duket se kam zbuluar në tonin e informacionit të Ambasadorit një notë më të mprehtë shqetësimi (të cilin e kemi edhe ne) se tensioni aktual po bie shumë më ngadalë nga ç‘mund të jetë shpresuar, dhe se ka të ngjarë që për një farë kohe të vazhdojë rreziku i përsëritjes, megjithëse ndoshta sporadike të shpërthimeve të trazirave. Sidoqoftë, më shqetësues është konkluzioni me të cilin vështirë të mos bihet dakord, se autoritetet federale po përballen këtu me një prej problemeve të gjata të pakicave, ku edhe pse pas pakënaqësisë aktuale thuhet se këto probleme janë zgjidhur, nacionalizmi lokal, pakënaqësia e vazhdueshme dhe tendenca demografike (të cilave do t’i shtonim varfërinë e vazhdueshme relative të Kosovës) do të vazhdojnë të tensionojnë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Republikave të tjera. Përshtypja jonë në këtë rast është se shumica e jugosllavëve do të pranonin që Kosova (si Ulster) nuk është e përshtatshme për një zgjidhje në kuptimin e një hapi të përcaktuar qartë, një herë e përgjithmonë, që do të kënaqte plotësisht të gjitha palët e përfshira. Ndoshta ajo që jugosllavët mund të shpresojnë më shumë është që të mbajnë manifestimet e pakënaqësisë së Kosovës brenda limiteve të menaxhuara, ndërkohë që do të bënin të pamundurën për të lehtësuar kufirin e saj ekonomik përmes nxitjes së industrisë së re.
  3. Mendoj se ishte e pashmangshme që përballja në Kosovë dhe sensacionalizimi në shtyp i vështirësive me të cilat janë ballafaquar serbët që jetojnë aty, duhet të ketë provokuar rigjallërimin e nacionalizmit serb. Për këtë arsye, do të jetë me interes për të parë nëse në aspektin afatgjatë do të shfaqen më me forcë problemet e tjera kombëtare të Jugosllavisë. Shpresojmë që të jetë e vërtetë e kundërta dhe Republikat e tjera, ashtu si udhëheqja kolektive, të mund të përfitojnë, siç e ka sugjeruar Ambasadori, në sensin pozitiv nga impulset për ruajtjen e integritetit të Jugosllavisë. Padyshim shembulli kosovar duhet t’u ketë kujtuar jugosllavëve në tërësi rrezikun se mund të qëndrojnë të ndarë nëse nuk arrijnë të bashkohen të gjithë, duke i dhënë kështu një stimul idealit të unitetit të popujve sllavë të jugut. Për shembull, kohët e fundit na është sugjeruar nga Chris Cviiç se reagimi i ashpër i Maqedonisë ndaj kërcënimit shqiptar për Republikën maqedonase mund të ndihmonte për të zhdukur ndjenjat e mbetura anti-serbe në Maqedoni. Nga ana tjetër, edhe nacionalistët më të zjarrtë serbë, të cilët ankoheshin për humbjen e Maqedonisë, mund të afrohen sot më mirë me maqedonasit me të cilët kanë sfidën e përbashkët ndaj kosovarëve jo-sllavë. Është me interes të dimë mendimin tuaj.
  4. Por, sipas mendimit tim, vështirësia më e madhe për udhëheqësit jugosllavë është ajo e pajtimit të krenarisë serbe me nacionalizmin kosovar. Jugosllavia,si Federatë shumëkombëshe, ndryshe nga shumica e shteteve unitare, ka në dispozicion një përgjigje të gatshme ndaj pohimeve nacionaliste të këtij lloji, më specifikisht autonominë e madhe. Për një të jashtëm, zgjidhja e qartë do të ishte që kosovarëve t’u jepet statusi i Republikës me qëllim që t’i pritet rruga irredentistëve shqiptarë. Por një zgjidhje e tillë do të ishte tërësisht e papranueshme për Serbinë.

I Juaji

  1. E. Montgomery

                                                Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

 

 

 

-86-

Konfidenciale

 021/8                                                                                                           Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                       Athinë

FCO                                                                                                                  12 gusht 1981

I nderuar Departament,

Kosova

 

  1. Duhet ta kini vënë re deklaratën e Kryeministrit jugosllav gjatë vizitës së tij në Athinë në korrik (paragrafi 9 i përkujtesës së Ambasadorit i datës 21 korrik) ku shprehej se rusët kanë nxitur trazirat në Kosovë. Kjo pikëpamje është pasqyruar më tej në paragrafin 13 të njoftimit të Ambasadorit të Madhërisë së Saj në Beograd më 29 qershor dhe paragrafin 12 të njoftimit të tij më 1 korrik.
  2. Duke pasur parasysh interesin e veçantë grek në këtë problem përfitova nga rasti dhe pyeta Kalpadakis (zëvendës/drejtor i Departamentit të Evropës Lindore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme) për reagimet greke në këtë drejtim. Ai tha se pohimi i Gjuranoviq i kishte zënë tërësisht të befasuar. Grekët nuk kishin prova nga ndonjë burim për të sugjeruar për përfshirjen e sovjetikëve, megjithëse nuk mund të përjashtohej mundësia e përzierjes së tyre me disa nga grupet nacionaliste. Në lidhje me temën e përfshirjes së shqiptarëve, Kalpadakis tha se nuk kishte për të shtuar asgjë në vlerësimin që Mazarakis i kishte dhënë Llewellyn Smith më 20 maj (letra e Llewellyn Smith drejtuar Broomfield më 20 maj).
  3. Ky është këndvështrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në bisedën me Ambasadorin, Averoff (Ministri Grek i Mbrojtjes dhe Zëvendës/Kryeministër) ka thënë se besonte që rusët do të shfrytëzonin çdo rast për të nxitur shqetësime midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj. Ai shtoi se nuk do tëçuditej nëse harta e Shqipërisë, sipas grekëve referuar në letrën e Michael Llewellyn Smith të datës 19 qershor drejtuar Battiscome, të ishte pjesë e operacionit të KGB, megjithëse ai nuk pretendonte se kishte prova të forta për këtë.
  4. Asnjë reagim nuk është për t’u habitur. Ministria e Punëve të Jashtme është e predispozuar të minimizojë raportet mbi vështirësitë e marrëdhënieve midis vendeve të Ballkanit, ndoshta me përjashtim kur bëhet fjalë për bullgarët. Nga ana tjetër, Averoff është gjithmonë i gatshëm për të parë dorën komuniste në problemet e Ballkanit, veçanërisht atë sovjetike. Ne jemi më të prirë për të qenë dakord me Ministrinë e Punëve të Jashtme, veçanërisht nën dritën e vlerësimit të kohëve të fundit të Qendrës së Përbashkët të Informacionit, JIC, për Shqipërinë. Por jemi të interesuar të dimë se çfarë të dhënash kemi, nëse ka ndonjë, mbi përzierjen e sovjetikëve (ose në të vërtetë shqiptarëve).

                                                                                                      I Juaji

  1. Parker

Për dijeni: J. Jenkins Esq, SED, FCO

Kancelarive: Beograd, Moskë

Stafit të Vlerësimit, Zyra e Kabinetit

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …