Prof. dr. Shyqri Galica: Në Hagë raundi i fundit i lirisë

 Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës, pas kaq hulumtimesh e zvarritjesh, në bashkëpunim me pushtuesit serbë, fillon seancat gjyqësore në Hagë të Holandës ndaj udhëheqësve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vend të kriminelëve gjenocidalë, të cilët barbarisht u sulën ndaj popullatës së pafajshme shqiptare të Republikës së Kosovës. Kështu, nisi një sulm i ri ndaj atyre që nuk duruan barbarinë serbe mbi tokat shqiptare dhe bënë luftë të drejtë ndaj pushtuesve e përkrahësve të tyre, duke i prirë UÇK-së me aq mund e sakrifica sa mund të bëhej në atë kohë, të shtypjes e të terrorit nga makineria e tmerrshme e pushtetit serb. Kjo gjykatë, e formuar nën shtypje e kërcënime, ka gjetur mënyrën për t’i akuzuar kënd të dojë, duke siguruar të dhëna elementare nga Serbia, nga pushtuesit shekullorë, të cilët edhe në rrethanat aktuale nuk e pushojnë kërcënimin. Është sakrifica e jashtëzakonshme e këtij populli, i cili ka formuar UÇK-në për ta nisur luftën çlirimtare, duke u përballur me hordhitë serbe ushtarake e paramilitare. Luftën e drejtë të popullit shqiptar në Kosovë e përkrahu edhe organizata më e madhe e paqes në botë, NATO-ja, duke bombarduar caqet serbe pa hezitim, për ta shpëtuar popullin e pafajshëm e të paarmatosur, duke e dëbuar jashtë Kosovës e duke vrarë, masakruar e dhunuar mijëra shqiptarë. Kjo ndihmesë, kjo përkrahje tregoi edhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të UÇK-së për lirinë, e cila do të zgjerohej e do të qëndronte heroikisht para sulmeve të makinerive të rënda të milicisë e të ushtrisë serbe deri në çastet e fundit. Dëbimet masave, sulmet në distancë me tokë të djegur, vrasjet masive gjenocidale do ta rritnin mllefin edhe të botës demokratike, e cila këtë herë përkrahu luftën e drejtë deri në liri duke ndihmuar me veprime konkrete, bombardime që tregonin se paqja i duhet kësaj bote dhe barbarët janë të dënuar të dështojnë. Por, ç’po ngjet sot në të vërtetë? Bota demokratike sikur ngeci për të bërë verifikimin e vërtetë, që në realitet është shumë i njohur, për të nxjerrë para drejtësisë mu ata që bënë gjenocid, ata që bënë katër luftëra të tmerrshme dhe të gjitha i humbën, sepse ishin të padrejta, ishin pushtuese. Gjyqi po bëhet ndaj krerëve dhe është shumë e qartë se ka për qëllim diskreditimin e UÇK-së, e cila tashmë është e njohur si ushtri çlirimtare dhe ndër ushtritë më të lavdishme të botës së sotme, e cila ka mbrojtur popullin e vet dhe ka luftuar për lirinë e tij. Jemi të bindur se koha do të tregojë se luftëtarët e lirisë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala etj. dhe ata që u dënuan më parë, Salih Mustafa, Hysni Gucati e Nesim Haradinaj, të vetmin faj e kanë që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e atdheut të tyre! Këtë jemi të bindur se do ta tregojnë edhe dëshmitë, por edhe shpifjet e njerëzve të shitur që një ditë historia do t’i dënojë përjetësisht! Kjo Gjykatë, e quajtur e Kosovës, edhe pse asgjë nuk ka të saj, pos të akuzuarve, nëse do të ketë parasysh të vërtetën, do të përfundojë shpejt dhe do të dalin faqebardhë luftëtarët e lirisë. Pa dyshim ky do të jetë raundi i fundit i Lirisë!
LSHK Kryetari Prof. dr. Shyqri Galica

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …