Ramadan Rifat Mazreku (5.10.1962 - 27.3.1999)

Ramadan Rifat Mazreku (5.10.1962 – 27.3.1999)

“Do ta rrënoj përdhe tërë Retinë,
do ta lëroj me buldozer
dhe do ta mbjell me patate!”  (Një deklaratë e Perë Milanit dhënë gazetës “Dnevni Telegraf”)

Pas Betejës së Jeshkovës, më 11 mars të vitit 1999, në të cilën shpartallohen bandat ndëshkimore të Marçetiqit e të Zhiliqit, Zona Operative e Pashtrikut vendosi që dëshmorët e përjetësuar në Jeshkovë t’i përcjellë me një solemnitet madhështor të planifikuar e të organizuar në fshatin Pagarushë më 17 mars. Kështu, atë ditë marsi të egër banorët e fshatrave përreth Pagarushës pastruan dëborën e madhe e hapën themelet për shtëpi të amshueshme të dëshmorëve të kombit: Hysen Rexhepi prej Celine, Hajdar Shala prej Atmaxhe, Ferid Susuri prej Zhuri, Ymridin Qenga prej Prizreni, Hamit Thaçi e Tahir Gashi prej Landavice, Skënder Latifi prej Pirane, Alajdin Xhezairi prej Prizreni, Bashkim Suka prej Prizreni dhe Besnik Kastrati prej Pirane. Atë ditë, në muzgun e mbrëmjes, në fshatin Pagarushë u hapën varret për Dëshmorët e Vërrinit, por edhe frymuan zemrat e krenarisë kombëtare e të qëndrimit burrëror të nënave, të motrave e të bashkëshorteve të cilat i forconin bonjakët e dëshmorëve, që rrinin pranë arkivoleve të etërve të rënë “Lugjeve të Vërrinit”, e të sjellur në zemrën e Zonës së Lirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – në Pagarushën e Malishevës. Edhe fshati Pagarushë i cili ato ditë kishte luftime dhe përgatitej për “Pranverën e Përgjakshme”, të cilën e paralajmëronin paramilitarët e Hoçës së Madhe e të Rahavecit, atë ditë marsi vlonte prej popullatës së madhe e cila kishte arritur për ta kaluar “Qafën e Madhe” e “Qafën e Vogël” të Pagarushës dhe ishte mbledhur te “Livadhi i Spahisë”, bri “Xhamisë së Katundit” për t’ua ngritur shtëpitë e amshueshme bijve të kombit, djelmoshave të zgjedhur nëpër Vërri e Anadri.
Edhe lisat e “Livadhit të Spahisë”, të ngarkuar prej dëborës së madhe, nuk thyheshin, i përballonin barrës së rëndë dhe dukeshin krenarë, sepse edhe lufta, por edhe vdekja për Atdhenë kanë krenarinë e vet më të fortë se guri e se druri.
Strategët serbë të vendosur në Hoçën e Madhe tashmë e kishin të qartë se luftëtarët e lirisë vepronin në mal e në vërri, prandaj ndërmarrin operacione për ta dominuar situatën në terren, dhe fillojnë prej pikës kontrolluese te “Udha e Atmaxhës”. Në këtë rrafsh aktivizojnë artilerinë e vendosur në “Megjak” të Landavicës dhe pas rrënimit të lagjeve të tëra të këtij fshati, depërtojnë kah Pirana, Krusha e Madhe, Krusha e Vogël, Medveci, Zojzi e Qëndresa vetëm e vetëm që t’i spastrojnë fshatrat dhe pas kanonadave artilerike t’i hyjnë “krehjes me këmbësori” dhe t’i thyejnë luftëtarët e Anadrinit, ushtarët e Adem Jasharit. Kështu edhe u masakruan banorët e fshatrave: Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Celinë, Fortesë, Rudinë, Brestos, Hoçë e Vogël, Nagac, Qëndresë e Reti, ndërsa, me të depërtuar në fshatrat e Nëngrapit, forcat serbe, veçanërisht këmbësoria; policore e ushtarake ballafaqohen me rezistencën e luftëtarëve të lirisë të pozicionuar në harkun defansiv që shtrihej në fshatrat: Gurrë (ish-Sudençan), Vneshtë (ish-Samadraxhë) të Therandës, Reti, Apterrush, Reti e Ulët, Qëndresë, Nagac e deri në Fortesë, veçanërisht në gardhin e hekurt që shtrihej nëpër lugje e prozhme të “Izbishtit”, terrene këto të lakmueshme për forcat serbe që prej korrikut të vitit 1998, ndërsa pranë Ujësjellësit, në “Lis – Dervish”, gjatë luftimeve të përgjakshme, përjetësohet Ersan Mazreku, i Prizrenit, më 26 mars, 27 – 28 marsi është edhe më e zjarrtë; në mbrojtje të fshatit Qëndresë marrijnë përjetësinë: Agim e Gani Bajrami, Fadil Ferati, Fetah, Nuhi,Osman e Lulëzim Rexhepi e Ymer Hoxha, jo larg trimave të Qëndresës merr pëjetësinë dëshmori i kombit Ramadan Rifat Mazreku i Retisë, së Dan Retisë të njohur për rezistencën heroike kundër Reformave të Tanzimatit, i Retisë së Bujarit të rënë te “Arat e Memajve” e të Bekim Thaçit të përjetësuar në Betejën e Koshares, në Brigadën 138 “Agim Ramadani”.
Dëshmori i kombit Ramadan Mazrreku është i lindur më 15 tetor 1962 në fshatin Reti të Anadrinit, komuna e Rahavecit. Gjiri familjar i Rifatit e i nënës Xhylë, bijë e Berishëve të Hoçës së Vogël, edhe pse në skamje e varfëri, me punë bujqësore rritën bijë e bija duke ëndërruar se puna e tyre vreshtare, në këtë fshat të bukur anadrinas, do t’u siguronte një bazë materiale për t’i shkolluar të bijtë.
Ramadani shkollën fillore katërklasëshe e mbaroi në vendlindje, ndërsa klasët e larta, në Zaçisht. Qysh si nxënës i shkollimit fillor zë ta hetojë dhunën serbe që ushtrohej mbi popullatën shqiptare e veçanërisht torturat që bënin serbët e fshatrave; Hoçë e Madhe, Zaçisht, Apterushë e Reti të cilëve në çdo fushatë u prinin Perë Milani e Rajk Ilija kërcënimet e të cilëve s’kishin të ndalur. Me të mbaruar filloren xha Rifati e regjistron Ramadanin në Shkollën e Mesme Teknike “Gani Qafdërbasha”, dega e makinerisë, në Prizren. Në teknikumin e Prizrenit, Ramadani përveç mësimit, i bashkohet ilegales që vepronte në Prizrenin legjendar dhe gjendet në krye të çdo manifestimi kundër dhunës policore të istaluar në Kosovën e pas “Kushtetutës së Gazimestanit”. Ushqehej me krenari kur dëgjonte për trimërinë e të parëve; luftëtarë të njohur nga Retia, e veçanërisht për heroizmin e Dan Retisë, emrin e të cilit e mbante. Por pas aktiviteteve të Janarit të vitit 1990 në krye të të cilëve ranë dëshmorët: Agron Fetahu, Halim Hoti, Hilmi Krasniqi e Nesimi Elshani, Ramadani merr rrugën e kurbetit ashtu si pjesa dërmuese e rinisë së këtyre trojeve. Për ta fituar kafshatën e bukës vendoset në Mynih të Gjermanisë ku vepronte plejada e djemve trima si zana që i kishte Kosova, por të cilët e braktisën kurbetin dhe Perëndimin e iu përgjigjën thirrjes së atdheut të lodhur e të rrezikuar prej forcave paramilitare serboçetnike, që ushtronin gjenocid mbi shqiptarë të mbetur edhe pa të drejtën e shkollimit. Edhe në Mynih, Ramadani organizohet në strukturat për formimin e instrumentit të forcës në të cilin shihte shpëtimin kombëtar, pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e trojeve. Shërbimi sekret informohet edhe për këto aktivitete, prandaj veprimtarët e Retisë së bashku me Ramadanin rrallojnë vizitat në Kosovë deri në nëntor të vitit 1997 kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës vinte edhe në Reti e Qëndresë e veçanërisht Grupi i Nait Hasanit, nga Qëndresa (ish–Randubrava). Edhe pse në Reti mungonte veprimtari Nait Thaçi, që tretej nëpër kazamate serbe, veprimtarët e tjerë, më 26 prill të vitit 1998 zgjerojnë grupet vepruese dhe formojnë Kompaninë e Retisë e cila do të strukturohet në Brigadën 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut dhe si formacion i parë vepron me emrin “Gryka”. Këtu veprojnë: Musli Thaçi, Hamëz Kryeziu, Hasim Shtërbani, Hajriz Kryeziu, Bekim Thaçi, Bujar Thaçi e Sylejman Mazreku, sot dëshmorë të kombit, invalidë e veteranë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 15 qershor të vitit 1998 formacioni “Gryka” nga Retia, në të cilin ishte sistemuar edhe mërgimtari Ramadan Mazreku hap vija defansive; pika me istikame për mbrojtjen e fshatit dhe formohet Shtabi Operativ Lokal “Arra”. Aktiviteti i këtij formacioni të Retisë dhe veçanërisht i Ramadan Mazrrekut me bashkëluftëtarët zhvillohet në bashkëpunim me Shtabin Operativ Rajonal të Drenajt në mënyrë që luftëtarët e lirisë nga Retia të ushtrojnë në stërvitoren e Zatriqit. Retia zë të bëhet njëri prej korridoreve të rëndësishme të depërtimit prej Vlahne e Cahani nëpër Kushnin, Romajë e Rogovë e me dalje kah Pagarusha, Baja e Kleçka për në Drenicë. Ramadani është së bashku me luftëtarët Xhevat Shtërbani, Lulëzim Krasniqi, Selim Gashi, Xhelal Hajda, Selajdin Mullabazi, Bedrush e Feim Gashi, Shefki Thaçi dhe Refki Krasniqi. Në betejat e Retisë, Ramadani shquhet me trimëri por edhe për shkathtësitë që i kishte. Qëndroi i pathyeshëm në luftimet e Rahavecit, Fortesës, Apterrushit e të Izbishtit. Shok i mirë dhe kooperativ, qëndroi i pathyeshëm edhe kur mbetej pa shokë të idealit ashtu siç kishte qëndruar me rastin e rënies të Xhelal Hajdës, Selajdin Mullabazit, Muhamet Malësorit, Hysni Durakut dhe studentëve të familjes Hoti nga Krusha e Madhe. Por më 27 mars të vitit 1999, me rastin e shpëtimit të popullatës së ndjekur civile që vinte prej Krushës së Vogël, Krushës së Madhe, Nagacit e Qëndresës, hapet harku i rezistencës kah Retia, madje në rajonin e Izbishtit, jo larg “Lis – Dervishit” dhe përjetësohet Ramadan Mazreku në “Fushat e Gërçillës”, luftime këto të përgjakshme për jetë e vdekje me të cilët komandonin: Tahir Sinani, Ekrem Rexha, Nehat Basha e Skënder Hoxha e Fatmir Dushaku. Bashkëluftëtarët vazhduan sulmet me objektiv në tërheqjen e trupit të pajetë të Ramadanit të rënë e të përjetësuar. Në saje të përpjekjeve deri në sakrificë Fuat e Binak Shtërbani, së bashku me Sylejman Mazrekun dhe Xhelil Thaçin tërheqin bashkëluftëtarin e rënë dhe për ta fshehur nga bishat serbe e varrosin afër “Hisareve”. Të gjithë luftëtarët e lirisë vazhdojnë rezistencën në drejtim të fshatrave: Apterrush, Zaçisht nga njëra anë dhe të Samadraxhës në anën tjetër.
Pas përfundimit të aktiviteteve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 27 korrik të vitit 1999 fshati Reti hap “Varrezat e Dëshmorëve” te “Lis – Dervishi”, mu në vendin ku ishin zhvilluar betejat më të përgjakshme të Birgadës 124 “Gani Paçarizi” e të Zonës Operative të Pashtrikut. Këtu e në këtë vend i bëhet edhe përcjellja e fundit dëshmorit Ramadan Rifat Mazreku nga Retia të cilës kjo luftë ia gëlliti të anë Rifatin, bashkëfshatarët Elezin, Mehmetin, vajzën e re, Hanë Shtërbanin dhe 24 martirë të tjerë.
Sot pas të gjithë përvjetorëve nëna Xhylë me Ilirin tashmë të burrëruar, Xhevahiren dhe Leutrimin freskojnë varrezat në “Kopshtin e Dëshmorëve” të fshatit Reti, pastrojnë barojat e “Lëndinës së Lotëve” dhe së bashku kujtojnë heroizmin e Ramadanit, Bekimit dhe Bujarit por njëri në Rahavec, tjetri në Koshare e të tretë në dheun e trojeve të Naimit e të Fishtës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …