Ramush Smajl Ahmetaj: Beteja tri ditore tek Prroni i Gërvallës

Ramush Smajl Ahmetaj: Beteja tri ditore tek Prroni i Gërvallës

(Kujtime)

Lufta e Ushtria Çlirimtare të Kosovës është faqja më e lavdishme në Historinë tonë Kombëtare që ju kundërvu me guxim dhe vetmohim makinerisë ushtarake dhe gjenocidit barbar serb për çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës prej ushtrisë dhe policisë serbo-sllave. Ndër betejat e fillimit të luftës në Dukagjin ishte edhe Beteja treditore që u zhvillua tek Prroni i Gërvallës. Luftimet në këtë betejë filluan me 29 e 30 maj dhe më 1 qershor të vitit 1998. Fillimisht luftimet ishin sporadike, por pasi forcat serbe u ndeshen në një rezistencë të fortë të luftëtarëve të UÇK-së, lufta u bë shumë e rreptë. Ditën e parë të betejës një grup i forcave ushtarako policore dhe paramilitare serbe ishin stacionuar në shkollën e Kryshecit dhe në shtëpinë e Çeda Stojkoviqit, Jovë Mshlenit të njohur për popullatën e Lugut të Baranit si përsona të rrezikshëm dhe që i takonin strukturave paramilitare. Sadri Ahmetaj ishte njoftuar nga Tahir Berisha dhe Izet Gashi se në shtëpinë e Çedës dhe në shkollën e Kryshecit si dhe në shtëpinë e Jovë Mishlenit, janë tubuar forca serbe të shumta dhe se janë duke u përgaditur për ta sulmuar Jabllanicën (Shqiponjën) dhe rajonin e Lugut të Baranit.

Me të marrë lajmin Sadri Ahmetaj bashkë me Demush Ahmetajn, Xhavit Thaçin dhe disa djem tjerë të Dubovikut, shkuan dhe i sulmuan forcat serbe të cilat ishin stacionuar në shkollën e Kryshecit, në shtëpinë e Çedës dhe shtëpitë tjera të kolonëve. Pasi kishte filluar sulmi forcat serbe kërkuan përforcime për shkak se nuk munden ta përballonin sulmin, që e kishte ndërmarrë Sadria me shokë. Aty ka ora 11h e ditës së 29 majit 1998, luftimet morën përmasa të mëdha, vija e frontit u zgjerua shumë, prandaj Sadria kishte shkuar në Kryshec ku ishte takuar më Vehbi Çakën dhe pastaj kishte shkuar edhe në Dubovikë për të kërkuar përforcime. Në ato momente, Sadrisë ju kishte bashkangjitur edhe Osman Markoviqi nga Prapaqani i (kombësisë boshnjake) bashk më një përson tjetër.

Osmoni kishte ardhur aty me grupin e luftëtarëve të Broliqit. Në këtë kohë jam bashkuar edhe une (Ramush Ahmetaj) bashk më Adem Bekën e Atëdhe Bekën (nipat e mi), Skender Ahmetajn, Bashkim Ahmetajn dhe Brahim Nimanin për ti dalë në ndihmë Sadrisë i cili ishte rrethuar nga forcat serbe në luftime e sipër. Duhet të ceket se kjo betejë ka qenë beteja e parë në rajonin e Pejës me rrethinë, por ishte edhe fillimi i luftës frontale në këtë regjion. Në ditën e parë të luftimeve forcat serbe kanë sulmuar edhe me tanke e autoblinda dhe armë tjera të rënda. Gjatë luftimeve në ditën e parë, kishte ardhur edhe Ramush Haradinaj bashk më Idriz Balën dhe Bujar Harainaj, nga i cili morëm instruksione për ta vazhduar luftën. Gjatë luftimeve të ditës së parë kanë ardhur në ndihmë edhe përfaqësuesit e fshatrave: Faton Mehmetaj nga Pozhari me një grup prej 5 a më shumë përsonave, pastaj kanë ardhur një grup i luftëtarëve nga Lluka e Poshme të udhëhequr nga Ali Geci me 5-6 luftëtar, Lumbardhi poashtu më 5-6 luftëtar qe u printe Sami Lekaj i cili ka qendruar me ne, në luftime gjatë gjith ditës. Gjatë ditës janë bashkangjitur edhe luftëtarët e Prapaqanit të cilëve u printe Maxhun Berisha (dëshmor).

Në këtë betejë është dalluar Hashim Shala dhe luftetarët e Broliqit. Pasi u thyen forcat serbe qe ishin te pozicionuara në shkollën e Kryshecit, tek shtëpia e Çedës, dhe përgjatë asfaltit, ata e sulmuan lagjën e Gërvallajve. Edhe aty jemi përqendruar dhe kemi filluar rezistencën. Fillimisht, Sadri Ahmetaj së bashku më Demush Ahmetajn, Ramush Ahmetajn, Skender Ahmetajn, Xhavit Thaçin, Adem Shalën, Daut Berishën, Bajram Shalën, Ali Thaçin, Agron Thaçin, Agim Thaçin, Zymer Thaçin e luftëtar tjerë u përqendruan rreth lagjës Gërvallaj dhe filluan që tu kundërviheshin forcave serbe. Lufta ishte e rrept, madje luftohej edhe në distancë deri në 5-6 metra. Gjatë kësaj beteje që zgjati tri ditë, ku secilën ditë janë zhvilluar luftime nga 13 orë, forcat serbe kanë pësuar humbje të mëdha në njerëz e në teknikë luftarake.

Ky ishte një tregues i qartë se Sadri Ahmetaj më vllëzër dhe me disa bashkëluftëtar kishin fituar përvojë luftarake qysh nga ilegaliteti, por edhe nga angazhimi në vijat e frontit që kur UÇK-ja kishte filluar të vepronte hapur. Lufta që u zhvillua tek Prroni i Gërvallës, ishte njëra ndër betejat e lavdishme të UÇK-së. Kjo betejë dhe fitorja e luftëtarëve të UÇK-së ndaj forcave serbe në këtë betejë u dha forcë e vullnet luftëtarëve të fshatrave të Lugut të Baranit e Pejës më rrethinë që të kyçen në UÇK shumë luftëtar të këtyre fshatrave, të cilët u dalluan më pastaj në shumë luftra e beteja kundër forcave serbe. Vlenë të përmenden për angazhimin e tyre në procesin e luftimeve edhe Brahim Nimon Berisha, Enver Isë Berisha, Adem Gërvalla, Sylë Gërvalla, Maxhun Berisha-Gërvallaj, Vehbi Qaka e Arben Haxhi Berisha.

Luftimet tre ditore në Betejen e njohur si Beteja e Prrojit të Gërvallës, ishin tregues i qartë për forcat serbe se ato nuk e kishin të lehtë që të përballeshin me forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë atyre tri ditëve, që u zhvilluan luftime gjatë gjithë ditës, forcat serbe kishin kriuar një rreth të vijës së luftimeve nga Zllapeku deri në Baran. Numri i forcave ushtarako policore serbe që ishin përqendruar në këtë vij frontale ishte mbi njëmij, të paisur me mjete luftarake e armatim ndër më të sofistikuarit e kohës. Në këtë luftë tepër të ashpër humbjet në radhët e UÇK-së ishin të pakta. Ditën e tretë të luftimeve ishin bashkangjitur me ne, në luftime edhe Lahi Ibrahimaj nga Jabllanica bashk më një grup nga Shtabi i Përgjithshëm dhe disa pjestar të Njësisë Speciale si: Beg Rizaj (Dëshmor), Mahir Lajçi (Dëshmor), Rexhep Daci dhe Valmir Ukaj.

Në këtë betejë gjatë luftimeve është plagosur Demush Gërvalla, kurse Zymer Gërvallën e kishin kindapuar forcat serbe të cilin e kishin vrarë tek i treti kilometer në Grykën e Pejës në shej hakmarrje për humbjet që forcat serbe pësuan në këtë betejë. Në kujtim të kësaj beteje dhe fillimit të luftës frontale në rajonin e Pejës e të Lugut të Baranit në Kryshec është ngritur një pllakë përkujtimore. Për fund dua të them se UÇK-ja ishte faktori dhe mekanizmi kryesor i cili për herë të parë në Historinë tonë Kombëtare e bëri të mundur një aleancë ushtarake shqiptaro-perendimore, UÇK-NATO, kundër barbarisë sllavo-serbe për çlirimin e Kosovës. NATO siç është thënë prej të gjithve ishte aviacioni i UÇK-së, ndërsa UÇK ishte këmbësoria e NATO-s. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, NATO, SHBA-të dhe shtetet tjera të Evropës dhe Botës, janë meritore për Pavarësinë dhe ndërtimin e Shtetit të Kosovës. Ky mision historik që u realizua prej tyre, njihet botërisht dhe historikisht. Ky mision është i shejt dhe i paprekshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani

Zymer Mehani: Paradoksale

Lajmi që Shqipëria është kandidate për të organizuar kampionatin Europian të futbollit për 21-vjeçarët në …