Dr. Rexhep Qosja

Rexhep Qosja: Nikolla Pashiqi, Rankoviqi as Millosheviqi nuk kanë propaganduar kundër Shqipërisë si T7 dhe “Expressi”

As kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudo- demokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express”. Kjo urrejtje ndaj Shqipërisë shtetërore nuk është urrejtje as e çastit e as e rastit. Jo. Kjo është urrejtje me motive jo vetëm politike më gjatë e menduar dhe më gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar!

Kësaj urrejtjeje të organizuar shoviniste brendakombëtare kundër Shqipërisë, me të punësuar e bashkëpunëtorë, me ide, me mendime, me projekte, me propozime po i kontribuojnë edhe ndonjë institucion e edhe individë të tjerë të këtushëm. Është naivitet të besohet se këtë urrejtje shoviniste brendakombëtare ndaj shtetit shqiptar, Shqipërisë, nuk e nxisin edhe mjete financiare të brendshme e të jashtme!

Dhe, është e palejueshme të presim gojëmbyllur e të shohim se çfarë pasojash, dhembjesh e plagësh po i sjell kjo urrejtje e propaganduar aq gjatë e aq vendosmërisht njësisë së Kombit shqiptar dhe marrëdhënieve të Dy shteteve shqiptare!

Në qoftë se nuk janë mirëkuptues të kësaj urrejtjeje të propaganduar haptas, botërisht e pa ndërprerje tani e sa kohë kundër Shqipërisë, institucionet e larta politike e shtetërore të Kosovës do të duhej të marrin qëndrim ndaj bartësve të saj siç po marrin shtetet e mëdha të Bashkimit Evropian ndaj propaganduesve të organizuar të fashizmit dhe të nazizmit në jetën e tyre politike, shoqërore e shtetërore.

Heshtja e tyre ndaj saj s’mund të kuptohet ndryshe përpos si pajtim me të!

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …