Dr. Rexhep Qosja

Rexhep Qosja: Shteti vret edhe me mediet e kriminalizuara, siç është portali Express, por edhe disa të tjera

1.

Janë bërë tetë ditë nga shuarja e jetës në burgun e Prizrenit të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe studentit i cili edhe dy provime duhej t’i jepte për t’u bërë mjek i popullit! Janë bërë tetë ditë prej se vendorë e të huaj, njerëz të politikës, intelektualë, medie të shkruara dhe elektronike shfaqin mendime për këtë vdekje të papritur, të ndodhur në rrethana të paqarta dhe në mënyrë edhe më të paqartë. Disa, me vetësigurinë e njerëzve që s’kanë dëgjuar ndonjëherë për brejtje të ndërgjegjes, thonë se Astrit Dehari u vetëvra! Disa të tjerë thonë se ai u vra prej atyre në duart e të cilëve e kishte lënë fati tragjik! Disa të tjerë thonë se e vërteta për shuarjen e jetës së Astrit Deharit do të mësohet sigurt vetëm prej hulumtimeve të atyre që janë caktuar profesionalisht të hetojnë rrethanat dhe vdekjen e tij.Disa të tjerë, ndërkaq, nuk ngurrojnë të thonë se e vërteta për këtë vdekje në të vërtetë nuk do të mësohet kurrë!

2.

Pavarësisht prej asaj që e thonë a edhe e shkruajnë ata që flasin për vetëvrasjen e Astrit Deharit; pavarësisht prej asaj që e thonë apo edhe e shkruajnë ata që flasin për vrasje; pavarësisht prej asaj që e deklarojnë ata që kërkojnë të priten të dhënat që do të sjellin ata që janë caktuar të bëjnë hulumtimin profesional të vdekjes; dhe pavarësisht prej asaj që deklarojnë ata që mendojnë se e vërteta për vrasjen a vetëvrasjen e Astrit Deharit nuk do të mësohet kurrë, për këtë vdekje tragjike e vërteta është kjo: të birin e Avni Deharit dhe Xhemile Deharit, anëtarin e Vetëvendosjes e vrau shteti: e vrau shteti i Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së të cilit prindërit e tij ia kushtuan gjithë jetën derisa ishin në Kumanovë e, mandej, në Zvicër, kurse të sotmes dhe të ardhmes së të cilit po ia kushtonin jetën e tyre mbas ardhjes në Kosovë.

3.

Shteti nuk vret vetëm në një mënyrë: Jo. Shteti, sidomos, shteti dhunëtar, i bërë shtet privat prej oligarkisë politike dhe përfituese, siç është sot shteti ynë, vret në mënyra të ndryshme: vret me plumba, më shpesh fshehurazi se hapur; vret me armë të ftohta; vret me dhunë fizike ndaj trupit dhe me dhunë psikike ndaj shpirtit; vret me përndjekje; vret me fyerje; vret me shpifje, me gënjeshtra e me mashtrime; vret me burgje, me paraburgje e me pasburgje; vret me mediet e paguara, me mediet e shantazhuara dhe me mediet e frikësuara; vret me mediet e kriminalizuara, siç është portali Express, por edhe disa të tjera! Astrit Deharin shteti e vrau jo me një po me disa nga këto mënyra vrastare! Dhe e vrau me disa nga këto mënyra sepse Astrit Dehari ishte me karakter e me bindje i panënshtruar para pushtetit dhunëtar! Dhe e vrausepse ky shtet donte të vriste Opozitën dhe sepse ky shtet donte të vriste Lëvizjen Vetëvendosje! Dhe e vrau duke e burgosur me katër shokë dhe me një shoqe, duke iakuzuar të të gjashtët si terroristë që, u tha me gojët e me shkrimet e pushtetarëve, që u tha zyrtarisht e privatisht prej tyre, se deshën të vrisnin Kuvendin e Kosovës, deshën të vrisnin Kuvendin e Kosovës duke vrarë dy a tri tulla a xhama të këtij Kuvendi, prej sallave të të cilit lirinë dhe pavarësinë e Kosovës po e predikojnë dhe po e “mbrojnë” edhe njënumër i atyre që sot perceptohen shumë papranueshëm e padurueshëm prej popullit. Dhe, me supozimin se prej duarve të tyre “terroriste” u plagosën ato dy a tri tulla a xhama, ata u quajtën terroristë dhe u çuan ku u çuan! Dhe u terrorizuan si u terrorizuan! S’deshën të dinë pushtetarët e dehur prej pushtetit se terroristët s’vrasin tulla po njerëz!

4.

Shtetet demokratike me ligjet e veta i sigurojnë edhe të drejtat njerëzore të të burgosurve dhe kujdesen për ta. Ato, shtetet demokratike, pranojnë të jenë dhe janë përgjegjëse për jetën dhe për vdekjen e të burgosurve të tyre. Por, shteti ynë s’lodhet për ato të drejta të të burgosurve, prandaj u bë vrasës i Astrit Deharit jo vetëm në qoftë se ai u vra prej ndonjë shërbëtori zyrtar, por edhe në qoftë se u vetëvra! Shteti i Kosovës u bë shtet vrasës i tij sepse me terrorin politik e shtetëror e rëndoi pamatshëm politikisht, shpirtërisht dhe trupërisht! Astrit Dehari nuk është i burgosuri i parë viktimë e shtetit tonë, por është viktimë e veçantë e këtij shteti, që tash e tre vjet po përdor edhe mjete e po zbaton edhe mënyra neofashiste në qërimin e hesapeve me kundërshtarët politikë! E me disa të tjerë!

5.

Pikëllimi i prindërve, i nënës dhe i babait, i motrës dhe i bashkëshortes së Astrit Deharit për shuarjen e jetës së tij është i madh, është i madh dhe është i rëndë, i rëndë sa bjeshka! E madhe, pamatshëm e madhe është edhe dhembja e shokëve, e kolegëve, e miqve, e dashamirëve të shumtë të tij për të. Prej pesë nëntorit, kur u nda nga jeta, Astrit Dehari nuk është më vetëm i Xhemiles dhe i Avniut: Astrit Dehari tashmë është biri i shtrenjtë, është vëllai i shtrenjtë i ne të gjithëve, i gjithë Kosovës, i gjithë shqiptarëve. Astrit Deharit iu bënë nderime mortore si një dëshmori, dëshmori të veçantë, të rënë në kushte të veçanta dhe në mënyrë të veçantë. Kur filloi lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Astrit Dehari ishte vetëm nëntë vjeç dhe mosha prej fëmije s’i lejoi të merrte pjesë në atë luftë. Por, në atë luftë morën pjesë prindërit e tij dhe morën pjesë duke e bërë shtëpinë e tyre në Zvicër shtëpi të shumëve nga ata që do të marrin pjesë në Luftën Çlirimtare në Kosovë. Astrit Dehari nuk mori pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës prej pushtimit të Serbisë, por ra dëshmor në një luftë tjetër, shumë të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi: ra dëshmor në luftën politike për Kosovën demokratike, për Kosovën e qeverisur prej bijve e bijave të saj të paprishur prej arrivizmit, prej despotizmit, prej korrupsionit pandemik, prej nepotizmit primitiv, prej pasurimit lehtëdhe shpejt, prej pronave të patundshme e të tundshme, prej privilegjeve të gjithfarëllojshme, prej arrogancës dhe megalomanisë në të cilën aq lehtë e aq shpejt zhyten ata që idealet nuk ngurrojnë t’i zëvendësojnë me karrige e me përfitim! Le të ngushëllohen nëna e babai i Astrit Deharit me nderimet e jashtëzakonshme që iu bënë djalit të tyre! Le të ngushëllohen Xhemilja e Avniu me përvjetorët që do t’i shënohen birit të tyre si përvjetorë të dëshmorit të rënë për Kosovën demokratike, për Kosovën me drejtësi të pakapur prej oligarkisë, për Kosovën ku para ligjit janë të gjithë të barabartë, për Kosovën me sistem vlerash që e bëjnë të kuptimshme e të dinjitetshme edhe jetën e atyre të shpërfillurve e të braktisurve prej pushtetit të oligarkisë, që obligimet shtetërore për të mirat e përgjithshme i ka zëvendësuar me përkushtime të pandalshme ndaj interesave të veta, të të vetëve e të partisë së vet! Le t’i jetë e lehtë toka e Kosovës Astritit tonë që kësaj toke ia fali rininë, mendjen dhe virtytet e tij të larta.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …