RKL

RKL: A po afrohet edhe kompromisi i fundit, i dhembshëm, në dëm të Kosovës?

Kompromiset, që i kanë bërë qeveritarët dhe politikanët tanë të pas luftës, në dëm të Kosovës, nuk janë të vogla dhe nuk janë bërë vetëm nga një politikan apo vetëm nga një parti politike. Kompromisi i parë ka qenë shpërbërja e UÇK-së, në gusht të vitit 1999 pa e kushtëzuar me pavarësinë e vendit, për të cilën ajo  kishte luftuar dhe kishte derdhur gjak,  dhe, shndërrimi i saj në një Trupë Mbrojtëse për raste emergjente të katastrofave të natyrës. Kompromisi tjetër fatal është pranimi i   bisedimeve me Serbinë pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik 2010,  e cila ishte thirrur me kërkesën e Serbisë, por në fund  konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur të Drejtën Ndërkombëtare.

Përveç kompromiseve të vazhdueshme në bisedime me Serbinë, duke filluar  nga Vjena dhe tani në Bruksel, krerët e Kosovës, kompromisin e parë, të pranuar publikisht e kanë bërë me pranimin e “Pakos së Ahtisarit”, e cila ka cunguar përfundimisht territorin dhe të ardhmen e Kosovës. Duhet të përkujtojmë me këtë rast se këtë “Pako të zezë” e kanë nënshkruar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, pa asnjë përjashtim. Kundër pakos ka votuar vetëm një deputetë boshnjak. Krejt ajo çka ka ndodhur prej asaj  kohe e deri tani është derivat,  që ka rrjedhë dhe po rrjedh nga Pakoja, e pranuam apo jo.

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar në Sofje të Bullgarisë se nga përfundimi i negociatave me Serbinë, asnjëra palë nuk fiton qind për qind dhe kësaj radhe, sipas tij u dashka të ketë akomodim më afirmativ për serbët. Thaçi ka paralajmëruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë, serbëve të Kosovës  do t’u ofrojë “akomodim” më afirmativ në Republikën e Kosovës.

Një paralajmërim të tillë monitoruesit e procesit të dialogut Kosovë – Serbi e shohin të ndërlidhur kryekëput me çështjen e asociacionit. Sipas tyre, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të formohet me kompetenca ekzekutive, ndonëse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Fakti se kryetari i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka deklaruar se nuk ka kompromis kur fiton vetëm njëra palë, lë të kuptohet se kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi edhe kësaj radhe, për finale, do të bëjë lëshime sipas kërkesave e presioneve të partnerëve ndërkombëtarë, ashtu sikur kishte bërë në bisedimet e Brukselit në prill të vitit 2013 dhe më tej. Madje Thaçi disa herë ka pranuar edhe publikisht se u ka bërë kompromise të shumta ndërkombëtarëve, por ata, sipas tij,  nuk i kanë mbajtur premtimet. Pretendimet e tij për aprovimin e një ligji për shndërrimin e FSK-së në FAK, apo përpjekja për ta vënë jashtë ligjit Gjykatën Speciale, janë manovrat e tij tashmë të njohura. Tani lidhur me tezën për akomodimin afirmativ të serbëve në Kosovë, Thaçi ka dhënë sinjalet e para, për lëshimin e radhës.

Natyrisht se këtë “akomodim afirmativ” të serbëve do ta përkrah edhe Qeveria e Kosovës, e cila ka bërë të ditur publikisht se mbështet kryetarin Thaçi në bisedimet me kryetarin e Serbisë, Alaksander Vuçiq.

Çka mund të bëjmë tani kur fatin e Kosovës e vendos një njeri, kryetari i Shtetit i zgjedhur jo me vota të popullit, jo me shumicën ‘demokratike”  por me vota të deputetëve të LDK-së për pazare politike.

Tani, një gjë është fare e sigurt se kompromisi për të cilin flet, kryetari, Hashim Thaçi nuk është i natyrës së një OJQ-je, sikur  ka thënë për përdorim të brendshëm, madje nuk është kompromis as i një autonomie dosido për serbët, por thjesht krijimi i një baze për aneksimin edhe “de iure” të veriut të Kosovës nga Serbia. Është e natyrshme për të, që fjala “aneksim” të zëvendësohen me “akomodim”,  sepse kështu tingëllon më mirë, sidomos për syleshët, ata që janë mësuar me “lepe-peqe” dhe ata që janë mësuar t i bëjnë amin çdo lëshimi të deritanishëm në dëm të vendit dhe të interesit tonë kombëtar, me qëllim për të ruajtur favoret e tyre politike, kapitalin ekonomik të cilin e kanë përvetësuar, pozitat, pasurinë në Kosovë, në Shqipëri, në Zvicër e gjithandej nëpër botë.

Nëse Serbia do të arrijë që edhe kësaj radhe të përfitojë në tavolinën e bisedimeve, ajo prapë se prapë nuk do të kënaqet me këtë të arritur. Pas këtij kompromisi, Vuçiqi do të kërkojë krijimin e Republikës serbe në Kosovës, e cila do të përfaqësonte të gjithë serbët në enklava dhe do ta shëmtonte përgjithmonë të ardhmen e vendit.

Këtë oreks kolonialist e hegjemonist të  Serbisë, po e ushqen Moska zyrtare, BE-ja në tërësi dhe jo vetëm pesë shtetet, që nuk e kanë njohur as do ta njohin Kosovën.

Ajo çka mund të bëjmë ne kështu si jemi, të ndarë e të përçarë, është që të vajtojmë dhe të kujtojmë kohën kur Janina ishte qendra e botës shqiptare në shekullin 19-të dhe sot nuk ka asnjë shqiptar, të përkujtojmë kohën kur shqiptarët jetonin në katër vilajetet e tyre që përfshinin një sipërfaqe rreth 120.000 km2 e sot janë rrudhur në rreth dyzet mijë dhe as u shkon mendja ta përmendin, “Shqipërinë e Madhe” sepse e konsiderojnë herezi politike.

Dikur, afër 140 vjet më parë  kishim presion nga Porta e lartë, në Stamboll ta lëshonim Ulqinin, Plavën Gucinë, Prokupjen Nishin dhe dashur pa dashur, edhe pse troje  të lara me gjak, të parët u detyruan t’ i lëshojnë dhe të ikin nga të mundin. Tani i lëshuam Malit të Zi 8.200 hektarë tokë e pyje, edhe pse këtij Shteti sllav “Evropa e ndytë dhe e mërrytë, të cilës Zoti i plasi dy sytë” ia kishte plotësuar gjysmën e territorit të paracaktuar në Kongresin e Berlinit.   Tani me qëllim të akomodimit të serbëve, po e lëshojnë qetas veriun, nuk po kërkojnë ndërrim territoresh me komunat Preshevë Bujanoc, Medvegjë, sepse këtë  nuk po e lejon BE-ja, as miqtë tanë amerikanë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Ahmet Qeriqi: Marsi, Prilli e Maji i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive …