Brickos

RKL: Gjykata Speciale kundër UÇK-së me përmbajtje raciste e fashiste

Bashkimi Evropian, segmenti politik që merret me krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, që pretendohet se i ka kryer UÇK-ja në vitet 1999-2000, ka futur në projektligj edhe termin “Gjenocid”, për të cilin thuhet se kanë kryer luftëtarët e UÇK-së kundër disa  shqipfolësve dhe kriminelëve serbë.  Procedimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale për Krime Lufte, i cili parashihet të sillet  për miratim në Kuvendin e Kosovës e pengojnë detajet teknike, por edhe ato lëndore e përmbajtësore.


Termi gjenocid tash për tash  përbën një prej mospajtimeve kryesore.


Gjykata mono-etnike, antishqiptare  është “aureola” e veçantë e kësaj gjykate, gjithsesi speciale, por me turp e marre.


 


Projektligji,  thuhet se është negociuar nga Qeveria e Kosovës me përfaqësuesit ligjorë të Bashkimit Evropian. Kjo gjykatë pretendon të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me sikur thuhet, krimet e luftës të pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë e shqiptarë gjatë periudhës së viteve 1999 – 2000.


Zyrtarët që merren me këtë gjykatë konstatojnë paksa me keqardhje se  termi gjenocid, në çdo rrethanë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por ata më në fund do të pajtohen edhe kësaj radhe me arbitrimin e BE-së, ashtu sikur janë pajtuar qe 15 vjet rresht.


Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se zgjidhja e vetme është mospranimi i kësaj Gjykate nga ana e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, nuk është vetëm termi gjenocid i papranueshëm, por edhe vetë tërësia dhe tendenca për aktakuza dhe hedhje të fajit ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi.


Nëse Brukseli zyrtar nuk pajtohet për fshirjen nga Projektligji të termeve të papranueshme, atëherë, sipas deputetit të LDK-së Armend Zemaj, Kuvendi i Kosovës duhet ta ndryshojë këtë Projektligj gjatë fazës së shqyrtimit dhe miratimit. Këto janë dy reagimet e vetme të zyrtarëve tanë kundër projektligjit, lidhur me gjenocidin që paskan ushtruar shqiptarët kundër serbëve.


Edhe me këtë rast, kritikat janë orientuar te termi dhe përmbajtja gjenocid, të cilat mbase me një rast tjetër edhe mund të fshihen, si kompromis mes BE-së dhe autoriteteve vasale të Kosovës,  por esenca e gjykatës dhe përmbajtja e saj si tërësi do të mbetet e njëjtë, sepse nisma e këtij projekti antishqiptar ka qenë dhe po mbetet gjithnjë e pranueshme për pushtetarët tanë, madje edhe për  miqtë tanë, të cilët e dinë fare mirë kush ka kryer gjenocid, por ja që nuk duan t’ ia përmendin krimet Serbisë, bijës më të përkëdhelur të Evropës plakë, templarëve të idiotizmit fetar dhe mercenarëve e vrastarëve më fashistë të Ballkanit.


 


Gjykata Speciale kundër UÇK-së ka qëllim primar dhe përmbajtësor inkriminimin e luftës së UÇK-s-, të cilën ditë më parë e ka inkriminuar  edhe gjykata e EULEX-it me shpalljen fajtor dhe dënimin 14 vjet burg të ish-Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe dënimin 12 vjet burg të komandantit të Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku e dhjetë eprorëve të tjerë të lartë të UÇK-së. Deri tani janë nxjerrë para gjykatave të UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe janë dënuar me burg,  pothuajse të gjithë ish-komandantët e Zonave dhe shumë luftëtarë meritorë.


 


Është shumë i njohur racizmi i BE-së kundër shqiptarëve, madje është një racizëm unik, me përmbajtje fetare, ideologjike  dhe kombëtare. Shqiptarët e Kosovës janë i vetmi popull, të cilin Evropa e mban geto, për hir të Serbisë dhe për inat të Amerikës, e cila në vitin 1999 na doli në ndihmë  për të mos lejuar shpërbërjen e shfarosjen etnike vetëm për shkak të fesë, kombit, gjuhës e prejardhjes.


 


BE-ja e sotme mban qëndrimin e dikurshëm të Rajhut të Tretë ndaj hebrenjve.


Edhe ata u mbajtën fillimisht në geto e më vonë në holokauste dhe shfarosje kolektive.


Brukseli zyrtar po bën përpjekje ta deformojë të vërtetën e luftës në Kosovë, duke shpallur viktimën xhelat e xhelatin viktimë. Ky ndërrim tezash madje gjen përkrahje edhe në kreun politik të vendit.


Pranohet me lehtësi dhe me pak keqardhje shpallja fajtor dhe dënimi i kreut të luftës. Shfaqen edhe dobësi morbide të disa krerëve të luftës, të cilët qëndrojnë si bretkosa para gjarprit.


Në raste të tilla  shtrohet pyetja  përse të mos krijohet Gjykata Speciale, kur vetë të akuzuarit kryesorë pajtohen të dalin para gjyqit, t’ i nënshtrohen hulumtimeve dhe të pranojnë me lehtësi edhe burgun, jo për hir të Kosovës, por për hir të kapitalit ekonomik që kanë krijuar  sidomos pas luftës. Atë pretendojnë ta ruajnë shumë më terpë se interesin e Kosovës.  Apo ndoshta problemi struket  diku tjetër. Ndoshta krerët e BE-së u kanë premtuar se ata nuk do të ndiqen, ose do të kursen nga dënimet e rënda, nëse vetë pranojnë themelimin e gjykatës e nuk i qesin punë OKB-së. Pse të mos jetë kështu kur shohim gatishmërinë e tyre makute, skllavëruese  e harbute për ta pranuar “gjenocidin”  që paska kryer UÇK-ja kundër Serbisë, serbëve dhe shqiptarëve besnikë të Beogradit.


 


Por nuk është kjo e tëra.


Ajo është shumë më e hidhur, sepse për disa vjet rresht më së paku dhjetë apo më shumë, lufta e UÇK-së do të jetë në faqet e para të portaleve dhe mediatikisht ajo do të kryqëzohet, në mos për tjetër do të shërbejnë si mish i freskët për “dinozaurët” medialë të Evropës e botës. Shqiptarët liridashës do të vihen në shtyllat e turpit, me qëllim që Serbia të shpallet viktimë dhe në të ardhmen t’ i kthehet e drejta për ta ruajtur sovranitetin mbi Kosovën. Kështu edhe do të ndodh sepse shumica dërrmuese e shqiptarëve e ka dashur lirinë në “pjatë” por jo luftën e UÇK-së, të cilën e ka injoruar, sabotuar e denoncuar. Shumica dërrmuese e shqiptarëve meritën për fitore në luftë kundër Serbisë ia atribuon politikës pacifiste e durimtare të Ibrahim Rugovës dhe Amerikës.


 


Përderisa shumica shqiptare në Kosovë,  integrimin në Evropë e konsideron si hyrje në “parajsë” dhe është e gatshme të sakrifikojë luftën e gjakun e derdhur, edhe mundin e veteranëve, plagët e invalidëve, dhunimin e motrave, nuseve e grave, nga sodomistët serbë,  madje po tregohet e gatshme ta sakrifikojë  edhe një pjesë të sovranitetit, pse të mos themelohet Gjykata Speciale kundër UÇK-së?


 


Por vitet shkojnë e vinë e  kalon edhe kjo zezonë ashtu sikur ka kaluar zezona e shpërnguljes masive për në Turqi, vrasjet e masakrimeve e 400 mijë shqiptarëve  gjatë Luftërave Ballkanike, ashtu sikur ka kaluar regjimi fashist, antishqiptar  i Mbretërisë SKS, ashtu sikur është gjakosur Drenica e Gjilani  në janar shkurt të vitit 1945, nga forcat partizane çetnike,  ashtu sikur ka kaluar Aksioni i grumbullimit të armëve të supozuara të  shqiptarëve ku janë torturuar mizorisht mijëra shqiptarë, ashtu sikur kanë kaluar zezonat e katrahurat e  dënimeve drakonike në vitet 80 e më vonë. Të gjitha i kemi mbajtur mbi kurrizin tonë të deformuar dhe do ta mbajnë edhe tani, përderisa nuk i besojmë lirisë e bashkimit, përderisa nuk kemi qenë dhe nuk po tregohet se jemi në gjendje të luftojmë deri në fund për të drejtat tona, jo më shumë por as më pak sesa të drejt e serbëve, grekëve e bullgarëve, fqinjëve tanë grabitqarë të papërmirësueshëm.


Gjykata Speciale është turpi fashist i Evropës, që orientohet vetëm  kundër një etnie vetëm kundër shqiptarëve, sepse ata ende konsiderohen kanceri i Evropës. Është fatkeqësi kombëtare nëse e pranojmë vetë këtë zezonë. Është fitore kombëtare nëse këtë detyrohet ta bëjë KS i OKB-së, sepse, në një rast të tillë  do t’ i vë vetes edhe një vulë turpi, kur krijon gjykatë, të përkufizuar vetëm mbi baza kombëtare. Ndrydhja, nëpërkëmbja, përbuzja që po iu bëhet shqiptarëve nga BE-ja, Beogradi, Athina e Kremlini mund të rezultojë me një rrokullisje  tjetër, ku nuk do të mbetet pa u përfshirë edhe kjo pjesë e Ballkanit dhe Evropës.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …