RKL: Përpjekjet për vetëmbrojtje dhe mbijetesë të shqiptarëve në veri të Mitrovicës janë të domosdoshme

Aktualisht e vetmja mundësi e shqiptarëve për të mbijetuar në veri të Mitrovicës është vetëmbrojtja, meqë ata nuk i mbron Policia e Kosovës, ndërsa EULEX-i, UNMIK-u dhe KFOR-i, tashmë krejt hapur e kanë konfirmuar pozicionin e tyre, në ruajtjen e status-quosë, edhe nëse për çdo ditë vriten shqiptarët. Një dritë të gjelbër për vetëmbrojtjen e ka dhënë edhe kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili nuk sheh asnjë alternativë tjetër për mbetjen  e qytetarëve shqiptarë në veri, ku ata qysh prej qershorit të vitit 1999 kanë mbetur të okupuar nga Serbia, ashtu sikur ishte e okupuar edhe krejt Kosova deri në ditën e çlirimit, më 11 qershor të vitit 1999.


 Përpjekjet hipokrite të kreut politik e institucional të vendit për ta interpretuar ndryshe situatën në veri, për ta ruajtur status-quonë, për t’ i bërë qejf vetit se edhe në atë pjesë Prishtina zyrtare ka shtrirë sovranitetin, nuk janë aspak bindëse dhe  i shkojnë përshtati politikës serbe të spastrimit etnik, proces ky i cili ka rezultuar me dëbimin masiv të shumicës shqiptare nga ajo pjesë, dhe pasigurinë konstante të atyre, të cilët kanë mbetur atje, ku dhe jetojnë  nën presion sistematik nga frika dhe pasiguria.


Kosova nuk ka një qëndrim politik, unik, lidhur me veriun dhe mungesa e këtij qëndrimi nënkupton lëshimin pe, në mënyrë graduale nga mbrojtja e tërësisë territoriale të vendit, për shkak se miqtë tanë, “të dashur dhe largpamës”, po mundohen të na bindin se ajo pjesë, me shumicë serbe po i takuaka Serbisë, sepse serbët nuk dëshirojnë të jetojnë nën qeverisjen e shqiptarëve, ashtu sikur shqiptarët nuk kanë dëshiruar të jetojnë nën Serbi.


Përpjekjet e BE-së për të gjetur një zgjidhje politike për veriun, duke i dhënë veriut, fillimisht  autonomi të plotë vetëqeverisëse, janë fare të mundshme të realizohen meqë delegacioni i Qeverisë së Kosovës në bisedime të Serbisë, ashtu sikur ka lëshuar pe në tërë procesin e marrëveshjeve, ashtu do të pranojë çdo zgjidhje, që do ta kërkojë Brukseli dhe që do të jetë në interes të Serbisë. Sepse edhe bisedimet si të tilla, nuk po bëhen mes dy shteteve sikur dërdëllis, Edita Tahiri, por mes Beogradit dhe Brukselit, i cili ka prezantuar edhe palën e Kosovës në rolin marionet, me qëllim që marrëveshjet të realizohen, edhe pse ato nuk kanë protokoll si marrëveshje  ndërshtetërore, as e kanë një kredibilitet të tillë, meqë Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Pikërisht për këtë Serbia ka insistuar që  bisedimet të quhen, teknike, dhe ato po zhvillohen mes dy palësh të interesuara, për lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe lëvizjes së tyre të lirë, por pa paragjykuar statusin e Kosovës.


Përpjekjet për vetëmbrojtje të shqiptarëve, në veri janë tejet të vështira në kushte dhe rrethana të tilla, dhe nuk do të sjellin asnjë rezultat konkret, nëse ato përpjekje nuk materializohen me shtrirjen e Policisë së Kosovës, në të gjitha pjesët e territorit. Ky opsion, të paktën deri tani ka qenë krejtësisht i dështuar, për shkak se EULEX-i i respekton protokollet e lidhura me Beogradin, lidhur me veriun dhe nuk lejon që Policia e Kosovës të shtrihet në veri. Kjo u pa edhe më 9 e 10 prill, kur EULEX-i, nuk intervenoi me rastin e vrasjes së Selver Haradinajt, as me rastin e ndjekjet së policëve të Kosovës nga bandat serbe, por me tërë virulencën spektakulare u shfaq para një qind protestuesve shqiptarë afër Urës së Ibrit, duke lënë të kuptohet fare qartë se cilën vijë të demarkacionit dhe cilin opsion e mbështet misioni i BE-së, për sundimin e ligjit. Ata madje u gjeten të befasuar kur një komandant policie  i pyeti, përse kishin ardhur dhe kush i kishte ftuar?


Ata, që derisa sot nuk e kanë kuptuar rolin  dhe veprimet thellësisht antishqiptare të EULEX-it, atyre nuk iu intereson fare veriu, por vetëm pushteti i tyre vasal dhe i mjerë nën EULEX-in, ashtu si dikur nën regjimin e Milosheviqit. Pikërisht me zyrtarë të tillë të lakueshëm, me një pjesë e tyre me prejardhje ideologjike projugosllave, BE-ja po e ruan status-quonë në veri, po i arreston dhe po i dënon shqiptarët, të cilët kanë luftuar kundër Serbisë, dhe po i lë të lëvizin lirshëm dhe të vrasin sërish shqiptarë, ata që kanë vrarë dhe kanë masakruar popullatën civile, gjatë kohës së luftës në Kosovë.


Kjo është e vërteta e tejdukshme, ky është realiteti me të cilin po ballafaqohemi, meqë “miqtë tanë” dhe Brukseli kanë hallin e pranimit të Serbisë në BE, qoftë edhe duke e lejuar, apo duke e sugjeruar rikthimin e regjimit të Beogradit në Kosovë, meqë pranimi në BE i Serbisë dhe i Kosovës, “i bën të pavlefshëm kufijtë dhe i pajton popujt”(!). Kështu të paktën preferon Brukseli. Kështu mendojnë politikanët e moderuar të Kosovës, ashtu sikur dikur këta politikanë na sugjeronin të futemi në Parlamentin e Serbisë, sikur kishin   marrë pjesë baballarët tanë 500 vjet në Parlamentin e Turqisë. Ka mjaft të tillë në Kosovë, madje ata janë shumë të respektuar nga “miqtë tanë” sidomos për qëndrimin e tyre të fortë kundër UÇK-së, të cilën madje e kanë quajtur edhe fashiste. Ata gjithnjë kanë qenë dhe po tregohen të gatshëm për t’ u marrë ngryk  me serbët, madje sa më parë aq më mirë, për t u pajtuar edhe kur na vrasin, sepse, sipas tyre  ai që falë është shumë më trim sesa ai që hakmerret, pavarësisht se vrasësi nuk ta shtrin dorën, por ta fut thikën prapa shpine, ta minon shtëpinë në  gjysmë të natës, të vret në treg, në pikë të ditës.


 



E vetmja mundësi për mbijetesën e shqiptarëve në veriun e vendit tonë është mobilizimi gjithë-popullor në krye me veteranët e luftës së UÇK-së dhe me të gjithë shqiptarët liridashës. Të përkujtojmë faktin se kur Kosova ndodhej në luftë me Serbinë, kishin ardhur për të na ndihmuar vëllezërit tanë, oficerë dhe ushtarë nga Shqipëria, nga Maqedonia, nga Kosova Lindore madje kishin ardhur edhe internacionalistë nga vendet e ndryshme të botës. Ne nuk duhet të presim që vëllezërit tanë në veri, me një pushkallë  apo pushkë gjuetie të mbrohen nga kriminelët serbë, sikur thuhet  “për ta mbrojtur pragun”, sepse nuk bëhet fjalë për ta mbrojtur pragun, por jetën e njerëzve, të ardhmen e tyre, shtetin e pavarur të Kosovës, territorin e së cilës e kanë njohur 88 shtete të botës. Duhet të insistojmë, që me forcë  ta kthejmë nën sovranitetin e Kosovës çdo pëllëmbë të territorit të vendit, sepse për këtë na obligon Kushtetuta. Në rast se veriu i jepet Serbisë, nesër do të kërkojnë të bashkohen me Serbinë edhe oazat serbe të Kosovës.


Nëse nuk reagojmë të gjithë tok, është turp i madh t’iu themi vëllezërve tanë ne veri, qëndroni, rrini atje, se nëse i lëshoni trojet, Serbia i realizon qëllimet e veta. Kjo është hipokrizi, sepse nuk bëhet fjalë për një oazë shqiptarësh në një territor të një vendi fqinj, por bëhet fjalë për territorin e vendit tonë të pranuar ndërkombëtarisht, të cilin duhet ta mbrojmë me çdo çmim, nëse vërtetë ende besojmë se veriu i takon Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …