Brickos

Blerim Latifi

RKL: Profesor Blerimi, që i di të gjitha, si ajo Baka Vanga bullgare

Profesori, Blerim Latifi, i asistuar kurdoherë në debate ku trajtohen “muhabetet ditore të  “kafiçeve e mejhaneve të qarshive e hamameve”, si prof. që i di të gjitha,  tani paska  folur edhe për numrin e veteranëve të UÇK-së, sikur të kishte qenë ndonjë komandant zone apo anëtar Shtabi. Ka folur pa u mbështetur në asnjë fakt, sikur lufta të ishte zhvilluar në shekujt e Mesjetës, apo diku në shkretëtirat e Saharasë. Ka spekuluar  me numrin e veteranëve, duke mos ofruar, asnjë dëshmi, asnjë fakt konkret, por ashtu, sikur  gjithnjë në muhabete “kafiqesh”, ku nuk ka nevojë të japësh asnjë llogari, ku debutuesit i përmbahen për mrekulli asaj maksimës së njohur bizantine, të shqiptarit lindor: “Haja qenit, pija qenit, tash i bimë karadyzenit”.

Në muhabete të tilla ky profesor, në një përvjetor të Betejës së Koshares e Slivovës, të 20 prillit të vitit 1881, si gjithnjë pa asnjë fakt e argumente  historik ka shkruar se vetëm Gjakova kishte marrë pjesë në ato luftime kundër Dervish Pashës dhe jo Kosova apo rrethet e tjera të vendit, të cilëve madje u kishte lëshuar edhe një mallkim, duke pretenduar veten si një lloj njeriu me nam, që flet në emrin e krejt shqiptarëve.(!)

Si duket  edhe ky profa, ashtu  si akademik, Nexhat Daci mendojnë për Kosharen e Junikut. Në një përvjetor të Betejës së Koshares së Junikut, ish-kryekuvendari Daci, në fjalën e tij, u kishte bërë me dije të pranishmëve se  edhe para luftës së UÇK-së, paskësh qenë  pikërisht Kjo kosharja e Mic Sokolit, që kishte luftuar kundër forcave të Dervish Pashës. Askush përveç Radios-Kosova e Lirë nuk kishte reaguar asokohe, lidhur me ngatërrimin e dy Koshareve, as kryekuvendari nuk e kishte përmirësuar gabimin, mbase edhe nuk e kishte ditur se janë dy Koshare në Kosovë. Kishte mjaftuar  që të pranishmit e kishin duartrokitur…

Profesor, Bleri,  i ka numëruar ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpër shtatë zonat e saj gjatë luftës, e që në përfundim i dalin 13 mijë e 500, aq sa ka pasur në brezin kufitar të Pashtrikut e Dukagjinit, dhe brenda territorit të Shqipërisë, në tre muajt e fundit të luftës.

Përpjekja për ta minimizuar numrin e luftëtarëve të lirisë, bëhet me qëllim për ta zhvlerësuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributit të saj madhor në çlirimin e vendit nga robëria serbe.

Këta falsifikues të historisë, këta debutues me tituj e grada shkencore, nuk është se e shkruajnë historinë e UÇK-së me muhabetet e tilla, por debatet si këto të disa jugo TV-ve, kanë për qëllim degradimin e luftës, sidomos tani kur në Hagë ka filluar Gjykimi kundër kreut të luftës së UÇK-së, ose e bëjnë edhe “me qëllim të mirë”, se duke minimizuar numrin e UÇK-së, mendojnë ta ndihmojnë kreun e luftës, apo avokatët e tyre, për të përfunduar se madje nuk paska pasur as luftë, se lerë më Shtab e udhëheqje të saj.

Është e vërtetë se numri i veteranëve është rritur, pasi nuk janë përfillur kategoritë, si pjesëmarrës në luftë, mbështetës financiar, pjesëmarrës në hapjen e transheve e bunkerëve, të cilët po ashtu kanë qenë pjesë e luftës, derisa këta profat pinin birrë e “shlivovicë’ të sertë Shumadije  në kafiqet e Prishtinës e të qyteteve të tjera të Kosovës, duke dëgjuar këngë të Lepa Brenës e Ceces së Arkanit,  pikërisht  në kohën e luftës së UÇK-së, në kohën kur serbët masakronin madje edhe fëmijë, gra e burra, pleq shqiptarë. Ku ishin asokohe, Pandurët, Buzhalët, Buxhovët, Surrojët, Bato-batët e soji i tyre

Veteranët e UÇK-së nuk kanë qenë pjesëtarë të një ushtrie të  rregullt e të  konsoliduar, në mënyrë institucionale, por kanë vullnetarë idealistë, që iu kanë bashkuar luftës, kanë kryer ushtrime për disa ditë, dhe kanë hyrë në frontet e saj. Shumë prej tyre,  kanë pasur të kryer shërbimin e dhunshëm ushtarak  në ish armatën jugosllave dhe kanë pasur njohuri të mjaftueshme në përdorimin  e armëve dhe qasje në organizim ushtarak, pasi në doktrinën ushtarake të armatës së Jugosllavisë, regrutët e më vonë ushtarët janë stërvitur për luftë mbrojtëse.

Është e vërtetë e Qeveria kishte shpallur një lloj konkursi për aplikim të të gjithë atyre që kanë luftuar dhe atyre që kanë dhënë kontribut në të gjitha mënyrat. Ishte formuar edhe Komisioni Qeveritar Verifikues nga kuadro të luftës. Ai komision ka pasur të drejtë të përcaktojë se kush do të shpallet veteran, kush do të shpallet pjesëmarrës, kush do të shpallet kontribut dhënës, pasi pikërisht për këtë edhe ishte themeluar.

Po ashtu janë shpallur veteranë edhe të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar në Fondin “Vendlindja Thërret”,  kudo ku ato fonde kanë funksionuar me të cilat është furnizuar lufta e UÇK-së.

Edhe diçka për fund për profën e profat që e “kanë kryer luftën” nëpër kafenetë e Prishtinës, nëpër banesat e shtëpitë e  tyre, duke qëndruar urtë e butë, si qengjat, apo duke ikur nga vendi dhe duke mallkuar ata që e sollën luftën. Madje disa syresh sot krekosen se paskan marrë guxim dhe i paskan diskredituar ata që e kishin nisur luftën dhe nuk i kishin dalë zot popullatës e vetë atyre, sikur çirrej e çirret Bato Haxhia.

Kontribut-dhënësit gjatë luftës, të pranishëm në zonat e saj me krejt familjet e tyre,  kanë merita më shumë se krejt profat e vendit të kohës së luftës.

Ata kanë jetuar nëpër tenda, në shi e në borë, dhe,  për më shumë se një vit, janë detyruar sa e sa herë të largohen nga një vend në tjetrin, si pasojë e  granatimeve  serbe, madje edhe  me gratë  shtatzëna, me prindër të moshuar, me fëmijë të vegjël, me mungesë ushqimi, mungesë veshë-mbathjeje, gjithnjë nën breshërinë e armëve të forcave serbe. Ata kanë hapur istikame, kanë bartur armatim,  bashkëshortet e tyre u kanë gatuar luftëtarëve,  u kanë larë rrobat, u kanë ndihmuar të plagosurve dhe pleqve të mbetur. Meritat e tyre janë shumë fish më të mëdha, janë qindfish më të mëdha sesa ata që mundin e tyre e kanë bërë duke ikur nga Kosova, ose ata që sot rrahin gjoks se e paskan themeluar, Republikën e Tretë të Kosovës.

Meritat e atyre të kanë qëndruar në luftë bashkë me luftëtarët e lirisë, janë të pakontestueshme. Andaj përzgjedhja në mesin e tyre për të shpallur veteranë nuk ka qenë e lehtë, duke marrë për bazë kontributin e secilit.

Nuk po flasim për rastet e veçanta të manipulimeve, sepse me të tillët po merret drejtësia në Kosovë, për disa vite.

Mohimi i luftës së UÇK-së, pretendimet  për ta minimizuar e për ta zhvlerësuar atë, janë tradhti ndaj kombit e atdheut, janë fyerje e gjakut të derdhur për liri të 2500 dëshmorëve e mbi 4 mijë invalidëve të luftës,  të cilët i kanë lënë gjymtyrët e tyre në luftë kundër kriminelëve të Millosheviqit. Ata që e mohojnë këtë luftë, nuk kanë ndjenjë të përgjegjësisë morale e kombëtare, janë pjellë hibride me ADN nga bashkim vëllazërimi dhe përbashkësia e shqiptarëve me serbë e sllavë, andaj edhe mund ti falin sepse janë të papërgjegjshëm.  (A.Q.)

 

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …