RKL

RKL: Rritja qind për qind e pagave në Qeveri, rast për thellimin e manifestimit të pakënaqësisë sociale

– Po çka  hanë peshqit e mëdhenj, zonjë?

– Hanë peshq të tjerë më të vegjël.

– Po këta peshq të tjerë më të vegjël, çka hanë?

– Ata hanë peshq të tjerë, që janë edhe më të vegjël.

– Mirëpo këta, që janë fare-fare të vegjël,  çka hanë?

– Ata, fare-fare të vegjël,  nuk hanë asgjë, janë mësuar të rrojnë pa ngrënë!

 (Orhan Hançerliogllu)

Qeveria më e shtrenjtë dhe më e madhe me ministri e kabinete,  në vendim më të varfër të Evropës, sikur është Kosova, nuk është paradoksi i vetëm, nëpër të cilin po kalon vendi dhe populli i saj, gjithnjë i varfër dhe i shfrytëzuar deri në palcë nga qeveritarët, dje nga qeveritarët pushtues e sot nga këta, tanët, të cilët për më tepër nuk harrojnë të na tregojnë për çdo ditë kontributin që kanë dhënë në çlirimin e vendit, mbase edhe për të arsyetuar se mu për atë kontribut u dashka edhe të  na qeverisin.

Nuk mohohet fakti se lufta në Kosovë dhe fitorja mbi armikun shekullor serb, solli ndryshime e kthesa të mëdha në shumë segmente të jetës, por nuk solli ndonjë mirëqenie për popullatën shumicë, e cila si gjithnjë ka paguar dhe paguan me kurriz,  çdo qeveri e aparat shtetëror.

Të gjithë në Kosovë e dinë sa është buxheti i shtetit  për dy milionë banorë, një buxhet që grumbullohet  vetëm nga taksat e doganat, nga tatimet që paguajnë firmat e ndërmarrjet dhe një përqindje nga shitja e pamëshirshme e pronave të vendit, e cila konsiderohet si pronë shoqërore.

Qe nga Qeveria e parë e pas luftës, e deri te kjo e fundit më e kushtueshmja dhe më e fryra me zyrtarë partiakë, nuk kemi parë ndonjë interesim për zhvillim të njëmendë ekonomik të vendit me faktin se zhvillimi në radhë të parë varet nga  stabiliteti shoqëror, dhe shprehet si mungesë e sigurisë për investitorë të huaj, mungesë e projekteve të njëmendta ekonomike, që mundësojnë vendin të zhvillohet duke u bazuar në radhë të parë në resurset e veta, të cilat janë mjaft të pasura, por të cilat shfrytëzohen në radhë të parë nga Qeveria në pushtet. Po ashtu edhe kërcënimet konstante që vinë nga Serbia, e cila po e mbanë peng edhe pavarësinë e Kosovës dhe procesin e lënë në gjysmë të njohjeve nga vende të botës, kanë një ndikim stagnues në të gjitha segmentet zhvillimore.

Serbia në aspektin ekomomik e sidomos në atë tregtar ende e ruan dominimin kolonialist në Kosovë, meqë më shumë se 60 për qind e mallrave që shpenzohen në vend tregtarët tanë i blejnë së Serbi, madje ata blejnë edhe mallra krejtësisht të skaduara, me çmime krejt të ulëta dhe i shesin në Kosovë e në Shqipëri me çmime konkurruese të tregut. Këta mercenarë ekonomikë të vendit kanë lidhjet e tyre me krerët më të lartë të politikës, të Qeverisë dhe të institucioneve, meqë për këtë tregti me leverdi të shumanshme paguajnë edhe haraç, si atë që quhet i ligjshëm, në formë doganimi e tatimi, por edhe atë pjesë që i takon tregtisë së nëntokës, e cila shpërndahet përmes klasës së sekserëve dhe përpjesëtohet në të gjitha segmentet e përfitimeve.

Kot flitet për korrupsionin në një shoqëri që pretendon të jetë kapitaliste, sepse alfa e diferencimit të saj klasor është vetë korrupsioni, pasurimi përmes aprovimit paraprak të ligjeve, apo përmes nxjerrjes së ligjeve nga vetë ata që ia përshtatin vetes dhe klasës në pushtet.

Kush mund ta pengojë Qeverinë t’ i rrisë pagat edhe tre qind për qind, kur kjo bëhet me kërkesë të saj dhe me miratim të Gjykatës Kushtetuese, e cila po ashtu merr tagrin e vet në këtë lojë të pistë të manipulimit të ligjeve, mbi kurriz të popullit, në të kundërtën po të mos ishte edhe vetë përfituese e parasë së popullit,  ajo nuk do ta aprovonte rritjen qind për qind të pagave të zyrtarëve.

Natyrisht se askush nuk mund ta pengojë këtë rritje enorme të pagave, sepse është vetë Qeveria që bën ligje, i miraton i zbaton dhe nuk i jep llogari askujt,  dhe, pse t i japë llogari popullit, kur kjo  kategori përçmohet sipas asaj parullës  reaksionare e cinike: “Populli im, kafsha ime e mjerë që je mësuar të më mbash  mbi shpinë”.

Të tillë e konsiderojnë popullin këta kapitalistët e rinj të Kosovës, të cilët edhe ashtu janë deklaruar të djathtë dhe urrejnë barazinë si frazeologji marksiste e komuniste.  Socialdemokratët e të majtët e Kosovës, ende janë në djep, megjithëse  as këta nuk shpalosin dot program të barazisë, sepse e dinë se kjo nuk i shkon për mide Brukselit dhe botës në perëndim.

Rreshtimi ideologjik i partive të majta duket se më shumë po bëhet  për konsum politik dhe për të iu ngjallë shpresë, shpresëhumburve, atyre që me shekuj janë krijuar për të qenë të shtypur e të nënshkruar, përderisa pranojnë pozitën e robit. Në novelën, “Peshq të mëdhenj”  të shkrimtarit, Orhan Hançerliogllu,  është përshkruar për mrekulli një realitet shoqëror mbizotërues në shtetet e brishta e të pa qëndrueshme politikisht e ekonomikisht, sikur është sot Kosova.

Ja sa për ilustrim një  dialog i shkurtër  mes një vajze të vogël dhe zonjës së saj.

– Po çka  hanë peshqit e mëdhenj zonjushe?

– Hanë peshq të tjerë, më të vegjël.

– Po këta peshq të tjerë, më të vegjël, çka hanë?

– Ata hanë peshq të tjerë, që janë edhe më të vegjël.

– Mirëpo këta që janë fare-fare të vegjël  çka hanë?

– Ata, fare-fare të vegjël,  nuk hanë asgjë, janë mësuar të rrojnë pa ngrënë

Dhe ja si ilustrohet, në rastin tonë,  në praktikë kjo logjika e peshkut të madh që e ha të voglin.

Ministria e Bujqësisë në Kosovë dhe Qeveria përgjithësisht u jep shpërblime atyre fshatarëve që kanë më shumë se një hektarë tokë pune. Ata që kanë më pak se një hektar  dhe që janë pjesa dërrmuese e fshatarësisë së varfër, me vetë faktin se kanë pak tokë, nuk ndihmohen edhe kur mbjellin,  apo kur bëjnë përpjekje të mbajnë ekonominë familjare me aq sa arrijnë.

Shteti kapitalist i Kosovës i lejon malverzimet, abuzimet e pronarëve që kanë shumë prona, të cilat ata i marrin në shërbim dhe përnjëherë marrin grantet për ato prona. Ai që i ka pesë, dhjetë apo 20 hektarë tokë, mund të marrë kredi afatgjate,  pa ose me kamatë krejt të vogël, dhe merr po ashtu shumë maksimale për një grant që mund të arrijë në disa dhjetëra mijëra euro.

Ja si e ha peshku i madh të voglin.

Fshatari që ka 99 ari tokë është i barabartë për tatim, tatim në pronë, për taksa e të gjitha të tjerat, por nga shteti nuk merr asnjë euro, sepse shteti është i atyre që kanë shumë, i të pasurve, të cilët ia rrisin pagat vetes, aq sa konsiderojnë  se u takojnë, pavarësisht sesa punë bëjnë.

Është për keqardhje që nga 100 zyrtarët e lartë, ministra, zëvendës-ministra, koordinatorë, qeveritarë të lartë, përfitues të pagave dyfish, vetëm dy ministra nuk pranojnë të marrin pagat e dyfishuara. Ja në çfarë niveli ndodhet solidariteti mes zyrtarëve dhe popullit. Ai që merr shumë lavdërohet nga Qeveria, e ai që nuk pranon të marrë dyfishin, nënçmohet e injorohet.(!)

Shembulli tjetër, krejt i thjeshtë, vetëm një nga 100 të tjerë.

Qeveria ka vendosur që taksën për mediumin që quhet publik, Radio-Televizioni i Kosovës, por që është politik, ta inkasojë dhunshëm përmes faturave të rrymës, vendim i cili në të kaluarën ishte hequr, duke qenë i  trajtuar si ligj që shkel të drejtat e njeriut, sepse kushtëzimi me pagesën e  energjisë elektrike është kushtëzim arbitrar, diktatorial.

Dhe tani ky peshku i madh që quhet “RTK” u merr taksa qindra radiove, televizioneve dhe medieve të Kosovës. Kjo shpikje bëhet sepse tre krerët më të lartë të Shtetit, pastaj 30 të tjerët që vinë pas tyre, e ata të radhës së tretë, atje  i kanë zënë me punë bijtë e bijat, gratë, nuset e hallat, të afërmit, militantët e partive dhe tërë një armatë, që nuk punojnë fare por marrin paga rregullisht.

Ky shembulli i dytë i pasurimit mbi kurriz të popullit është shembull i periudhës së shfrytëzimit modern, kur edhe nëse nuk e shikon kurrë RTK-në, e cila me filma e pamje pornografike  shkel edhe moralin e familjes, duhet të paguash 50 euro në vit.

Dhe, mjerisht populli me mentalitetin e robit, nuk pyet shumë. Logjikon me logjikën e skllavit, sepse për ato tri katër euro në muaj pushteti ia ndërpret rrymën edhe nëse e paguan atë, aq sa shpenzon.

Ja se çfarë shpikin “bijtë dinakë” për të jetuar e mbijetuar për t’ u pasuruar e stër-pasuruar me tërë klasën sunduese, gjithnjë mbi kurriz të atyre peshqve, fare-fare të vegjël, që nuk hanë fare, por vazhdimisht janë pre e atyre që janë më të mëdhenj dhe që zhvatin e  të grabisin në çdo mënyrë të mundshme.

Të ngresh kokë, të ngrihesh e të protestosh të thonë se po i ndihmon Serbisë për ta destabilizuar vendin, pikërisht sikur atëherë kur Ibrahim Rugova, kërkonte Interpolin t i arrestonte ata që kryenin sulme kundër policisë së Serbisë dhe për të cilët paragjykonte se  ishin dorë e zgjatur Beogradit, me qëllim që ta prishin rendin e qetësinë e delirit ku ai me të vetët e kishte katandisur popullin, në Kosovë.

Të ngrihesh kundër pushtetit që të plaçkit hapur dhe që krekoset se ka krijuar qeverinë më të madhe dhe më të pasur në vend, jo vetëm që është e lejueshme, por është edhe e domosdoshme, jo duke pritur deri kur zullumi të këputet nga trashja, por  për të mos lejuar që ai zullum barbarie, të majmet, të trashet e të stërtrashet.

Zullumçarët, kanë marrë me kohë të gjitha masat. Ata kanë blerë qetësinë sociale me para për rreth  50.000 të quajtur veteranë të luftës, i kanë blerë me euro të gjithë krerët sindikalë, me ndihmën e AKI-së zbulojnë e mbajnë nën kontroll çdo lëvizje sociale duke e degjeneruar që në fillim dhe ecin e ecin për në rrethin e fundit të maratonës së tyre të pafytyrësisë, në stilin e bizantinit lindor: “Haja qenit, pija qenit, tash i bimë karadyzenit”.

“Zullumi nuk këputet prej së trashi”, kjo është shpikje e etërve dinakë të pacifizmit shekullor shqiptar, sepse porosit të nëpërkëmburit e skamnorët të presin, sepse thonë se vjen dita kur zullumqarin nuk e duron as Zoti. E Zoti i madh ndodhet diku larg dhe çuditërisht gjithnjë e ka harruar dhe e harron fukaranë, atë peshkun fare-fare të vogël që është mësuar të jetojë edhe pa ngrënë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …