Rrëfimi i Tolstoit: Besimi në Zot

Rrëfimi i Tolstoit: Besimi në Zot

Jam pagëzuar në kishën ortodokse ruse, dhe si fëmijë jam edukuar sipas të gjitha rregullave të kësaj feje. Si në fëmijëri, ashtu edhe gjatë moshës adoleshente, vazhdimisht kam qenë i lidhur me mësimet ortodokse. Mirëpo, pasi që i mbusha të tetëmbëdhjetat, gjegjësisht kur u largova nga universiteti pas dy viteve studime, tek unë nuk kishte mbetur asnjë gjurmë religjioze ortodokse. Po qe se do të duhej të gjykoj sipas përjetimeve dhe përkujtimeve nga e kaluara, atëherë me të vërtetë unë nuk do ta konsideroja veten si ndonjë besimtar i veçantë. Krahas kësaj unë kam respektuar besimet e njerëzve në rrethin e tyre dhe kam besuar në atë që më kanë mësuar. Ky besim edhe nuk ka qenë ashtu i sinqertë.

Divergjencat religjioze tek unë në lidhje me bindjet e mia fetare, si në periudhat e kaluara ndër njerëzit të cilët i takonin shtresës së kulturuar dhe aristokrate, ashtu edhe sot, janë ashtu siç janë. Besoj se situata e njëjtë është edhe tek shumica e njerëzve në rrethin tonë, të atillë jetojmë dhe vet si individë.

Një numër i madh i njerëzimit jetojnë sipas parimeve që asgjë nuk kanë të përbashkëta me themelet e besimit, madje edhe janë në kundërshtim me to. Në mënyrën tonë të jetesës nuk ekziston shumë vend për mësimet fetare; as që i takojmë ata në relacionet tona me njerëz të tjerë, e as që kemi ndonjë lidhje me ta gjatë jetës private. Në cilindo vend, principet e fesë merren si diçka të largëta nga jeta, sikur të mos kenë lidhje me te. Sikur të ekzistonin dukuritë kudo qofshin para nesh, ne ato do t’i shihnim si diçka të jashtme, diçka që thellësisht jeta nuk na intereson.

Se a është ndonjë njeri besimtar ose jo, ashtu si në kohët e vjetra, po ashtu edhe sot mjaft rëndë është të kuptohet nga jeta dhe sjelljet e njeriut përkatës.

Sikur sot, ashtu edhe në të kaluarën, shpeshherë ka patur orvatje që besimi të imponohet nga jashtë. Prandaj, edhe njerëzit nuk e kanë parë të udhës që t’i japin vend të veçantë në jetën e tyre. Besimi nën ndikimin e rrethanave jetësore që i lëvizin themelet e diturisë dhe bindjeve, ose është duke u pjekur ose e ka arritur pjekurinë.

Një numër i madh i njerëzve beson se nuk kanë gabime dhe se edhe më tej janë duke i ndjekur doktrinat e njëjta sipas së cilave është edukuar në fëmijëri; por nuk është ashtu, në të vërtetë ai që moti e ka humbur edukatën, mësimet dhe besimin e atillë.

Mendoj se situata e këtillë është e njëjtë te shumica e njerëzve. Natyrisht, unë flas për ata njerëz që janë të arsimuar sikur ne, për ata njerëz që janë të hapur ndaj vetes; nuk mendoj për ata njerëz që fenë e marrin vetëm si mjet për t’i realizuar qëllimet e kësaj bote. Në fakt, njerëzit e atillë janë jobesimtarë të vërtetë, sepse feja për ata është mjet për të arritur çfarëdo qëllimi në këtë jetë. Nuk ka dyshim, se bindja e atillë aspak nuk është fe e as besim. Disa njerëz, tanimë shumë më herët përmes kandilit të diturisë i kanë shlyer dhe i kanë lëkundur mbeturinat e asaj godine të venitur, por disa ende nuk e kanë vërejtur.

Po, kam besuar në Zotin, por nëse është më mirë të them, nuk kam refuzuar se ekziston Zot, por në çfarë Zoti kam besuar? Kjo është një gjë të cilën nuk mund ta shpjegoj.

Sa më përket mua, unë përmes shkrimeve dhe teksteve të mia i kam këshilluar të tjerët në atë për të cilën kam konsideruar se është e vërtetë, në njohurinë e vërtetë tek e cila kam arritur. Pra, njerëzve ua kam shpjeguar se duhet të jetojnë ashtu siç unë veproja, kam komentuar se familja është vendi në të cilën njeriu mund të jetojë në qetësi më të sigurt. Ashtu ishte edhe jeta ime. Mirëpo, pas pesë viteve të një jete të këtillë, unë jam takuar me diçka të çuditshme.

Në disa çaste mendja ime befasisht lundronte në skepticizëm. Më dukej se sikur jeta ime në ato momente ishte ndalur, sikur të mos ecte koha. Vetvetiu nuk dija se si të jetoj, çka duhej të bëj.

E humbsha baraspeshën dhe bija në melankoli. Prapëseprapë, kjo gjendje nuk zgajti shumë. Aty ku u ndal jeta ime, tani vazhdoi përsëri si edhe më parë, ndërsa momentet e dyshimit filluan gjithnjë e më tepër dhe në forma të ndryshme të paraqiten. Në çastet kur jeta ime u ndal, vazhdimisht përsëriteshin pyetjet e njëjta:

Pse? Mirë, e ç’do të bëhet nesër ?

Në fillim kam menduar se të gjitha këto janë pyetje të pakuptimta dhe pa kurrfarë domethënie. Konsideroja se përgjigjet ndaj tyre janë të qarta, se ekzistojnë dhe se unë shumë lehtë do të vijë deri te ato..

Parasegjithash, kam menduar se me përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të humbet edhe problemi i cili më paraqitet. Mirëpo, nuk kam patur kohë që të merrem me këtë çështje. Nëse do të kisha menduar mirë, ndoshta do të gjeja përgjigjen e këtyre pyetjeve. Por, pyetjet gjithnjë e më shumë u paraqitnin. Ndër të tjerat ato ishin pyetje për të cilat ishte mjaft rëndë të gjendet përgjigje. Ato iu përngjanin pikave (të shiut) të cilat binin në të njëjtin vend – pyetjet pa përgjigje tuboheshin porsi njolla e cila gjithnjë e më tepër zgjerohej. Unë dukesha sikur ndonjë njeri me sëmundje të brendshme.

Së pari u paraqiten disa shenja të vogla ndaj të cilave i sëmuri nuk tregon kujdes, e më pas ato përsëriten, e kështu vjen deri në atë shkallë sa që nuk mund t’ju ikë atyre. Gradualisht sëmundja zmadhohet dhe i sëmuri nuk ka kohë të mendojë. Atëherë do ta vërejë qartë se për gjërat ndaj të cilave është treguar i pakujdesshëm përderisa ka qenë i shëndoshë, në të vërtetë janë gjërat më të rëndësishme në jetën e tij, e ajo është vdekja.

Jeta ime sikur u ndal; vetëm merrja frymë, ushqehesha, pija dhe flija. Nuk kam mundur as të flas për atë se si jetoj, sepse nuk kisha kurrfarë dëshire për ta argëtuar shpirtin dhe ta ushqej mendjen. Mjaft mirë e dija se edhe nëse dëshiroja diç, pa marrë parasysh se a do të realizohej ajo apo jo, prapëseprapë në fund nuk do të ndryshohej asgjë.

Vazhdoja të jetoj, por ajo ishte vazhdimësi me funksionet e jetës. Kam arritur buzë greminës dhe kam parë se para meje nuk ekziston asgjë, përveç kotësisë. Nuk kam mundur të qëndroj në vendin ku arrita, mirëpo, po ashtu nuk kam mundur ti mbyll edhe sytë, e të mos shoh se si para meje qëndron realiteti i pyetjeve. Jeta ime ishte pakujdesi e vërtetë.

Kush është ai që nuk e di tregimin lindor për bishat me të cilat ishte takuar një udhëtar në shkretëtirë?! Me qëllim që të shpëtojë nga bishat, udhëtari kërcen dhe hyn në një pus të shterur e pa ujë. Në ato çaste, në fund të pusit vëren një dragua i cili gojë hapur qëndron duke pritur për ta gëlltitur udhëtarin. Udhëtari i mjerë as që kishte mundësi të kthehet lartë, e as që guxonte të bie në fund, sepse do ta copëtonte bisha e egër. Në këtë pozitë të palakmuar, ai ngjitet për një dege e cila ishte rritur nga muri i pusit dhe kështu filloi të mbahet në te. Pas disa momenteve filluan t’i dobësohen duart, e kështu udhëtari kuptoi se do t’i ndodh njëra nga dy fatkeqësitë. Mirëpo, ai edhe më tej mbahej për degën. Në ato momente udhëtari vërejti disa mijë duke u afruar në afërsi të degës dhe kështu ato filluan ta brejnë degën. Dega u këput, ndërsa njeriu filloi të bie drejt nofullës së poshtme të bishës e cila qëndronte gojëhapur në fund të pusit. Duke e vërejtur këtë fatkeqësi, udhëtari shikonte përreth dhe mendoi se nuk ka shpëtim për te. Përderisa mendonte kështu, vërejti një pikë rrëshirë të ëmbël nëpër gjethet e degës; udhëtari e nxori gjuhën dhe filloi ta lëpijë. Ja, unë kam qenë pikërisht sikur ky udhëtar; edhe pse e kam ditur se dragoi i vdekjes pashmangshëm më pret, i gatshëm për të më copëtuar, unë e shfrytëzova shpresën e fundit, u ngjita për degën e jetës duke mos e kuptuar se si më solli mendja në këtë pozitë. Provova ta lëpijë mjaltin që më ofronte qetësim, por tanimë nuk kishte shije të mirë. Përderisa dragoi i vdekjes gojëhapur priste të më përbirë, mijtë brejtës në jetën time orvateshin ta çrrënjosin degën e cila më mbante. Vëreja se nuk mund t’iu ikë njërit nga ato; dragoit ose minjve, e nga ata assesi nuk e largoja shikimin. Në të vërtetë kjo nuk ishte përrallë, ajo ishte një realitet i vërtetë. E vërtetë e cila nuk mund të jetë ndryshe dhe tek e cila çdo njëri mund të bindet.

Pyetja: “Pse jetoj”?

Përgjigje: “Nëse nuk e ke kuptuar se në hapësirën e pafund, në kohën e pafund, të vërtetat e imëta ndryshojnë në kombinime të pafund, atëherë nuk e ke kuptuar as atë se për çfarë arsye ekziston në këtë Tokë”.

Në momentet e një përsiatjeje të këtillë, vetvetes iu përgjigjesha:

“Mbarë njerëzimi zhvillohet sipas parimeve shpirtërore dhe idealeve të cilat diktohen nga ndonjë drejtim. Realizimin e tyre këto ideale e gjejnë në fe, në shkencë, art, në format e renditjeve shtetërore, etj. Me zhvillimin e këtyre idealeve edhe vet njeriu arrit një nivel më të lartë të fatit. Po ashtu edhe unë jam pjesë e atij njerëzimi. Pikërisht për atë shkak, obligimi im është që të kontribuoj për njohuritë e idealeve të njerëzve dhe në realizimin e të njëjtave”.

Në momentet kur mendja ime ishte e pamundshme, unë kënaqesha me përgjigjet e këtilla. Mirëpo, porsa tek unë paraqitej çështja mbi jetën, edhe atë në tërë pastërtinë e saj, kjo teori në një moment zhdukej. Ta lëmë në një anë grumbullin e kundërthënieve dhe qëndrimeve të ndryshme të kësaj filozofie në të cilën hapësirën e zënë idetë njerëzore. Ato janë ide me marrëzi të pavetëdijshme përmes së cilave bëhet orvatje për t’u paraqitur si rezultat i përgjithshëm ku kanë arritur përmes hulumtimeve shkencore, edhe atë nga një grupi të caktuar njerëzish. Nuk dëshiroj të them se kjo filozofi është marrëzi, por ajo që të hamend është kjo që vijon: nëse dëshirojmë përgjigje për pyetjen e cila paraqitet para çdo njeriu: “Çka jam unë”? “Për ç’farë arsye ekzistoj”?, ose “Çfarë është detyra ime”?, atëherë së pari do të duhet të përgjigjemi në pyetjen: “Çfarë është kuptimi i ekzistimit të njerëzimit në tërësi në raport me një grimcë mjaft të imët, që periudhë kohore është vetëm kjo e jona”?

Sikur të mundesha të ofroj koment për këtë çështje, njeriu medoemos së pari duhet ta kuptojë njerëzimin me të gjitha fshehtësirat e tij, ta kuptojë se çfarë janë njerëzit të cilët ende as veten e tyre nuk e kuptojnë.

Njeriu me sinqeritet mund t’ia parashtrojë vetes së vet këtë pyetje: “Si duhet të jetoj”?

Dituria të cilën e ka arritur përmes përvojës, do t’i ofrojë përgjigje në këtë lloj të pyetjeve: “Studio grimcat e pafund në raport me mundësitë kohore, andaj do ta kuptosh jetën tënde”. Prapëseprapë, i njëjti njeri, nuk do të jetë i kënaqur me këtë përgjigje. “Na e hulumto jetën e panjohur të atij njerëzimi deri në detajet më të imëta, atëherë do ta kuptosh qëllimin e jetës tënde!”

Sikur të mos ekzistonim?  

Djalosh i ri, princi fatlum Sakja Muni i cili nuk kishte përjetuar sëmundje, pleqëri dhe vdekje, e i cili nuk dinte se ç’janë ato, një ditë duke shëtitur takoi një plak me një pamje mjaft brengosëse dhe tepër të lodhur. Princi i ri i cili deri atëherë nuk dinte se ç’do të thotë pleqëria, e pyeti karrocierin e tij se ç’është kjo dhe si mund t’i ndodhë njeriut të bie në një gjendje aq të mjeruar. Pasi që kuptoi se të gjithë njerëzit do ta përjetojnë fatin e njëjtë, me këtë edhe bijtë e mbretërve, princi nuk mundi më ta vazhdojë shëtitjen, por kërkoi që të kthehet dhe të mendojë rreth fatit të këtillë. Duke qëndruar në vetmi, ditë të tëra kalonte në kujtime, e kështu më në fund erdhi deri në një njohuri qetësuese. Përsëri doli në shëtitje i disponuar dhe fatlumë. Kësaj radhe e takoi një njeri të sëmurë, i ënjtur, i pafuqishëm dhe pothuajse u verbër. Princi i ri i cili deri atëherë nuk kishte parë ndonjë njeri me sëmundje të këtillë, e ndali karrocën dhe e pyeti karrocierin se ç’po ndodh me këtë njëri të mjerë. Pasi që kuptoi se sëmundja e këtillë mund ta godasë çdo njërin, madje edhe mbretin e shëndoshë e fatlumë, princi përsëri e humbi shpresën dhe guximin, e kështu e urdhëroi karrocierin që të kthejnë në pallat. Ashtu si edhe herën e parë, ai kërkoi që të qëndrojë në vetmi me qëllim të meditimit dhe përsiatjes rreth fatit të njeriut. Arriti ta qetësojë shpirtin, e tani për herë të tretë kërkoi që të del në shëtitje. Duke shëtitur, u ballafaqua me një pamje të re. Vërejti disa njerëz duke bartur diçka. E pyeti karrocierin:

“Çka është kjo?”

“Kjo është një kufomë (xhenaze)”?

“Ky është fundi i të gjithëve”?

Princi iu afrua të vdekurit, ia zbuloi fytyrën dhe e shikoi.

“Çka do ti bëni tani”? Pyeti princi.

“Do ta varrosim”. U përgjigjën ata.

“E përse”? Tha princi.

“Për atë arsye se nuk do të ngjallët më dhe nga nuk do të jetë asgjë, përveç një erës së keqe dhe krimbave”.

“A do t’i gjejë i njëjti fat edhe këta njerëz? Edhe fati im është kështu? Vallë, edhe mua do të më varrosni kështu? A edhe nga unë nuk do të mbetet asgjë përveç erës së keqe? A edhe mu do të më hanë krimbat?”

“Po”. Iu përgjigjën.

“Të kthehemi. Asnjëherë nuk do të dëshiroj të shëtis më”.

Kësaj radhe Sakja Muni nuk arriti që të qetësohet. Përfundoi se jeta është një pikëllim i madh. Gjithë forcën e tij e harxhoi duke menduar se ta shpëtojë veten dhe të tjerët. Të shpëtojë nga mjerimi i atillë dhe të shpëtojë pas vdekjes.

Pasi të përgjigjet në këto pyetje të jetës, dituria njerëzore atëherë është në rrugën për të ofruar përgjigje përfundimtare.

Sokrati ka thënë: “Jeta materiale është mjerim dhe trathëti. Për atë arsye, fati qëndron në refuzimin e jetës materiale, e ne duhet ta synojmë atë”.

Shopenahueri ka thënë: “Jeta është diç që duhet të ekzistojë, por është pikëllim; të kaluarit në asgjë, përsëri është i vetmi fat”.

Po ashtu edhe Sulejmani ka thënë: “Gjithçka në këtë botë është e zbrazët; marrëzia dhe dituria, pasuria dhe varfëria, gëzimi dhe dhembja, asgjë… Njeriu vdes dhe shkon, e pas tij nuk mbetet asgjë. Kjo është e tëra”.

Buda ka thënë: “Nuk mund të jetohet me diturinë për domosdoshmërinë e dhembjes, dobësinë e mjeruar, pleqërinë dhe vdekjen. Njeriu medoemos të lirohet nga jeta, nga çdo mundësi e jetës”.

Sikur përmes shkencës jeta ime të mos më çlironte nga kotësitë, por e përforcoi atë kotësi. Asnjë nga njohuritë e mia nuk më ofroi përgjigje ndaj pyetjeve të jetës. Çdo njohuri tjetër më ofronte përgjigje të kundërt me të tretën, kështu që ma vërtetonte ndjenjën time të kotësisë dhe më tregonte se konkludimi deri te i cili kam arritur, nuk është fryt i iluzioneve të mia, i gjendjes time shpirtërore të sëmurë. Jo, por krejt kjo e vërtetoi faktin se unë në mënyrë të drejtë kam logjikuar dhe se personalitetet e famshëm të njerëzimit erdhën deri te konkludimet e njëjta, ashtu sikur edhe unë.

Këtu nuk ekziston ndonjë gabim; gjithçka është zbrazëtirë, ndërsa vdekja është shumë më e mirë se jeta. Gjithsesi, njeriu duhet të lirohet nga jeta. Sa është fatlumë ai që nuk ka lindur.

Të gjendet e panjohura

Zgjidhjen nuk kam mundur ta gjejë në shkencë, andaj kam filluar ta kërkoj në jetën praktike. Shpresoja se do ta gjeja në shoqërinë time me njerëzit. Kështu kam filluar ti studioj njerëzit. Më interesonte se çfarë qëndrimi mbanin njerëzit ndaj këtyre pyetjeve të cilat më preokuponin mua e që më tërhiqnin në pashpresë.

Mirë, deri në çfarë përgjigje erdhën ata njerëz të arsimuar sikur unë dhe të cilët e kishin mënyrën e jetës si unë? Kam vërejtur njerëzit në shoqërinë time që duke kërkuar shpëtim nga kjo gjendje ekzistuese, gjetën katër dalje të ndryshme.

Dalja e parë ishte rruga e paditurisë. Kjo do të thotë të mos e kuptosh e të mos e vëresh se jeta është një fatkeqësi dhe një rrëmujë.

Dalja e dytë është rruga e epikurizmit. Themeli i këtij koncepti perceptues është ai që edhe në njohurinë e pashpresës së jetës, njeriu duhet ti përjetojë begatitë të cilat i ofrohen.

Njerëzit nga rrethi ku jetoj shumica e mbanin këtë qëndrim, Ngacmimet e brendshme u mundësonin që sa më tepër të logjikojnë ndaj shkaqet e begative se në mjerimin, andaj e gjetën mundësinë e harresës në pandjeshmërinë morale.

Ajo që ata u gjetën në jomoral dhe në pandjeshmëri, është vetëm rastësi. Shumica e njerëzve të kohës sonë mendojnë dhe ndihen në këtë mënyrë. Ajo që disa njerëz e shpallin filozofinë si paralizë të ideve dhe vizionit, nuk i ndajnë nga ai grup të cilët vazhdojnë ta lëpijnë mjaltin me qëllim që të mos e shohin problemin e jetës. Unë assesi nuk mund të pajtohem me ata njerëz. Pasi që unë nuk e kam pandjesinë e tyre ndaj forcës së vizionit, atëherë atë nuk mund ta bëj as në mënyrë artificiale. Nuk do të mund t’i largoj sytë nga ata minj ose nga ai dragua, sikur çdo njeri i cili tanimë njëherë i ka vërejtur ato.

Dalja e tretë është rruga e forcës dhe e energjisë. Baza e saj është kjo që vijon: pasi që njeriu e kupton mjerimin dhe pikëllimin e jetës, atëherë ato duhet t’i eliminojë.

Dalja e katërt është rruga e dobësisë. Kjo mbështetet në këtë që vijon: edhe pse njeriu e kupton mjerimin dhe pikëllimin e jetës, si dhe e di se asgjë nuk do të del nga ato, ai prapëseprapë me këmbëngulje vazhdon jetën.

Njerëzit që e mbajnë këtë bindje e dinë se vdekja është më e mirë se jeta, mirëpo, ata sillen sikur të presin diçka, pasi që nuk posedojnë forcë për vetëvrasje përmes së cilës (siç ata mendojnë) do ta pengonin veten që të mos gabojnë. Kjo është rruga e njerëzve të dobët, sepse në të kundërtën, po qe se mund të jem më i mirë dhe nëse për atë kam forcë të mjaftueshme, atëherë përse hamendem që të bëhem më i mirë? Ja, unë i kam takuar këtij grupi. Njerëzit e grupit tim përmes mënyrave të ndryshme u çliruan nga këto kundërthënie të rrezikshme Sado që ta detyroja mendjen time, unë nuk kam mundur të kaloj në rrugën e pestë. Dolën vetëm disa dobi. Njëra nga ato është të moskuptuarit se jeta përbëhet nga mjerimi dhe pikëllimi, se është e zbrazur dhe se më mirë të mos vazhdohet si e atillë (pa besim dhe pa njohje të vërtetë). Mirëpo, për mua nuk ishte e pamundur që këtë ta di. Unë një herë këtë e kam parë dhe nuk mund t thuhet se nuk e njoh, sepse nuk kam mundur t’i largoj sytë prej aty.

Dobia e dytë është të pranuarit jetës ashtu siç është dhe të mos logjikohet për ardhmërinë. Mirëpo, unë as atë nuk kam mundur ta bëj. Edhe pse e dij se pleqëria, sëmundja dhe vdekja ekzistojnë, unë porsi Sakja Munija, nuk do të dilja jashtë. Krahas asaj që forca ime jetësore ishte e fuqishme, nuk më pëlqenin rastësitë momentale të cilat më ofronin kënaqësi afatshkurtra.

Dobia e tretë do të ishte vetëvrasja, ndërprerja e jetës pasi që ajo të njihet se është një fatkeqësi dhe një marrëzi. Këtë e kam kuptuar, por shkakun e saj nuk e di as unë, nuk jam orvatur që të mbytem.

Dobia e katërt është njohuria që ekzistenca, sipas qëndrimit të Sylejmanit (a.s.) dhe Shopenhauerit, është marrëzi… ndërsa veprimtarinë që e bëj unë e quaj jetë, siç është; pastrimi, veshmbathja, të ushqyerit, bisedat, madje edhe të shkruarit e librave. Kjo për mua ishte përplot dhembje dhe brengë, e unë përsëri vazhdoj të jetoj në atë mënyrë. Mendja ime e ka pranuar se jeta është diçka e pakuptueshme. Sipas meje mendja do të thotë jetë. Sikur të mos ekzistonte mendja, mendoj se nuk do t ekzistonte as jeta. Mirëpo, nëse kjo mendje është shkak i jetesës, atëherë si është e mundur të refuzohet jeta? Ose e kundërta, sikur të mos ekzistonte jeta, atëherë nuk do të ekzistonte as mendja; mendja është rezultat i jetesës. Gjithë është jetë. Mendja është fryt i jetesës, ndërsa e njëjta mendje e refuzon këtë jetë. Ndiej se këtu nuk është diçka në rregull.

Nuk është aq e jo e logjikshme të konsiderohet se jeta është e zbrazët. Kjo ide paraqitet që nga kohët më të vjetra; madje edhe nga njerëzit më të rëndomtë. Mirëpo, njerëzit edhe më tej jetojnë. Diturinë të cilën e kam nxënë ma bëri të mundshme që gjithçka në këtë jetë ta kuptoj si mësim, përveç asaj që gjendja ime është mjaft e marrë. Numri më i madh i njerëzve jetojnë dhe nuk dinë as çështjen më të vogël për strukturën e të gjithë qenieve të gjalla dhe jo të gjalla në këtë botë. Mirëpo, më në fund, këta njerëz jetuan dhe besuan se jetët e tyre i rregulluan në mënyrë mjaft të logjikshme .

Të gjitha këto përsiatje na e paraqesin edhe një pyetje: “E çka nëse eksitojnë gjëra të cilat ende nuk i di”? Ja, edhe në padituri vazhdohet kështu. Paditura çdo herë do të paraqitet në formë të njëjtë, e nëse paraqitet diçka e panjohur, atëherë do të thuhet se ajo nuk është asgjë. Në të vërtetë, njerëzimi është një tërësi; të gjithë njerëzit të cilët jetuan dhe jetojnë, sillen sikur se ta kuptojnë domethënien e jetës, sepse sikur të mos t’a kuptojnë, ata nuk do të mund ta jetonin.

Sado që të jetë niveli i diturisë tonë, prapëseprapë ajo nuk do të ishte e mjaftueshme për ta kuptuar domethënien e jetës. Të gjithë njerëzit, milionë e milionë njerëz, assesi nuk dyshojnë në domethënien e jetës.

Edhe pse të gjithë njerëzit, që nga kohët më të vjetra e deri më sot, janë të vetëdijshëm për faktin të cilin ma vërtetojnë edhe mua se jeta është e zbrazët dhe e pakuptimtë, prapëseprapë jetojnë dhe jetës i japin kuptim të ri.

Gjithçka që është rreth mua dhe në veten time, e gjitha ajo materialja dhe jomaterialja, është fryt i njohurive të tyre për jetën. Të gjykuarit e mendjes time ndaj jetës dhe akuzat ndaj saj, nuk vijnë nga unë, por nga ata.

Unë jam lindur, jam zhvilluar dhe jam plakur. Ata i nxorën minierat në sipërfaqe të tokës dhe i shfrytëzuan ato, shfrytëzuan pyjet, i afruan bagëtitë (lopët dhe kuajt) në shërbime shtëpiake, filluan të mbjellin, mësuan të jetojnë së bashku, inkorporuan forma të reja të jetesës, ata bënë që edhe vet ne të logjikojmë, të flasim dhe shkruajmë. Gjithçka është duke u realizuar nga mënyra fillestare e tyre; të ushqyerit, veshmbathja, të mësuarit. Unë, që jam vepër e tyre, duke logjikuar sipas mënyrës së tyre, ua them atyre se e tëra kjo është e zbrazur dhe e pakuptimtë. Kam menduar në vete: “Këtu diç nuk është në rregull”. Por çka është ajo që nuk është në rregull, nuk kam mundur as vet ta gjejë.

Sikur të vështroj në afërsi të rrethit ku jetoj, do të shoh një grumbull të madh njerëzish të cilët nuk mund ta kuptojnë këtë çështje. Njerëzit të cilët e kanë kuptuar këtë çështje, ose që janë orvatur për ta kuptuar, atë e kanë shushuritur në mpirjen me jetën. Nga ana tjetër, ata të cilët e kanë kuptuar dhe të cilët kanë përfunduar me jetën e tyre, sado që të orvaten të ikin, më në fund janë bërë ata që kanë kuptuar, por të cilët janë treguar të dobët për ta vazhduar jetën në pakuptimësi. Edhe unë kam jetuar me devijimin e të diturve, të pasurve, vetjakëve, me ata që më rrethonin. Milionë njerëz që jetën e që janë duke jetuar sot, sikur të mos ishin njerëz, por një lloj kafshe.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …