Rrezarta Reso: Me një fakt mund të mundësh 40 profesorë, një idioti nuk ia del dot as me 40 fakte

Rrezarta Reso: Me një fakt mund të mundësh 40 profesorë, një idioti nuk ia del dot as me 40 fakte

Kur një budalla i poshtër hedh një gur dhe njëqind të mençur nuk e nxjerrin dot, budallai i poshtër vazhdon të hedhë më shumë dhe argëtohet tek sheh të zgjuarit që fillojnë e mbyten duke u munduar të nxjerrin gurët. Njerëzit e mençur zhduken, budallai i poshtër bëhet Zot!

Ata që mbeten gjallë fillojnë e marrin  me të mirë, e përkëdhelin, i përgjërohen duke e siguruar që ai është më i mençuri nga të gjithë madje fillojnë dhe ata të hedhin gurë bashkë me të sepse i ka zënë frika.

Po sikur budallai i poshtër t’u hedhë dhe atyre gurë. Mbahu mirë me budallanë e poshtër se s’dihet se ç’të kurdis! OSE, akoma  më mirë, tregoi budallait të poshtër se si ke mësuar prej tij t’u hedhësh gurë të tjerëve.

Këtë fabul ma përcjellin faqet e shumë gazetave apo portaleve shqiptare sa herë që i hap. Shpreson se do shohësh zëra të rinj që të dalin jashtë këtij rrethi të trishtë urrejtjesh, hakmarrjesh, talljesh, agresiviteti dhe shpifjesh për të fituar para dhe pa asnjë vrarje ndërgjegje se po lëndojnë duke akuzuar verbërisht e padrejtësisht pa ditur asnjë fije të vërtete. Për më tepër, e refuzojnë me bindje të vërtetën dhe i sulen me të gjitha mënyrat e mundshme viktimës së radhës i gjallë apo i vdekur qoftë. Sot gjeta një thënie të Rumiut, ose që i atribuohet atij.

“Me një fakt mund të mundësh 40 profesorë, një idioti nuk ia del dot as me 40 fakte”.

Nëse do t’ia referoja këtë shprehje disa gazetarëve shqiptarë, në vend të fjalës idiot, do thoja “një të poshtri”.

Kësaj radhe shtysa qe një postim publik i një vajze të re, që kuptohet nuk kisha pasur rastin t’ia dëgjoja emrin, por që qenka gazetare, Luela Myftari. Gazetarja gjeti rastin oportun të shprehte “mbresat” e saj për shkrimtarin, studiuesin, pedagogun e sa e sa brezave, Nasho Jorgaqi, i cili sapo ndërroi jetë.

Me pak fjalë, “për të nderuar” kujtimin e Nasho Jorgaqit, vajza rrëfente se dikur, kur ishte më e vogël, Nasho Jorgaqi i kishte dhënë një çmim për një poezi të sajën që, sipas vetë asaj, nuk vlente.  Më pas Nasho i kishte thënë që je vajzë e bukur, por që ajo donte që ai t’i kishte thënë që je vajzë e mençur! Konkluzioni?

Konkluzioni, vijoi me thirrje nga të gjitha shoqet e shokët e FaceBook-ut: “po ti je e mençur dhe e bukur” po ti je yll”, “Nasho Sigurimsi- Nasho Sigurimsi” “Më vjen keq që isha studente e Nashos dhe jo e Agron Tufës” “Më merr pak në telefon, shkruante një tjetër se do të të tregoj për prapaskenat”! “Do që ta shkruaj?, i kthehej kjo….

Për këto shkruani ju vajza, për prapaskena? Jam shumë kurioze si i verifikoni prapaskenat? Apo janë sekrete profesionale? Apo varet se kujt para dhënësi i faleni?

Sapo kisha postuar një shkrim lamtumire për Nasho Jorgaqin në faqen time dhe sytë m’u mjegulluan nga dëshpërimi dhe çudia bashkë për atë vajzë të re me aq mllefe e helm.

Jam e bindur madje e shoh të gjallë një takim të sajin me Nasho Jorgaqin kur ajo mori çmimin për poezinë. E kam parë atë takim me dhjetëra e dhjetëra herë kur mirësia dhe dashamirësia e tij për çdo shkrim që i jepej për ta vlerësuar i lexohej në sy, në fjalë, në inkurajimet që u jepte të rinjve që të shkruanin. Jam e bindur se ai nuk i ka thënë vetëm je vajzë e bukur, por i ka thënë je e bukur, je edhe e talentuar siç ma ka thënë mua e shumë të tjerëve. Je i mirë, je i zgjuar je dhe i talentuar, sepse ky ishte fjalori i Nashos zemërmirë e të pakursyer.

Më bëri përshtypje helmi i servirur me aq passive-aggressive style, sa kur po e lexoja mendova se kësaj vajze Nasho do t’i kishte bërë diçka të rëndë, por kur siç, doli ishte vetëm një gur prej budallai të poshtër që po hidhej në varrin ku trupi i Nashos ende nuk ishte varrosur, m’u përforcua bindja se edhe brezi i ri i Shqipërisë po vazhdon zakonin e prapaskenave të budallait të poshtër.

Mos, ju lutem, mos e ndyni më shumë Shqipërinë. Mos e groposni me gurë helmi e mllefi.

 

(Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …