Sala Jashari: Nëse nuk mund ta konstituoni Kuvendin, si kërkoni më shumë pushtet?

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë paraqitur në sallën plenare. Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, nga foltorja e Kuvendit i bëri thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që ta caktojë vazhdimin e saj në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Jashari u bëri thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që, sipas saj, të mos heqin dorë nga mandati i marrë nga qytetarët, por ta ushtrojnë atë përmes funksionimit të institucioneve. “Po ju kërkoj ta respektoni atë. Kthejuni përgjegjësisë. Kthejuni institucioneve. Kthejuni punës. Sepse Kosova ka nevojë për më shumë besim mes duarve që e ndërtojnë atë. Dhe Kosova nuk ka kohë për të pritur”, tha Jashari. Ajo kritikoi gjithashtu Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, duke pretenduar se po synojnë përqendrimin e mëtejshëm të kompetencave në nivelin qendror, ndërsa Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar. Jashari ngriti pyetjen nëse kjo qasje lidhet me mungesën e besimit ndaj institucioneve lokale apo me synimin për të zgjeruar pushtetin qendror. “Nëse nuk arrin ta konstituosh Kuvendin, nëse nuk arrin të ndërtosh kompromis me të paktën një pjesë të përfaqësimit politik të qytetarëve, si mund të pretendosh se përgjigjja për një shtet më funksional është te marrja e edhe më shumë kompetencave?”, u shpreh ajo. PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i drejtohet sërish kryesuesit të seancës, Avni Dehari, me kërkesën që vazhdimi i seancës konstituive të caktohet brenda 48 orëve.

Kontrolloni gjithashtu

Flamujt e UÇK-së mbushin Prishtinën, vazhdon numërimi drejt 16 shtatorit

Prishtina ka nisur sot vendosjen e flamujve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në hapësirat publike …