Teuta Haxhiu nga Kuvendi: Kriza politike po prek edhe arsimin, nxënësit presin tekstet

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar ashpër situatën politike dhe institucionale në Kosovë, duke e cilësuar atë si një krizë që rrezikon funksionimin normal të shtetit dhe demokracisë. Nga foltorja e Kuvendit, Haxhiu tha se kanë kaluar 17 ditë nga skadimi i afatit për konstituimin e Kuvendit, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas saj, bllokada po pengon funksionimin e institucioneve dhe formimin e Qeverisë së re. Haxhiu ia atribuoi përgjegjësinë politike Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, si subjektit që ka marrë më së shumti vota në zgjedhje. Ajo e akuzoi Kurtin se po e pengon procesin e konstituimit të Kuvendit. “Deputeti i betuar Kurti, ky uzurpues serik i institucioneve shtetërore, po vazhdon ta mbajë të bllokuar Kuvendin”, deklaroi Haxhiu. Sipas saj, Kosova ndodhet në një situatë të pazakontë, pasi Kuvendi nuk është konstituuar dhe Qeveria e re ende nuk është formuar. “Lufta e kohës, mosdija dhe mosdashja për të formuar institucionet janë shembulli më i keq që mund t’i ndodhë këtij vendi”, tha ajo. Deputetja ngriti shqetësim edhe për përgatitjet për vitin e ri shkollor. Ajo tha se ka mbetur rreth një javë deri në fillimin e mësimit dhe se prindërit ende nuk kanë marrë mjetet për blerjen e teksteve shkollore. Haxhiu kritikoi gjithashtu pasigurinë që, sipas saj, po përjetojnë mësimdhënësit lidhur me numrin e vendeve të punës dhe nevojat reale të sistemit arsimor.

Kontrolloni gjithashtu

Flamujt e UÇK-së mbushin Prishtinën, vazhdon numërimi drejt 16 shtatorit

Prishtina ka nisur sot vendosjen e flamujve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në hapësirat publike …