Sami Lushtaku, ka ndërprerë grevën e urisë dhe është kthyer në QKUK

Kryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ka ndërprerë grevën që e ka nisur disa ditë më parë, pasi që kryetari i trupit gjykues në rastin e tij, ka miratuar kërkesën për trajtim të specializuar mjekësor në QKUK. Lajmin,  e konfirmoi avokati i tij, Arianit Koci. Ai tha se kryetari i trupit gjykues ka miratuar kërkesën që Lushtaku të ketë trajtim mjekësor specialistik në QKUK për 24 orë. Sami Lushtaku ka nisur grevën me pretendimin se në burgun e sigurisë së lartë në Dyz nuk e kishte trajtimin e duhur mjekësor. Vitin e kaluar, Lushtaku është dënuar me 12 vite burgim nën akuzën për gjoja krime lufte nga një trup gjykues ndërkombëtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicë për vrasjen e një personi të panjohur, duke u bazuar në deklaratat kontroverse të një dëshmitari bashkëpunues dhe të mbrojur nga EULEX-i.


 


26. 1. 2016   ora  8.00


 


Mijëra veteranë të UÇK-së do të mbesin pa i marrë pensionet. Shkak për këtë është marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Drejtues të këtij institucioni ia kanë bërë të qartë Qeverisë që të mos e tejkalojë shumën prej 25 milionëve, pavarësisht rritjes së numrit të veteranëve. Përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Kosovë,  Ruud Vermeulen thotë  se ka zhvilluar diskutime të gjata me Qeverinë e Kosovës, për të siguruar që Qeveria nuk do të marrë përsipër detyrimet, të cilat do ta bëjnë të paqëndrueshëm sistemin e saj. “Ne jemi pajtuar për një ndarje buxhetore për këtë vit, në vlerë prej 25 milionë eurove. Ne po e shohim se numri i veteranëve po rritet, për çka edhe presim që të diskutojmë me qeverinë. Por, këtë vit duhet të mbetet vlera prej 25 milionëve”, ka thënë Vermeulen.


 


Lëvizja Vetëvendosje mbajti një tryezë me përfaqësues të shoqërisë civile, me çë rast  u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rrugën drejt ndryshimit. Tryeza u hap nga Kryetari, Visar Ymeri, i cili bëri një përmbledhje të dështimeve të koalicionit qeverisës dhe të dëmeve që ky koalicion i ka sjell vendit ne lidhje me marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi, por edhe sa i përket mungesës se hapave drejt zhvillimit ekonomik dhe shpërputhjes se plotë mes premtimeve elektorale të partive në pushtet dhe punëve të ekzekutivit. Më tej z. Ymeri nënvizoi rolin kyç që kanë përfaqësuesit e shoqërisë civile, gazetarët dhe opinionbërësit në Kosovë për realizmin e ndryshimit të domosdoshëm. Përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile e morën fjalën duke vlerësuar nismën e Lëvizjes,  për ta mbajtur një tryezë të tillë dhe për t’u konsultuar dhe koordinuar me shoqërinë civile. Shumë prej tyre ngritën shqetësimin për arrogancën dhe mungesën e llogaridhënies së qeverisë aktuale. Disa prej tyre u shprehën se shoqëria civile nuk mund të qëndrojë indiferente dhe neutrale ndaj krizës politike që ka kapluar vendin, dhe që tashmë është detyrë e çdo qytetari që të pozicionohet dhe të angazhohet për të sjell ndryshimin. Një pjesë e mirë e të pranishmëve ishin të mendimit që me të gjitha dëmet që kjo qeveri i ka shkaktuar vendit dhe me shkeljet kushtetuese që ajo tashmë i ka bërë, është dashur që prej kohësh ajo vetë të largohej nga pushteti.


 


Pas dy netësh qëndrimi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Sami Lushtaku me erdhër të gjykatësit të EULEX-it është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz. Avokati i tij, Arianit Koci, thotë se kjo u bë pa lejen e ekipit mjekësor kujdestar. Ai konsideron se kjo është shkelje e së drejtës elementare për klientin e tij. Avokati ka thënë për mediet se  Sami Lushtaku u kthye në burg pa asnjë rekomandim për terapi, pa lejen e ekipit mjekësor kujdestar, pa u ekzaminuar në tërësi dhe pa rekomandim për terapi. Realisht, ai sonte as terapi nuk mund të merr. Krejt kjo është e cekur në fletë-lëshim. Madje, edhe fletë-lëshimi është kryer pas daljes së pacientit nga klinika. Koci tha se krejt kjo është në kundërshtim me ligjin dhe çdo etikë tjetër mjekësore e humane. Lushtakut po i shkelet një e drejtë elementare; e drejta për trajtim mjekësor.


Sami Lushtaku, i cili po vuan dënimin me burg, ditë më parë pati hyrë në grevë urie me arsyetimin se nuk ka marrë tretmanin e duhur mjekësor për problemet shëndetësore nga të cilat ai vuan. Ish-komandanti i UÇK-së i Zonës Operative të Drenicës, kryetar aktual i komunës së Skenderajt, është dënuar 12 vjet burg nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.


 


Kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se zgjidhja e krizës politike në vend mund të gjendet dhe duhet të kërkohet  vetëm në institucione. Gjatë qëndrimit në Gjilan, në kuadër të vizitave nëpër komuna, zonja Jahjaga ka thënë se tejkalimi i krizës politike qëndron tek faktori vendor. “Besoj se i kemi institucionet tona, të cilat i kemi krijuar me shumë mund për këto vite me radhë. Zgjidhjet nuk janë në rrugë. Zgjidhja është përbrenda institucioneve dhe nëpërmjet dialogut të përbashkët në mes të të gjitha forcave politike në vend”, ka deklaruar Jahjaga.


 


Brukseli ka bërë të gjitha përgatitjet që me 27 janar të mbahet takimi i radhës në nivel kryeministrash midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo është konfirmuar edhe nga Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Mogherinit. Ditë më parë, kryeministri, Isa Mustafa kishte premtuar se nuk do të shkojë në Bruksel, nëse Kosova nuk merr fillimisht rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave. Por, presioni ndërkombëtar ka mjaftuar që kryeministri Mustafa të heq dorë nga këmbëngulja e tij dhe të shpreh gatishmëri për bisedime. Ndërkohë, pala serbe ka njoftuar për temat të cilat do t’i trajtojë në këtë radhë bisedimesh: dënimi i Oliver Ivanoviqit me 9 vjet heqje lirie, çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, hartimi i Statutit të tij si dhe çështja e pronave në Kosovë.


 


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se opozita nuk do të ndalet së protestuari, deri në largimin e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit nga pushteti. Duke i quajtur shkelës të Kushtetutës, ai ka thënë se ata duhet të hapin rrugë që Kosova të jetë vend ku sundon rendi dhe ligji, dhe të krijohet mjedisi që do të mundësonte zbutjen e papunësisë. Kreu i AAK-së thotë se duhet të ndërpritet klientelizmi dhe t’i hapet rruga ekonomisë së tregut. Ai ka mohuar se protestat e fundit dhe hedhja e mollotovëve po i frikësojnë investitorët e huaj. “Kokteji i molotovit, është gjuajtur në dy-tri raste dhe në dy muajt e fundit, ndërsa investitorët e huaj ka vite që e kanë braktisur Kosovën. E kanë braktisur, sepse nuk janë të gatshëm t’i paguajnë pushtetarët për të hyrë në tregun e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.


 


Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjfuca, ka thënë se opozita e bashkuar i ka adresuar kërkesat e saj për Qeverinë e Kosovës, duke përsëritur se zgjidhja më e mirë është tërheqja e nënshkrimit nga marrëveshjet e dëmshme. Sipas tij, tërheqja e nënshkrimeve, referendumi dhe zgjedhjet e reja, janë opsionet që i janë ofruar Qeverisë së Kosovës nga ana e opozitës së bashkuar. Deputeti i Vetëvendosjes, Konjufca ka bërë të ditur se PDK dhe LDK vazhdimisht i kanë ofruar poste ministrore opozitës, përfshirë edhe Vetëvendosjes, vetëm që të bëhen pjesë e Qeverisë.


 

Kontrolloni gjithashtu

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet …