Brickos

Eksodi

Shqiptarët, ishin ata që i shfarosën dhe i dëbuan dhunshëm nga trojet e tyre në Serbinë e sotme, jo serbët nga Kosova

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Shqiptarët u shfarosën dhe e dëbuan dhunshëm nga trojet e tyre në Serbinë e sotme dhe jo serbët nga Kosova, sepse deri në vitin 1912,  në viset e sotme shqiptare, kishte një pakicë serbe e sllave që nuk kalonte mbi dhjetë për qind të popullatës së përgjithshme.

Rifillimi i bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, ashtu sikur edhe në të kaluarën, ka nisur si dialog teknik e në radhë të parë, për  sikur thuhet, për kthimin e  serbëve të zhvendosur nga Kosova si dhe bisedime për çështje ekonomike.

Delegacioni i Kosovës i cili kurdoherë ka pasur defekt mungesën e pranisë së ekspertëve, nga historia e demografia duhet të ketë kujdes maksimal, qoftë edhe në përdorimin e frazeologjisë, sepse nuk mund të krahasohet zhvendosja  dhe dëbimi i popullatës shqiptare gjatë luftës në vitet 1998-1999, me ikjen e serbëve nga Kosova në muajt qershor korrik të vitit 1999, pas hyrjes së trupave të NATO-s dhe forcave të UÇK-së. Pjesa më e madhe e serbëve asokohe kishte ikur së bashku me ushtrinë e policinë e regjimit të Milloshweviqit, sidomos ata që kishin qenë pjesë e luftës, masakrave dhe dëbimit masiv të shqiptarëve.

Pastaj duhet saktësuar edhe faktin se sintagma “zhvendosje e popullatës shqiptare” gjatë luftës, kishte të bënte me shqiptarët që jetonin maleve e grykave të lumenjve dhe të kryesisht ishin në zonat që i mbante nën kontroll Ushtria  Çlirimtare e Kosovës dhe nuk kishte të bënte me dëbimin e dhunshëm, përveç  në rastet kur serbët depërtonin dhe masakronin popullatën. Dëbimi  apo edhe ikja  masive e  shqiptarëve  ndodhi sidomos nga qytetet.

Pretendimi i serbëve se gjatë regjimit të tyre represiv, antishqiptar, në Kosovë janë serbët ata që qenkan dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre, nuk i qëndron asnjë fakti e argumenti, sepse serbët  pakicë e sundonin dhe e administronin shumicën shqiptare dhe nuk mund të flitet për dëbim të serbëve nga Kosova. Ata shkonin në qytetet e Serbisë ku zinin punë dhe përparonin ekonomikisht sepse në të shumtën e rasteve pasurinë e tyre të patundshme e blinin shqiptarët. Janë të njohura disa periudha të pas luftës së vitit 1998-1999 kur serbët i kanë shitur pronat, janë kthyer sërish në shtëpitë, që u kishin ndërtuar  organizatat e ndryshme humanitare, pastaj ato të Beogradit, ku para të shumta janë derdhur edhe nga buxheti i Kosovës  dhe ata sërish i kanë shitur pronat e shtëpitë, duke i akuzuar shqiptarët për presion.

Përpjekjet e disa shteteve të Evropës, e veçmas të Rusisë për kthimin e serbëve në trojet e tyre, janë vazhdim i politikave antishqiptare dhe nuk kanë të bëjnë me realitetin ekzistues, që mbretëron në Kosovë.

 Argumente historike…

Pas humbjes së luftës në Kosovë, në vitin 1939, serbët që kishin ardhur nga viset veriore për të marrë pjesë në luftë,  ishin kthyer nga kishin ardhur, ndërsa  në Kosovë kishte mbetur vetëm  i ashtuquajturi Vilajet i Vuk Brankoviqit, të cilit Perandoria Osmane e kohës ia kishte njohur vasalitetin.

Gjatë sundimit turk, pakica serbe, e cila numerikisht  kurrë nuk kishte qenë më shumë se 20 për qind në përbërje të banorëve,  në vendin tonë, kishte qenë pakicë e privilegjuar, por ajo nuk ishte islamizuar dhe nuk kishte pranuar të jetonte në mesin e popullatës shqiptare, e cila kishte pranuar islamin dhe kishte marrë pjesë edhe në administratë dhe në ushtrinë e Perandorisë.

Pas fitores së Rusisë dhe shteteve të Evropës kundër Perandorisë Osmane, në vitin 1912, viset shqiptare mbetën në mëshirë të kohës. Rusia, Franca, Anglia, Gjermania ishin pajtuar që në Ballkan të rikthehej mbretëria e ashtuquajtur serbe  e shekullit 13-të, edhe pse popullata raje serbe nuk përbënte as 5 për qind të popullatës së përgjithshme. Po kështu nuk duhet harruar se në kohën e Perandorisë Osmane, shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese në katër vilajetet, të cilat quheshin vilajete të Arnautistanit dhe që përfshinin një sipërfaqe rreth 110 mijë kilometra katrorë.

Evropa prej Kongresit të Berlinit, të vitit 1878, i cili mohoi ekzistencën e shqiptarëve e deri në ditët tona, ka përkrahur dhe përkrah kthimin e Serbisë në K0sovë, duke përfillur mitin dhe legjendat serbe, për Luftën e humbur në vitet 1389-1448.

Nostalgjia, dhembja e brenga shekullore  e Evropës për betejat e humbura të krishterëve në Kosovë, duke përjashtuar nga historia, pikërisht shqiptarët ortodoksë, të cilët edhe  e kishin krijuar atë histori  bashkë me të tjerët, realisht ata i besojnë falsifikimit të   ngjarjeve të së kaluarës, nga kisha dhe historianët serbë, të cilët kanë arritur ta plasojnë në Evropë, “të vërtetën e tyre”, të bazuar në gënjeshtrat e pandërprera, gjatë shekujve.

Ata jo vetëm që nuk flasin për dëbimin  me dhunë e terror të shqiptarëve  nga të gjitha viset e Serbisë së sotme, që dikur ishin pjesë e Vilajetit të Kosovës deri në Nish e tutje, por mohojnë  të ketë pasur ndonjëherë shqiptarë atje. Nëse Evropa bekoi Serbinë për kthimin pas 550 viteve, në Kosovë, si do të duhej të reagonte, për kthimin e shqiptarëve në krahinat e sotme qendrore dhe jugore të Serbisë, në të cilat popullata shqiptare ishte shumicë dhe ishte dëbuar e shfarosur prej vitit 1878 e deri në vitin 1999. Kjo do të thotë se nëse shqiptarët arrijnë të krijojnë një forcë ose një aleancë, ata do  ta merrnin mbi vete të drejtën  të kthehen atje ku kanë qenë dhe ku ndanë jetuar të parët e tyre deri në qytetin e Nishit e tutje.

Nëse serbëve dhe sllavëve përgjithësisht u lejohet kthimi në tokat e pushtuara në shekujt 7 dhe 8 të epokës sonë në Ballkan, atëherë me të njëjtën të  drejtë historike, do të lejoheshin të ktheheshin, romakët, bizantinët, turqit, por mbi të gjitha, e para gjithë këtyre,  do të duhej të ktheheshin ilirët e dardanët, trakasit, dakët, mëziasit, avarët, tatarët e popujt e tjerë.

Në përudhën e pas luftës, serbët në prani dhe “mbështetje selektive”  të forcave të KFOR-it, në vitin 2000 kanë dëbuar me një aksion të përqendruar policor  të gjithë shqiptarët  nga Mitrovica e Veriut, më shumë se 12 mijë syresh. As sot, pas 20 viteve nuk janë  lejuar shqiptarët të kthehen në shtëpitë e tyre, nga ku janë dëbuar dhunshëm. Nuk mund të kthehen as shqiptarët në komunën e Medvegjës me rrethinë, sepse Serbia ua ka “djegur” nënshtetësinë.  Çka do të ndodhte sikur shqiptarët që janë dëbuar nga viset e Nishit, Prokupjes, Vranjës, Kumanovës, Leskovcit për në Turqi, ku edhe jetojnë trashëgimtarët e tyre, të kërkonin të ktheheshin nga atje në viset e sotme të Serbisë nga ku të parët e tyre  ishin dëbuar dhunshëm  para 120 viteve e më vonë?

 

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …